• Kontakt
Thursday, May 8, 2025
BoldNews.al

Nuk ka rezultat
View All Result
  • KRYESORE
  • INVESTIGIME
  • OP-ED
  • VETTING
  • AKTUALITET
  • POLITIKE
  • SPORT
    • Euro 2024
  • TE TJERA
    • PRIVACY POLICY
    • KONTAKT
    • EKONOMI
    • SHENDETI
    • SHOW BIZ
    • KULTURE
    • POLITIKE
    • KRONIKE
    • TEKNOLOGJI
    • VIDEOT KRYESORE TE DITES
    • VIDEO
    • BOLD BLOG
    • FOTOGRAFI
    • HOROSKOPI
    • NDRYSHE
    • RAJONI
    • BOTA
    • SOCIALE
  • ZGJEDHJE 2025
  • KRYESORE
  • INVESTIGIME
  • OP-ED
  • VETTING
  • AKTUALITET
  • POLITIKE
  • SPORT
    • Euro 2024
  • TE TJERA
    • PRIVACY POLICY
    • KONTAKT
    • EKONOMI
    • SHENDETI
    • SHOW BIZ
    • KULTURE
    • POLITIKE
    • KRONIKE
    • TEKNOLOGJI
    • VIDEOT KRYESORE TE DITES
    • VIDEO
    • BOLD BLOG
    • FOTOGRAFI
    • HOROSKOPI
    • NDRYSHE
    • RAJONI
    • BOTA
    • SOCIALE
  • ZGJEDHJE 2025
BoldNews.al
Fillimi AKTUALITET

Analiza e BIRN: Tirana, qarku përcaktues për maxhorancën e ardhshme

15:48 : 08/05/2025
në AKTUALITET, POLITIKE, Zgjedhje 2025

Me 37 mandate në fushëbetejë, me popullsi relativisht më të re se sa pjesa tjetër e vendit dhe me ekonomi jo tërësisht të varur nga pushteti i partisë, Tirana është qarku nga ku së paku pesë apo gjashtë parti të vogla shpresojnë të marrin mandate gjë që e bën këtë qark fushëbetejën përcaktuese për maxhorancën e ardhshme dhe vendin nga ku një kapitull i ri në historinë e Shqipërisë mund të fillojë të shkruhet më 11 maj.

Disa herë përgjatë tre dekadave të fundit, historia politike e Shqipërisë është shkruar në Tiranë, qyteti më i madh i vendit, epiqendra e rinisë së kombit. Në vitin 1991, vendimi i banorëve të një lagjeje në Tiranë për të rrëzuar me votë udhëheqësin e fundit komunist Ramiz Alia, në një betejë maxhoritare përballë një kandidati pak të njohur të opozitës së sapokrijuar, pati rol vendimtar në dënimin me vdekje të një regjimi i cili, në ato zgjedhje, arriti të fitojë sërish mbi 75 për qind të votave.

Tirana pati gjithashtu rol vendimtar në ndryshimin e pushtetit në vitin 2005, në favor të PD-së dhe në vitin 2013, në favor të PS-së. Në vitin 2005, shumica e përballjeve maxhoritare në qarkun Tiranë si dhe në vetë qytetin e Tiranës u fituan nga opozita pavarësisht se kishin përballë ministra dhe drejtorë me xhepa të thellë. Ndërsa në vitin 2013, vendimi i qytetarëve të Tiranës për t’i dhënë koalicionit të majtë 56% të votave dhe 19 mandate ishte faktori kyç i maxhorancës së re.

Historia mundet të rishkruhet sërish të dielën, kur qytetarët e Tiranës pritet të votojnë, jo më midis dy alternativave, PD dhe PS dhe degëzimeve të tyre në formën e makinerive elektorale si PSD, LSI, PDIU e PR, por edhe për disa parti të reja dhe jo aq të reja, të cilat shohin nga liria relative e qytetarëve të Tiranës me shpresë për të fituar mandatet kyçe, të cilat mundet t’i hapin rrugë rrëzimit të duopolit PD-PS në politikën shqiptare dhe të nisin një kapitull të ri.

Zgjedhjet e vitit 2009 u ndanë 47 me 46% për Partinë Demokratike në qeveri, mes akuzave për korrupsion zgjedhor. Në atë kohë Tirana kishte 32 mandate, të cilat u ndanë 16 për PD-në, 15 për PS-në dhe 1 për LSI-në.

Lexo edhe:

“Do fitoj 88 mandate!”/ Berisha i përgjigjet parashikimit të Ramës: Të pret Mc Gonigal

Berisha: Ambasada e SHBA, në kontakte non stop me ne

Në zgjedhjet e vitit 2013, mandatet u ndanë 19 me 13 për të majtën, por PS fitoi vetëm 16 mandate, vetëm një më shumë se sa viti 2009, ndërsa tre mandate u fituan nga LSI.

Në zgjedhjet e vitit 2017, banorët e Tiranës braktisën në masë Partinë Demokratike, e cila, në atë kohë, si edhe sot, ishte gjerësisht e pareformuar, duke i dhënë vetëm 11 mandate nga 34. Ishte braktisja e opozitës nga mbështetësit e vet ajo që shtyu socialistët në 18 mandate, duke i siguruar mandatet kyçe për maxhorancën e parë të vetme që një parti ka pasur që nga viti 2001.

Në vitin 2021, banorët e Tiranës dolën në votime në masë si kurrë më parë, duke shënuar pjesëmarrjen më të lartë në vend. Socialistët gjithsesi arritën të ruajnë 18 mandatet e tyre, mandate të fituara edhe me ndihmën e Ornaldo Rakipit, ndërsa aleati i tyre i pashpallur, partia Socialdemokrate e Tom Doshit, fitoi një mandat surprizë, praktikisht pa bërë fushatë.

Perceptimi i përgjithshëm është që votuesit tradicionalë të Partisë Socialiste e votojnë atë pavarësisht çdo gjëje ndërkohë që, një numër shqiptarësh që nuk e pëlqejnë PS-në, ndonëse priren të votojnë kundër saj, duhet të kenë arsye shumë të fortë për të dalë në votime. Edhe opozita ka mbështetësit e vet që votojnë pavarësisht çdo gjëje, por këta duket se nuk janë aq shumë. Për shembull, në vitin 2009, kur socialistët garuan efektivisht pa u reformuar dhe pa program qeverisës, ata morën në 163 mijë vota, përkundrejt 162 mijëve të PD-së. Por në vitin 2017, PD ra në 128 mijë vota. Dhe në vitin 2021, kur një numër qytetarësh duket se mbyllën hundën dhe shkuan të votojnë kundër Ramës më shumë se sa pro opozitës, PD u rrit në 182 mijë vota, jo mjaftueshëm kjo për të mposhtur socialistët.

Zgjedhjet e vitit 2021 ka gjasa kanë shënuar kulmin shumëvjeçar të pjesëmarrjes reale. Në Shqipëri, një pjesë e madhe e votuesve janë në emigrim dhe gjatë zgjedhjeve të shkuara nuk kanë pasur mundësi fizike të votojnë. Rrjedhimisht, vlerësimi i pjesëmarrjes reale të popullsisë banuese është një ushtrim me shumë të panjohura. Por nëse shohim popullsinë e pranishme në Shqipëri në vitin 2023, të numëruar nga Censi, si dhe numrin e votave të hedhura në zgjedhjet e viteve 2023 për pushtetin vendor dhe 2021 për Kuvendin e Shqipërisë, mundet të vlerësohet me përafërsi pjesëmarrja reale.

Intervistuesit e Censit numëruan 2.4 milionë banorë rezidentë, nga të cilët, 458 mijë ishin fëmijë nën tetëmbëdhjetë vjeç. Numri i votuesve në zgjedhjet për pushtetin vendor të prillit 2023, zgjedhje që u zhvilluan vetëm pak muaj para Censit, ishte afërsisht 1.4 milionë. Kjo sugjeron se pjesëmarrja reale në rang kombëtar ishte 72%.

Nga ana tjetër, në zgjedhjet e vitit 2021, numri i votave të hedhura ishte 1.66 milionë, gjë që sugjeron se, në raport me popullsinë e pranishme, pjesëmarrja duhet të ketë qenë rreth 85%.

Me pak fjalë, ka ende në Shqipëri një numër të konsiderueshëm votash të cilat presin ofertën politike për t’i nxitur të dalin të votojnë.

Në Qarkun Tiranë në zgjedhjet e kaluara janë hedhur 485 mijë vota ndërsa numri i votave me gjasa do të rritet më tej këto zgjedhje, pasi 52 mijë qytetarë kanë kërkuar të votojnë nga emigrimi për këtë qark.

Nisur nga këto shifra, pra luhatja e votave të Partisë Demokratike gjatë dy zgjedhjeve të fundit kur PS ka qenë në qeveri si dhe votave të hedhura “të bardha”, hamendësimi është që një elektorat gri prej se paku 70 mijë vetësh ekziston në Tiranë, mjaftueshëm këta për të prodhuar pesë apo më shumë mandate. Elektorati gri supozohet se duhet të jetë shtuar gjatë viteve të fundit përballë konsumimit të qeverisë dhe opozitës kryesore nga skandalet korruptive.

Maxhoranca më e madhe në Shqipëri përbëhet, sipas sistemit aktual të votimit proporcional në qarqe, nga tre apo katër deputetë mbi kuotën 70. Dy partitë e mëdha po garojnë aktualisht në kushtet e konsumimit ekstrem nga skandalet e panumërta korruptive, përballen me vetveten më shumë se sa me njëra-tjetrën. Dhe, nëse 10 apo 20 për qind e këtyre votuesve zgjedhin të votojnë ndryshe, asnjë nga palët nuk do të jetë në gjendje të krijojë një maxhorancë e vetme, pavarësisht se si del rezultati në qarqet e tjera. Partitë e vogla, Nisma Shqipëria Bëhet, Mundësia dhe Lëvizja Bashkë kanë deklaruar sakaq qëllimin e tyre, moskrijimin e një koalicioni qeverisës me ndonjë nga dy partitë e mëdha dhe dërgimin e vendit në zgjedhje të parakohshme, ku qytetarët do të kenë mundësi sërish të votojnë, e ndoshta të votojnë më shumë për partitë e reja, gjë që hap perspektivën për një ndryshim rrënjësor politik, fundin e duopolit PS-PD dhe krijimin e një tabloje politike më të larmishme, një në të cilën shqiptarët nuk do të jenë më nevojë të votojnë, siç kanë bërë përgjatë tre dekadave të fundit, për të rrëzuar një qeveri të korruptuar për ta zëvendësuar me një tjetër, me shpresë se kjo tjetra do të jetë më pak e korruptuar.

Zgjedhjet e 11 majit mundet gjithashtu që, duke u nisur nga Qarku Tiranë, politika e klientelizmit, e cila është fosilizuar përgjatë dy dekadave të fundit, me vendet e punës në administratën publike të përdorur për ryshfet elektoral apo për shantazh të votuesve, të fillojë të thyhet dhe po kështu, politika e kontrolluar nga kryetarët, me deputetë të emëruar dhe jo të zgjedhur.

Shumë gjëra do të varen nga zgjedhjet e së dielës. Nëse partitë e vogla nuk arrijnë të çajnë, dy të mëdhenjtë mundet që, përgjatë katër viteve të ardshme, të bien dakord për ndonjë ndryshim tjetër në sistemin zgjedhor për ta bërë edhe më të vështirë garën për partitë e vogla apo forcat e reja politike.

 

Profili demografik e social

Qarku i Tiranës shtrihet nga bregdeti i Kavajës dhe Rrogozhinës në perëndim deri në Malin me Gropa dhe Gropa Ndërmalore e Bizës në Perëndim. Pjesa më e madhe e ekonomisë dhe e industrisë së vendit gjendet këtu, nga shërbimet turistike në bregdetin e Kavajës, ku gjenden disa nga hotelet më të mëdha të vendit, te tregtia dhe shërbimet, arsimi publik e privat apo ndërtimi. Fusha e Kavajës dhe fushat në krahun e djathtë të luginës së poshtme të Shkumbinit përbëjnë burimet bujqësore kryesore të qarkut.

Rreth 759 mijë vetë, afërsisht 31% e të gjithë popullsisë së vendit, banon në Qarkun Tiranë. Popullsia e qarkut ka pësuar rënie në masën 3% përgjatë periudhës 2011-2023 pasi ishte rritur me 31% përgjatë periudhës 2001-2011.

Popullsia e qytetit të Tiranës, që përfshin qytetin historik pa periferitë e zhvilluara gjatë dekadave të fundit, ishte 389 mijë vetë në vitin 2023, me rënie 7% përkundrejt vitit 2011. Periferitë kryesore, si ajo e përfshirë në territorin e ish-komunës Kashar, kanë pësuar rritje të konsiderueshme. Njësia administrative Kashar numëron sot 89 mijë banorë, rritje 106% përkundrejt vitit 2011. Njësia administrative Farkë ka 36 mijë banorë, me rritje 60% ndërsa njësia administrative Dajt numëron 35 mijë banorë me rritje 74%. Përkundër kësaj, zonat rurale të qarkut si dhe bashkitë Kamëz, Kavajë e Vorë kanë pësuar rënie të konsiderueshme. Qyteti i Kavajës, dikur një qendër e rëndësishme industriale, aktualisht numëron vetëm 15 mijë banorë, me rënie 21% përkundrejt vitit 2011. Me pak fjalë, në këtë qytet, një në çdo pesë banorë është larguar. Edhe bashkia Kamëz ka pësuar rënie të popullsisë.

Kandidatët

Dymbëdhjetë kandidatë garojnë për secilën nga 11 partitë në listat e mbyllura dhe 37 të tjerë në listat e hapura. Gara për një vend në parlamentin e ardhshëm është veçanërisht e ashpër për partitë kryesore, të cilat pretendojnë se do të marrin më shumë mandate nga listat e mbyllura.

Kryesocialisti Edi Rama i ka ndarë ministrat dhe deputetët e vjetër të Partisë Socialiste në të favorizuar dhe të pafavorizuar, duke vendosur katër ministra, Ogerta Manastirliun, Albana Koçiun, Igli Hasanin dhe Delina Ibrahimaj në listën e paracaktuar, ku gjenden edhe kryeparlamentarja aktuale Elisa Spiropali dhe ish-kryeparlamentarja Lindita Nikolla, Taulant Balla, ish-ministër i Brendshëm, Adea Pirdeni, ministre pa portofol si dhe Ilva Gjuzi, zv/ministre e turizmit, Erion Malaj dhe Iris Luarasi.

Disa nga politikanët më të vjetër të PS-së duhet të luftojnë nga pozicioni i listës së hapur, një garë që njëri prej tyre, ish-zv/kryeministri Erion Braçe, e përshkroi si “të pabarabartë”. Ministrat Blendi Gonxhe e Anila Denaj konkurrojnë praktikisht me Braçen, por edhe me ish-ministrin Fatmir Xhafaj, i cili arriti të thyejë herësin në zgjedhjet e vitit 2021. Ish-ministrja e jashtme Olta Xhaçka, ish-kryeministri Pandeli Majko apo ish-ministrja Mimi Kodheli, do të kenë një sfidë jo të lehtë përballë një numri drejtorësh të Bashkisë Tiranë, si dhe deputetëve aktualë, Klotilda Bushka, Plarent Ndreca, i cili është në proces gjykimi nën akuzën e shkeljes së barazisë në tenderë, Blerina Gjylameti, Toni Gogu dhe Ermonela Felaj. Ornaldo Rakipi, deputeti që theu herësin katër vjet më parë kur ishte në moshën 25 vjeç dhe që, është i biri i politikanit të sanksionuar Aqif Rakipi, konkurron gjithashtu në listën e hapur. Xhemal Qefalia, deputet që nga viti 2017 lufton krahas drejtorëve të bashkisë, Silda Çepe, Julinda Dhame, Andi Seferi, Florian Pullazi, Ylli Shehu, garojnë gjithashtu krahas Antonela Dedej, nënkryetare e Bashkisë Rrogozhinë.

Kryetari i opozitës Sali Berisha udhëheq listën e mbyllur të partisë së tij ku gjenden edhe politikanët Jozefina Topalli, e rikthyer pas mosmarrëveshjeve të vitit 2013, si dhe politikanët që i qëndruan besnik Berishës pas shpalljes nën sanksione në vitin 2021, Flamur Noka, Edi Paloka e Klevis Balliu. Belind Këllici, i cili humbi në zgjedhjet për kryetar bashkie në Tiranë më 2023, por denoncimi i të cilit në SPAK dërgoi pas hekurave një numër drejtorësh që përbënin edhe strukturën kyçe të makinerisë socialiste të votave në Tiranë e ka gjithashtu vendin mëse të sigurt, krahas Tedi Blushit e Erisa Xhixhos nga Partia e Lirisë, Fatmir Mediu, kryetari i Partisë Republikane apo Mesila Doda nga PDIU. Lista e mbyllur mbyllet me Besart Xhaferin në vend të 12. Demokratët kanë rënë në 11 mandate në Tiranë vetëm në vitin 2017, kur Tirana kishte 34 deputetë, gjë që sugjeron se ndoshta e gjithë lista e mbyllur do të zgjidhet ndërsa gara pritet të jetë e ashpër në listat e hapura. Vetë kryetari i Partisë së Lirisë, Ilir Meta, shpreson për një mandat pasi ka garuar nga qelia e paraburgimit si person i hetuar për veprën penale të korrupsionit. Në kushte gjithashtu të vështira garon edhe kreu i Partisë Drejtësi, Integrim dhe Unitet, Shpëtim Idrizi, i cili më parë ka qenë drejtor dhe deputet socialist. Mjeku Ilir Alimehmeti si dhe deputetja aktuale Jorida Tabaku janë mes politikanëve që fillimisht duhet të mbledhin shumë vota për kandidatët e listave të mbyllura para se të shpresojnë se partia e tyre do të marrë mjaftueshëm mandate sa për t’u marrë në llogari dhe ata. Asllan Dogjani, deputeti dikur i PS që tashmë ka kaluar prej kohësh me Berishën garon në listat e hapura me deputeten Mimiza Hajdarmataj, apo Lorenca Hoxhën, një sipërmarrëse.

Në garën janë edhe Salvador Kaçaj, ish-kryetar i komunës së Shëngjinit, Edith Harxhi, ish-zvministre apo Arjan Hoxha, kandidati humbës për kryetar bashkie në Kamëz në zgjedhjet e vitit 2023.

Lëvizja Bashkë garon me Redi Muçin, një pedagog në Universitetin Politeknik, Arlind Qorin, pedagog në Universitetin e Tiranës dhe njëkohësisht kryetar i Partisë, Bora Memën, nga shoqëria civile dhe Jani Markën, pedagog në Fakultetin e Shkencave të Natyrës. Aktivistja Albina Ruko, e cila deklaron punën e saj si kameriere, garon më poshtë në listë krahas Qani Shinos, 73 vjeç, ish-minator i Valiasit, aktualisht tregtar materialesh ndërtimi. Jonida Sela, albanologe dhe mësuese arti, garon në vend të shtatë ndërsa Fatmir Gashi, pensionist, gjithashtu ish-minator, garon në vend të tetë. Pason Demjan Mrishaj, aktivist dhe punonjës social në Don Bosko dhe Alfred Bushi, përkthyes. Ana Fociro, profesore në Universitetin Politeknik të Tiranës dhe Boris Belortaja, ekspert në fushën e drejtësisë me eksperiencë në shoqërinë civile mbyllin listën e mbyllur të kësaj partie.

Partia Mundësia ka në vend të parë në Tiranë kryetarin Agron Shehaj, në vend të dytë nënkryetarin Erald Kapri, i cili ka punuar si gazetar dhe studiues si dhe Barbara Dodën në vend të tretë, një administratore biznesi.

Partia Socialdemokrate e Tom Doshit, e cila pati fituar mandat surprizë në Tiranë në vitin 2021, garon në vend të parë me Albana Pëllumbin, një drejtoreshë në Profarma, kompania farmaceutike nën pronësi të kryetarit Doshi. Lista vijuese është gjithashtu e plotësuar me shumë punonjës të niveleve të ndryshme të Profarmës.

Disa parti, si Koalicioni Euroatlantik, Nisma Shqipëria Bëhet apo Djathtas për Zhvillim kanë deklaruar se listat e tyre të mbyllura janë plotësuar me vullnetarë, të cilët kanë dhënë dorëheqjen ose pritet të japin dorëheqjen në mënyrë që t’i mundësojnë garë të barabartë mes kandidatëve të listave të hapura. Djathas për Zhvillim është një koalicion i themeluar nga politikani i karrierës Dashamir Shehi dhe ish-demokrati Enkelejd Alibej. Ish-prefekti i Kukësit Ibsen Elezi garon gjithashtu për listat e hapura të kësaj partie.

Adriatik Lapaj, kryetari i partisë Shqipëria Bëhet garon në listat e hapura të koalicionit Nisma Shqipëria Bëhet, krahas kryetarit të partisë Nisma Thurrje Endri Shabani. Panajot Soko, opinionist mbi çështjet ekonomike dhe aktivist garon gjithashtu krahas gazetarëve Ferdinand Dervishi e Edona Haklaj.

Për Koalicionin Euroatlantik në listë të hapur garon ish-kryetari i PD-së Lulzim Basha, Psikologu Neli Demi, ish-drejtori i policisë Shemsi Premçi, sipërmarrësi Hysen Xhura, shkrimtari Rudi Erebara, historiania Nevila Noka apo pedagogia Taulanda Jupi.

Kreshnik Osmani drejton listën e Partisë Lëvizja Atdheu, Elena Kocaqi drejton Aleancën Kombëtare Shqiptare ndërsa Edmond Stojku drejton partinë Aleanca Demokracia e Re./ BIRN

Etiketa: 11 majmandaterezultatitiranaZgjedhjet

Lajme të lidhura

AKTUALITET

“Do fitoj 88 mandate!”/ Berisha i përgjigjet parashikimit të Ramës: Të pret Mc Gonigal

15:23 : 08/05/2025
AKTUALITET

Berisha: Ambasada e SHBA, në kontakte non stop me ne

22:29 : 07/05/2025
AKTUALITET

“Patëm një aksident në qeverisje”/ Berisha: Përjetuam 12 vite narko-diktaturën

18:33 : 07/05/2025
AKTUALITET

Asambleja e KiE do të vëzhgojë zgjedhjet e 11 Majit në Shqipëri

22:32 : 06/05/2025
AKTUALITET

Sa mandate merr PS më 11 maj? Rama nuk pranon të thotë asnjë numër

22:02 : 06/05/2025
AKTUALITET

Analiza: Fieri, “faktori çam” dhe partitë e vogla mund të jenë përcaktuese për mandate

15:52 : 06/05/2025
Para

NBA/ New York mposht sërish Boston, kampionët në fuqi rrezikojnë eleminimin

TË GJITHA

Tym i bardhë nga oxhaku i Kapelës Sistine në Vatikan, zgjidhet Papa i ri

18:13 : 08/05/2025

Lautaro si Crespo, vendos rekord të ri në Champions me Interin

18:02 : 08/05/2025

Ironia e Bushatit: Ai që solli lajmin e Non Gratës në Tiranë, u harrua nga partia e vet në qeli

17:57 : 08/05/2025

Apeli i GJKKO shtyn për pas zgjedhjeve shqyrtimin e ankimit të SPAK për hetimin e Xhaçkës

17:52 : 08/05/2025

Gjesti feston sot datëlindjen, urimi i vetëm ai i Ledion Liços

17:47 : 08/05/2025

Firma me Bayern më pranë, Wirtz flet për të ardhmen: Dua të provoj diçka të re!

17:35 : 08/05/2025

Importuesit po blejnë më lirë dhe shesin më shtrenjtë, ekspertët: Po abuzohet

17:34 : 08/05/2025


RRETH NESH

Boldnews.al mbetet zgjedhja e parë për një lexues i cili kërkon të informohet me saktësi për një lajm. Misioni jonë kryesor është paanshëmëria dhe profesionalizmi dhe për këtë janë të punësuar gazetarët më të mirë në tregun mediatik.
Na kontakto: [email protected]

NA NDIQ

  • Kontakt

2025 Boldnews Dev By Techzero1.com

  • KRYESORE
  • INVESTIGIME
  • OP-ED
  • VETTING
  • AKTUALITET
  • POLITIKE
  • SPORT
    • Euro 2024
  • TE TJERA
    • PRIVACY POLICY
    • KONTAKT
    • EKONOMI
    • SHENDETI
    • SHOW BIZ
    • KULTURE
    • POLITIKE
    • KRONIKE
    • TEKNOLOGJI
    • VIDEOT KRYESORE TE DITES
    • VIDEO
    • BOLD BLOG
    • FOTOGRAFI
    • HOROSKOPI
    • NDRYSHE
    • RAJONI
    • BOTA
    • SOCIALE
  • ZGJEDHJE 2025

2025 Boldnews Dev By Techzero1.com