Për deputetët në Shqipëri, ligji që rregullon konfliktin e interesit është Ligji Nr. 9367, datë 07.04.2005, “Për Parandalimin e Konfliktit të Interesave në Ushtrimin e Funksioneve Publike”, i ndryshuar.
Ky ligj përcakton rregullat për shmangien e situatave ku interesi privat i një zyrtari mund të ndikojë në vendimmarrjen e tij publike.
Neni 28 i ligjit kufizon deputetin “të ushtrojë veprimtari private, që krijon të ardhura në formën e personit fizik tregtar, ortakëri personash fizikë tregtarë të çdo forme, profesione të lira të avokatisë, të noterisë, ekspertit të licencuar, si dhe të konsulentit, agjentit a përfaqësuesit të organizatave të përcaktuara në shkronjën “a” të këtij neni dhe nuk mund të jetë i punësuar, me kohë të plotë, në një detyrë tjetër”.
Po ashtu deputeti “nuk mund të zotërojë, në mënyrë aktive, asnjë aksion ose pjesë në kapital të një shoqërie tregtare, nëse ajo rezulton me pozitë dominuese në treg”.
Neni 21 për kufizime për ushtrimin e funksioneve private gjatë mbajtjes së detyrës publike përcakton se deputeti nuk mund të ushtrojë njëkohësisht një funksion privat si administrator, anëtar bordi, menaxher ose drejtues në një shoqëri tregtare.
Neni gjithahstu parashikon nëse deputeti është aksioner ose zotëron kuota në një shoqëri tregtare, ai nuk mund të marrë vendime ose të ndikojë në procedurat publike që lidhen me atë shoqëri.
Në rast se deputeti është aksioner në një kompani që përfiton nga fondet publike, ai duhet të heqë dorë nga ndikimi në proceset vendimmarrëse.
Inspektorati i Lartë i Deklarimit dhe Kontrollit të Pasurive dhe Konfliktit të Interesit (ILDKPKI) është institucioni që mbikëqyr deklarimin e pasurisë dhe zbatimin e ligjeve mbi konfliktin e interesit.
Deputetët janë të detyruar të dorëzojnë deklarata të pasurisë çdo vit, ku përfshihen të gjitha investimet, aksionet dhe interesat e tyre ekonomike. ILDKPKI ka të drejtë të hetojë dhe ndëshkojë shkeljet, duke përfshirë gjoba, shkarkime nga detyra ose referim të rasteve në Prokurori për korrupsion.
Në shtetet e rajonit, si Kosova, Maqedonia e Veriut, Serbia, Mali i Zi dhe Kroacia drejtuesit e bizneseve që hyjnë në politikë duhet të largohen nga drejtimi i kompanive të tyre ose t’i transferojnë ato për të shmangur ndikimin në vendimmarrje.
Ligjet kërkojnë transparencë përmes deklarimit të pasurisë dhe interesave financiare, ndërsa agjencitë e posaçme kundër korrupsionit mbikëqyrin dhe ndëshkojnë shkeljet.
Në Kosovë ligji “Për Parandalimin e Konfliktit të Interesit në Ushtrimin e Funksionit Publik” ndalon që zyrtarët publikë të jenë njëkohësisht drejtues të bizneseve private.
Politikanët duhet të deklarojnë pasurinë dhe interesat e tyre financiare. Shkeljet monitorohen nga Agjencia Kundër Korrupsionit.
Në Maqedonia e Veriut ligji “Për Parandalimin e Korrupsionit dhe Konfliktit të Interesave” ndalon zyrtarët publikë të marrin vendime që favorizojnë bizneset e tyre private.
Politikanët duhet të deklarojnë pasurinë dhe interesat e tyre financiare.
Nëse një zyrtar ka aksione apo drejtim në një kompani, ai duhet t’i transferojë ose të heqë dorë nga çdo ndikim gjatë mandatit të tij. Monitorimi bëhet nga Komisioni Shtetëror për Parandalimin e Korrupsionit.
Ligji “Për Parandalimin e Korrupsionit dhe Konfliktit të Interesave” në Malin e Zi ndalon mbajtjen e pozitave drejtuese në kompani private nga zyrtarët publikë. Të gjithë zyrtarët janë të detyruar të deklarojnë interesat financiare dhe bizneset e tyre.
Nëse ndodhet në konflikt interesi, zyrtari duhet të largohet nga pozita drejtuese ose të vendosë biznesin nën administrim të pavarur. Agjencia për Parandalimin e Korrupsionit është përgjegjëse për mbikëqyrjen dhe ndëshkimin e shkeljeve.
Në Serbi ligji “Për Parandalimin e Konfliktit të Interesave” ndalon politikanët të mbajnë aksione shumicë ose pozita drejtuese në kompani private. Zyrtarët publikë duhet të dorëzojnë pasuritë dhe aksionet e tyre ose t’i kalojnë në një sistem “blind trust” (besim të verbër).
Ligji gjithashtu ndalon pjesëmarrjen e bizneseve të politikanëve në tenderë publikë. Agjencia Kundër Korrupsionit monitoron dhe ndëshkon shkeljet e ligjit.
Në shtetet si Bosnja dhe Hercegovina dhe Kroacia ligji për Konfliktin e Interesit ndalon që zyrtarët të mbajnë pozita në kompani private gjatë mandatit. Ata duhet të raportojnë të gjitha interesat financiare. Komisioni Qendror i Zgjedhjeve mbikëqyr zbatimin e ligjit në Bosnjë Hercegovinë.
Në Kroaci është Komisioni për Konfliktin e Interesit që mbikëqyr zbatimin e ligjit.
Europë dhe SHBA
Ligji për konfliktin e interesit, si në Europë dhe SHBA, synon të parandalojë ndikimin e interesave private në vendimmarrjen publike. Ai e ndalon ose kufizon veprimtarinë e drejtuesve të bizneseve që hyjnë në politikë përmes disa mekanizmave kryesorë.
Në të dyja sistemet, sfida kryesore mbetet zbatimi i ligjit dhe shmangia e mënyrave të fshehta për të ndikuar politikën në favor të bizneseve private.
Në shtete si Itali dhe Gjermani, biznesmenët që hyjnë në politikë duhet të ndjekin rregulla të rrepta për të shmangur konfliktin e interesit.
Ligjet kërkojnë që ata të heqin dorë nga drejtimi aktiv i bizneseve të tyre ose të ndjekin masa specifike për të shmangur përfitimet personale nga pozitat politike.
Në Itali, ligji Nr. 215/2004 (Ligji Frattini) përcakton se biznesmenët që hyjnë në politikë duhet të transferojnë administrimin e kompanive të tyre te palë të treta ose të japin dorëheqje nga çdo funksion drejtues. Po ashtu nuk mund të marrin pjesë në tendera publikë apo të përfitojnë nga kontrata shtetërore gjatë mandatit.
Në Itali inspektimi bëhet nga Autoriteti Kombëtar Kundër Korrupsionit (ANAC).
Në Gjermani, ligji Federal për Zyrtarët Publikë dhe Ligji për Ministrat Federalë kufizon çdo biznesmen që merr një post politik se duhet të deklarojë të gjitha interesat e tij financiare dhe të shmangë përfshirjen në vendimmarrje që lidhet me kompaninë e tij.
Nëse një konflikt interesi është i qartë, ai duhet të largohet nga roli ekzekutiv ose të kalojë pronësinë në një “blind trust” (fond i menaxhuar nga palë të treta, pa ndërhyrjen e tij).
Në rast të shkeljeve, Kodi Penal Gjerman parashikon gjoba ose burgim për korrupsion dhe përfitime të paligjshme.
Në të dy vendet, biznesmenët që hyjnë në politikë duhet të distancohen nga kompanitë e tyre, ose duke kaluar menaxhimin tek palë të treta, ose duke u larguar plotësisht nga vendimmarrja.
Ndryshimi kryesor mes Italisë dhe Gjermanisë është se Italia ka një qasje më të rreptë, ndërsa Gjermania fokusohet më shumë në deklarimin e interesave dhe ndalimin e përfshirjes në çështje që mund të krijojnë konflikt interesi.
Në SHBA, ligji ndalon zyrtarët publikë të marrin vendime për politika që mund të ndikojnë financiarisht kompanitë ose asetet e tyre. Para dhe gjatë mandatit, politikanët duhet të raportojnë pasurinë dhe lidhjet e tyre me bizneset.
Shumë zyrtarë janë të detyruar të vendosin pasuritë e tyre në një trust të menaxhuar nga një palë e tretë, pa mundësi ndikimi mbi to (Trusti i verbër).
Shitja e aksioneve ose dorëheqja nga pozitat drejtuese. Në disa raste, ata duhet të shesin interesat e tyre, ose të japin dorëheqjen nga bordet e kompanive për të shmangur konfliktin./ MONITOR