Një 29-vjeçar është arrestuar dhe babai i tij është proceduar penalisht nga policia në Fushë-Krujë, pasi akuzohen se jepnin para me fajde, pastronin para dhe shisnin florë të kontrabanduar.
Policia bën me dije se nga hetimet, dyshohet se 29-vjeçari, në bashkëpunim me 60-vjeçarin, nëpërmjet biznesit të tyre exchange dhe argjendari, në Fushë Krujë, pastronte para me burime të dyshuara kriminale.
Gjithashtu nga kontrolli, në ambientin e bizneseve u gjetën 100 000 euro cash që jepeshin hua kundrejt përfitimit (me përqindje). Po ashtu në këtë biznes shiteshin bizhuteri floriri, të dyshuara të kontrabanduara, pasi nuk ishin të pajisura me fatura blerjeje.
“Si rezultat i një hetimi intensiv, të iniciuar nga Seksioni për Hetimin e Pastrimit të Parave dhe Aseteve Kriminale i DVP Tiranë dhe të ndjekur që prej muajit tetor 2024, me metoda proaktive, në bashkëpunim me Prokurorinë e Tiranës, u finalizua operacioni “Miniera”.
Gjatë operacionit u arrestua në flagrancë shtetasi A. M., 29 vjeç dhe nisi procedimi në gjendje të lirë për babanë e tij, shtetasin A. M., 60 vjeç, të dy banues në Fushë Krujë.
Nga hetimet dyshohet se 29-vjeçari, në bashkëpunim me 60-vjeçarin, nëpërmjet biznesit të tyre exchange dhe argjendari, në Fushë Krujë, pastronte para me burime të dyshuara kriminale. Nga kontrolli, në ambientin e bizneseve u gjetën 100 000 euro cash që jepeshin hua kundrejt përfitimit (me përqindje). Gjithashtu, në këtë biznes shiteshin bizhuteri floriri, të dyshuara të kontrabanduara, pasi nuk ishin të pajisura me fatura blerjeje.
Vijojnë hetimet për të identifikuar dhe nxjerrë përpara përgjegjësisë penale, shtetasit e tjerë që mund të jenë implikuar në këto veprimtari kriminale”, thuhet në njoftimin e policisë.
Materialet procedurale iu referuan Prokurorisë së Tiranës, për veprime të mëtejshme, për veprat penale “Pastrimi i produkteve të veprës penale ose veprimtarisë kriminale”, “Tregtimi dhe transportimi i mallrave që janë kontrabandë” dhe “Fshehja e të ardhurave”.














