Prej tetë vitesh, familja Bozhanaj nga Durrësi kërkon të zbulojë të vërtetën e një ngjarjeje të rëndë, që i mori jetën familjarit të tyre, asokohe 25 vjeç.
“Në 3 maj 2017 vëllai im bën një aksident me makinë fiks te vendi ku ndodhen lulet dhe 5 ditë pas aksidentit ai ndërroi jetë”- deklaron vëllai i viktimës.
Viktima ishte prej dy vitesh përgjegjës i karburanteve në kompaninë Spiecapag, e cila bënte punimet për gazsjellësin “TAP”, dhe për shkak të punës, kryente lëvizje të shpeshta në zonën e Korçës.
“Ai po vinte nga kampi që ndodhej në Floq, në drejtim të Korçës për çështje pune dhe fiks në këtë vend bën aksident rastësisht me dy makina të punës, që vinin nga vendi i punimeve në drejtim të kampit. Ishin punonjës të kompanisë dhe shtetas të huaj. Njëri me kombësi franceze dhe tjetri hollandeze. Sipas deklaratave të shoferëve thonë që pamë një makinë që kishte humbur drejtimin dhe po bëntë zik-zake në këtë rrugë, ndërkohë që në skicën e vendit të ngjarjes thuhet që makina e vëllait ka ecur rreth 30 m në vijë të drejtë, pra këtu dhe me dy goma jashtë karrexhate. Dmth duke liruar sa më shumë hapësirë për makinat që po vinin përballë dhe fiks këtu, ku janë edhe shenjat e hekurave të shtrembëruara, im vëlla ka patur impaktin në formë T me njërën nga makinat që vinte përballë. Vëllai ka qenë më turinj këtej dhe është goditur nga krahu i pasagjerit me turirin e makinës tjetër. Çfarë e ka detyruar vëllain tim të kthehet me turinj për nga ara? Ndërkohë që mund të kishte vazhduar këtu drejt, se ai e kishte nxjerrë makinën jashtë karrexhate. E vetmja gjë që mund ta ketë detyruar tim vëlla në atë drejtim, ka qenë vetëm nëse njëra nga ato makinat ka qenë në parakalim dhe ai ka nxjerrë makinën jashtë karrexhate për t’i liruar rrugë makinës tjetër. Nuk ka arsye tjetër që mund të ketë ndodhur.”
Ky, mbase mund të jetë vetëm një pretendim i familjes, por tani duhet të jeni shumë të vëmendshëm, pasi këto elementë që do t’ju rendisim më poshtë thonë shumë për këtë ngjarje.
“Në skicën e vendit të ngjarjes, kjo paraqitet si rrugë e drejtë, kur kjo është kthesë e dyfishtë. Vëllai është përplasur me francezin, që ishte mbrapa… edhe kjo gjë nuk është e qartë… Deklaratat e shoferëve janë kontradiktore me njëra-tjetrën. Ne nuk e dimë akoma me cilën nga makinat që shfaqen në aksident është përplasur vëllai, sepse francezi thotë: kolegu im e pa situatën nga pasqyra dhe u kthye të na ndihmonte, kurse hollandezi nga ana tjetë thotë që ka qenë pas francezit.”
Sipas këtyre fotove dhe bazuar në deklarim, është makina e shtetasit francez, që është përpasur më të ndjerin. Por a ishte vërtet shtetasi francez ai që po lëvizte me këtë makinë? Le ta mbajmë pak këtu.
“Aksidenti ka ndodhur në orën 17:15. Kjo vërtetohet edhe nga skica e vendit të ngjarjes që shënon orën 17:30. Ndërsa procesverbali, që bëhet i fundit pasi është kqyrur gjithë ngjarja mban orën 18:00. Ishtë brenda orarit të punës vëllai, se te kontrata e punës e ka deri në 18:00. Ndërsa kompania jep vetëm të dhënat e gps, që janë të gjitha pas orës 18:00.”
Një ndryshim i orës reale të ngjarjes, ku kompania por edhe prokurori i çështjes Kolë Hysenaj kundërshtojnë procesverbalin e oficerit të policisë gjyqësore.
“Ne dyshojmë që ndryshimi i orarit është bërë për mospërfitimin e sigurimit të jetës. Pas ndodhjes së aksidentit, makina e vëllait është dërguar në pikën e bllokimit të policisë, ndërkohë që dy makinat e tjera të kompanisë janë lënë në ruajtje në ambjentet e kompanisë. Nuk janë shoqëruar në pikën e bllokimit, për t’u hetuar si ka ndodhur etj. Dua të theksoj çfarë është më e rëndësishmja: ata janë thirrur në polici si persona që kanë dijeni për ngjarjen, jo si persona pjesëmarrës në aksident. Ata kanë vajtur në polici dhe pasi kanë dhënë deklaratat kontradiktore me njëra-tjetrën janë lënë të lirë, nuk janë mbajtur në vëzhgim nga policia në asnjë moment.
Por tani vijmë tek pjesa më e errët e hetimit të këtij aksidenti me pasoja fatale, sepse këtu faktet janë krejt të tjera nga ato çfarë kanë deklaruar dëshmitarët.
“Në përgjigjen që drejtoria e kufirit i kthen prokurorisë, thotë se francezi, i cili ka dhënë deklaratë në polici, që është përplasur me vëllain, thotë që ky shtetas ka dalë nga Shqipëria më datë 16 prill 2017 dhe deri në datën 7 qershor rezulton se ky person nuk ka hyre më në Shqipëri. Ndërkohë që aksidenti ka ndodhur me 3 maj.”
Pra, sipas dokumentave zyrtare të drejtorisë së kufirit, francezi, personi që pretendohet se është përplasur me viktimën, nuk ka qenë aspak në Shqipëri në momentin e aksidentit. Kush duhet besuar në këtë histori? Kompania dhe prokuroria? Policia dhe Oficeri i Policisë Gjyqësore për procesverballin e vendit të ngjarjes apo gps i kompanisë?
Elementë të paqartë edhe për 5 ekspertët që do të kryenin ekspertimin auto-teknik, të cilët janë shprehur se të dhënat e fiksuara nga grupi hetimor nuk përputhen me të dhënat e përfituara nga gps.
“Nga viti 2017 janë bërë 9 seanca gjyqësore. Të gjitha kanë qenë në favorin tonë, edhe në shkallë të parë edhe në apel. Gjykata gjithmonë e ka kthyer çështjen në prokurori për thellim të hetimeve, sepse gjykata nuk është e bindur të marrë një vendim në bazë të këtyre hetimeve që ka bërë prokuroria deri më sot. Gjyqi i fundit ka qenë në 2019, ku gjykata i ka lënë prokurorisë 3 muaj kohë për të mbyllur hetimet e kësaj çështjeje dhe 6 vjet më vonë, në 2025 kjo çështje është ende e hapur, pa autor.”
Këto zvaritje, kjo familje ia ngarkon prokurorit Kolë Hysenaj, i cili në vend që të thellonte hetimet, nxitoi ta pushojë atë.
Në përballjen me Piranjat, ish prokurori i rrëzuar nga vetingu, në vend që të sqaronte arsyet që e çuan në pushimin e çështjes, zgjodhi të thyejë etiken dhe të flasë me arrogancë, duke anashkaluar thelbin e problemit.
Por, lajmi i mirë erdhi nga Prokuroria e Korçës, e cila pas 8 vitesh theu heshtjen dhe ftoi familjarët e të ndjerit për një takim./Piranjat