Në kohën kur Elbasani ishte nën “kthetrat” e krimit dhe kur shumë vrasje po trondisnin vendin, “fajtorët” kërkoheshin në radhët e Policisë.
E ndoshta, siç po dëshmojnë të penduarit dhe bisedat në SKY, jo pa qëllim.
Deklaratat e vazhdueshme politike etiketonin si përgjegjëse të “luftës” atje, dy grupe kryesore. Çapjat dhe Çelët.
Por edhe ndikimin që ata kishin përmes “shërbëtorëve” që kishin krijuar në strukturat e rendit.
Ministri i Brendshëm i asaj kohe, Fatmir Xhafaj, ndoshta me të drejtë deklaronte publikisht në vitin 2017 se as Çapjat dhe as Çelët nuk mund të simbolizonin qytetin.
Në fakt, edhe pse jo në kontekstin që shprehej mininstri i kohës, këto dy grupe nuk ishin të vetmit që kishin shkaktuar përplasjet në Elbasan. Vit pas viti në skenë dolën edhe grupi Çopja e më tej edhe Alibej, ndonëse këta të fundit nuk e kishin fuqinë e tre të tjerëve.
Pasi bashkëpunëtori i drejtësisë, Nuredin Dumani, përfundoi dëshminë e tij gjatë disa seancave të procesit “Plumbi i artë”, më 29 maj 2025 ishte radha e një tjetër të penduari. Erion Alibejt.
Rrëfimi i tij në sallën e gjyqit ishin një dëshmi, që shpjegonte jo vetëm si bëhej trafiku i drogës, si bëheshin vrasjet e si kontraktoheshin killerat por edhe se si bliheshin oficerët e Policisë.
Një roman i tërë kriminal, me histori gangsterësh, trafikantësh kokaine, killerash me pagesë, policë e shefa Policie që i shërbenin krimit, duke u vënë në dispozicion edhe sistemin TIMS e duke komunikuar në SKY.
Erion Alibej e nisi rrëfimin e tij me atë që njihet si “Masakra e Bradasheshit”, ku iu vra vëllai e xhaxhai, bashkë me mikun e tyre, një shtetas turk.
ERION ALIBEJ
Jam me arsim të lartë, kam qenë i dënuar në Itali, ndërsa në Shqipëri me dëshmi penaliteti rezultoj i pastër. Më 29 dhjetor të 2018-ës në një atentat që ne si familje e quajmë kamikaz….(ndërpritet nga avokatët e të pandehurve)…
29 dhjetor 2018
Vrasja e trefishtë në Bradashesh
Pasditen e 29 dhjetorit të vitit 2018, Endrit Alibej, i shoqëruar nga bashkëshortja e tij dhe e të vëllait, fëmijët e disa të afërm, kanë drekuar në shtëpinë e gjyshit të tyre, Petrit Zylyfi. Më pas, janë larguar nga aty, për të shkuar në shtëpinë e dajës së tyre, ku do të darkonin, në fshatin Përparim të Peqinit. Me ta ka qenë edhe shtetasi turk, Erdal Duranay. Rreth orës 20:00 kanë dalë nga aty dhe janë nisur drejt Elbasanit. Endrit Alibej është nisur i pari, me një automjet “Land Rover”, me targa rumune. Bashkë me të në makinë kanë qenë edhe shtetasi turk, në vendin e parë dhe mbrapa ka qenë ulur Arben Dylgjeri. Menjëherë pas tij është nisur bashkëjetuesja e Erion Alibejt, bashkë me bashkëshorten rumune të Endrit Alibejt, vjehrra e tyre dhe vajza e vogël e Erionit. Me një tjetër makinë, një “Ford Kuga” është nisur motra e vëllezërve Alibej bashkë me disa të afërm të tjerë. Endrit Alibej është shkëputur nga të tjerët, duke ecur më shpejt. Familjarët e tij që ishin pas, kur janë afruar tek rrethrrotullimi i Bradasheshit kanë parë makinën Land Rover të ndaluar dhe në fillim kanë menduar se ishte aksidentuar duke lajmëruar Policinë. Por kur janë afruar kanë parë xhamin e pasmë të thyer dhe kanë kuptuar se makina ishte qëlluar pasi kishte shumë vrima.
Vetëm pak ditë pas ngjarjes, konkretisht më 18 janar 2019 është pyetur në cilësinë e personit që ka dijeni për ngjarjen, Hajdar Bako. Policia kishte marrë informacione në rrugë operative për një konflikt të ashpër mes tij e viktimës, Endrit Alibej dhe vëllait të tij, Erionit. Ndërsa më herët, më 30 dhjetor 2018 ishte pyetur edhe Talo Çela, po ashtu si person që kishte dijeni. Megjithatë, të dy kanë mohuar të kishin dijeni, paçka se hetimet më pas zbuluan të kundërtën. Madje zbuluan se ishin të përfshirë direkt në ngjarje.
Fillimisht ai që hodhi dritë rreth vrasjes së trefishtë, që u quajt “Masakra e Bradasheshit”, ishte bashkëpunëtori i drejtësisë, Nuredin Dumani. Më 17 qershor të vitit 2022, në cilësinë e bashkëpunëtorit të drejtësisë, Dumani ka deklaruar se, financues të kësaj ngjarjeje ishin vëllezërit Hajdar e Franc Çopja, organizator ishte Kel Kamami, ndërsa ekzekutorë Altin Ndoci e Mir Haxhia. Ndërsa sipas tij, makinën e ekzekutorëve e drejtonte Talo Çela.
Nuredin Dumani
Eljo Bitri është i përfshirë te vrasja e trefishtë. Këtë ma ka thënë vetë Eljo. Financues kanë qenë vëllezërit Hajdar e Franc Çopja, organizator ishte Kel Kamami, i cili ka pasur edhe rolin e vëzhguesit, ndërsa ekzekutorë Altin Ndoci e Mir Haxhia. Drejtuesi i mjetit të ekzekutorëve ka qenë Talo Çela. Ndërsa Eljo Bitri ka qenë informator dhe vëzhgues. Nga diskutimet me Talon dhe Altin Ndocin më kanë treguar për vrasjen e trefishtë në Bradashesh, me viktimë Endrit Alibejn, Arben Dylgjerin dhe shtetasin turk, Erdal Duranay. Flisnin për Erionin dhe Arjanin që duhej të vriteshin. Më kërkuan që të marr edhe unë pjesë.
Nga vëllai im, Dashnor Dumani, kam mësuar se vrasja e Endrit Alibejt është tentuar të behej edhe ditë të tjera, 5-6 ditë para ngjarjes. Dashi më ka treguar se atë natë ka qenë në makinën e atentatorëve bashkë me Altin Ndocin, Talo Çelën dhe Miri Haxhinë. Për këtë kam biseduar me një telefon SKY, por më ka thënë se ai vetë nuk kishte qëlluar sepse ngjarja kishte ndodhur shumë shpejt dhe ishte hutuar. Nga ai kam marrë vesh se në atentat kishin marrë pjesë dy makina.
Ndërsa Erion Alibej, më 15 dhjetor 2022 ka dhënë shpjegime në cilësinë e personit ndaj të cilit zhvillohen hetime dhe ka dhënë dëshminë e tij edhe për vrasjen e të vëllait në masakrën e Bradasheshit.
Ndërsa ne seancën e 29 majit, ai shpjegoi sërish gjithçka dinte dhe të gjithë historinë e tij.
ERION ALIBEJ
Me Nuredin Dumanin jam njohur pasi u lirova nga paraburgimi i Elbasanit, nga fillimi i 2020-ës. Arjan Spahiu kishte kontakt me anë të një personi që quhej “Fati. Kam qenë përdorues i Encrochat dhe SKY. Arjani më tha që Nuredin Dumani kishte kërkuar vetë që të takohej me mua, sepse gjatë kësaj periudhe kisha hedhur si fjalë në rrugë apo në shoqëri që për Talo Çelën jepja 100 mijë euro për ta vrarë dhe 200 mijë kush ma sillte të gjallë. Për Nuredinin bëra kërkime, kisha çdo informacion. Erdhi tek pallati në një shtëpi me qira që kisha marrë për djemtë e dajës tim. Për 2 orë e 48 minuta e regjistrova bisedën me Nuredin Dumanin. Më shpjegoi se kishte dëgjuar që kërkoja Talo Çelën dhe më thotë që është në dijeni dhe Festim Qoli. I thash në rregull. Nis bisedën duke i shpjeguar kush janë ekzekutorët e familjarëve të mi.
Më tej, Alibej tregon se i ka dhënë vetë Nuredin Dumanit një telefon që kishte të instaluar edhe aplikacionin SKY, madje edhe e ka mësuar se si ta përdorë. Më tej ka qenë në kontakt me të, pasi interesi i tyre i përbashkët ishte Talo Çela.
ERION ALIBEJ
Nuredinit i tregova itinerarin e makinës që kishte qëlluar nga të dyja anët në atentatin ndaj familjarëve të mi. Më tha ka qene dhe një Dorjan Shkoza. Ka qenë me makinë tjetër dhe ka zbritur duke qëlluar tek ana tjetër. Nuredini kishte hall se Dorjan Shkoza po e ndiqte atë dhe Dashnorin për ta ekzekutuar. Nuredini më tha se kishte probleme vetë me ata. Unë i thashë që më intereson vetëm Talo Çalo. Unë e dija që financuesit e urdhëruesit ishin në Dubai. Vëllezërit Çopja, miq të hershëm tanët. Nuredini më tha se Talo Çela shkon shumë dhe me Festim Qolin. Më tha që për vrasjet unë marr gjysmat e lekëve. E pashë që nuk kishte telefon të enkriptuar. I shpjegova Arjanit që Dumani s’ka SKY dhe i dhashë një iPhone 6 që kishte të instaluar SKY. I dhashë dhe 50 mijë euro dhe e mësova si përdoret SKY.
Duke rrëfyer gjithçka dinte, Erion Alibej shpjegoi në Gjykatën e Posaçme historikun e të vëllait në aktivitetin e trafikut të drogës dhe faktin që ai vetë, deri në momentin kur Endrit Alibej ishte zhytur në borxhe, nuk kishte kryer asgjë të jashtëligjshme. Ndërsa asaj rruge i hyri për ta nxjerrë të vëllain nga situata e vështirë. Por nga ana tjetër, foli dhe për miqësinë e që ai ka pasur me Suel Çelën, ndërsa i vëllai me Hajdar Çopjan.
ERION ALIBEJ
Unë vij nga një familje me babanë që më ka vdekur më moshë të hershme. Kam një vëlla dhe një motër. Një familje e respektuar në qytet me vështirësi fillimisht, derisa dolëm vetë më jetë. Ishte vëllai që emigroi në fillim në Greqi, pastaj në Itali. Nga 2006 deri në 2010 është marrë me punë të paligjshme, trafikant droge. Unë s’u përzjeva, u kujdesa për familjen, se kisha nënën të sëmurë. Endriti është marrë vetëm me drogë. Në vitin 2009 shkoi në Holandë. Vëllai im ishte 2 vjet më i madh. Unë në 2010-tën shkova në Itali për të marrë ilaçe për 2 javë. Endritin e kërkonte Italia gjatë kësaj kohe. Ditën e fundit që do kthehesha më arrestoi Policia dhe u dënova 3 vite e 4 muaj sikur isha pjesëtar i grupit, megjithëse s’kisha lidhje. Pasi u lirova në 2012-ën, Endriti ishte serish në Holandë dhe më dërgoi një vajzë që më mori. Shkova në Rotherdam, e gjeta me Hajdar Çopjan, njohje e hershme. Më tha Endriti donte ta ndihmonte se sa kishte ardhë në Holande, sa të gjente një shtëpi. Në atë periudhë, Endriti kishte shumë njohje në trafikun e drogës dhe lidhje në Holandë dhe kërkonin të gjithë të punin me të. Njerëz me potencë. Ai ishte shumë i aftë për shitje të brendshme por edhe jashtë. Të gjithë ia kishin nevojën. Ai i gjente mall, i shpërndante. Endriti ka ikur jashtë shtetit në moshën 16-17 vjeç. Në atë periudhë kemi pasur një biznes që na e kishte lënë xhaxhai, Arben Dylgjeri, që vdiq në të njëjtin atentat në 2018. Por ai biznesi nuk po shkonte mirë dhe Endriti vendosi të ikte te dajat në Greqi dhe pastaj në Itali, ku nisi edhe trafikun e drogës. Para se të ikte jashtë, në kemi pasur shoqëri të perbashkët, shok fëmijërie ka qenë Suel Çela. Ne kishim, ose më saktë Endriti, kishte miqësi me Hajdar Çopjan, të cilin e kemi njohur familjarisht. Franci ka qenë fëmijë.
Në dëshminë e tij, Erion Alibej, shpjegoi edhe lidhjen e vëllezërve Hajdar e Franc Çopja me Klodian Çopjan, që në dëshminë e tij e përmend edhe me pseudonimin “Maçi”. Sipas tij ata janë kushërinj të dytë. Klodian Çopja është shqiptari i parë i dënuar në Angli, që do të ekstradohet në Shqipëri, për të vuajtur pjesën e mbetur të dënimit në vendin tonë. Në mars të vitit 2024, “The Sun”, shkruante se Çopja do të duhet të shlyejë 17 vite burg në burgjet shqiptare. 37-vje֛çari u arrestua në mars të vitit 2017 në kufirin greko-shqiptar me pasaportë false pas 4 vitesh arrati, për t’u ekstraduar më pas në Mbretërinë e Bashkuar, ku dhe u burgos si pjesë e një rrjet trafikimi kokaine në Londër. Sipas mediave britanike, Çopja akuzohet për importimin e një sasie kokaine me vlerë 60 milionë paund drejt Mbretërisë së Bashkuar.
ERION ALIBEJ
Endriti kishte bazë dhe në Angli. Unë kisha shumë kohë pa folur dhe pa e takuar Suel Çelën, për shkak të një hatërmbetje në lidhje me Arjan Spahiun për trafikun e drogës. Një ditë më tha Endriti që po vjen tek shtëpia Sueli me Sokol Sanxhaktarin. Unë nuk doja t’i takoja. Sueli e filloi hershem trafikun në Itali ku dhe u arrestua. Në Itali Sueli i vodhi Hajdar Çopjas 2 kg kokainë. Sueli shoqërohej me Klodian Çopjan, që Hajdari e kishte kushëri të dytë. E ndihmova Suelin pas arrestimit, kur ishte në arrest shtëpi. Shkoi Arjan Spahiu e mori. Hyri nga Franca e nxori. Sueli i kishte borxh Arjanit për gjysmë kile kokainë. Hyra unë garant për këtë gjë që mos të ziheshin.
Erion Alibej shpjegon se si e nisi aktivitetin e tij me drogën dhe takimin me Franc Çopjan në Angli. Dëshmoi se si arriti të ngrinte punën, aq sa më pas emri i tij nisi të përmendej shumë. Gjatë kësaj kohë ai thotë se ka punuar me dy shqiptarë, një nga Rrogozhina dhe një nga Durrësi.
ERION ALIBEJ
Këmbëngula të ikja në Angli për të punuar sepse Endriti kishte borxhe dhe doja ta ndihmoja t’i lante. Shkova me kamion. Në fillim ndenja tek xhaxhai, Arben Dylgjeri. S’e kishte idenë çfarë pune do bëja. Kisha mundësi të furnizohesha dhe shisja kokainë, por hasa vështirësi për shtëpi. Hajdar Çopja bënte transport me kuaj. Rrugë shumë e sigurt. Nga Gjermania bëhej nisje deri në Belgjikë e Holande. Në Angli shkova dhe tek shtëpia e Franc Çopjas. Rrinte në Totenham. E kontrollonte punën me telefon. Shkova te një agjenci për shtëpi, e mora dhe fillova të punoj shumë mirë. Arrita të laj një borxh shumë të madh që kishte Endriti në atë kohë. Punën e ngrita të mire dhe të madhe, sa që rashë në sy dhe po më përmendej emri. Ishte kohe krize se s’kishte shumë mall. Po kapeshin shumë dërgesa. Punova me shumë shqiptarë atje. I pari që bashkëpunova atje ishte një Ylli nga Rrogozhina dhe Klodi nga Durrësi. Vazhdova punën fuqishëm me shitjen e kokainës në Angli.
Ndonëse në shumë dëshmi që ndodhen tashmë në dosjet e SPAK, si motiv i vrasjes së 3-fishtë në Bradashesh shfaqet konflikti për një ngarkesë kokaine të zhdukur në Angli, Erion Alibej ka rrëfyer një variant tjetër.
ERION ALIBEJ
Dua të shpjegoj se është e pa vërtetë që lufta ka nisur për një ngarkesë prej 50 kg drogë. Ilir Lloshi është shok fëmijërie i Hajdar Çopjas. Me çoi një sms dhe më tha që donte të më takonte se ishte shumë keq. Më tha që ishte te shtëpia e një djali që quhej Foksi dhe ky shok fëmijërie i Hajdar Çopjas. Ilir Lloshi më çoi foto. Ishte me sy të nxirë. E kishin goditur. Shkova tek shtëpia e Foksit dhe më tha: “Desh më vranë. I shpëtova nga duart anglezëve”. I thashë të paskan masakruar. Më tha që erdhi një ngarkesë prej mbi 50 kg e ca kokainë Francit. Unë me këta Çopjat s’po flisja më në këtë kohë. Më tha që kjo ngarkesë ishte grabitur. Kishte shkuar Policia tek shtëpia ku mbahej. E mora 2 javë këtë Ilirin në shtëpi, më shpjegoi se Franc Çopja kishte një ortak anglez. Morëm vesh se në shtëpinë ku mbahej droga kishin lidhur një djalë nga Elbasani dhe kishin marrë çfarë kishin gjetur.
Mes të tjerash, Alibej përmend edhe Suel Çelën dhe konfliktin e hapur që ai kishte me Ardian e Florenc Çapjan. Por nga ana tjetër, edhe një hatërmbetje që ka pasur vetë me Suel Çelën, që pranon që e ka pasur shok fëmijërie. Marrëdhënien që ka pasur me të dhë familjen e tij dhe si e ka ndihmuar kur ai ishte arrestuar në Itali.
ERION ALIBEJ
Në qytet filluan intrigat, fjalët sikur Sueli kishte shtyrë një person për të plagosur dajën tim. Sueli është marrë gjithmonë me aktivitet kriminal, përveçse me drogë dhe në këtë periudhë kishin përplasje me grupin Çapja. Një konflikt i hapur i fiseve, me Ardian Çapjan, Florenc Çapjan, Bledar Muçën. Pasi erdha në Shqipëri, ishim tek lokali i dajës, kaluan me “Range Rover” Sueli, i ati i tij dhe Sokol Sanxhaktari. Sueli hapi xhamin dhe i tha Endritit: “Hajde pak tek tregu..” I thashë Suelit: “S’ke turp që drejton gishtin?” I fola rëndë. Doli Sokol Sanxhaktari dhe me tha: “O Erion ç’a po flet…” Ishte koha që ky merrte njerëz e i dhunonte te tregu. Shkuam tek shtëpia e Suelit. Ishte dhe e ëma e vet aty. Pasi u ulëm, Sueli i tha Endritit: “Na ka ndodh një problem me punën e rrugës që kishim për një ngarkesë. Na e kanë bërë ca rumunë që janë të Hajdar Çopjas, po ai e mohon dhe thotë që ka lidhje Endriti dhe për këtë dosja të të pyesja”. Endriti qeshi me ironi dhe i tha: “S’kam lidhje me këtë punë”. Ndërhyri Sokoli Sanxhaktari dhe i tha Suelit: “Hë e dak, a të thash që ata quksat…”, për Çopjat. Shkova takova të ëmën e Suelit, Hanën, u përlot e më përqafoi, se kam pasë shkuar te shtëpia kur Sueli ishte në burg në Itali.
E duket se për të gjithçka ka ndryshuar pasi është kthyer nga Anglia në vitin 2018. Plagosjen që ai realizoi, për të cilën edhe u shpall në kërkim.
ERION ALIBEJ
Në Angli qëndrova deri në fillim të vitit 2018. U ktheva përfundimisht në Shqipëri. Kisha një “Audi” gri që ia lija dhe të afërmëve. Më thoshin që me këtë makinë na ndjekin. Një herë kur po dilja me familjen, vura re që më ndiqte Xhoni Rusta. Ne e kishim mbyllur këtë histori. Një ditë shkova tek lagja “5 Maji”, më ndiqte një “Audi” i bardhë. Kisha dhe armë për vetëmbrojte. Ishin 4 vetë. Më parakalon dhe më provokon duke ardhur afër. Unë e qëllova nga pas, e plagosa. S’i kisha faj. U shpalla në kërkim. Isha në kërkim dhe kur ndodhi ngjarja e 29 dhjetorit 2018.
E megjithëse ishte në kërkim, Erion Alibej tregon se lëvizte lirshëm. Kishte arritur të siguronte një radio që kishte dhe kanalin e Policisë dhe përmes saj qarkullonte me sigurinë që nuk do e ndalonin, pasi sipas tij, nëse targa e makinës së tij do u jepej shërbimeve të Policisë, do e dëgjonte në radio.
ERION ALIBEJ
Endriti erdhi me 17 dhjetor 2018 pasi kishim sebep. Shkonim shpesh në Peqin për festa te lokalet në zonë. Çdo fund viti un mblidhja miqtë e afërt ose i çoja pula apo gjela deti. Edhe pse isha në kërkim, lëvizja lirshëm. Një djalë nga Shkodra më dha një radio që ishte në kanalin e Policisë. Radion e sigurova nga Genc Tafili. Lëvizja lirshëm pasi do e dëgjoja nëse targa ime do jepej në radio.
Për ngjarjen ku u vranë familjarët e tij, në “Masakrën e Bradasheshit”, Erion Alibej tregon se atë natë ai nuk ndodhej me ta, por e ka mësuar lajmin shumë shpejt dhe ka shkuar në vendngjarje para se aty të mbërrinte Policia, madje edhe ambulanca.
ERION ALIBEJ
Shtetasi turk ka qenë edhe më herët në Shqipëri, kur vajza ime mbushi 1 vjeç. Ishte mik i ngushtë i joni për shkak të marrdhënieve të punës me Endritin. Mbrëmjen e masakrës, Endriti ishte në Tiranë me disa miq, pastaj u nis për Peqin tek dajat e mi ku ishin mbledh. Teksa unë po çoja ca dhurata për fundvit tek një miku jonë noter, i ra telefoni Besmir Lalës. Dëgjova që ishte nusja ime, se unë nuk mbaja telefon pasi isha në kërkim. I thashë ç’a ka, ndërkohë aty erdhi një “X6” e bardhë që e dija që ishte e Mikael Qoses, që ia kishte bërë dhuratë Franc Çopja. E di që e kanë ndërruar me kokainë. Besmiri më tha që shpejt se i kanë gjuajtur Endritit. Mikaeli ishte me Ervis Çopjan në makinë. Mu afrua me makinë. Unë i thashë: “A ke ‘hekër’?”, për armë. Më tha: “Jo, pse ç’a ka ndodh…” Mbylla xhamin, ika në vendngjarje. Nusja e vëllait tim, shtetësja rumune, ishte në muajin e fundit të shtatzanisë. Ishte gëzim i madh për ne. Nisen me 2 makina. Gratë veç, Endriti, shtetasi turk dhe xhaxhai në një makine. Isha i pari në vendngjarje, s’kishte njeri, as Polici. E çuditshme se aty rri gjithmonë një patrullë Policie. Edhe tani po të kalosh, ka aty patrullë. Gjeta nënën, tezen, motrën, fëmijët që ulërisnin. Ishte një skenë që nuk e përshkruaj dot. Kapa Endritin, mu duk i ngrohtë, por kishte shumë plumba në një anë. Erdhi një furgon Policie dhe ambulanca, por ndrruan jetë në spital.
Pas vrasjes, në shtëpinë e tij nisën të shkonin shumë njerëz, si nga familja Çapja ashtu edhe nga familja e Suel Çelës. Në një kohë që Çapjat e orientonin drejt Suel Çelës, sikur ishte ai pas masakrës, vetë Suel Çela gjatë bisedës me të i ishte shprehur se e vërteta do të dilte shumë shpejt. Alibej thotë se i kishin ardhur fjalë edhe për vëllezërit Çopja, por nuk i kishte besuar.
ERION ALIBEJ
Sapo shkova në shtëpi po vinin shumë njerëz, miq, shokë. Shumë shpejt më erdhën njerëz të familjes Çapja, Florenci dhe disa të tjerë. Dola veç i dëgjova me Bledar Muçën dhe Florenc Çapjan. Bledari me tha: “I pata thënë Endritit të bënte kujdes, por s’më dëgjoi”. I thash: “Nga kush?” Më tha: “Vetëm Suel Çela bën këto masakra”. Bled Muça kishte pirë alkool. I thashë flasim në një moment tjetër, por më thanë na ke në krah. Ashtu i interesonte. Po më vinin informacione pa fund, jo ta ka bërë Kamber Mehja, jo Suel Çela. Sidomos për Suelin. Edhe në analizat e mia, vetëm problemi me Xhoni Rustën më dilte. Edhe pse më vinin fjalë për vëllezërit Çopja, prapë s’i besoja. Më ka ardhë dhe familja e Suelit, ushtarë të tyre ndër ta dhe “Nino”. Bisedova dhe me Suelin dhe më tha: “Rri i qetë se do dali e vërteta. Shyqyr s’ke qenë dhe ti në makinë”. I thashë: “Po kush ka gjujtur?”
Në dëshminë e tij, Erion Alibej shpjegon edhe episodin kur është përballur me drejtuesit e Policisë. Edhe pse ishte në kërkim, ata e kishin ftuar që të fliste, t’i ndihmonte për të zbardhur ngjarjen dhe më tej e kishin lejuar që t’u jepte lamtumirën e fundit familjarëve të tij. Madje hedh akuza edhe për shefin e asaj kohe të Komisariatit të Elbasanit, që sipas tij ishte i shitur tek Suel Çela.
ERION ALIBEJ
Ditën që çova familjarët në banesën e fundit, drejtor në Elbasan ishte Altin Qato. Më vijnë policët dhe donin të flisnin me mua. Ndërkohë unë isha në kërkim. Niko Brahimaj ishte tek Krimet e Rënda. Më thanë hajde të deklarosh dhe do të lirojmë serish të jesh afër familjes. Shkova, ishte Qato, Brahimaj dhe shefi i Komisariatit, që e dija që ishte i shitur tek Suel Çela. I thashë nuk e dua këtë këtu. E nxorën jashtë. Më thanë: “E dimë që je në kërkim, por na ndihmo me ndonjë informacion te kush dyshon”. I thashë: “Do ju duket çudi, por mos kanë ngatërruar objektiv… Nuk di ku t’ju drejtoj”. Siç ma dhanë fjalën që do përcillja familjarët në banesën e fundit, më liruan. I thashë atij shefit të Komisariatit që nxorën jashtë: “Bën mirë të ikësh nga ky qytet!”
Për një periudhë të gjatë, Erion Alibej është interesuar nëpërmjet lidhjeve shoqërore të tij e të vëllait të vrarë, Endritit, për të gjetur informacione për personat e përfshirë në atentat. Në një periudhë ka nisur të përflitet se vrasjen e kishin bërë vëllezërit Hajdar dhe Franc Çopja. Në këtë kohë, Erion Alibej deklaron se ka shkuar në Holandë për të takuar Suel Çelën. Ai ka qëndruar gjatë kësaj kohe në Roterdam, ndërsa Suel Çela ndodhej në Den Haag, në Hagë, aty ku edhe e ka takuar, në shtëpinë e tij. Alibej tregon bisedën që ka bërë me Suel Çelën. Gjatë asaj bisede ka dalë edhe emri i Talo Çelës, që sipas Erion Alibejt, nuk e kishte njohur as ai, as i vëllai, edhe pse fliste gjithë qyteti për të.
ERION ALIBEJ
Kam shkuar në Holandë klandestin. Në fillim kam kaluar nga rruga tokësore afër doganës së Qafë Botës, në Sarandë, sepse isha në kërkim. Më pas shkova në Greqi dhe udhëtova në Holandë me avion për të takuar Suel Çelën. Sueli në atë kohë ishte personi më shumë i përfolur si i përfshirë në vrasjen e vëllait. Flas në Enchro me Suelin dhe më sjell një person, Shkëlzen Hasanpapën, për të më marrë dhe u takuam në Hagë. Bëj bisedë të gjatë me Suelin dhe më tha që janë ata, Hajdar e Franc Çopja. Më tha: “Këta ta kanë bërë. Dhe flitet për vjedhjen e 50 kile kokainë”. I thashë Suelit që një nga gjuajtësit është ushtari jot, një shkodran që thirrej “Naqo”. Sueli i shkruajti direkt atij. Pastaj në bisedë i thash: “Po me avokat Ravikun ç’a patët?”. Me tha: “I futi hundët shumë tek ‘Maçi’”. Kam folur shumë aty me Suelin dhe më garantoi se në vrasjen e familjarëve të mi janë Çopjat.
Një nga personat që i ishte vetëofruar pët t’i dhënë informacion në lidhje me personat që i kishin vrarë familjarët, sipas Alibejt ishte edhe Ardian Çollaku, i cili mbeti i plagosur e më pas ndërroi jetë një ditë pas atentatit të 4 tetorit të vitit 2021, ku u vra edhe Lulzim Bitri, që njihej si mik i Talo Çelës. Por nga ana tjetër, Erion Alibej me dëshminë e tij hedh dritë edhe për lidhjet e krimit me Policinë. Se si oficerë të Policisë së Shtetit viheshin në shërbim të grupeve kriminale, duke u dhënë informacione nga sistemi TIMS, siç i kanë dhënë edhe atij vetë. Madje hedh dyshime edhe për pengim në zbardhjen e “Masakrës së Bradasheshit”, pasi sipas tij, kishte mësuar se ish-drejtori i Policisë së Elbasanit, Altin Qato, ishte drejt zbardhjes së saj, por pikërisht në këtë moment e larguan nga detyra.
ERION ALIBEJ
Ardian Çollaku më vetëofrohet për të më dhënë informacion. Sot është i ndjerë. Por para këtij dua të sqaroj se unë kam lidhur kontakt me një punonjës Policie, që e pajisa me telefon të enkriptuar. Sistemin TIMS unë e kisha në dorë dhe kisha ç’të doja. Kërkoja çdo informacion për personat që unë isha i interesuar. Kisha akses, më nisej çdo gjë me foto. Nga ky person mora vesh se nga hetimet kishte dalë një motor që ndiqte “Range Rover”. Mora vesh që Altin Qato ishte drejt zbardhjes së ngjarjes, por nuk e di, nuk e lanë dhe e larguan nga aty. Erdhi Arjan Muça më pas drejtor.
Ky ishte vetëm episodi i parë i rrëfimit të bashkëpunëtorit të drejtësisë, Erion Alibej, në gjyqin që po zhvillohet për dosjen “Plumbi i artë”. Vazhdimi i dëshmisë së tij do të jetë në seancën e radhës, më datë 3 qershor, ku Alibej do të flasë edhe për ngjarjet për të cilat akuzohet, por edhe atentatet e dështuara që ishin realizuar ndaj tij, tashmë të zbardhura nga një tjetër dosje që ndodhet në duart e SPAK.
ATENTATET E DËSHTUARA NDAJ ALIBEJT
Gjykata vlerëson se në zbardhjen e një serë ngjarjesh të rënda kriminale, kanë rëndësi deklarimet e Nuredin Dumanit dhe Erion Alibejt, të cilët kanë marrë statusin e bashkëpunëtorit të drejtësisë dhe kanë dhënë shpjegime lidhur me ngjarjet e hetuara nga SPAK. Deklarimet e marra nga Dumani e Alibej, përputhen me të dhënat e administruara nga komunikimet e personave të përfshirë në veprimtari kriminale nëpërmjet aplikacionit SKY.
Në një nga mesazhet që Nuredin Dumani i dërgon vëllait të tij, Dashnor Dumani, shprehet për një diskutim që kanë pasur për Erion Alibejn, për të cilin është planifikuar të derdhet vaj në rrugë, me qëllim eliminimin e tij gjatë ecjes me makinë. Ky mesazh përputhet edhe me deklarimet që Dumani ka dhënë në cilësinë e bashkëpunëtorit të drejtësisë, ku ndër të tjera ka shpjeguar se grupi i vëllezërve Franc dhe Hajdar Çopja, ku bëjnë pjesë Mikael Qosja dhe Talo Çela e persona të tjerë, kanë planifikuar eliminimin e Erion Alibejt gjatë ecjes me makinë. Ndalimi i makinës së tij do të realizohej me hedhjen e vajit të djegur në rrugë, me qëllim që makina të dilte nga rruga.
Nuredin Dumani
Në vitin 2019, kohë kur unë kisha dalë nga burgu në Francë dhe ndodhesha në Shqipëri, takohesha shpesh me Talo Çelën edhe pse ai ishte në kërkim. Gjatë diskutimeve Talo më tha: “Kemi një punë që duhet ta bëjmë por na duhet të marrim vaj makinash të djegur që ta hedhim në rrugë pasi personi që ne do të vrasim ecën shumë shpejt me makinë të blinduar. Është shumë e vështirë ta eliminosh prandaj duhet fillimisht ta nxjerrim nga rruga duke hedhur vaj dhe më pas kur ai t’i afrohet zonës ku ne do hedhim vajin, do e godasim me kamion për ta nxjerrë jashtë rruge dhe më pas do ta godasim me automatik deri kur plumbat të futeshin brenda në xham”.
Unë nuk e dija kush ishte ky person. Kjo nuk u realizua pasi në atë kohë personit që i referoheshin me pseudonimin “krymi” sapo i ishte vrarë vëllai i tij dhe sipas Talos nuk ndodhej në Shqipëri, por ishte në Holandë. Talo më kërkoi që të shkoja në Holandë dhe ta vrisja atje. Vrasja do të kruhej në një berberhane, vend ku ai shkonte të qethej. Shuma që paguhej ishte 300 mijë euro. Në këtë ngjarje do merrja pjesë unë dhe një person tjetër që do të ngiste motorin. Organizimi i vrasjes në Holandë bëhej nga Kel Kamami, i cili e kishte marrë këtë punë nga Franc Çopja dhe Hajdar Çopja. Unë nuk e pranova këtë pasi në atë kohë kisha ekspuls nga Europa për 3 vite.
Nga bisedat që Dumani ka zhvilluar me vëllain e tij, kuptohet se grupi i vëllezërve Çopja, po tentonin çdo lloj forme për të eliminuar Erion Alibejn, për të cilin paguanin deri në 2 milionë euro. Madje flasin edhe për një mundësi ruajtjeje me snajper, por sipas tyre kjo është e pamundur pasi ai ruhet shumë dhe është e pamundur që ta mbajnë në objektiv. Ai nuk del kurrë dhe askush nuk mund ta shohë apo të dijë se kur ikën dhe kur vjen. Sipas tyre ai ka blinduar gjithë qytetin me kamera dhe në këtë formë lodhen kot. Flasin edhe për një mbledhje që kanë pasur për të planifikuar vrasjen e Alibejt.
Nga të gjitha veprimet, konteksti i bisedave në SKY e provave të tjera që i mbështesin, Gjykata ka arritur në përfundimin se vrasja e Endrit Alibejt, Arben Dylgjerit dhe Erdal Duranay është kryer në bashkëpunim nga: Franc Çopja e Hajdar Çopja që kanë pasur rolin e financuesit dhe porositësit, Mikael Qosja, në rolin e organizatorit dhe vëzhguesit, Talo Çela, organizator dhe shofer i mjetit të autorëve, Altin Ndoci në rolin e ekzekutorit, Dashnor Dumani, si pjesëmarrës në ngjarje, Besmir Haxhia, në rolin e ekzekutorit, Emiljano Ramazani në rolin e vëzhguesit dhe informatorit, Eljo Bitri në rolin e vëzhguesit dhe informatorit. Për Besmir Haxhinë dhe Emiljano Ramazanin nuk mund të fillohet procedim pasi janë vrarë.
Shtator 2020
Plani për vrasjen e Erion Alibejt
Në shtator të vitit 2020, klani Çopja angazhohet maksimalisht për të eliminuar Erion Alibejn, për të cilin ofroheshin 4 milionë euro. Grupi ishte angazhuar duke planifikuar vrasjen e tij me anë të shpërthimit, duke vendosur eksploziv në ambientet e Drejtorisë së Policisë së Elbasanit. Ndërsa informacionet për vendqëndrimin e saktë të tij në ambientet e Policisë, pas arrestimit, do ua jepte Martin Musaj.
Në lidhje me këtë ngjarje, SPAK ka regjistruar procedim penal më 14 prill të vitit 2022. Ndërsa në nëntor të vitit 2023 kanë marrë përgjigjen e kërkuar nga autoritetet franceze, në lidhje me komunikimet në SKY të anëtarëve të grupit.
Siç rezulton nga komunikimet, Mikael Kamami, në bashkëpunim me Arzen Memën dhe Martin Musajn, kanë bërë një plan që nëse kapej Erion Alibej, t’i vendosnin një bombë në dhomë. Kamerat që monitoronin pjesën e jashtme të Drejtorisë së Policisë ishin jashtë funksionit, ndërsa plani ishte që dikush të hipte nga mbrapa shkallëve dhe t’i shpjegohej se ku do të vendosej lënda plasëse. Ata kishin mësuar se po të futeshin nga mbrapa, ku nuk kishte kamera, dilej direkt te dhoma. Fillimisht ishte diskutuar që të vendosej 100 gramë tritol tek muri i dhomës ku ai qëndron dhe mund ta shpërthenin. Ndërkohë, Mikael Kamami propozon që për vrasjen e Erion Alibejt, duhej të vendosej 5 kg tritol. Por Arzen Mema i ka thënë se një sasi e tillë është shumë dhe mund të vritej edhe ndonjë polic. Ndërsa për realizimin e atentatit diskutonin që e kanë të thjeshtë, pasi njihnin personin që do t’i dërgonte ushqimin në dhomë.
Më datë 18 shtator 2020, Arzen Mema informon Mikael Kamamin se kishin arrestuar Erion Alibejn dhe se ndodhej në katin e tretë të Drejtorisë së Policisë, i veshur me një bluze të zezë. Ndërsa më vonë e informojnë se tek dera ku po mbahej i ndaluar Alibej, po qëndronin 2 punonjës të Forcave të Ndërhyrjes së Shpejtë.
Mikael Kamami – Arzen Mema
Mikael Kamami: Bisedo me Martinin për ta vendosur tritolin se është gati çdo gjë.
Arzen Mema: Martini nuk po e gjen dot dhomën ku po qëndron Erioni, pasi brenda janë 4 vetë dhe nuk e di nëse janë bashkë apo veç e veç.
Mikael Kamami: A e di dhomën personi që do t’i çojë ushqimin?
Arzen Mema: Martini nuk ka alibi si të shkojë të gjejë dhomën, pasi ushqimin Eionit ia çon një oficer Policie.
Mikael Kamami: Vendosni lëndë plasëse në çdo dhomë, por mund të vriten edhe njerëz të tjerë të pafajshëm.
Mikael Kamami: E gjetët dhomën ku po qëndron?
Arzen Mema: Për momentin nuk kam informacion.
Nga hetimi ka rezultuar se organizata kriminale e vëllezërve Çopja, kanë pasur për qëllim vrasjen e Erion Alibejt dhe njerëzve të tij. Organizator ka qenë Mikael Qosja, i cili sipas Prokurorisë është pika kyçe e organizatës dhe vendos lidhjet me hallkat e tjera sikurse janë ekzekutorët dhe ndihmësit. Rezulton se punonjësi i Policisë, Martin Musaj ka qenë në dijeni të qëllimit të organizatës dhe i ka ndihmuar me informacione, me qëllim ekzekutimin e Alibej.
Një tjetër plan për vrasjen e Erion Alibejt ishte bërë edhe më herët, në periudhën nëntor 2019 – janar 2020. Ky plan ishte organizuar nga vëllezërit Franc dhe Hajdar Çopja, Mikael Kamai, Altin Ndoci dhe Flobenc Meçja, të cilët rezulton të kenë kryer veprime konkrete për vrasjen e Alibejt. Për këtë ngjarje janë zhvilluar biseda konkrete mes Franc Çopjas dhe Mikael Kamamit. Më pas Kamami ka biseduar me Altin Ndocin dhe Flobenc Meçes. Referuar bisedave, Altin Ndoci informonte Kamamin se Flobenc Meçja do të nxirrte në pritë Erion Alibejn dhe kur të dilte do ta ekzekutonte. Në kohën që është zhvilluar kjo bisedë, Erion Alibej ndodhej në burg. Kamami informonte se shuma për vrasjen e tij varionte nga 500 mijë deri në 1 milion euro. Është diskutuar që ta qëllojnë me snajper, por më pas kanë dalë në përfundimin se ka vështirësi, pasi plumbat nuk mund të depërtojnë duke qenë se janë godinat që e mbrojnë.
Në shkurt të vitit 2020, Kamami bisedon me Ervis Dakën, i cili shpreh dëshirën për ta vrarë Erion Alibejn, duke thënë se ishte i gatshëm të bëhej kurban. Ndërsa e pyet Mikael Kamamin nëse njihte njeri tek pallati i Alibejt, me qëllim që të ndizte një zjarr dhe më pas ai të futej si zjarrfikës dhe ta ekzekutonte. Këto mesazhe Kamami ia ka kaluar për t’i lexuar edhe Franc Çopjas.
Ndërsa në mars, Kamami bisedon me Besmir Haxhinë për të kryer ekzekutimin me dron. Ndërsa Haxhia i ka thënë se këtë ngjarje do e realizojë grupi i tyre dhe se nuk do që të angazhojë përsona të tjerë, pasi ky veprim do t’i ekspozonte. Kamami e informon edhe Franc Çopjan, të cilit i thotë se snajperi dhe dronët do të jenë gati për të ekzekutuar Erion Alibejn. Në dron të ketë minimumi 15 kg tritol që do të shpërthejë sipër shtëpisë së Alibejt.
Atëherë kur të gjithë merreshin me Çapjat e Çelajt, lufta e vërtetë në fakt po zhvillohej mes klanit Çopja dhe Alibej. SPAK numëron 14 atentate, por sa e sa të tjera mund të mos jenë realizuar për shumë e shumë arsye, kjo mbetet të zbulohet, ndoshta nga ndonjë aplikacion tjetër, apo edhe ndonjë i penduar që historia ka treguar se grupe të tilla i kanë me shumicë.
Pas dëshmisë së bashkëpunëtorit të drejtësisë, Nuredin Dumani e mijëra bisedave në platformën SKY, rrëfimi i të penduarit tjetër Erion Alibej, hedh edhe më shumë dritë rreth lidhjeve të oficerëve të Policisë me grupet kriminale. Shërbimet që ata u kanë dhënë në këmbim të shpërblimeve monetare. Madje në ndonjë rast, duke u renditur krah krimit të organizuar, si pjesë e strukturave të tyre./abcnews.al