Në listat e kandidatëve për deputetë të Partisë Socialdemokrate sipas KQZ-së, janë identifikuar 15 kandidatë që më herët kanë pasur probleme me drejtësinë, por tashmë ligji i konsideron “të rehabilituar”.
Në zgjedhjet parlamentare të 11 Majit nga rradhët e Partisë Socialdemokrate të drejtuar prej Tom Doshit do të garojnë 186 kandidatë për deputetë, duke regjistruar edhe numrin më të lartë të kandidatëve nga kjo parti në 12 vitet e fundit.
Sipas të dhënave që “shteg.org” disponon, rezulton se 15 prej tyre janë autorë të veprave të ndryshme penale, brenda dhe jashtë vendit, por sipas ligjit shqiptar rezultojnë “të rehabilituar”, ndërkohë që shumica e kandidatëve nuk kanë një profil publik.
Nga vëzhgimet që “shteg.org” ka realizuar në profilin e kandidatëve të PSD-së në rrjetet sociale, vetëm 10 prej tyre kanë publikuar foto të PSD-së dhe të Tom Doshit gjatë fushatës, ndërkohë që 31 kandidatë nuk kanë postuar asnjë përmbajtje, 29 janë të joaktivë në llogaritë e tyre të rrjeteve sociale, dhe pjesa tjetër nuk ka një të tillë apo shpërndajnë vetëm postime të ceremonive familjare.
Njëri prej kandidatëve që garon në zgjedhjet parlamentare të 2025 është edhe Flori Tomçini, i cili rezulton të jetë gjykuar nga gjykata Italiane dhe ajo greke vite më parë. Tomçini bëhet aktiv në rrjetet sociale vetëm gjatë periudhës së fushatave duke pozuar me kryetarin e PSD-së, Tom Doshi. Ai ka kandiduar për anëtar të Këshillit Bashkiak në Dibër në vitin 2022, si dhe është i përfshirë në listën e PSD-së për deputet në zgjedhjet aktuale.
KQZ vendosi për përfshirjen e tij në garën për deputetet, pasi sipas ligjit shqiptar cilësohet “i rehabilituar”.
Të rehabilituar dhe “të padënuar” cilësohen ata individë që mund të kenë kryer dënim me burg deri në 20 vite, por gjatë 10 viteve nga vuajtja e dënimit nuk kanë kryer asnjë vepër tjetër penale.
Kandidati që nuk mban mend përse është dënuar

Flori Tomçini, kandidati për deputet nga Qarku i Dibrës, është një prej socialdemokratëve që më herët ka pasur probleme me ligjin.
Sipas verifikimeve të Komisionit Qendror të Zgjedhjeve, ai ka pasur dënime të mëparshme nga Drejtësia italiane dhe ajo greke.
Ai ka qenë i gjykuar nga gjykata e Peruxhias në Itali në vitet 2015-2016, për arsye që, sipas tij, nuk i mban mend. Po në vitin 2016, Tomçini është dënuar nga gjykata e Selanikut në Greqi për “thyerje kufiri”. Sipas vetëdeklarimit të tij, ai nuk është në dijeni për arsyet e dënimit dhe thotë se nuk ka informacion për proceset gjyqësore që kanë ndodhur.
Afrim Krasniqi, drejtor ekzekutiv i Institutit të Studimeve Politike, shprehet se partitë politike kanë mundësinë të verifikojnë kandidatët e tyre përpara se ata të shpallen publikisht, por shumë herë ato e konsiderojnë pastërtinë e figurës si përgjegjësi personale, duke shmangur një verifikim të plotë. Kjo mund të ketë sjellë edhe pasoja për Partinë Socialdemokrate, e cila ka injoruar potencialin rrezik nga lidhjet e paspecifikuara juridikisht të disa kandidatëve.
Pavarësisht mungesës së informacionit rreth dënimeve të tij, Tomçini ka arritur të pozicionohet si kandidat për deputet pa u ekspozuar shumë në rrjetet sociale. Aktiviteti i tij është kryesisht i përqendruar gjatë periudhave të fushatave, ku ai shpesh pozon para banderolave të PSD dhe përpiqet të mbajë lidhje me 1.9 mijë ndjekësit e tij, të cilët ai i inkurajon të mbështesin përfaqësimin e tij në Kuvend.
Megjithatë, Tomçini nuk është i vetmi kandidat me të kaluar të tillë juridike.Në rradhët e Partisë Socialdemokratike gjenden dhe 14 kandidatë të tjerë të gjykuar më herët nga drejtësia shqiptare dhe ajo e huaj. Ky fenomen nuk është i ri, pasi në zgjedhje të tjera ka pasur kandidatë që janë cilësuar si “të rehabilituar”, duke ngritur pyetje për transparencën dhe etikën e procesit të selektimit të kandidatëve.
Pas marrjes së Kryesisë së kësaj Partie nga ish-deputeti i Partisë Socialiste, Tom Doshi, në vitin 2017, në listat e kandidatëve për deputetë nuk kanë munguar personat të akuzuar dhe të shpallur fajtorë për çështje të ndryshme, duke nisur që nga vepra penale e “rrahjes”, “organizim i lotarive të palejuara” e deri tek vepra penale “sjellje e padenjë në shoqëri”.
10 vite pas miratimit të ligjit të dekriminalizimit, qëllimi i së cilit ishte garantimi i besimit të publikut në pavarësinë e institucioneve dhe pastrimin e figurës së politikanëve, ende në listat e kandidatëve për deputet përfshihen persona të akuzuar dhe dënuar më parë për kryerjen e disa veprave penale.
Dashnor Shehi, drejtues i Lëvizjes për Zhvillim Kombëtar, shprehet se përfshirja e personave me të kaluar kriminale në listat e kandidatëve për deputetë nuk është një problematikë që i përket vetëm një partie politike, por është një shqetësim më i gjerë.
Shehi sjell në vëmendje rastin e zotit Meta, i cili është nën hetim dhe madje i burgosur për krime të cilat janë të mjaftueshme për ta mbajtur në burg. Ai thekson se, megjithatë, Meta e sfidon procesin ligjor dhe hyn në zgjedhje si kandidat.
“Po marrim një rast, Meta është nën hetim, është madje i burgosur, se presupozohet se krimet që ka bërë janë të tilla që ta mbajnë në burg. Mirëpo ai e sfidon të gjithë këtë proces edhe hyn në zgjedhje,” – thotë Shehi.
Sipas tij, përfshirja e personave me të kaluar kriminale në listat e kandidatëve ka një ndikim negativ në politikbërjen dhe konkurrencën politike. Ai thekson se ky veprim bie ndesh me synimin për të pasur figura të pastërta në politikë.
“Që nga ai moment gjysma e këtij pretendimi për të pasur njerëz të pastër bie, sepse ata të tjerët nuk janë fare as në arrest shtëpie, as në arrest me burg, dhe ti po i heton, por ai që është nën arrest hyn në listë dhe është protagonist në zgjedhje,” – thotë Shehi.
Ndërkohë, Afrim Krasniqi, drejtor ekzekutiv i Institutit të Studimeve Politike, shprehet se në Shqipëri është e nevojshme miratimi i një ligji që të rregullojë veprimtarinë e partive politike. Ai thekson se ky ligj duhet të marrë në konsideratë jo vetëm imazhin e kandidatëve, por edhe financimin e tyre, për të siguruar një transparencë më të madhe dhe një proces më të drejtë zgjedhor.
Një parti apo një individ?

Partia Socialdemokrate e cila prej vitit 2017 kryesohet nga Tom Doshi, është formuar që në vitin 1992 kur në krye të saj qëndronte akademiku Skënder Gjinushi. Aktiviteti i saj me shtimin e numrit të kandidatëve në listat e votimit është rritur kryesisht pas vitit 2017, ndërkohë që deri në momentin kur drejtimin e partisë e mori Doshi asnjë kandidat nga rradhët e saj nuk kishte mundur të siguronte një mandat deputeti nga zgjedhjet parlamentare të vitit 2009 dhe 2013.
Sipas të dhënave, numri i kandidatëve të PSD-së për deputetë, ose edhe për anëtarë të këshillave bashkiakë është rritur ndjeshëm 10 vitet e fundit, duke numëruar me dhjetra në të 12 qarqet e vendit.
Rritja e numrit të mbështetësve të kësaj partie është reflektuar edhe në mbështetjen financiare që KQZ-ja miratoi ditën e premte, 21 Mars, në të cilën u vendos që PSD-ja të marrë një buxhet pre 3 milionë lekësh prej fondeve publike për të zhvilluar fushatën e saj.
Megjithatë, në faqen zyrtare të kësaj partie nuk publikohet asnjë material që ka të bëjë me kandidatët apo me grupin e partisë. I vetmi informacion në rubrikën “Rreth Partisë” është historiku i partisë dhe imazhi i Kryetarit, Tom Doshi, për të cilën përveç takimeve me elektoratin janë publikuar dhe artikuj të dedikuar zemërgjerësisë dhe ndihmës së tij për njerëzit në nevojë.

Në artikullin “Misionari i Politikës Shqiptare, kryetari i PSD-së, Z. Tom Doshi”, shfaqet i buzëqeshur përballë Papa Françeskut, ndërkohë që në tekst theksohet ndihma e tij ndaj një banori të Shkodrës, të cilit i ka mundësuar financimin e operacionit.
Ndërkohë, kandidatet e tjerë të listës së PSD-së nuk gëzojnë asnjë promovim të dukshëm. Faqja zyrtare e partisë nuk ofron informacion rreth kandidatëve, dhe aktiviteti i tyre është praktikisht i pamundur të gjendet në rrjetet sociale. Nga 186 kandidatë, vetëm një numër i vogël, rreth 10 prej tyre, janë aktivë dhe publikojnë përmbajtje që lidhen me Partinë Socialdemokratike.
Sipas Drejtorit ekzekutiv të Institutit të Studimeve Politike, Afrim Krasniqi, PSD-ja ngjason më shumë me një biznes se sa me një parti politike, që mundi të forconte akoma dhe më shumë pozitat e saj pas bojkotimit të opozitës nga zgjedhjet e 2019-s. Nëse në Shqipëri do të zbatoheshin standartet e Bashkimit Evropian, PSD nuk do të ekzistonte si parti politike.
“Nëse hapni faqen e internetit të PSD-së nuk ka të dhëna mbi kryesinë dhe strukturat vendimmarrëse, apo ndonjë njoftim për mbledhje ku diskutohet dhe merren vendime. Doshi është kreytar i PSD-së, është biznesmen, është pronar i partisë dhe ka një listë të personalizuar të siguruar përmes njohjeve të tij”, – thotë Krasniqi duke shtuar se “de facto” prej 10 vitesh PSD-ja është në koalicion me Partinë Socialiste pasi e ka mbështetur në çdo akt.
Sipas Krasniqit, ky grupim politk as në këtë fushatë nuk ofron asgjë më shumë se sa modeli i kandidaturave të zgjedhjeve të kaluar.
“Domethënë është e njëjta përpjekje e tyre për të siguruar një votë klienteliste në zonën e Shkodrës dhe të Tiranës për të ndikuar në qeverisjen e vendit” përfundon ai, ndërkohë që aktualisht në parlament ushtrojnë mandatin e tyre 3 deputet nga PSD-ja, 2 nga qarku i Shkodrës (Meri Markiçi dhe Gledi Çeliku) dhe një nga Tirana (Gertjan Deda).
Nga “të dënuar” në kandidatë për deputet

Në zgjedhjet parlamentare të vitit 2009 dhe të vitit 2013 Partia Socialdemokrate nuk siguroi asnjë mandat nga rradhët e saj për të përfaqësuar mbështetësit në Parlament, deri sa më 2017 nga kjo parti u zgjdh si i vetmi deputet Tom Doshi, ish-deputet i Partisë Socialiste.
Shtimi i numrit të kandidatëve për deputet në listën e Partisë Socialdemokrate është shoqëruar ndër vite edhe me rritjen e numrit të “kandidatëve të rehabilituar”, të cilët sipas dokumentave që “shteg.org” disponon nga KQZ-ja rezulton që në zgjedhjet parlamentare të vitit 2017, katër kandidatë, mes të cilëve edhe Kryetari Doshi, ishin shpallur fajtorë për kryerjen e veprave të ndryshme penale.
Tom Doshi, i cili mbante dhe numrin “1” si kandidat nga qarku i Shkodrës, ka vetëdeklaruar se ishte akuzuar nga Kolegji Ushtarak Gjykata e Rrethit Gjyqësor Durrës për veprën penale të sjelljes së padenjë në shoqëri në vitin 1990.
Gjithashtu, Doshi është ndër politikanët e parë të shpallur familjarisht “non grata” nga Shtetet e Bashkuara të Amerikës në vitin 2018. Sipas deklaratës së Departamentit të Shtetit, Doshi ishte i përfshirë në korrupsion domethënës, ndërkohë sipas një investigimi të realizuar nga OCCRP dyshohet se ai drejton një grup të organizuar kriminal në Australi.
Përveç Doshit, kandidatë të tjerë që kanë kryer më herët vepra penale dhe më pas kanë shpallur kandidaturën në zgjedhjet për Kuvend të 2017-s ishin: Lami Troci kandidat i Qarkut Dibër, i cili në vitin 2014 është shpallur fajtor nga Gjykata e Tiranës për veprën “organizim i lotarive të palejuara” dhe është dënuar me 60 mijë lekë gjobë; Xhejdi Saraçi, ishte njëri prej 16 kandidatëve nga qarku i Fierit, i cili nuk ka deklaruar asnjë dënim të formës së prerë, megjithatë ai është shpallur fajtor nga Gjykata e Rrethit Gjyqësor Vlorë në vitin 2013 për veprën penale të drejtimit të mjetit pa dëshmi aftësie apo në gjendje të dehur.
As kandidatja e Qarkut të Tiranës, Zhaneta Harka në vitin 2017 nuk ka deklaruar se ka marrë një dënim të formës së prerë apo kundravajtje penale, megjithatë sipas vërtetimit të Gjendjes Gjyqësore, në vitin 2000 është dënuar nga Gjykata e Rrethit Gjyqësor Tiranë me 5 mijë lekë gjobë për vepren penale të rrahjes.
Sipas KQZ-së, për zgjedhjet e 11 Majit në listën e PSD-së janë identifikuar 15 kandidatë të proceduar më parë penalisht, ndërkohë që për Afrim Krasniqin, nëse Shqipëria do të kishte një ligj për rregullimin e partive politike, dhe nëse do të ndiqte standardet e Bashkimit Evropian për zbardhjet e problemativa që lidhen edhe me transparencën e financimit të partive, PSD-ja nuk do të ishte pjesë e jetës politike.