Në politikë, fjalët kanë peshë…Në fushata ato bëhen armë.
Nga viti në vit që me ardhjen e pluralizmit partitë politikë kanë bërë përpjekjet e veta për të përmirësuar mënyrat se si i drejtohen qytetarëve për t’i kërkuar votën. Fushatat elektorale janë bërë gjithnjë e më të strukturuara, marketingu politik më i sofistikuar.
Një nga elementet e pandashme të fushatave është fjala e shkurtër që kërkon votën, ajo që përsëritet në çdo takim elektoral, në çdo poster apo spot televiziv.
“Sloganet e partive politike përgjithësisht na sjellin vizionin e partisë për një mandate 4 vjeçar qeverisje kështu që gjithmonë synohet të gjendet diçka që të jetë sa më kuptimplotë dhe goditëse”, shprehet Elsa Skënderi Rakipllari.
Por sa i kanë përligjur dy partitë më të mëdha në vend, Pd dhe PS, sloganet, me premtimet apo vizionet që kane patur.
“Ka pasur parti që janë futur në zgjedhje pa program dhe jo domosdoshmërisht slogani paraqet sintezën e një programi. Është më tepër diçka abstrakte, një objektiv se ku duam të arrijmë”, deklaroi Lutfi Dervishi.
Ka pasur raste kur një slogan i mirë, natyrisht duke u mbështetur nga faktorë të tjerë si besueshmëria e kandidatit dhe konteksti shoqëror, ka ndikuar realisht në rezultatin e zgjedhjeve. Përmendim raste ne Shtetet e Bashkuara të Amerikes, përkatësisht slogani “yes ëe can” i përdorur në zgjedhjet e vitit 2008 nga Barack Obama apo ai i Donald Tramp në vitin 2016 ”Make America Great Again” përballë kandidates Hillary Clinton.
Në rastin e Shqipërisë, shembujt e sloganeve kaq të suksesshëm, duket se mungojnë dhe rezultati përcaktohet nga të tjerë faktorë, që jo domosdoshmërisht lidhen me programin apo premtimet e një partie.
“Rotacioni apo ndryshimi apo përmbysja ka ardhur si rezultat i faktorëve të tjerë dhe jo i sloganeve. Në 2005 ka ardhur për shkak të një lodhjeje qeverisëse 8 vjeçare dhe ka qenë një cikël si të thuash i përcaktuar me cikle 8 vjeçare që u ndërpre në 2021 kur partia socialiste mori mandatin e tretë. Sikundër kemi dmth që ti mund t’i shembësh shtëpinë ose të jesh pensionist e të punosh e të thuash që prapë votën ta kam dhënë ty sepse thjesht nuk e mendon do ta lidhë votën me premtimin me programin, por është thjesht që unë votoj këtë sepse jam i majtë apo jam i djathtë”, shton Dervishi.
Përsëritja është mëma e dijes por në rastin e sloganeve politike, kur të njëjtat fjalë riciklohen nga një fushatë në tjetrën, ajo lodh dhe kthehet në mërzitje që nuk ngjall më besim, por bezdisje.
“Sloganet e partive politike synojnë që të përsëriten dhe ose të na flasin për dashuri për Shqipërinë, ose për një Shqipëri që po ndryshon“, shprehet Rakipllari.
“Partia në pushtet identifikohet me vendin. Dmth Partia Socialiste e filloi me Rilindjen shqiptare, pastaj Shqipëria që duam, për Shqipërinë që duam, Shqipëria 2030, pra identifikohet partia me vendin.
Një forcë që është në opozitë pretendon dhe kërkon ndryshimin, po ta analizosh partinë demokratike pra koha për ndryshim,ne jemi ndryshimi, pra 3 mandate rresht nuk iu nda ndryshimit”, deklaroi Dervishi.
“Sa më shumë që të përdoret një fjalë aq më shumë zbërdhylet ajo..është si një veshje që ti e mban shumë edhe fillon dhe konsumohet, Çështja është që nga njëra anë partitë politike mbajnë ndryshimin sepse realisht njerëzit kanë nevojë për një ndryshim dhe prandaj lipset që ta shesin si vizionin e tyre, por nga ana tjetër fakti që kjo fjalë ripërsëritet duket që nuk kemi një ndryshim që të përmbushë pritshmëritë e qytetarëve dhe votuesve”, tha Skënderi.
Edhe nëse jo për të ndikuar në rezultat, megjithatë të dyja partitë kanë prodhuar slogane që kanë spikatur, qoftë për diskutimet që kanë pasur, qoftë për perceptimin në publik.
“Së pari është padyshim slogani i Partisë Socialiste Rilindje, që rimori një koncept shumë të rëndësishëm të një periudhe për të cilën ne jemi shumë krenarë, në pikëpamje të historisë sonë.. e rimori dhe e bëri pikërisht slogan politik duke evokuar të gjithë domethënien dhe rëndësinë e një ripërtëritje që pësoi kombi shqiptar, pikërisht në periudhën e rilindjes duke e evokuar atë edhe në çështje të politikës dhe tjetri është slogani i Partisë Demokratike për Republikën e Re…që ishte njëlloj guximi si të thuash sepse në rastet e republikave ato shënjojnë shtet. Por në rastin e këtij slogani, qe njëlloj guximi për të luajtur në figurë. Ideja ishte për të sjellë diçka të re në mendësi, për të ndryshuar por edhe ky slogan u shoqërua me diskutime për mënyrën si mund dhe duhej të interpretohej”, tha Skenderi.
Nëse ndalemi dhe analizojmë sloganet e fushatës aktuale zgjedhore, nga të dyja partitë synohet projektimi i një të ardhme më të mirë për Shqipërinë. Njëra përmes integrimit europian dhe tjetra përmes një vizioni më të gjerë zhvillimi e krenarie. Ajo çka duket që mungon në të dy rastet është përmbajtja konkrete.
“Në rastin e Partisë Demokratike kemi një rimarrje të modelit të sloganit të fushatës së fundit të presidentit Trump që ishte “Make America Great Again” “Ta bëjmë Shqipërinë të Madhe Përsëri” mirëpo në këtë rast nuk mund të flasim për shkak të çështjeve gjeopolitike edhe të konotacioneve që përmban termi Shqipëri e madhe nuk mund të flasim për të sepse kjo do ti shqetësonte shumë fqinjët tanë por flitet për Shqipëri madhështore. Nga ana tjetër nëse do të flasim për sloganin e Partisë Socialiste, bëhet fjalë për një slogan që ka në emërtesë liderin e partisë. Me gjasë kjo vjen edhe për faktin se sepse lidhet gjithë vizioni i partisë me vizionin e një personi të vetëm dhe nga na tjetër një parti socialiste që është goditur vazhdimisht për shkak të problemeve me korrupsionin të një sërë prej figurave më përfaqësuese, tashmë e vetmja figurë që së paku ligjërisht ende nuk është goditur në mënyrë të drejtpërdrejtë dhe nuk ka një problem të evidentuar me drejtësinë është Edi Rama, kështu që fushata elektorale është zgjedhur të bëhet me emrin e tij”, deklaroi pedagogia.
“Shqipëria 2030 është një slogan që nuk thotë asgjë për kushtet e jetesës, për papunësinë, për arsimin për shëndetësinë.. Pra nuk të thotë asgjë.. Sikundër edhe slogani tjetër “për një Shqipëri Madhështore” që është më shumë një përpjekje..ta bëjmë Shqipërinë madhështore, nuk të tregon thelbin e programit dhe të thuash ok, nëse dëgjova këtë, si bëhet Shqipëria madhështore dhe kur ka qenë ndonjëherë Shqipëria madhështore. Shohim duel sloganesh, por jo duel idesh apo programesh”, shprehet Dervishi.
Në politikë , kur fjala e madhe nuk përputhet me jetën e thjeshtë të qytetarit, edhe slogani më i zhurmshëm e humbet jehonën dhe ajo që mbetet është realiteti që ato, arrijnë, ose dështojnë të ndryshojnë./ A2CNN