Prej shekujsh gratë kanë luftuar për barazi dhe kundra shtypjes, ku edhe pse disa të drejta janë fituar pjesërisht, femrat ende janë të prekura nga format e ndryshme të dhunës.
Ky fenomen i rëndë shoqëror ngre pyetje që nuk kanë kufij në kohë dhe hapësirë. Fjala bie, si mund të ketë një diskutim historik mbi teorinë e luftës së drejtë dhe asnjë teori të përdhunimit apo rrahjes së gruas?
Pavarësisht ndikimit që kanë në jetën e grave dhe të shoqërisë, studime apo hulumtime në këtë fushë kanë qenë thjesht pjesë e sfondit, pa u vënë re dhe janë trajtuar në mënyrë të përgjithshme.
Esmeralda, një grua që ka qenë viktimë e dhunës në familje dhe ka pranuar të flasë në mënyrë anonime për emisionin “Vetting”, ka rrëfyer vështirësitë dhe dhunën qe ka pësuar nga partneri dhe sipas saj e kanë gjenezën te komunikimi.
Sipas një nëne që ka përjetua prej vitesh dhunën, e cila është deklaruar me një emër “Esmeralda”: “Ishte i dhunshëm, gjërat nuk ndërtohen pa komunikim dhe kur ti ke përplasje me komunikimin, aty tregohet natyra e vërtetë e njeriut. Ai ishte i dhunshëm, gjithmonë kam dashur të ndahem po prapë e kam dashur si njeri”.
Sa herë që një grua vritet, një familje shpërbëhet duke sjellë pasoja që godasin shoqërinë njerëzore në të gjitha nivelet.
Dhuna ndaj grave është një nga shkeljet më të shpeshta të të drejtave të njeriut, është një kërcënim për jetën e grave, vë në rrezik jetën dhe shëndetin e tyre dhe godet drejtpërdrejt mirëqenien e fëmijëve.
Fëmijë të mbetur nëpër jetimore, nën trauma të rënda duhet të kalojnë dhimbjen dhe të përballojnë dramën sociale për të cilën nuk kanë asnjë përgjegjësi.
Sipas anketës së realizuar nga INSTAT në vitin 2018, një në tre gra në Shqipëri ka pohuar se gjatë gjithë jetës së saj ka qenë e dhunuar të paktën një herë nga partneri ose bashkëshorti i saj.
Për Vetting, Esmeralda shprehet se: “Ndiej rrezik të flas sepse gjithë rrugëtimi im ka qenë shumë i vështirë dhe e thashë që shoqëria ka shumë rëndësi. Unë nuk kam zgjedhur të dukem mire, unë kam zgjedhur të jetoj dhe ta flas mënyrën sesi unë jetoj”.
Por zanafillës së një vdekjeje të paralajmëruar i paraprin dhuna fizike dhe verbale, e cila degjeneron në dhunë ekstreme me pasoja vdekjen. Policia e Shtetit, Prokuroria, Gjykata dhe Bashkitë janë në dijeni të fenomenit, janë në dijeni të rrezikut që i kanoset një gruaje, por kjo gjë tashmë nuk shihet si një problem madhor. Madje mund të themi, që institucionet e shohin si një të dhënë statistikore.
Sipas sociologut Ergys Mërtiri: “Shteti mund të materializojë shumë, por shteti nuk do sepse është oportunist, shteti zgjedh të bëjë gjërat më të lehta që i vijnë për dore, shteti zgjedh ta ketë mirë me të gjithë, ta ketë mirë me OJQ, me ndërkombëtarët dhe jo të adresojë arsyet pse ai ekziston, të adresojë problemet realisht.”
Ajo çfarë e bën më të rëndë situatën nuk është vetëm heshtja e institucioneve shtetërore, por fakti që këto institucione që paguhen dhe ekzistojnë për sigurinë publike, nuk e kanë mbrojtur viktimën kur kjo e fundit ka raportuar rastin në Polici dhe në Prokurori.
Orjola Pampuri, deputete e opozitës shprehet për Vetting se: “Ne flasim për raste të tilla vetëm kur ndodhin raste të tilla, kur ka funde fatale. Ka ardhur momenti të veprojmë, dhe veprimi është fuqizimi ekonomik i gruas”.
Nga kërkimet e “Vetting” rezulton se një numër i lartë institucionesh shtetërore, që duhet të marrin masa për mbrojtjen e grave nga dhuna, i kanë mbyllur rastet e denoncimeve, duke i lënë hapësira dhunuesit për t’u bërë vrasës. Këto janë konkluzione që dalin nga rekomandimet e Avokatit të Popullit, i cili ka kryqëzuar institucionet për mangësitë, që kanë kushtuar në humbjen e jetës për dhjetra gra në 10 vitet e fundit dhe shpërbërjen e familjeve shqiptare.
“Shoqëria shqiptare, mendoj unë, nuk ka gjetur vetveten për të pasur një tranzicion të butë drejt modernitetit, dhe ky tranzicion agresiv dhe jonormal prodhon situata nga më të ndryshmet”– shprehet për “Vetting” sociologu Ergys Mërtiri.
Më i tmerrshëm është fakti se gratë ose vajzat e vrara, të cilat i kanë mbijetuar dhunës nga partneri ose bashkëshorti kanë qenë nën ciklin e një dhune të përhershme, ku të gjithë e dinë, komshiu, familjarët, institucionet e sigurisë publike, por të gjithë kanë heshtur, përveç asaj.
Sipas Psikologes, Jorida Rustemi: “Një grua e cila ka fëmijë, një numër të madh fëmijësh apo ka një person të sëmurë në familje, apo ka dhe njerëz të tjerë të cilët duhet të përkujdeset është më e vështirë që ta denoncosh dhunuesin pavarësisht se dhuna mund të jetë e përsëritur”.
Sipas avokates Rezarta Agolli: “Unë kam rast që kanë 10 vite që janë në ciklin e dhunës.”
Avokati i Popullit: Vrasjet bien mbi Prokurorinë dhe Policinë
Mbrëmjen e 18 shtatorit 2019, një grua e re do të paraqitej në Komisariatin e Kamzës për të kërkuar mbrojtje nga një person që së shpejti do të ishte xhelati i saj.
Gruaja me inicialet E.Ç. do të kallëzonte penalisht kunatin e saj pasi disa ditë më parë, në 11 shtator 2019 ky person e kishte fotografuar atë në një bar kafe, ku ajo ishte e shoqëruar me vajzën e saj dhe një të afërmi, i cili edhe e kishte përndjekur. Këto foto, kunati i saj ia kishte nisur bashkëshortit të viktimës, i cili vuante dënimin në burgun e Fierit.
Asokohe gruaja do të dëshmonte se dy ditë më pas në 13 shtator 2019, ajo kishte shkuar për vizitë tek bashkëshorti në burgun e Fierit. Në burg ka pasur një debat me këtë të fundit, pasi burri i kishte treguar fotografitë që i kishte nisur vëllai i vet.
Sipas deputetes Papumri: “Në qoftë se duam të parandalojmë dhunën ndaj gruas, duhet të forcojmë sistemin e referimit, duhet të kemi zyra të posaçme në njësitë administrative me persona profesionistë dhe të trajnuar përsa i përket dhunës ndaj gruas”.
Sipas mjekut Shkëlqim Ahmetaj: “Nëse dhuna është për shkak të formimit, pra është sistematike për shkak të formimit, ajo është rrugë pa kthim, për shkak të një xhelozie patologjike është rrugë pa kthim”.
Disa orë përpara se gruaja të shfaqej në Komisiariatin e Kamzës për kallëzim, rreth orës 06:30 duke dalë nga banesa e saj, i ka dalë përpara kunati, i cili e ka kërcënuar të ndjerën duke i thënë: “Do të fus plumbin në kokë!” dhe më pas është larguar me biçikletë.
E trembur për jetën e vajzës dhe të veten, viktima së bashku me vajzën do të shkonte në Komisariatin nr.5, duke bërë kallëzim dhe duke kërkuar që ky problem të ndiqej nga institucionet përgjegjëse.
Sipas dokumenteve të siguruara nga “Vetting”, oficerja e Policisë Gjyqësore Violeta Progni ka mbajtur procesverbalin: “Për kallëzimin e veprës penale” nga e ndjera, ku ajo ka kallëzuar kunatin për përndjekje, bërje fotografish dhe kanosje, duke mbajtur dhe dokumente për këtë rast.
Në datën 19 shtator 2019 është mbajtur procesverbali për kunatin e saj, që e përndiqte dhe nga deklarimet rezulton se vrasësi nuk e ka pranuar që të ketë përndjekur dhe kërcënuar kunatën.
Një ditë më pas, në 20 shtator 2019 Oficeri i Policisë Gjyqësore Rrezart Bala ia ka referuar çështjen Prokurorisë për veprën penale “Kanosje”.
“I përket institucioneve shtetërore të sigurojnë qoftë edhe banesa sociale me bonus qiraje, të cilat të jenë larg, goxha larg në distancë nga njëri-tjetri” shprehet për “ Vetting” mjeku Shkëlqim Ahmetaj.
Por çfarë bëri Prokuroria?
Më 2 tetor 2019, prokurori i çështjes do të merrte një vendim, që ndoshta mund të kishte parandaluar ngjarjen tragjike.
Sipas prokurorit, ky hetim duhej pushuar pasi që të ndodhemi përpara veprës penale të kanosjes, duhet që kanosja të jetë serioze, e çastit, që do realizohet në atë moment si dhe të shoqërohet me veprime konkrete, kurse vetëm përdorimi i kërcënimeve me fjalë, nuk le ndonjë dyshim se kanosja do realizohet.
Disa muaj më pas, në 10 janar 2020 rreth mesnatës do të ndodhte tragjedia, ku kunati i viktimës do të shqyente derën e dhomës së gjumit dhe në prani të fëmijës dhe nënës së vet, do të godiste gruan me sende të forta duke i shkaktuar vdekjen e menjëhershme.
Një gruaja që ka provuar dhunën dhe aktualisht është ë divorcuar për rrëfehet për “Vetting” se: “Unë gjithmonë kam luftuar të kem familje, dhe së dyti pavarësisht veseve apo natyrës së vështirë të një personi tjetër kam dashur që natyra ime të mbjellë kulturë, të tregojë dhembshuri pastaj të drejtën, çfarë kam unë si njëri”.
Nga informacionet e siguruara nga “Vetting” konstatohet paaftësi e Policisë së Shtetit, Prokurorisë dhe njësive të Bashkisë Kamzë që monitorojnë këto situata.
Në lidhje me vendimin e Prokurorisë për të pushuar çështjen, Avokati i Popullit deklaroi se: “Për ironi të arsyetimit të prokurorit të çështjes ndonëse sipas të cilit kanosja nuk paska qenë serioze, e çastit, nuk është shoqëruar me veprime konkrete dhe se nuk ka lënë dyshime se kanosja do të realizohej, në fakt rezultoi se, vrasja e të ndjerës ndodhi dhe jeta e saj u mor padrejtësisht dhe në mënyrë mizore nga kanosësi i saj.
Nga dokumentet e siguruara nga “Vetting”, prokurori i çështjes nuk ka kryer asnjë verifikim për deklaratat e viktimës, si duke marrë në pyetje të bijën, burrin apo persona të tjerë që kishin dijeni për rastin. Avokati i Popullit shkon më tej duke deklaruar se Prokurori i çështjes është në shkelje të ligjit dhe nuk është treguar profesionist me rastin konkret.
Madje në strukturën e Policisë së Shtetit ka mangësi si mungesa e eksperiencës dhe trajnimeve për dhunën në familje.
Komisariati i Kamzës nuk do të realizonte detyrat sipas ligjeve në fuqi pasi autori i ngjarjes ishte kunati, i cili është person i afërm duke sjellë ekzekutimin e ligjit nr. 9669, datë 18.12.2006, “Për masa ndaj dhunës në marrëdhëniet familjare”, i ndryshuar.
Sipas avokates Rezarta Agolli, që merret me mbrojtjen e grave nga dhuna, një grua që pëson një formë dhune ose merr në telefon policinë ose shkon në Komisariatin e policisë, atje shpenzon disa orë për të plotësuar një urdhër mbrojtjeje. “Më pas nga komisariati urdhri i mbrojtjes vjen në Gjykatë. Gjykata brenda 48 orëve cakton seancën dhe e lëshon urdhrin e mbrojtjes ose e rrëzon sipas vendimit të gjykatës.” tregon avokatja Rezarta Agolli
Por në rastin e Kamzës nuk ka patur urdhër mbrojtje, duke vendosur në pikëpyetje punën e punonjësve në Policinë e Shtetit që janë marrë me viktimën.
Ajo që e bën shumë të rëndë situatën është fakti se viktimës nuk i është bërë e ditur e drejta për t’u pajisur me urdhër mbrojtjeje: “Urdhri për masat paraprake të mbrojtjes së menjëhershme” që jepet nga Policia e Shtetit, që përmban masat e menjëhershme për ndalimin e dhunës, deri në marrjen e vendimit nga gjykata.
Për rrjedhojë nuk është lëshuar: “Urdhri për masat paraprake të mbrojtjes së menjëhershme”, nuk është hartuar kërkesa për lëshimin e “Urdhër i menjëhershëm mbrojtjeje”, apo dhe “Urdhër mbrojtjeje” për viktimën, e cila zbulon se gruaja është braktisur dhe injoruar nga Policia dhe Prokuroria.
Dështimi i bashkive në mbrojtjen e grave
Me ndryshimet në ligjin për dhunën në familje, të përfshira në mekanizmin e mbrojtjes janë edhe njësitë pranë bashkive, që kanë rolin mbrojtës.
Sipas avokates Rezarta Agolli e cila është përballur vazhdimisht me klientë të saj të cilat janë dhunuar shprehet se: “Puna ngelet të Bashkia e cila me ligj është e detyruar të referojë zbatimin e këtij urdhri mbrojtjeje. Gruaja në momentin që ka marrë urdhrin e mbrojtjes e mbrapa, ngelet pa asnjë lloj ndihme përveç asaj letre”.
Nga rasti i viktimës në Kamzë, për të cilën Avokati i Popullit ka ngritur alarmin rezulton se Mekanizmi i Koordinuar të Referimit të rasteve të dhunës në Familje në Bashki nuk ka qenë në dijeni.
Duke mos patur asnjë njoftim mbi rastin në fjalë nga Policia, koordinatorja kundër dhunës nuk e ka trajtuar asnjëherë këtë rast dhe nuk e ka raportuar në takimin e Komitetit Drejtues për referimin e dhunës në familje.
Për rastin e kallëzuar në muajin shtator 2019, nuk është kryer vlerësimi i riskut dhe nuk janë marrë masat për mbrojtjen e viktimës pasi struktura e Policisë së Kamzës nuk ka ndjekur udhëzimet sipas ligjit.
Ka qenë Qendra “Të drejtat e Njeriut në Demokraci”, e cila ka ngritur shqetësimin për ndihmën ekonomike, që duhet të marrin gratë që janë viktima të dhunës në familje nga Bashkia Kamzë, që drejtohet nga Rakip Suli.
Sipas Ines Leska drejtore ekzekutive e AWEN: “Fondet nuk janë të mjaftueshme asnjëherë, sidomos fondet e alokuara nga niveli i institucioneve qendrore ose qofshin këto edhe institucionet lokale, pra Bashkitë që e kanë për detyrë që t’u përgjigjen qytetarëve me shërbime sociale, në këtë rast vajzave dhe grave në nevojë.”
Më 7 korrik 2022, Komisioneri për Mbrojtjen nga Diskriminimi, Robert Gajda doli me rekomandim për ndihmën sociale të viktimave të dhunës në familje në Bashkinë Kamzës, ku kërkoi që këto gra të pajisen me ndihmë sociale. Komisioneri i rekomandoi Këshillit të Lartë të Gjyqësorit, që të udhëzojë brenda 24 orëve nga shpallja e vendimit për lëshimin e urdhrit të menjëhershëm të mbrojtjes ose urdhrit të mbrojtjes, viktima e dhunës në marrëdhëniet familjare të pajiset me shkurtimin e vendimit/dispozitivit të gjykatës, me qëllim shmangien e vonesave deri në zbardhjen e plotë të vendimit gjyqësor.
Sipas Psikologes, Jorida Rustemi: “Ajo që vihet re, është e vërtetë është një rritje e numrit të atyre që denoncojnë dhe kjo mund të ketë përgjigje nga më të ndryshmet. Që nga masat ligjore që janë marrë, me amendamentet dhe ndryshimet ligjore që janë bërë”
Nga analiza e fondeve për këtë strukturë, por edhe për Shërbimin Social Shtetëror, për periudhën 2020-2022 vihet re ulja e fondeve nga Ministria e Shëndetësisë dhe Mbrojtjes Sociale.
Ulja e fondeve është një vendim me pasoja fatale kur shohim se është rritur numri i rasteve të dhunës të dokumentuara, të cilët kanë kërkuar mbrojtje nga Policia e Shtetit.
Nga dhuna nuk preken vetëm gratë, por edhe fëmijët. Gjatë periudhës 2021-2023 të monitoruar nga Avokati i Popullit, 35 fëmijë u prekën nga vrasja e nënave të tyre nga të cilët 20 ishin të mitur. Po ashtu, disa prej tyre ishin të pranishëm në momentin e ngjarjes.
Këta fëmijë vuajnë pasojat psikologjike, por edhe ekonomike për shkak të ngjarjes edhe të zgjatjes së procedurave gjyqësore mbi kujdestarinë. Përgjithësisht familjet që marrin të drejtën e kujdestarisë së këtyre fëmijëve hasin vështirësi në rritjen dhe edukimin e tyre për shkak të situatës ekonomike, ose mungesës së shërbimeve dhe pamjaftueshmërisë së tyre.
Tërmeti i vitit 2019 me magnitudë 6.4, ishte një ndër goditjet më të papritura për Shqipërinë, ku më të prekurit ishin personat në zonën e Shqipërisë së Mesme.
Ndër këto dëme materiale më shqetësueset kanë qenë shembjet e banesave, ku qindra familje u detyruan të zhvendosen përkohësisht në një banesë tjetër, tek familjarët e tyre apo me qira.
Por çfarë ndodhi me pronarët e shtëpive që u dhuruan nga shteti?
Pronësitë e paluajtshme që janë përfituar me programet e rindërtimit të shtëpive të dëmtuara nga tërmeti i vitit 2019 kanë kaluar dhe do të kalojnë nëpërmjet kontratës së dhurimit. Konkretisht, këto kontrata do të realizohen ndërmjet palës dhuruese, institucionit shtetëror përgjegjës që në këtë rast është Bashkia dhe palës pranuese, që janë qytetarët.
Për mjekun Shkëlqim Ahmetaj: “Zgjidhja vjen nga shkëputja totale e dhunuesit me të dhunuarin dhe krijimi i hapësirave për familjen për nënën dhe fëmijët e dhunuar, që të ketë zgjidhje, që të mos jenë sidomos në atë konfliktin pronësor që thamë.”
Sipas raportit nga Avokati i Popullit është shqetësuese mungesa e klauzolave, të cilat garantojnë respektimin e Barazisë Gjinore në përfitimin e pronësisë.
“Kur në datën e dëmtimit të banesës nga tërmeti, më 26.11.2019, ai ka statusin civil “i martuar”, kalimi i pronësisë nëpërmjet kontratës së dhurimit vetëm në emër të njërit prej bashkëshortëve, sjell cenimin e prezumimit ligjor të bashkëpronësisë bashkëshortore, për shkak se kjo pasuri do të konsiderohet pasuri vetjake e atij bashkëshorti që nënshkruan kontratën.” thuhet në raport.
Dhurimi është një kontratë me anë të së cilës, njëra palë i kalon në pronësi pa shpërblim palës tjetër një send të caktuar ose një të drejtë reale të cilat kjo i pranon.
Në këtë mënyrë kjo pasuri konsiderohet pasuri vetjake e përfituesit të pasurisë dhe në rast konflikti familjar, divorcit ose në rast transaksioni të asaj pasurie, përfituesi i saj (kryefamiljari) e tjetërson pasurinë i vetëm pa marrë pëlqimin e bashkëshortes.
NDIHMA JURIDIKE FALAS
Në momentin që një grua bëhet viktimë e dhunës nga bashkëshorti ose partneri, ajo tenton të gjejë një shteg të sigurtë për t’i shpëtuar abuzuesit duke e denoncuar në Policinë e Shtetit.
Kur kjo grua kërkon të ndahet nga bashkëshorti, ajo duhet të fillojë procedurat për zgjidhje martese, ku zakonisht nuk ka mbështetje ekonomike dhe familjare për të ndjekur financiarisht divorcin me asistencë ligjore.
“Vetting” monitoroi disa nga seancat pranë Gjykatës dhe zbuloi se gratë vinin pa avokat, ndërkohë që dhunuesi vinte me përfaqësues ligjor.
“Familjet shqiptare edhe kur e vendos femra vetë nuk e mbështet që të ndahet se thotë: “ti vetë vendose, edhe kur s’vendos vetë ka atë bobobo shoqëria. Gjithmonë hy tek ajo kategori që një femër që ndahet është e pamoralshme”– shprehet gruaja e që ka provuar mbi kurrizin e saj dhunën.
Ndihma Juridike Parësore e cila ofrohet falas nga shteti nën mbikëqyrjen e Ministrisë së Drejtësisë, është ai lloj shërbimi, i cili këshillon dhe ndihmon viktimën/paditësin kujt institucion t’i drejtohet dhe cilat hapa të ndjekë.
Në këtë rast, disa nga viktimat kanë marrë ndihmë juridike falas, por ky proces paraqet sfidat e veta. Institucionet formale mbeten e vetmja alternativë, ku viktima drejtohet me qëllim zgjidhjen e konfliktit.
Jo pak herë këto gra nuk i drejtohen këtyre institucioneve për dy arsye, e para sepse nuk kanë asnjë siguri se duke e denoncuar abuzuesin, ai do të dënohet dhe e dyta për shkak të kostove që proceset gjyqësore kanë.
Që personat të jenë përfitues në mënyrë të drejtpërdrejtë, pavarësisht të ardhurave dhe pasurisë së tyre ligji ka përcaktuar disa kritere ku personi mjafton të vërtetojë që është viktimë e një lloj dhune dhe personat që bëjnë pjesë në kategoritë që parashikon ligji, përfitojnë përjashtim nga pagimi i tarifave dhe shpenzimeve gjyqësore.
Psikologia Jorida Rustemi thotë për “Vetting” se: “Mbrojtja që garantohet përgjatë gjithë procesit garanton një lloj sistemi referimi, i cili mund të mos jetë më i miri i mundshëm, por garanton një lloj mbrojtjeje dhe një lloj rehabilitimi. Kjo mbështetje është falas”.
“Vetting” iu drejtua Ministrisë së Drejtësisë me anë të një kërkese për informacion lidhur me qendrat që ofrojnë shërbime juridike parësore falas. Në kthim-përgjigje për “Vetting”, Ministria deklaroi se qendra e parë e shërbimit të ndihmës juridike falas është hapur në Elbasan në vitin 2019.
“Përgjatë vitit 2019, Drejtoria e Ndihmës Juridike parësore Falas në bashkëpunim me Bashkinë Elbasan mundësoi hapjen e qendrës së parë të shërbimit të ndihmës juridike parësore në qytetin e Elbasanit (në bashkëpunim me OSFA).”- u shpreh në përgjigjen zyrtare Ministria e Drejtësisë.
Ndërkohë që në vitin 2019 është hapur qendra e parë e shërbimit juridik parësor falas, nga shifrat disproporcionale duket se duket se qytetarët nuk kanë qenë të informuar për ndihmën që u ofrohej.
Ajo ç’ka ka ndryshuar nga vitet e tjera përpos shtimit të qendrave që ofrojnë shërbimin juridik parësor është, që për herë të parë me autorizimin e ministrit të Drejtësisë, financohen për një vit Organizatat Jo-fitimprurëse.
Urdhri i Mbrojtjes nuk mjafton për të mbrojtur gratë
Në Shqipëri gjatë viteve 2021-2023 u vranë 32 gra dhe vajza, ku 27 prej tyre u vranë nga autorë me të cilët viktimat ishin në marrëdhënie familjare.
Sipas raportit nga Avokati i Popullit rezulton se në rreth 90% të rasteve, viktimat e femicidit dhunoheshin nga autorët e vrasjes përpara kryerjes së krimit.
Shumë shqetësues është fakti që nga 32 gra të vrara, 6 prej tyre e kishin raportuar më parë në polici dhunën dhe dy prej tyre ishin të pajisura me Urdhër Mbrojtjeje dhe urdhër të Menjëhershëm Mbrojtjeje në momentin e vrasjes.
Feminicidi nuk është një term i përkufizuar apo i përdorur në Kodin Penal të Republikës së Shqipërisë apo në akte ligjore të tjera. Po ashtu, nuk ka dispozita të shprehura që rregullojnë vrasjet për shkak të gjinisë.
“Fjalën feminicid nuk e kemi akoma në fjalorin e gjuhës shqipe. Ky term fjalë për fjalë do të thotë: Vrasja e grave dhe grave nga burrat për shkak të gjinisë. Ne në kodin tonë penal nuk kemi asnjë nen që flet për këtë gjë.” -tregon avokatja Agolli.
Hezitimi për marrjen e masave të menjëhershme të mbrojtjes, mungesa e koordinimit ndërmjet institucioneve dhe bllokimi i masave për rehabilitimin e viktimave janë mangësi që shkelin të drejtën për të jetuar. Këto probleme pasqyrohen edhe në raportin nga Grupi i Ekspertëve për Veprim Kundër Dhunës ndaj Grave dhe Dhunës në Familje (GREVIO) i publikuar në shtator 2024.
Shumë prej grave që marrin guximin për të denoncuar dhunuesin në organet kompetente, e dinë që çështja nuk mbaron me burgosjen e abuzuesit sepse në shumë raste viktima është vrarë, sapo ky i fundit ka dalë nga burgu.
Katër prej grave dhe vajzave të cilat paditën abuzuesin, duke u dënuar me burg nga Gjykatat janë vrarë disa ditë pasi dhunuesit kanë dalë nga burgu. Këto gra nuk u njoftuan në kohë për lirimin nga burgu të dhunuesve dhe mungesa e informacionit sjell me vete pamundësinë për t’u ruajtur apo për të kërkuar ndihmë tek familjarët apo Policia e Shtetit.
“Unë e kam ditur që në fillim që do vuaja, nuk e dija që do dhunohesha barbarisht ama psikologjiskëshit isha e sigurte që me atë njeri nuk do kisha fare mbështetje për asnjë lloj mendimi që do kisha për jetën”– shprehet gruaja e dhunuar.
Sipas Kontrollit të Lartë të Shtetit, “mekanizmi i ngritur në nivel kombëtar për dhunën në familje nuk ka arritur t`i përgjigjet në mënyrë të përshtatshme rasteve të paraqitura, çka paraqet nevojën për një vlerësim të qartë dhe objektiv të situatës nga të gjithë aktorët e përfshirë, përmirësim të proceseve ekzistuese si dhe marrjen e masave të përshtatshme, për përgjigjen në mënyrë të denjë qytetarëve në nevojë, dhe për ti mbështetur në tejkalimin e problematikave të tyre sociale.
Të shohësh e të dëgjosh, qoftë edhe për së largu lajmin e kobshëm se si një familje shuhet brenda një nate për shkak të dhunës, na tregon se heshtja është përgjigje e përgjumjes së ndërgjegjes kolektive.
Këto ngjarje na tregojnë se si tmerri dhe lemeria flenë vetëm një hap larg paaftësisë së institucioneve të rendit dhe drejtësisë, pasoja që janë fatale për gruan”./ Emisioni Vetting