Kolegji i Posaçëm i Apelimit, KPA u nda në vlerësimin lidhur me përfundimin e procesit të rivlerësimit ndaj ish-inspektores së ish-Këshillit të Lartë të Drejtësisë, Sofia Zhilla. Shumica e trupit gjykues të KPA e përbërë nga kryesuesja Rezarta Schuetz, relatorja Mimoza Tasi dhe anëtarët Sokol Çomo e Albana Shtylla, vlerësoi ta përmbyllë procesin pa një vendim përfundimtar, për arsye të daljes së subjektit në pension. Të njëjtin qëndrimi mbajti në përfundim edhe ish-Komisionerja Irena Nino, e cila ndryshe nga shkaqet e ngritura në ankim, tha që të lihej në fuqi vendimmarrja e Komisionit të cilën e kishte kundërshtuar si të pabazuar. Nino konstatoi se Zhilla kishte mbushur moshën e pensionit të pleqërisë dhe për rrjedhojë shqyrtimi gjyqësor ishte bërë i pamundur.
Nga ana tjetër, anëtarja në pakicë, Natasha Mulaj çmoi se qëndrimi i subjektit e vendoste atë në aplikimin e dispozitave kushtetuese që përcaktojnë rastet e ndërprerjes së vetingut të shoqëruar me masën për ndalimin e emërimit në funksone në sistemin e drejtësisë për një periudhë 15-vjeçare.
Komisioni i Pavarur i Kualifikimit, KPK konkludoi më 29 maj me shumicë votash se Zhilla e kishte humbur statusin e subjektit të rivlerësimit për shkak të dorëheqjes së saj dhe e mbylli procesin e saj pa një vendim përfundimtar. Ndërsa pakica çmoi se nuk e kishte humbur statusin, pasi kishte qenë e emëruar nga kategoria e inspektorëve jomagjistratë; se nuk ka shprehur vullnetin për t’u dorëhequr nga procesi vetingut; si dhe ka shprehur vullnetin të qëndrojë në detyrë nëpërmjet proceseve gjyqësore që ishin ende në shqyrtim në Gjykatën e Lartë. Në përfundim, pakica e KPK vlerësoi se duhej të kishte vijuar me procesin e rivlerësimit ndaj Zhillës.
Komisionerja Irena Nino ushtroi ankim në KPA duke konstatuar se Zhilla ishte emëruar në mars 2013 në Këshillin e Lartë të Drejtësisë me një mandat 5-vjeçar dhe në vitin 2018 i është zgjatur mandati i inspektorit deri në krijimin e zyrës së Inspektorit të Lartë të Drejtësisë. Duke qenë në cilësinë e subjektit të rivlerësimit, ajo ka plotësuar deklaratat përkatëse në kuadër të procesit të vetingut.
Me vendim të tetorit të vitit 2019, Këshilli i Lartë Gjyqësor, KLGJ ka deklaruar mospasjen e statusit “Magjistrat” për Zhillën, por kjo vendimmarrje është ankimuar në Gjykatën Administrative të Apelit nga subjekti. Në vitin 2020, Apeli Administrativ e rrëzoi këtë kërkesë dhe Zhilla ju drejtua Gjykatës së Lartë me rekurs. Nino vlerësoi në ankim se nuk qëndronte arsyetimi përmbyllës i Komisionit se, askujt prej atyre që mund ta kenë humbur statusin e subjektit të rivlerësimit jo për vullnetin e tyre, nuk mund t’i aplikohet ndalimi i parashikuar nga neni G, pika 2 e aneksit të Kushtetutës, që ndalon riemërimin e këtyre subjekteve në sistemin e drejtësisë për 15 vjet.
Megjithatë, kur u njoh provat e dorëzuara nga subjekti në Kolegj, që kishte vendosur në dijeni daljen e saj në pension, Nino tha ishte bërë i pamundur vijimi shqyrtimit të çështjes së Zhillës. Ndërkohë, vetë subjekti kërkoi mbylljen e procesit pa vendim përfundimtar.
Shumica e Kolegjit vlerëson se Zhilla, për shkak të mbushjes së moshës së pensionit të pleqërisë, nuk bën më pjesë në rrethin e subjekteve që i nënshtrohen procesit të rivlerësimit kalimtar ex officio. “Në vlerësim të trupit gjykues, kjo rrethanë përbën shkak për përfundimin e procesit të rivlerësimit kalimtar për subjektin e rivlerësimit, znj. Sofia Zhilla, pa një vendim përfundimtar, pasi objekti dhe qëllimi për të cilin kishte nisur procedura e rivlerësimit kalimtar është bërë i pamundur dhe çdo çështje e lidhur me këtë proces, nuk mund të vazhdojë të shqyrtohet në Kolegj”, arsyeton shumica.
Mulaj në pakicë, verëson se konkluzionet e Komisionit, qëndrimi përfundimtar i ish-Komisioneres Publike dhe vendimarrja e shumicës vijnë në kundërshtim me Kushtetutën dhe ligjin e posaçëm për vetingun e magjistratëve. Ajo konsideron të rëndësishëm përcaktimin nëse Zhilla është apo jo subjekt rivlerësimi, si dhe identifikimin e vullnetit të subjektit për t’iu nënshtruar procesit të rivlerësimit kalimtar.
Mulaj argumenton se Zhilla është subjekt rivlerësimi kalimtar, pasi në momentin e hyrjes në fuqi të ndryshimeve kushtetuese dhe ligjit për vetingun e magjistratëve, ushtronte funksionin e inspektores pranë ish-Këshillit të Lartë të Drejtësisë.
Pakica sjell në vëmendje, se krahas dispozitave sipas të cilave Zhilla përcaktohet si subjekt, ajo e ka shprehur vullnetin e saj të plotë, të pavesuar, të shkruar dhe të formalizuar, për të pasur statusin e magjistratit apo inspektorit dhe kthimin në vendin e mëparshëm të punës, duke kundërshtuar në rrugë gjyqësore deri në Gjykatën e Lartë, vendimet e KLGj-së.
Për të identifikuar vullnetin e Zhillës për t’iu nënshtruar procesit të rivlerësimit kalimtar, Mulaj vlerëson se kërkesa e subjektit për të mos iu nënshtruar këtij procesi, ndërkohë që ka pretenduar gjyqësisht se e gëzonte statusin e magjistratit apo të inspektorit që e bëjnë atë subjekt rivlerësimi, duke kërkuar edhe rikthimin në pozicionin e mëparshëm, përbëjnë rrethana që e kualifikojnë situatën sipas nenit G, pika 2 e Aneksit të Kushtetutës. Kjo dispozitë parashikon se kur magjistrati jep dorëheqjen dhe procesi i vetingut të tij ndërpritet, atëherë nuk mund të emërohet gjyqtar ose prokuror i çdo niveli, anëtar i Këshillit të Lartë Gjyqësor ose i Këshillit të Lartë të Prokurorisë, Inspektor i Lartë i Drejtësisë ose Prokuror i Përgjithshëm, për një periudhë 15-vjeçare.
Mulaj evidenton faktin se Zhilla i ka bërë me dije Komisonit se për arsye të vendimarrjes së KLGJ, nuk është më subjekt rivlerësimi e për rrjedhojë ka kërkuar ndërprerjen e vetingut të saj dhe pushimin e çështjes. Po ashtu, ka kërkuar vijimin e seancës dëgjimore pa praninë e saj. sipas pakicës, subjekti nuk u paraqit në seancë publike as gjatë shqyrtimit të çështjes në Kolegj, edhe pse kishte marrë dijeni rregullisht për zhvillimin e saj, si dhe nuk paraqiti asnjë kërkesë për shtyrjen e seancës për ndonjë shkak të arsyeshëm.
Gjyqtarja Mulaj arsyeton se aplikimi i nenit G, pika 2 e Aneksit të Kushtetutës, vjen si pasojë e vullnetit të subjektit për ndërprerjen e procesit të vetingut, si dhe veprimeve të ndërmarra prej tij, që demostrojnë përpjekje për t’iu shmangur apo për mos t’iu nënshtruar këtij procesi, si dhe mungesë gatishmërie dhe korrektësie në drejtim të organeve të rivlerësimit, duke mos përmbushur detyrimin ligjor për bashkëpunim.
“[…]vlerësoj se shumica e trupit gjykues nuk duhet të kishte bazuar vendimmarrjen e saj vetëm në faktin që subjekti i rivlerësimit kishte dalë në pension pleqërie, por duhet të kishte analizuar qëndrimin e mbajtur prej saj deri në momentin e përfitimit të pensionit, i cili është shoqëruar me një indiferencë të subjektit të rivlerësimit ndaj organeve të rivlerësimit dhe tendencë të dukshme për t’iu shmagur këtij procesi”, argumenton Mulaj.
Në përfundim, pakica vlerëson se, si Komisioni, ashtu edhe Kolegji duhej të kishin disponuar me aplikimin e nenit G, pika 2 e Aneksit të Kushtetutës, duke i ndaluar Zhillës rikthimin në funksione në sistemin e drejtësisë për 15 vjet./BIRN