Telefona të mençur, kompjuterë, vegla pune, veshmbathje…
Këto janë vetëm disa nga produktet me origjinë nga Kina që zënë një vend të rëndësishëm në tregun e Kosovës.
Së fundi, Shtetet e Bashkuara vendosën tarifa në mallrat e importuara nga shumica e vendeve të botës. Mallrave nga Kina iu vendos një tarifë masive prej 104 për qind.
Përderisa profesori i ekonomisë, Mejdi Bektashi, thotë se kjo luftë tregtare mes SHBA-së dhe Kinës mund t’i detyrojë kompanitë kosovare që t’i zëvendësojnë produktet kineze me produkte të tjera, pronari i kompanisë Elkos Group, Ramiz Kelmendi, thotë se ai do të vazhdojë të importojë nga Kina, madje pret të ketë çmime më të ulëta.
Sa janë të rëndësishme mallrat nga Kina për tregun në Kosovë?
Megjithëse Kina vazhdon të mos e njohë pavarësinë e Kosovës, kjo gjë nuk ka penguar bashkëpunimin ekonomik dhe tregtar mes dy vendeve.
Të dhënat zyrtare tregojnë se Kina është ndër importueset kryesore në tregun kosovar, duke u renditur në vendin e tretë për nga volumi i mallrave, pas Gjermanisë dhe Turqisë.
Vetëm gjatë vitit të kaluar, nga vlera e përgjithshme e importit prej 6.3 miliardë eurosh, sipas Doganës së Kosovës, mbi 748 milionë euro – ose mbi 12 për qind – kanë qenë produkte kineze.
Në anën tjetër, eksportet e Kosovës në Kinë kanë qenë të vogla, me vlerë prej 426 mijë eurosh, ose 0.1 për qind të vlerës së përgjithshme të eksportit, që është rreth një miliard euro.
Produktet e eksportuara përfshijnë xeherore, koncentrat kromi, makina për kositje e fustane.
Në mesin e kompanive importuese është edhe kompania Elkos Group, në kuadër të së cilës funksionon dhe zinxhiri i supermarketeve, ETC.
Ramiz Kelmendi, pronari i këtij zinxhiri tregtar, thotë për Radion Evropa e Lirë se kompania e tij për çdo vit blen produkte deri në 12 milionë euro nga Kina.
Sipas tij, arsyeja e bashkëpunimit është që shumë produkte prodhohen vetëm në Kinë dhe, për shkak të fuqisë së lirë punëtore atje, çmimi është më i favorshëm për tregun e Kosovës.
“Nëse do prodhoheshin në Evropë apo Amerikë, sigurisht që ato do ishin prioritetet tona. Por, nëse dikush nga Bashkimi Evropian importon nga Kina, i monton produktet dhe i eksporton si të vetat, ajo i bie që ne po paguajmë montimin. Kështu që më leverdi kemi t’i blejmë direkt në Kinë, dhe punëtorët tanë këtu e bëjnë montimin, në këtë mënyrë edhe hapim vende të reja të punës edhe i blejmë më lirë”, shprehet ai.
Si do ta ndikojnë tarifat e SHBA-së ndaj Kinës tregun në Kosovë?
Më 2 prill, presidenti i SHBA-së, Donald Trump, vendosi tarifa prej 34 për qind ndaj mallrave kineze, si pjesë e një vendimi më të gjerë, ku vendosi tarifa ndaj shumicës së partnerëve tregtarë. Kosovës iu vendos tarifa bazë prej 10 për qind.
Dy ditë më vonë, më 4 prill, Kina u kundërpërgjigj me tarifa të njëjta ndaj mallrave amerikane. Katër ditë më vonë, SHBA-ja njoftoi për tarifa shtesë ndaj Kinës, duke arritur në 104 për qind dhe duke i kërkuar Kinës që të tërheqë masat e saj. Më 9 prill – kur tarifat amerikane ndaj Kinës dhe vendeve të tjera nisën të zbatohen – Pekini njoftoi për rritjen e tarifës ndaj mallrave amerikane nga 34 në 84 për qind.
Këto zhvillime shënojnë një përshkallëzim të luftës tregtare midis dy ekonomive më të mëdha në botë. Kjo përplasje do të ketë pasoja jo vetëm për SHBA-në dhe Kinën, por edhe për gjithë tregun global, përfshirë dhe Kosovën, thotë profesori i ekonomisë në Universitetin e Prishtinës, Mejdi Bektashi.
Marrë parasysh se Kosova vazhdon të jetë e varur nga mallrat e importuara, thotë ai, vendi do ta ketë të vështirë të shmangë pasojat e këtyre tarifave.
Bektashi shprehet se tarifat e reja do të shkaktojnë një valë të re inflacioni, e cila do të ndikojë jo vetëm në SHBA, por edhe në Evropë.
“Nga zbatimi i tarifave, barra do të bjerë në fund të zinxhirit, te konsumatorët. Konsumatorët në të gjithë botën, përfshirë ata në Kosovë, do të blejnë produkte kineze deri në 40 për qind më shtrenjtë sesa paguajnë aktualisht”, thotë ai për Radion Evropa e Lirë.
Për t’i shmangur këto çmime, Bektashi thotë se kompanitë kosovare duhet të orientohen drejt tregjeve të tjera të Bashkimit Evropian.
“Në këtë kontekst, tregjet alternative do të gjenden më lehtë dhe do të ofrojnë produkte me cilësi më të lartë, por gjithashtu me çmime më të larta. Humbësi më i madh, nga këto tarifa do të jetë Kina, si dhe disa shtete aziatike me zhvillim të shpejtë ekonomik, si India dhe Vietnami”, thekson ai.
Ndërkohë, Ramiz Kelmendi nga Elkos Group, i cili më parë ka pasur edhe pozitën e zëvendëskryeministrit në Qeverinë e Kosovës, beson se kompania e tij do vazhdojë të importojë nga Kina edhe pas vendosjes së tarifave nga SHBA-ja.
Ai beson se tarifat e reja ndaj Kinës do të ndikojnë në uljen e çmimeve të produkteve.
“Pasi Kina eksporton shumë në tregun e SHBA-së, pas ndikimit të tarifës do të zvogëlohet sasia e produkteve për këtë treg dhe produktet do të orientohen në tregje të tjera. Kina nuk do ta ndalë prodhimin, por do të rritet konkurrenca dhe kjo do ta sjellë uljen e çmimeve për tregjet e tjera”, shprehet Kelmendi.
Për dallim nga vendet e tjera të Ballkanit Perëndimor, Kina nuk ka realizuar investime kapitale në Kosovë. Bashkëpunimi mes dy vendeve mbetet në nivelin e importit dhe eksportit të mallrave.
Marrëdhëniet diplomatike mes Kosovës dhe Kinës
Kina nuk e njeh pavarësinë e Kosovës, por respekton, siç thotë, integritetin territorial të Serbisë, e cila, me Kushtetutë, Kosovën e trajton ende si pjesë të territorit të saj.
Për këtë arsye, dy shtetet nuk kanë marrëdhënie diplomatike, por Kina ka një zyrë ndërlidhëse në Kosovë, që funksionon nën Ambasadën kineze në Beograd.
Nëse qytetarët e Kosovës duan ta vizitojnë Kinën, ata duhet të pajisen me vizë, të cilën mund ta kërkojnë në Zyrën Ndërlidhëse në Prishtinë. Viza shqyrtohet në Ambasadën e Kinës në Beograd.
Ngjashëm edhe qytetarët kinezë, përveç atyre me pasaporta diplomatike, që dëshirojnë ta vizitojnë Kosovën duhet të kenë vizë dhe mund ta marrin atë në ambasadat e Kosovës në Shqipëri ose Turqi./REL