Pavarësisht se 12 vitesh qeveria ia ka marrë shpirtin shqiptarëve, tashmë që ndodhemi 2 ditë para zgjedhjeve parlamentare, Edi Rama tregohet “zemërgjerë” dhe mendon të falë gjobat.
Pa dyshim që ky vendim i Ramës vjen në prag të zgjedhjeve parlamentare në mënyrë që PS të “thithë” ndonjë votë nga elektorati.
Kabineti qeveritar ka marrë vendimin që të falë gjobat e papaguara ndaj qytetarëve dhe bizneseve të vëna në harkun kohor janar 2015-nëntor 2024. Vendimi i marrë më pak se 48 orë nga zgjedhjet e së dielës përfshin të gjitha masat administrative për ndërtime pa leje, parkim të gabuar apo tejkalim shpejtësie.
Gjithashtu falen gjobat e vendosura nga Autoriteti Kombëtar i Ushqimit dhe Inspektorati Shtetëror Shëndetësor. Fshirja e detyrimeve prek edhe të penalizuarit në muajt e pandemisë Covid-19.
Ky është vendimi i dytë në pak kohë i qeverisë, pas “paqes fiskale” ndaj bizneseve që fal gjobat. Qytetarët do të kenë 30 ditë kohë për të kërkuar fshirjen e gjobave, ndërsa ligji do të mbesë në fuqi për 2 muaj. Falja e gjobave erdhi si propozimi i 35 deputetëve socialistë, të cilët kërkuan që ligji të kalojë me procedurë të përshpejtuar që muajin janar, por kjo nuk ndodhi.
- Realiteti i policisë dhe gjobave gjatë muajit elektoral
Mjafton të kujtojmë që gjatë muajit elektoral janë zhdukur efektivët e policisë rrugore por edhe “taksidarët” e bashkisë të cilët pas 12 majit pritet të dalin si “kërpudha pas shiut”.
Sot në Tiranë mjafton ta parkosh makinën si dhe ku të duash, askush nuk të vjen të të vendosë gjobë, pasi efektivët e Rrugores por edhe ata të bashkisë kanë marrë urdhër nga “lart” që masakra e gjobave të vijojë pas datës 12 maj, atëherë kur Edi Rama mendon se do ta ketë kaluar “lumin” e zgjedhje.