Sali Berisha, ka dalë në konferencë shtypi, ku ka adresuar edhe exit pollin e Albanian Post, e cila e nxjerr Koalicionin Shqipëria Madhështore humbëse në zgjedhje.
Berisha deklaroi se exit poll është realizuar nga “një gënjeshtar i gatshëm”, duke iu referuar Baton Haxhiut.
Po çfarë thotë exit poll?
Exit poll i parë flet për një fitore të thellë të Partisë Socialiste në zgjedhjet e mbajtura ditën e sotme në Shqipëri.
Albania Post ka publikuar pak minuta pas mbylljes së qendrave të votimit, exit poll në rang kombëtar nga ku rezulton se socialistët marrin 79 mandate, ose pesë më shumë se katër vjet më parë.
Demokratët e Sali Berishës rezultojnë me 54 mandate me 38% të votave në rang vendi.
Nga ana tjetër PSD-ja e Tom Doshit mund të marrë tre mandate, ku dy i ka në Shkodër dhe një në Tiranë me 2.2% të votave në rang vendi.
Partia Mundësia e Agron Shehaj merr 3.6% të votave në rang kombëtar, por arrin të marrë vetëm 2 mandate, për shkak të shpërndarjes së gjerë të votave në gjithë Shqipërinë dhe përqendrimit vetëm në qarkun e Tiranës.
Në 1 mandat është Lëvizja Bashkë e Arlind Qorit, në qarkun e Tiranës.
Një mandat mund të marrë edhe Lulzim Basha në Tiranë, ndërkohë që Adriatik Lapaj dhe koalicioni i tij rezultojnë pa asnjë mandat.