Bashkimi Europian kërkon nga klasa politike shqiptare të përfshijë në reformën e re zgjedhore të gjitha rekomandimet e OSBE/ODIHR, ndërsa pret që palët t’i qëndrojnë angazhimit të tyre për ta përmbyllur këtë proces deri në vitin 2026.
Në një intervistë për emisionin “Ekspres” në RTSH, ambasadori i Bashkimit Evropian në Shqipëri, Silvio Gonzato, tha se ky duhet të jetë një angazhim i qartë i Shqipërisë në kuadër të anëtarësimit në BE. Disa nga elementet që duhen përmirësuar në këtë reformë, tha z. Gonzato, lidhen me çështjet si transparenca në financimin e fushatës, rregullimi i medieve online dhe shmangia e shpërdorimit të burimeve publike.
“Mendoj se gjetjes e ODIHR-it këtë radhë konfirmojnë të njëjtat probleme që janë konstatuar në 2021, kështu që këto probleme duhen zgjidhur. Ndaj në deklaratën e bërë nga Përfaqësuesja e Lartë [Kaja] Kallas dhe Komisionerja Kos ne u jemi referuar gjetjeve të misionit të OSBE-së, u referohemi mangësive që ata kanë theksuar, dhe kërkojmë një reformë zgjedhore që të përfshijë të gjitha rekomandimet e bëra deri më tani, dhe ato që do të bëhen këtë herë. Ne e dimë se cilat janë çështjet: transparenca në financim, rregullimi i medies në internet, shpërdorimi i burimeve publike etj. Të gjitha këto elemente duhen trajtuar në reformën zgjedhore, e cila është diçka për të cilën Shqipëria është angazhuar të bëjë në kuadër të anëtarësimit. Ka një udhërrëfyes për shtetin e së drejtës, që përmban një angazhim të qartë për bërjen e kësaj reforme deri në 2026”, u shpreh ambasadori i BE-së.
Lidhur me zgjedhjet e 11 majit, z. Gonzato tha se BE-ja i qëndron gjetjeve të raportit paraprak të OSBE/ODIHR-it, duke sqaruar se e kanë “keqcituar qëllimisht” për këtë.
“Këndvështrimi i BE për zgjedhjet e 11 majit është mirë ta përsëris, pasi jam keqcituar qëllimisht apo jam keqcituar në mënyrë përzgjedhëse. Më kujtohet kur kam mbërritur në Tiranë, më 1 dhjetor 2023. Një nga pyetjet ka qenë pikërisht qëndrimi për reformën zgjedhore dhe kam cituar që ‘ne iu qëndrojmë rekomandimeve të OSBE/ODIHR-it’. Gjatë muajve që vijuan e kam përsëritur thirrjen për të zbatuar këto rekomandime, për të garantuar që reforma zgjedhore që diskutohej mes partive të pasqyronte këto rekomandime. E përsëris edhe tani: i qëndrojmë analizës së OSBE/ODIHR-it. Analiza është në zotërim të gjithkujt dhe kemi disa përfundime paraprake, ende jopërfundimtare, pasi raporti përfundimtar do të përmbajë rekomandime që kanë të bëjnë specifikisht me këto zgjedhje. Përfundime paraprake tregojnë qartësisht se nuk ka qenë një fushë e barabartë loje dhe tregon për një sërë problemesh që janë konstatuar nga misioni”, tha shefi i delegacionit europian në Shqipëri.
Z. Gonzato theksoi gjithashtu se reformat duhet të jenë rezultat i dialogut politik, duke përfshirë edhe opozitën, pasi anëtarësimi në BE është një objektiv kombëtar që nuk duhet përdorur për qëllime partiake.
“Gjithmonë kam bërë thirrje për këtë lloj dialogu kur vjen fjala për procesin e anëtarësimit. Të gjithë e dinë se objektivi i anëtarësimit në BE është një objektiv që e ndajnë të gjitha partitë dhe mbështetet nga shumica dërrmuese e shqiptarëve. Ky është objektiv mbarëkombëtar dhe nuk është diçka që duhet të jetë objekt i politikave partiake. Në kontaktet e mia me të gjitha partitë, përfshirë edhe opozitën, kam theksuar faktin se për BE-në është e rëndësishme që ata të ishin përfshirë. Kur ndërmerr reforma e di se cilat janë standardet, por mënyra e zbatimit të tyre në Shqipëri ka dallim. Mund ta bëni në një mënyrë që nuk merr parasysh interesat e një klase të caktuar në nevojë. Duhen opinione të ndryshme dhe dialog politik për të siguruar që reformat të bëhen pozitive për popullin shqiptar”, u shpreh Gonzato.
Duke folur për procesin zgjedhor, ai vlerësoi administrimin profesional nga KQZ-ja dhe bashkëpunimin me SPAK-un dhe Prokurorinë e Përgjithshme, ndërsa dënoi presionet politike ndaj drejtësisë.
“Zgjedhjet janë administruar në mënyrë profesionale dhe vijoj të mbështes punën e bërë nga KQZ-ja dhe vijoj të përgëzoj bashkëpunimin që KQZ-ja ka pasur me SPAK-un dhe Prokurorinë e Përgjithshme. Mendoj se ishte shumë e rëndësishme që të punonin ngushtë së bashku për të hetuar mashtrimet e mundshme apo krimet që mund të jenë kryer. SPAK-u po e bën pjesën e vet të punës. Aty ku duhet të përqendrohemi është ana parandaluese, që të mbyllim hapësirat ku mund të lulëzojë korrupsioni.
Ka shenja të qarta edhe me hetimet e politikanëve se Shqipëria po ecën në drejtimin e duhur. Kritikat ndaj drejtësisë së re nuk janë të pranueshme dhe duhet pranuar pavarësia e gjyqësorit. Këtë lloj trysnie politike nuk e mirëpresim dhe është kundër detyrimeve që Shqipëria ka pranuar me nisjen diskutimeve për anëtarësim. Unë qëndroj krah respektimit të pavarësisë së gjyqësorit dhe drejtësia të jetë më efektive dhe të japë rezultate për qytetarët. Procedurat të modernizohen dhe afatet të shkurtohen që njerëzit të marrin drejtësinë që meritojnë”, tha z. Gonzato.
Ambasadori shprehu bindjen se Shqipëria mund të mbyllë negociatat deri në vitin 2027, duke kërkuar që reformat të përfshijnë të gjithë sektorët e shoqërisë.
“Kemi një dritare mundësie përballë nesh. Ka dinamika pozitive, qoftë këtu, edhe në Bruksel. Ka një gatishmëri nga shtetet anëtare të BE-së për t’u angazhuar me Shqipërinë dhe për ta shoqëruar atë drejt BE-së. Ajo që përsëris është se duhet ta kapim këtë mundësi, pasi është mjaft unike. Është bashkim faktorësh të ndryshëm. Duhet vijuar me reformat që të përmbushim objektivin. Ne duam ta mbështesim këtë objektiv. Nuk varet vetëm nga ne, por edhe nga qeveria dhe institucionet shqiptare për atë që do të bëjnë për të përmbushur kriteret, që të çojnë në këtë objektiv ambicioz për t’i mbyllur negociatat brenda 2027. Duhet të ruajmë këtë ritëm reformash.
Një proces i suksesshëm anëtarësimi nuk varet vetëm nga qeveria, por është një proces mbarëshoqëror. Bisedimet duhet të jenë gjithëpërfshirëse, transparente, ku çdo sektor i shoqërisë të kuptojë se çdo të thotë të jesh pjesë e BE-së jo vetëm për avantazhet, por edhe detyrimet dhe gjërat që duhen bërë. Anëtarësimin në 2030 e shoh të mundur, por na duhet që t’i bëjmë qytetarët europianë, të kuptojnë se çfarë është Shqipëria sot. Na duhet ky proces familjarizimi”, u shpreh ambasadori Gonzato./RTSH