Emisioni “Plug”
Ndërkohë që politika ishte mbërthyer nga ethet e vitit zgjedhor për Parlamentaret e vitit 2025, diku heshtur, dhe diku publike, po realizohej një tentativë që, nga mënyra, personat e përfshirë dhe përmasat e saj, nuk është asgjë më shumë se sa një puç kushtetues.
Në qendër të këtij skenari është rrëmbimi i mandateve të disa prej gjyqtarëve kushtetues. Fokusi kryesor është ndërprerja anti-kushtetuese e mandatit të gjyqtares kushtetuese, Sonila Bejtja.
Personazhi kryesor më i dukshëm i këtij puçi kushtetues, i cili ka nisur hapat e parë prej vjeshtës së vitit 2024 dhe po vijon edhe në këto ditë, është Sokol Sadushi. Natyrisht, Kryetari i Gjykatës së Lartë nuk është i vetëm në këtë histori.
Emisioni “Plug” do të mundohet të hedhë dritë mbi këtë skenar, i cili, për nga përmasat dhe efektet, është një tritol kundër Reformës në Drejtësi.
Të gjithë elementët krijojnë bindjen se “drejtësia e re” po krijon një lloj korporatizimi të ri dhe shumë të fuqishëm në sistemin gjyqësor. Një lloj pushteti që po e shndërron “drejtësinë e Sokol Sadushit” në një super-pushtet, të kontrolluar nga një grusht i vogël personash.
Fillimisht, do të shohim se si u ngjit Sokol Sadushi në majën e drejtësisë.
Sokol Sadushi ishte Drejtor i Shkollës së Magjistraturës në vitin 2016, kur ai u emërua nga miku i tij, Fatmir Xhafaj, si një nga Ekspertët e Nivelit të Lartë për hartimin e projektit të Reformës në Drejtësi.
Projekti fillestar dhe i dakordësuar mes palëve politike parlamentare parashikonte që Ekspertët e Nivelit të Lartë nuk do të kishin mundësi që të emëroheshin në strukturat e reja gjyqësore.
Megjithatë, një ndërhyrje e minutës së fundit nga Fatmir Xhafaj, që ishte kryetar i Komisionit Parlamentar të Reformës, e ndryshoi atë parashikim.
Një nga përfituesit kryesorë të dhuratës së Fatmir Xhafajt ishte pikërisht Sokol Sadushi. Në korrik të vitit 2019, kur ishte ende drejtor i Shkollës së Magjistraturës, Sadushi aplikoi për një vend vakant në Gjykatën e Lartë.
Këshilli i Lartë Gjyqësor, i drejtuar në atë kohë nga Naureda Llagami, miratoi kandidaturën e tij, pasi realizoi një verifikim sipërfaqësor mbi pasurinë, integritetin moral dhe aftësitë profesionale.
Vetingu i kryer nga Këshilli i Lartë Gjyqësor është më së paku skarco. Problemet e Sokol Sadushit me pasurinë ishin të theksuara dhe të mjaftueshme për shkarkimin e tij nga detyra, nëse ai do t’i ishte nënshtruar rivlerësimit si të gjithë gjyqtarët dhe prokurorët e tjerë në detyrë që u përballën me Komisionin e Pavarur të Kualifikimit (KPK) dhe Kolegjin e Posaçëm të Apelimit (KPA).
Problemet e pasurisë së Sadushit ishin me të vërtetë të rënda dhe këtë gjë e dinte më së miri edhe bashkëshortja e tij, Edlira Petri, e cila, si gjyqtare në Apel, iu nënshtrua Vetingut normal.
Komisioni i Pavarur i Kualifikimit konstatoi parregullsi në burimin e ligjshëm të blerjes së dy apartamenteve, njëri në Tiranë dhe tjetri në zonën bregdetare të Qerretit.
Gjyqtarja Edlira Petri kërkoi nga trupa e Vetingut që ato pasuri janë krijuar nga bashkëshorti i saj nga një martesë e parë dhe nuk duhej të përfshiheshin në procesin e saj të rivlerësimit.
“Në përfundim të kësaj çështjeje, do të doja të sillja edhe një herë në vëmendje se veprimet e mësipërme, të kryera nga bashkëshorti im, i përkasin periudhës para martesës sonë. Si të tilla, pavarësisht se, sikurse u shpjegua, ato janë të ligjshme, vlerësoj se nuk duhet të përfshihen në kuadër të rivlerësimit tim”, deklaroi Edlira Petri, bashkëshortja e Sokol Sadushit, para trupës së Vetingut.
Në përfundim, Komisioni i Pavarur i Kualifikimit, në 17 qershor 2020, e konfirmoi në detyrë gjyqtaren Edlira Petri me dy vota pro.
Ndërsa anëtarja e tretë shprehu mendimin se ajo duhej shkarkuar nga detyra, pikërisht për problemet me pasuritë e Sokol Sadushit.
Dokumentat zyrtare të Vetingut, të konsultuara nga “Plug”, tregojnë qartë se Sokol Sadushi duhej skualifikuar nga gara për në Gjykatën e Lartë.
Por, Naureda Llagami dhe KLGJ-ja i mbyllën të dy sytë përballë problematikave në pasurinë e tij. Në 27 shkurt 2020, Këshilli i Lartë Gjyqësor i propozon Presidentit të Republikës emërimin e Sokol Sadushit në Gjykatën e Lartë.
Në 11 maj të atij viti, Presidenti dekreton emërimin e tij si anëtar të Gjykatës së Lartë. Pak javë më pas, ai zgjidhet si zv.kryetar i gjykatës me funksionet e kryetarit.
Në tetor 2023, emërohet përfundimisht kryetar i Gjykatës së Lartë.
Pas katapultimit të dyshimtë në krye të Gjykatës së Lartë, Sokol Sadushi shumë shpejt nisi betejën për uzurpimin e mandateve në Gjykatën Kushtetuese.
Ndryshimet kushtetuese të vitit 2016, në kuadër të Reformës në Drejtësi, ndryshuan në mënyrë rrënjësore mënyrën e zgjedhjes së gjyqtarëve kushtetues. Sipas parashikimeve të reja, Gjykata Kushtetuese do të vijonte të kishte 9 anëtarë, nga të cilët tre do të zgjidheshin nga Presidenti, tre nga Kuvendi dhe tre nga Gjykata e Lartë, pas një filtrimi paraprak që do të kryhej nga një strukturë e re, Këshilli i Emërimeve në Drejtësi, dhe me mandat 9-vjeçar.
Gjithashtu, Kushtetuta, me qëllim zbutjen e ndikimit politik, më saktë të maxhorancës, në kohën e miratimit të Reformës në Drejtësi, parashikoi në nenin 125, pika 5 të saj, zëvendësimin në çdo tre vjet të tre anëtarëve të Gjykatës Kushtetuese. Kjo do të thoshte që zëvendësimi i plotë i përbërjes së Gjykatës Kushtetuese nuk do të bëhej vetëm gjatë mandatit të një përbërjeje parlamentare, por gjatë dy mandateve të përbërjeve parlamentare.
Gjithashtu, Kushtetuta, në nenin 179, pika 3 e saj, detajonte edhe mënyrën e ripërtëritjes.
“Me qëllim përtëritjen e rregullt të përbërjes së Gjykatës Kushtetuese, gjyqtari që do të zëvendësojë gjyqtarin, të cilit i mbaron mandati në vitin 2017, do të qëndrojë në detyrë deri në vitin 2025, dhe gjyqtari i ri, që do të zëvendësojë gjyqtarin, të cilit i mbaron mandati në vitin 2020, do të qëndrojë në detyrë deri në vitin 2028. Gjyqtarët e tjerë të Gjykatës Kushtetuese emërohen për të gjithë kohëzgjatjen e mandatit, sipas ligjit.”
Skema e ripërtëritjes u konsiderua e drejtë në atë kohë edhe nga Komisioni i Venecias, në një opinion të vitit 2016.
Përgjatë dy viteve pasuese, në 2017-2018, Gjykata Kushtetuese thuajse mbeti bosh, pasi anëtarët në detyrë dhanë dorëheqjen pas përfundimit të mandatit ose u shkarkuan nga procesi i Vetingut.
Procedurat për emërimin e gjyqtarëve të rinj filluan vetëm në vitin 2019, pasi maxhoranca socialiste bllokoi për gati tre vjet funksionimin e Këshillit të Emërimeve në Drejtësi (KED).
Procedurat e ndjekura gjatë vitit 2020 nga KED-i, i drejtuar në atë kohë nga Ardian Dvorani, e çuan vendin në një krizë kushtetuese dhe përpasje të fortë ligjore e publike me Presidentin Ilir Meta.
Për të zgjidhur konfliktin ndërhyri sërish Komisioni i Venecias, me një opinion të miratuar në qershor 2020. Në atë opinion, ekspertët e Venecias, krahas vlerësimit për kompetencat mes institucioneve, preku edhe disa çështje të tjera kushtetuese sa i përket emërimit të anëtarëve të Gjykatës Kushtetuese.
Lidhur me ripërtëritjen trevjeçare të gjyqtarëve kushtetues, Venecia vlerësoi në vitin 2020 se ajo skemë ishte tashmë e tejkaluar.
“Modeli kushtetues i miratuar në vitin 2016 është tepër kompleks dhe, në terma afatgjatë, rekomandohet thjeshtimi i tij, në radhë të parë duke hequr rregullin e ripërtëritjes… Së dyti, duhet të hiqen vitet fikse të fillimit dhe mbarimit të mandateve nëntëvjeçare. Gjyqtarët kushtetues duhet të gëzojnë gjithmonë një mandat të plotë nëntëvjeçar, edhe nëse janë zgjedhur me njëfarë vonese ose nëse marrin një mandat që është ndërprerë para kohe; ky ndryshim nuk duhet të krijojë probleme pasi të hiqet përtëritja. Ky ndryshim do ta bënte pozicionin e gjyqtarit kushtetues më tërheqës për kandidatët e kualifikuar, por edhe më kuptimplotë.”
Opinioni i Venecias ishte më aktual se kurrë. Në vitin 2020, pas vonesave në emërimin e gjyqtarëve të rinj kushtetues, tashmë skema e përtëritjes ishte realizuar vetëvetiu. Gjyqtarët kushtetues që janë në detyrë janë zgjedhur në kohë të ndryshme dhe, rrjedhimisht, edhe mandatet e tyre i mbarojnë në kohë të ndryshme.
Sipas verifikimeve të kryera nga “Plug”, kemi një situatë të tillë të kohëzgjatjes së anëtarëve në detyrë të Gjykatës Kushtetuese:
Gjyqtari – Organi i emërtesës – Koha për të cilën është zgjedhur – Afati
Marsida Xhaferllari – Presidenti – 2019-2028 – 9 vjet
Fiona Papajorgji – Kuvendi – 2019-2028 – 9 vjet
Elsa Toska (dorëhequr) – Kuvendi – 2019-2028 – 9 vjet
Sonila Bejtja (ka marrë mandatin e Besnik Muçit, i emëruar në tetor 2019, shkarkuar në nëntor 2019) – Presidenti – 2019-2028 – 9 vjet
Sandër Beci (mandati i pjesshëm sipas nenit 179/3 të Kushtetutës, pasi zëvendësoi gjyqtarin Fatmir Hoxha, që i përfundonte mandati në vitin 2020) – Gjykata e Lartë 2020-2028 – I emëruar në vitin 2022, përfundon në 2028, pra 6 vjet
Ilir Toska – Gjykata e Lartë – 2022-2031 – 9 vjet
Gent Ibrahimi – Presidenti – 2022-2031 – 9 vjet
Marjana Semini – Kuvendi – 2023-2032 – 9 vjet
Holta Zaçaj (mandati i pjesshëm sipas nenit 179/3 të Kushtetutës, pasi zëvendësoi Vitore Tusha, që i përfundonte mandati në vitin 2017) Gjykata e Lartë 2017-2025 E emëruar në vitin 2023, përfundon në 2025, pra 2 vjet
Pra, prej fillimit të vitit 2023, Gjykata Kushtetuese ishte në normalitet maksimal. Trupa gjyqësore ishte e plotë me 9 anëtarë, koha e zgjedhjes dhe mandatet e tyre nisën dhe përfundonin në kohë të ndryshme, dhe qëllimi i përtëritjes së 3 mandateve në periudhë 3-vjeçare ra automatikisht.
Kjo rutinë u prish në shtator 2024. Me një lëvizje të papritur, në 19 shtator 2024, gjyqtarja Elsa Toska jep dorëheqjen me motivacionin “për arsye personale”. Toska ishte zgjedhur nga Parlamenti, pas një gare të fortë dhe një procesi që zgjati për shumë muaj. Ndaj, dorëheqja, aq më tepër nga një pozicion në çatinë e Shtetit, dukej një veprim i pakuptimtë. Arsyet personale nuk u sqaruan asnjëherë dhe tashmë Elsa Toska është e angazhuar me kënaqësi si pedagoge në fakultet.
Megjithatë, disa të dhëna që dolën kohë më vonë krijuan dyshimin se dorëheqja e Elsa Toskës mund të ishte një plan i paramenduar nga të tjerë persona.
Në mars të këtij viti, rrodhën në media disa mesazhe të shkëmbyera në fillim të vitit 2024. Personat që shkëmbenin këto mesazhe thuhet se ishin Naureda Llagami, që në kohën e komunikimeve ishte ende kryetare e Këshillit të Lartë Gjyqësor, Klotilda Bushka, kryetare e Komisionit Parlamentar të Ligjeve, dhe një person i tretë. Të gjitha zonjat njihen për raportet e ngushta me Ajola Xoxan, bashkëshorten e kryetarit të arrestuar të Bashkisë së Tiranës, Erion Veliaj.
Në ato mesazhe, Llagami shprehte dëshirën për të qenë anëtare e Gjykatës Kushtetuese pas përfundimit të mandatit si kryetare e KLGJ-së.
Duhet mbajtur në vëmendje se këto mesazhe të presupozuara janë shkëmbyer në janar 2024, rreth 10 muaj përpara se Elsa Toska, gjyqtarja e zgjedhur nga Parlamenti, të jepte dorëheqjen.
Naureda Llagami e mohoi vërtetësinë e këtyre mesazheve. Megjithatë, Llagami aktualisht është kandidate për një vend në Gjykatën Kushtetuese, në një procedurë të shpallur nga Gjykata e Lartë.
Paligjshmëritë e Sokol Sadushit për të rrëmbyer mandatin e anëtares së Kushtetueses Sonila Bejtja
Dorëheqja e Elsa Toskës nuk ishte thjesht një mundësi për të gjetur një emër të ri mes “miqve të pushtetit”. Dorëheqja e gjyqtares Elsa Toska ishte preludi i lëvizjeve tektonike, hapi i parë formal i “puçit kushtetues”, që ka për qëllim rrëmbimin e mandateve në Gjykatën Kushtetuese. Ky është momenti kur Sokol Sadushi shfaq për herë të parë hapur qëllimet e tij mbi anëtarët e Kushtetueses.
Elsa Toska ishte zgjedhur nga Parlamenti në nëntor 2019 për një mandat 9-vjeçar. Me dorëheqjen e saj, Parlamenti, më 30 shtator 2024, shpalli thirrjen për kandidatë që do të plotësonin vakancën e saj të parakohshme.
Në atë njoftim thuhej se: “Kuvendi shpall hapjen e procedurës së aplikimit për vendin vakant, mandat plotësues, për 1 (një) anëtar të Gjykatës Kushtetuese, me qëllim plotësimin e vakancës të krijuar për shkak të deklarimit të mbarimit përpara afatit të mandatit të gjyqtares Znj. Elsa Toska, i cili përfundon më datën 14.11.2028, referuar Vendimit të Kuvendit nr. 133/2019 ‘Për zgjedhjen e zonjës Elsa Toska, anëtare të Gjykatës Kushtetuese’.”
Sipas njoftimit të zyrës së kryeparlamentares Elisa Spiropali, gjyqtari i ri do të qëndronte deri në kohën e përfundimit të mandatit 9-vjeçar të Elsa Toskës, pra deri në vitin 2028. Njoftimi i Spiropalit bazohej në procedurën e ndjekur për zgjedhjen e Toskës nga paraardhësi i saj, Gramoz Ruçi, në vitin 2019.
Vendimi i Spiropalit për afatin e anëtarit të ri të Gjykatës Kushtetuese krijoi shqetësim në qarqe të caktuara. Shqetësimi i personave të interesuar, të cilët do të dalin më vonë me fytyra dhe emra, nuk lidhej edhe aq shumë me mandatin e Elsa Toskës, që tashmë e kishte liruar një vend në Kushtetuese, por me mandatin e një tjetër gjyqtareje, Sonila Bejtja.
Këto sinjale u dhanë fillimisht në media, përfshirë edhe “Zërin e Amerikës”, i cili, nga padija ose besimi i tepruar, organizoi një kronikë mbi baza tërësisht të gabuara.
Në një raportim fillestar, më 28 tetor 2024, të shpërndarë në median shqiptare, “Zëri i Amerikës” e përfshiu emrin e Sonila Bejtjas në listën e gjyqtarëve që përfshiheshin në skemën e ripërtëritjes 3-vjeçare.
Për grupin e tre anëtarëve, mandati i të cilëve duhet të përfundojë në vitin 2025, Presidenti i Republikës, në dekretin e 28 dhjetorit 2020, duke emëruar anëtaren Sonila Bejtja, përcakton se bëhet fjalë për vakancë të përkohshme (vendin e lënë nga anëtari Sokol Berberi, mandati i të cilit kishte përfunduar në vitin 2016).
Por, në një moment të dytë, “Zëri i Amerikës” reflektoi shumë shpejt dhe e ndryshoi tekstin, duke raportuar thjesht historikun e mandatit të Bejtjas, pa e përfshirë në skemën e ripërtëritjes:
Mandati i gjyqtarit Sokol Berberi kishte përfunduar në vitin 2016. Ai vijoi të qëndrojë edhe disa muaj, duke dhënë më pas dorëheqjen. Në vendin e tij, në tetor të vitit 2019, Presidenti dekretoi anëtarin e ri Besnik Muçi. Por vetëm pak javë më pas, ai u shkarkua nga Kolegji i Posaçëm i Apelimit. Një vit më vonë, në dhjetor të vitit 2020, ai do të zëvendësohej, për vakancën e përkohshme, nga zonja Sonila Bejtja.
Ajo që mund të dukej si lapsus në raportin e “Zërit të Amerikës”, në fakt ishte qëllimi i të gjithë skenarit që po luhej pas kuintave për mandatin e gjyqtares së dorëhequr, Elsa Toskës.
Elsa Toska ishte zgjedhur për një mandat 9-vjeçar dhe zëvendësuesi i saj duhet të qëndronte në detyrë për pjesën e mandatit 9-vjeçar të saj.
Por fijet që lëviznin fillimisht në media nga Sokol Sadushi po tentonin që të zhbënin këtë procedurë. Synimi ishte përcaktimi i mandatit të Elsa Toskës si “i pjesshëm”, si pozicion që përfshihej në skemën e ripërtëritjes 3-vjeçare.
Por cili ishte interesi këtu? Elsa Toska kishte ikur dhe gjyqtari i ri ende nuk ishte zgjedhur.
Ja ku dalim tek mandati i Sonila Bejtjas.
Kushtetuta, në nenin 179, pika 2, parashikon se: “Anëtari i parë për t’u zëvendësuar në Gjykatën Kushtetuese emërohet nga Presidenti i Republikës, i dyti zgjidhet nga Kuvendi dhe i treti emërohet nga Gjykata e Lartë. Kjo radhë ndiqet për të gjitha emërimet që do të bëhen pas hyrjes në fuqi të këtij ligji.”
Sonila Bejtja, e emëruar nga Presidenti, dhe Elsa Toska, e emëruar nga Kuvendi, ishin zgjedhur të dyja për një mandat të plotë 9-vjeçar.
Duke shfrytëzuar rastin që Elsa Toska dha dorëheqjen dhe nuk do të kishte asnjë reagim prej saj, Sadushi, nëpërmjet levave të tij, nisi lobimin mediatik dhe më tej edhe institucional për të zhbërë procedurën e nisur nga Parlamenti për zëvendësimin e Elsa Toskës. Synimi ishte të përcaktohej mandati i Elsa Toskës si i pjesshëm, si pjesë e skemës së ripërtëritjes.
Dhe, me të njëjtën logjikë, do të tentohej të caktohej si i pjesshëm mandati edhe i Sonila Bejtjas, duke e përfshirë në skemën e ripërtëritjes 3-vjeçare, sipas nenit 179, pika 2 të Kushtetutës.
Tentativa e parë për të zhbërë procedurën e shpallur nga Parlamenti për vakancën e plotë të Elsa Toskës u krye nga Këshilli i Emërimeve në Drejtësi, më 1 nëntor 2024.
Kryetari i asaj kohe, anëtari i Gjykatës së Lartë, Sokol Ngresi, vartës i Sokol Sadushit, thirri një mbledhje të Këshillit të Emërimeve në Drejtësi, ku, me iniciativën e tij, vendosi në rendin e ditës pikën: “Diskutim lidhur me njoftimin e Kuvendit të Shqipërisë që ka të bëjë me përcaktimin e kohëzgjatjes së mandatit të vakancës së krijuar në Gjykatën Kushtetuese nga dorëheqja e gjyqtares Elsa Toska.”
Këshilli i Emërimeve në Drejtësi, sipas përcaktimeve kushtetuese, ka për detyrë të verifikojë kushtet dhe kriteret e kandidatëve për në Gjykatën Kushtetuese, ndërkohë që nuk ka asnjë kompetencë për të shqyrtuar apo edhe për të dhënë opinione mbi procedurat e ndjekura nga organet e emërtesës, që në rastin konkret janë Presidenti, Kuvendi dhe Gjykata e Lartë.
Pra, lëvizja e Sokol Ngresit, përveçse ishte tërësisht joligjore, ishte edhe një hap drejt konfliktit institucional me Parlamentin.
Gjithsesi, anëtarët e Këshillit të Emërimeve në Drejtësi, që vijnë nga radhët e Gjykatës Kushtetuese, Gjykatës së Apelit dhe prokurorive, vendosën të rrëzojnë propozimin e kryetarit Sokol Ngresi për të dhënë opinion mbi procedurat e nisura nga Parlamenti për kohëzgjatjen e vakancës së Elsa Toskës.
Pas këtij dështimi fillestar, Sokol Sadushi vijon kursin e përplasjes së tij me Gjykatën Kushtetuese.
Më 11 dhjetor 2024, menjëherë sapo ishte shortuar edhe si kryetar i Këshillit të Emërimeve në Drejtësi, ai shpalli njoftimin për hapjen e procedurës së aplikimit për anëtar të Gjykatës Kushtetuese nga Gjykata e Lartë, si rrjedhojë e përfundimit në mars 2025 të mandatit të pjesshëm të gjyqtares dhe njëkohësisht kryetares së Gjykatës Kushtetuese, Holta Zaçaj.
Lëvizja e Sadushit ishte tërësisht anti-kushtetuese. Kushtetuta parashikon se vakancat shpallen nga vetë Gjykata Kushtetuese, e cila më pas njofton organet e emërtesës. Pra, Sadushi kishte tejkaluar fazat kushtetuese tërësisht me qëllim dhe në shkelje të hapur.
Gjithsesi, pas këtij konflikti kushtetues, që u shoqërua edhe me debate të forta institucionale, Holta Zaçaj, në cilësinë e kryetares së Gjykatës, thirri mbledhjen për mandatin e saj. Më 23 dhjetor 2024, anëtarët e Gjykatës Kushtetuese, në shumicë (përveç gjyqtares Sonila Bejtja), vendosën se mandati i Zaçajt mbaron në 10 mars 2025 dhe jo në dhjetor, siç ishte bërë interpretimi nga vetë kërkuesja, Holta Zaçaj.
Pas këtij vendimi, Sokol Sadushi shpalli triumfin gjatë një takimi me median për fundvit, ku deklaroi se “Gjykata Kushtetuese e konfirmoi qëndrimin e tij”, megjithëse ai kishte vepruar tërësisht në kundërshtim me Kushtetutën.
Ndërkohë që ishin këto zhvillime, Sokol Sadushi, për një rastësi fatlume, u shortua më 2 dhjetor 2025 si anëtar dhe, rrjedhimisht, edhe kryetar i Këshillit të Emërimeve në Drejtësi për vitin 2025.
Pra, Sokol Sadushi do të udhëhiqte procedurat për verifikimin e kandidaturave për plotësimin e vakancës në Gjykatën Kushtetuese, të krijuar nga dorëheqja e gjyqtares Elsa Toska dhe pas përfundimit të mandatit të kryetares Holta Zaçaj. Por oreksi i tij nuk përfundoi këtu.
Si Sokol Sadushi dhe Bajram Begaj po kryejnë “puç” Kushtetues
Nën ndikimin e fuqishëm të Sokol Sadushit, në cilësinë e kryetarit të Këshillit të Emërimeve në Drejtësi, më 30 janar 2025, Presidenti Bajram Begaj i drejtohet Gjykatës Kushtetuese me një kërkesë me objekt: “Deklarimi i mbarimit të mandatit të gjyqtarit kushtetues”.
Ky është momenti kur Begaj, me dëshirë apo në mënyrë të pavullnetshme, përfshihet në atë që konsiderohet, as më shumë e as më pak, si puç kushtetues.
Në letrën e tij, Begaj shpreh shqetësimin se Gjykata Kushtetuese po pengon skemën e ripërtëritjes me 3 vjet të gjyqtarëve kushtetues, sipas skemës së parashikuar në Ligjin Themeltar, që thotë:
“Anëtari i parë për t’u zëvendësuar në Gjykatën Kushtetuese emërohet nga Presidenti i Republikës, i dyti zgjidhet nga Kuvendi dhe i treti emërohet nga Gjykata e Lartë…”.
Në thelb, Begaj kërkon interpretim mbi mandatet e të gjithë gjyqtarëve kushtetues.
Megjithëse objekti i kërkesës ishte “mbarim mandati”, baza ligjore e përmendur nga Presidenti lidhet me “konfliktin e kompetencave mes institucioneve”. Përballë një shkrese të paqartë, ku objekti i kërkesës nuk lidhet me bazën ligjore, një kolegj prej tre gjyqtarësh kushtetues vendosi në prill 2025 që çështja të kalojë për shqyrtim në seancë plenare, mbi bazë dokumentash.
Përpara se të shkojmë tek shqyrtimi i pritshëm i kërkesës së Begajt, duhet të ndalemi në detajet se përse e gjithë iniciativa e tij është anti-kushtetuese.
Pika e parë: Presidenti i referohet radhës së përcaktuar në nenin 179, pika 2 të Kushtetutës për skemën e ripërtëritjes, ndërkohë që ajo flet vetëm për radhën e emërimeve dhe jo të mandateve të tyre.
Pika e dytë: Presidenti Begaj, në vijën e ngritur më herët nga Sokol Sadushi i Gjykatës së Lartë, ka përmendur specifikisht mandatin e gjyqtares Sonila Bejtja. Por, a përfshihet mandati i saj në skemën e ripërtëritjes?
Kthehemi pak në historinë e këtij mandati. Në prill të vitit 2016 përfundon mandati i gjyqtarit kushtetues Sokol Berberi. Megjithëse Kushtetuta parashikonte që ai kishte të drejtën të qëndronte në detyrë deri në emërimin e pasuesit të tij, gjyqtari Berberi vendosi të largohej në shtator të atij viti, duke lënë vendin vakant.
Për shkak të vonesave në krijimin e institucioneve të reja sipas Reformës në Drejtësi, Presidenti i asaj kohe, Ilir Meta, shpalli më 7 shkurt 2018 thirrjen për kandidaturat që do të konkurronin për plotësimin e vakancës së plotë, pra me mandat 9-vjeçar, për zëvendësimin e ish-gjyqtarit Sokol Berberi.
Me vendimin nr. 128, të datës 29 shtator 2019, Këshilli i Emërimeve në Drejtësi, i drejtuar në atë kohë nga Ardian Dvorani, i dërgoi Presidentit të Republikës listën e kandidatëve të kualifikuar për të zëvendësuar mandatin e ish-gjyqtarit kushtetues, Sokol Berberi.
Në vendimin e nënshkruar nga Dvorani, theksohet që në titull se bëhet fjalë për “vakancë të plotë”.
Ndër katër emrat e kualifikuar, Presidenti Meta emëroi për gjyqtar kushtetues prokurorin e Prokurorisë së Krimeve të Rënda në atë kohë, Besnik Muçi, me dekretin nr. 11313, datë 15 tetor 2019.
Por, ndërkohë, Besnik Muçi ishte në proces Vetingu, të nisur ndaj tij në kohën kur ishte prokuror. Më 21 nëntor 2019, pra vetëm një muaj pasi ishte emëruar gjyqtar kushtetues, Besnik Muçi shkarkohet nga Kolegji i Posaçëm i Apelimit, shkalla e dytë e Vetingut.
Në këtë mënyrë, Presidenti i Republikës u detyrua të rishpallë thirrjen për plotësimin e vendit vakant të mbetur nga shkarkimi i gjyqtarit Muçi, i cili, siç thamë më parë, ishte emëruar në detyrë për mandat 9-vjeçar, që niste në vitin 2019 dhe përfundonte në 2028.
Zëvendësuesi i tij do të duhej të ushtronte detyrën për pjesën e pakonsumuar të Muçit, pra për rreth 8 vjet e 11 muaj.
Pas procedurave të reja, Këshilli i Emërimeve në Drejtësi, me vendimin nr. 66, të datës 28 dhjetor 2020, i përcolli Presidentit të Republikës emrin e Sonila Bejtjas si kandidate që plotëson kriteret për emërimin si gjyqtare kushtetuese, në vendin vakant të krijuar nga Besnik Muçi.
Në të njëjtën ditë, Presidenti i Republikës emëroi Sonila Bejtjan si gjyqtare kushtetuese, me dekretin nr. 11364, datë 28 dhjetor 2020.
E gjithë kronologjia, si edhe dokumentet e procedurës, dëshmojnë qartësisht se Sonila Bejtja është emëruar në detyrë për vakancën e plotë të krijuar nga Besnik Muçi dhe se mandati përfundon në vitin 2028.
Këto janë dokumente që gjenden edhe në zyrën e Bajram Begajt. Por ai ka vendosur t’i shohë ndryshe, duke nxitur një krizë kushtetuese të panevojshme.
Ish-gjyqtari Besnik Muçi, paraardhësi i Sonila Bejtjas, është i bindur se mandati i saj përfundon në vitin 2028.
Në një intervistë pak kohë më parë për “Task Force”-n e Sonila Meços në “Syri Televizion”, Muçi u shpreh se ai u emërua në Gjykatën Kushtetuese për një mandat të plotë 9-vjeçar dhe pasardhësja e tij, Bejtja, duhet të qëndrojë në detyrë deri në fund të afatit që u emërua ai, pra në fund të vitit 2028.
Ndërsa juristi Marash Logu thotë se “gjyqtarët kushtetues do të kryejnë shkelje të rënda kushtetuese dhe penale, nëse votojnë për ndërprerjen e mandatit të Sonila Bejtjas, dhe ata do të përballen me Prokurorinë e Posaçme, SPAK, për shpërdorim detyre”.
Kreu i Grupit Parlamentar të Partisë Demokratike e konsideroi presidentin Bajram Begaj një ushtar të bindur të Edi Ramës dhe se po shkon deri në hedhjen në erë të Kushtetutës për llogari të kryeministrit.
“Kushtetuta qartësisht i ka dhënë gjyqtarëve në detyrë një mandat të plotë 9-vjeçar, që nuk mund të cenohet në asnjë rrethanë pas fillimit të detyrës. Cënimi i mandateve nënkupton cenimin e vetë pavarësisë së Gjykatës dhe parimeve themelore të shtetit të së drejtës,” u shpreh Bardhi në një deklaratë publike pas letrës që presidenti Begaj i dërgoi Gjykatës Kushtetuese për mandatin e Sonila Bejtjas.
Pika e tretë konfirmon se iniciativa e presidentit Begaj ndaj gjyqtares Sonila Bejtja është antikushtetuese.
Gjyqtarja Bejtja ka kandiduar për vakancën në Gjykatën Kushtetuese, duke e ditur se ajo ishte një vakancë e plotë. Pse është e rëndësishme kjo?
Gjyqtari kushtetues duhet të dijë kohëzgjatjen e mandatit të tij, pasi afati i qëndrimit në detyrë është pjesë thelbësore e pavarësisë së tij.
Këtë e kanë theksuar disa vendime të Gjykatës Kushtetuese të marra ndër vite. Po citojmë njërin prej tyre, vendimi nr. 24, datë 9 Qershor 2011.
“Parimi i pavarësisë nënkupton, gjithashtu, se gjyqtari, në momentin e emërimit, duhet të dijë kohëzgjatjen e këtij mandati, bazuar në rregullimet ligjore përkatëse dhe kjo kohëzgjatje nuk mund të lihet në diskrecion të organeve që e kanë emëruar/zgjedhur atë”.
Sipas atij vendimi:
“Garancia e kohëzgjatjes dhe paprekshmërisë së mandatit e mbron gjyqtarin nga ndikimet e forcave politike që mund të vijnë në pushtet. Vetëm një gjykatë e pavarur, të cilës i garantohet paprekshmëria e mandatit të anëtarëve të saj, mund të konsiderohet si një gjykatë që administron drejtësinë kushtetuese, në përputhje me parimet kushtetuese”.
Pse u ndalëm tek ky vendim i Gjykatës Kushtetuese të vitit 2011? Ai vendim, ku flitet se gjyqtari kushtetues duhet të dijë kohëzgjatjen e mandatit të tij kur emërohet dhe se afati është garanci që të mos ketë ndërhyrje nga organet që e kanë zgjedhur, është miratuar… pikërisht nga Sokol Sadushi, që në atë kohë ka qenë anëtar i Gjykatës Kushtetuese.
Pra, Sadushi i vitit 2011 fliste për paprekshmërinë e mandatit të gjyqtarëve kushtetues, ndërsa sot, ai proklamon dhe madje udhëheq një skenar, që synon pikërisht të kundërtën e asaj që mbronte vetë disa vite më parë, duke synuar të ndërpresë në mënyrë antikushtetuese mandatin e gjyqtares Sonila Bejtja.
Pika e katërt e shkeljes kushtetuese në kërkesën e Presidentit Bajram Begaj.
Në kërkesën drejtuar Gjykatës Kushtetuese, presidenti Begaj lë të kuptohet se gjykata po i pengon atij zëvendësimin e gjyqtares Sonila Bejtja, bazuar në skemën e rotacionit 3-vjeçar. Dhe, sipas tij, rotacioni është detyrim kushtetues.
E rishohim edhe njëherë përcaktimin kushtetues për rotacionin.
Neni 179, pika 3 e Kushtetutës thotë:
“Me qëllim për t’ë riturjen e rregullt të përbërjes së Gjykatës Kushtetuese, gjyqtari që do të zëvendësojë gjyqtarin, të cilit i mbaron mandati në vitin 2017, do të qëndrojë në detyrë deri në vitin 2025 dhe gjyqtari i ri, që do të zëvendësojë gjyqtarin, të cilit i mbaron mandati në vitin 2020, do të qëndrojë në detyrë deri në vitin 2028. Gjyqtarët e tjerë të Gjykatës Kushtetuese emërohen për të gjithë kohëzgjatjen e mandatit, sipas ligjit”.
Pra, Kushtetuta ka shprehur në mënyrë specifike se mandatet e përkohshme janë ata që lidhen me gjyqtarët që u kanë mbaruar mandatet në vitin 2017 dhe 2020.
Këto dy data lidhen me mandatet e Holta Zaçaj, që zëvendësoi në detyrë ish-gjyqtaren Vitore Tusha dhe që përfundonte në vitin 2025, si edhe me gjyqtarin Sandër Beci, i cili zëvendësoi ish-gjyqtarin Fatmir Hoxha, dhe mandati i të cilit përfundon në vitin 2028.
Ndërkohë, Kushtetuta, po në të njëjtin nen, e thekson se:
“…Gjyqtarët e tjerë të Gjykatës Kushtetuese emërohen për të gjithë kohëzgjatjen e mandatit, sipas ligjit…”.
Gjyqtarja Sonila Bejtja është në detyrë si vijuese e mandatit të përfunduar nga ish-gjyqtari Sokol Berberi në vitin 2016. Duket qartë që ky vit nuk citohet aspak në Kushtetutë. Dhe, siç është parimi i njohur në jurisprudencë,
“Atë që nuk ka bërë ose nuk ka dashur ta bëjë Kushtetuta, nuk e bëjnë dot organet e tjera”.
Rrëmbimi i mandateve të Gjykatës Kushtetuese, si Sadushi e Begaj futën në lojë Kuvendin e Shqipërisë
Pra, atë që nuk e thotë Kushtetuta, kërkojnë ta bëjnë Sokol Sadushi dhe Bajram Begaj. Ka shumë elementë kushtetues, të cilët tregojnë qartësisht se iniciativa e Sokol Sadushit dhe Bajram Begajt është një tentativë flagrante për të rrëmbyer mandatin e gjyqtares Sonila Bejtja. Ata po ndjekin një skenar, që i ngjan saktësisht një puçi shtetëror.
Iniciativa e tyre, krahas përplasjes me Gjykatën Kushtetuese, ka përfshirë në konflikt edhe Kuvendin, i cili, deri më tani, duket se ka qenë i vetmi institucion që, të paktën në letër, ka vepruar në shinat e kushtetshmërisë. Por, edhe këto shina kanë nisur të dëmtohen gjatë ditëve të fundit.
Kthehemi sërish tek kërkesa e Begajt drejtuar Gjykatës Kushtetuese për interpretimin e mandateve të anëtarëve të saj. Siç thamë, një kolegj prej tre gjyqtarësh kushtetues vendosi që kërkesën ta kalojë për shqyrtim në seancë plenare.
Duke qenë se kërkesa përfshin mandatet e të gjithë gjyqtarëve, Gjykata Kushtetuese i drejtohet për koment institucioneve të interesuara: Presidencës, Kuvendit dhe Gjykatës së Lartë.
Më 12 maj 2025, Sokol Sadushi, në cilësinë e kryetarit të Gjykatës së Lartë, i dërgon një përgjigje Gjykatës Kushtetuese, të mbushur plot arrogancë. Në atë letër, Sadushi i kërkon llogari gjykatës më të lartë se përse e zvarrit çështjen e ndërprerjes së mandatit të gjyqtares Sonila Bejtja, por e shtyn duke e kaluar në shqyrtim për kohëzgjatjen e të gjithë mandateve.
Ky qëndrim i Sokol Sadushit ishte tërësisht personal dhe i pakonsultuar me të gjithë anëtarët e Gjykatës së Lartë. Për më tepër, opinioni i tij ishte komplet i kundërt me atë që mbajti Presidenca, institucioni që ka iniciuar këtë proces.
Bajram Begaj, i përfshirë në këtë lojë anti-kushtetuese, duket se e ka kuptuar që mund të jetë përdorur nga Sokol Sadushi, bëri një lloj hapi pas. Në përgjigjen për Gjykatën Kushtetuese, kreu i Shtetit shprehet se i qëndron të njëjtës kërkesë—pra shqyrtimit të kohëzgjatjes së të gjithë mandateve dhe jo vetëm për gjyqtaren Sonila Bejtja.
Jemi në një situatë ku, i zoti, pra Presidenca, nuk bën zë, ndërsa tellalli, Sadushi, bërtet fort.
Lojrat disa-mujore të Sadushit duket se kanë lodhur edhe Parlamentin. Juristët e kryeparlamentares Spiropali, në përgjigjen e tyre për Gjykatën Kushtetuese, shprehen se, për sa kohë kjo gjykatë do të interpretojë kohëzgjatjen e mandateve të të gjithë gjyqtarëve kushtetues, atëherë Kuvendi mund të shtyjë përkohësisht mbylljen e procedurave për vakancën e krijuar nga dorëheqja e Elsa Toskës.
Ky qëndrim i lëkundur u shfrytëzua më së miri nga Sokol Sadushi, në Këshillin e Emërimeve në Drejtësi, për t’i dhënë një goditje fatale Parlamentit.
Më 29 maj 2025, kur Presidenca, Parlamenti dhe Gjykata e Lartë tashmë kishin dhënë opinionet e tyre mbi seancën e pritshme për kohëzgjatjen e mandateve të gjyqtarëve kushtetues, Këshilli i Emërimeve në Drejtësi, nën drejtimin e Sokol Sadushit, vendos pezullimin e procedurës së nisur nga Kuvendi për zëvendësimin e gjyqtares së dorëhequr Elsa Toska.
Pezullimi u argumentua me faktin se “numri i kandidatëve në garë, pas verifikimit të kushteve ligjore, ka rënë nën tre (3)”. Për pozicionin vakant të krijuar nga dorëheqja e gjyqtares Toska aplikuan 10 kandidatë, por pas verifikimeve të kryera nga KED, të paktën 8 prej tyre nuk kaluan testin ligjor.
Sadushi mbështet vendimin për pezullimin e procedurës në vendimin nr. 4, datë 11 mars 2019, ku thuhet:
“Kur gjatë zhvillimit të procedurave të verifikimit, relatori konstaton se numri i kandidatëve për atë pozicion vakant në Gjykatën Kushtetuese zbret në më pak se tre, njofton menjëherë Kryetarin, i cili thërret mbledhjen e Këshillit për të vendosur mbi mënyrën e procedimit të mëtejshëm me atë pozicion vakant.”
Pra, në rastin konkret, relatori ka konstatuar se për vakancën e Elsa Toskës ka pasur më pak se tre kandidatë dhe ka njoftuar kryetarin e KED-it, Sokol Sadushi.
Këshilli i Emërimeve në Drejtësi është organ këshillimor i institucioneve që emërojnë gjyqtarë kushtetues dhe si i tillë ka vetëm hapësirë për të verifikuar kriteret e kandidatëve dhe t’i përcjellë institucioneve emrat e kualifikuar.
Nuk ka rëndësi nëse janë kualifikuar një, dy apo dhjetë kandidatë. KED-i ka për detyrë të përcjellë informacionin tek institucionet përkatëse. Janë këto institucione që vendosin nëse procedura e emërimit të gjyqtarëve kushtetues do të vijojë apo jo nëse numri i kandidatëve është më pak se tre.
Këtë thotë Kushtetuta dhe kështu është fryma e të gjithë ligjeve për institucionet e reja të gjyqësorit. Por, Sokol Sadushi, në një lëvizje që duket tërësisht anti-kushtetuese, ka vendosur pezullimin e procedurave të ndjekura nga Kuvendi, madje duke urdhëruar që të rifillojë një procedurë tjetër, të re, nga e para, për zëvendësimin e Elsa Toskës.
Këtu situata arrin kulmin. Sokol Sadushi dikton Gjykatën Kushtetuese, duke i kërkuar llogari pse po vonon shqyrtimin e kërkesës së Presidentit; nxit Presidentin që të kërkojë llogari Gjykatës Kushtetuese për kohëzgjatjen e mandateve, ndërkohë që kreu i shtetit nuk ka aspak këtë tagër; dhe, së fundmi, ia përplas në fytyrë Parlamentit, duke e urdhëruar që të ndryshojë procedurën për vakancën e Elsa Toskës, pa e pasur aspak këtë tagër kushtetues dhe ligjor.
Kemi arritur në pikën që jemi “në shtetin e Sadushit”.
Gjithçka që pamë gjatë këtij emisioni tregon më së miri vullnetin e Sokol Sadushit për të nxitur konflikte kushtetuese, me një nxitim të denjë për garat e Formula 1. Por, cila është arsyeja e gjithë kësaj iniciative të Sadushit, i cili nuk llogarit asnjë pasojë?
Ai është kryetar i Këshillit të Emërimeve në Drejtësi përgjatë vitit 2025. Ka në dorë kandidaturat që do të zëvendësojnë gjyqtaren e dorëhequr Elsa Toska, gjyqtaren me mandat të përfunduar Holta Zaçaj dhe po bën përpjekjet për të ndërprerë në mënyrë anti-kushtetuese mandatin e gjyqtares Sonila Bejtja.
Pra, ai synon të ketë në dorë plot tre mandate kushtetuese, për të realizuar atë që duket si një skemë e pastër korporatizmi në sistemin e drejtësisë. Sokol Sadushi e ka me urgjencë, pasi mandati i tij në krye të KED-it përfundon më 2 dhjetor 2025. Deri atëherë, synon të bëjë “qokat” e radhës, duke vendosur nën kontroll Gjykatën Kushtetuese, nëpërmjet promovimit të emrave që ai dëshiron dhe që do t’ia dinë për nder atij emërimin në gjykatën më të lartë të vendit.
Sistemi gjyqësor duhet të ketë emrin e Sokol Sadushit.
Ja pra, kemi arritur në atë pikë kur Reforma në Drejtësi, vetëm një dekadë pas miratimit të saj, u shndërrua në një mekanizëm që kontrollohet nga pak duar.