Ditën e sotme, 13 Prill, i ndjeri Martin Cani, i cili u vra me thikë nga bashkëmoshatari i tij pranë shkollës “Fan Noli” në kryeqytet, do të festonte 15 vjetorin e lindjes.
Fatkeqësisht, në këtë ditë që dikur ishte gëzim për ta, sot familja Cani u zgjuan me një boshllëk dhe shkuan me lule dhe tullumbace të bardha tek varri i tëvoglit të tyre.
“Qofsh i Xhehnetit ylli më i bukur i qiellit”, shkruhej në lulet që u lanë të vendosura përmbi varrin e tij.
Gjithashtu, mbi varrin e ti u la dhe një kartolinë nga gjyshi, Tata, daja dhe tezet, ku shkruhej: “Sot ti, dielli ynë, do të mbushje 15 vjeç. Por një re e zezë të mori jetën në lule të rinisë. Martin, ti do të jesh i pavdekshëm në shpirtin dhe mendjet tona – ylli më i bukur i qiellit. Ti ishe i bukur, i zgjuar, plot dritë e energji. Çdo gjë të bukur e kishe ti. Ishe krenaria dhe bukuria jonë. Si qershia mbi tortë ishe në familjen tonë. Plot humor, batuta dhe një energji që nuk mbaronte kurrë. Sa herë mblidheshin në ndonjë gëzim, ti, çapkëni ynë – na bëjhe të qeshnim me lot. Ndërsa tani na është thyer zemra në mijëra copëza. Na merr malli të dëgjojmë zërin tënd, por është e pamundur. Na merr malli të të shohim, por është e pamundur. Na merr malli të të përqafojmë, por është e pamundur. Na merr malli aq shumë sa na digjet shpirti për ty, sybukuri jonë. Ti do të na mungosh pafund, por kujtimet e tua do të mbesin përjetë. Me ikjen tënde të parakohshme, jeta na vuri përballë vështirësive. Të qajmë pa lot dhe të buzëqeshim me dhimbje.”