Emisioni “Plug”
Sot emisioni Plug do të investigojë një tjetër aferë të qeverisë Rama. Ndonëse vëmendja e kushtuar kësaj afere ka qenë e pakët, dëmi i shkaktuar është qindra milionë euro. Do të flasim për dy anijet TEC në Vlorë, Tigri 1 dhe Tigri 3, të cilat prej dy vitesh në bregun e Vlorës, nuk kanë prodhuar asnjë kilovat energji, por do të djegin minimalisht plot 121 milionë euro. Zanafilla e kësaj afere ishte siç edhe të tjerat me shpallje emergjence kombëtare, e më pas me po aq emergjencë janë kryer praktikat korruptive.
Me këtë deklaratë në 9 tetor të vitit 2021 kryeministri Edi Rama do të njoftonte qytetarët e do të përhapte panikun për trokitjen e një krize energjetike që nuk erdhi kurrë, jo për Shqipërinë, por për asnjë vend të rajonit, pasi krizë nuk kishte. E aq më pak, nisi të flitej për krizë në prag të dimrit, kur dihet që peshën më të madhe të prodhimit të energjisë elektrike në vendin tonë e mbajnë Hidrocentralet, që ishin përballë stinës më të volitshme për prodhimin me kapacitete të larta.
Si në çdo krizë tjetër të shpallur nga kjo qeveri edhe në këtë rast, paniku duket se kishte një tjetër qëllim. Ndërsa qytetarët dhe opinion nisi diskutimin për ditët e errëta të ndërprerjes së energjisë, qeveria nisi lëvrimin e milionave, për projekte abuzive, që do të jenë objekt investigimi i emisionit Plug ditën e sotme.
Njësoj si me aferën e inceneratorëve e gjitha filloi me shpalljen e gjendjes së emergjencës.
Me vendimin nr. 584 datë 08.10.2021 të Këshillit të Ministrave shpallet emergjenca në furnizimin me energji elektrike:
PËR SHPALLJEN E GJENDJES SË EMERGJENCËS NË FURNIZIMIN ME ENERGJI ELEKTRIKE
Në mbështetje të nenit 100 të Kushtetutës dhe të shkronjës “ç”, të pikës 1, të nenit 90, të ligjit nr. 43/2015, “Për sektorin e energjisë elektrike”, të ndryshuar, me propozimin e zëvendëskryeministrit dhe të ministrit të Infrastrukturës dhe Energjisë, Këshilli i Ministrave VENDOSI:
1. Shpalljen e gjendjes së emergjencës në furnizimin me energji elektrike.
5. Gjendja e emergjencës në furnizimin me energji elektrike i shtrin efektet deri më 15 prill 2022.
6. Ngarkohen zëvendëskryeministri, ministri i Infrastrukturës dhe Energjisë, ministri i Financave dhe Ekonomisë, “KESH” sh.a., “OST”, sh.a. dhe “OSHEE Group” sh.a., për zbatimin e këtij vendimi.
Veprimet e shpejta, për një nga aferat më të mëdha që ka dëmtuar vendin dhe xhepat e financave shqiptare, ngrenë dyshimet se gjithcka ka qenë e parapërgatitur. Vetëm dy muaj pas shpalljes së emergjencës, Kryeministri Edi Rama do të miratonte një tjetër VKM, që do ti hapte rrugën nisjes së procedurave për të marrë me qera anijet TEC, Tigri 1 dhe Tigri 3, dy agregate që prej vitesh ishin nxjerrë jashtëpërdorimi nga kompania zotëruese, e madje mbajtja e tyre po kthehej në kosto. Në datë 9 dhjetor 2021, do të firmosej VKM-ja e posaçme numër 757, për të marrë këto dy TECE lundruese, që ndodheshin mijra kilometra largë.
PËR DISA NDRYSHIME DHE SHTESA NË VENDIMIN NR. 620, DATË 22.10.2021, TË KËSHILLIT TË MINISTRAVE, “PËR MIRATIMIN E KUSHTEVE, PËR VENDOSJEN E DETYRIMIT TË SHËRBIMIT PUBLIK NDAJ TË LICENCUARVE NË SEKTORIN E ENERGJISË ELEKTRIKE, GJATË GJENDJES SË EMERGJENCËS NË FURNIZIMIN ME ENERGJI ELEKTRIKE DHE PËR PËRBALLIMIN E PARANDALIMIN E SAJ
VENDOSI:
Për qëllime të furnizimit me të gjitha sasitë e nevojshme për nevojat e Furnizuesit të Shërbimit Universal, shoqëria e prodhimit e ngarkuar me detyrimin e shërbimit publik ka të drejtë të marrë me qira asete gjeneruese termike të energjisë, të shkëmbejë/të depozitojë apo të kryejë transaksione shitblerjeje energjie në tregun e lirë.
Po në të njëjtin vendim qeveria autorizon KESH që të marrë me qera këto asete deri në 3 vite. Kjo periudhë 3 vjecare nuk justifikohet as me gjendjen e emergjencës e cila ishte shpallur deri në Prill të vitit 2022. E thënë më thjeshtë, ndërsa gjendja e emergjencës ishte parashikuar për 6 muaj, Tigri 1 dhe Tigri 3, me VKM do të merreshin me qera deri në 3 vjet.
Me tu dhënë urdhri nga Edi Rama fillon menjëherë puna. Në bazë të vendimit nr.757, i cili ka hyrë në fuqi në datën 13 dhjetor, KESH publikon “Thirrjen për shprehje interesi” në datën 05.01.2022. Bazuar në buletin nr.8 datë 24.01.2022 të Agjencisë së Prokurimit Publik (fq 348 e ne vijim variant shqip dhe angl), data e dorëzimit të oferteva është përcaktuar 27.01.2022. Por sipas publikimit të KESH, në faqen e tyre zyrtare në variantin anglisht është vendosur data 14 Janar 2022 për dorëzimin e shprehjes së interesit sipas specifikimeve të detajuara. Më pas rezulton se KESH bën një sqarim në gjuhën angleze, ku saktëson se data e dorëzimit të shprehjes së interesit është shtyrë për në datën 21 Janar. Arsyetimi KESH për shtyrjen ishte mos dorëzimi kërkesës në APP sipas formatit të kërkuar. Në përmbledhje afati i dorëzimit të ofertave fillon në 14 janar, shtyhet në 21 dhe përfundon në datën 27.
Qartazi ka një mos përputhje me të gjitha njoftimet e publikuara nga KESH për “Shprehje Interesi, “Dhënie me Qera të një Aseti Gjenerues Termik”, dhe në të gjitha rastet nuk janë respektuar afatet që përcakton ligji 162/2020, “Për Prokurimet Publike” dhe procedurave për vlera mbi kufirin e lartë monetar të prokurimit. Të dhëna edhe më të plota që ngrenë dyshime më të forta për procedurën tenderuese përftohen nga publikim zyrtar në SHBA të Securities and Exchange Commission FORM S-1 underthe Securities ACT of 1993.
Excelerate Energy, Inc, në faqen 117 të Table of Contents Business, deklaron se është njoftuar nga Shteti Shqiptar për shpalljen fitues të ofertës së tyre për Asetin Gjenerues Termik, në Janar të vitit 2022. Po në këtë dokument në faqen 6, gjejme disa të dhëna interesante mbi fiktivitetin e kësaj procedure tenderuese:
Në Shqipëri ne kemi firmosur një memorandum mirëkuptimi në Mars të vitit 2021 me ExxonMobil dhe Ministrinë e Infrastrukturës dhe Energjisë për të drejtuar një studim fizibiliteti për zhvillimin e një projekti energjitik me gaz të lëngshëm…po në të njëjtën linjë ne ju përgjigjëm kërkesës së qeverisë Shqiptare për të për tu dhënë me qera atyre gjeneratorë si pasojë e emergjencës. Në janar të vitit 2022 jemi njoftuar se oferta jonë është shpallur fituese.
Nga sa më sipër, ngrihet dyshimi se jo vetëm nuk janë respektuar afatet ligjore të prokurimit publik dhe është njoftuar fituesi në shkelje të këtyre afateve, por mesa duket kjo garë ka qënë e paravendosur dhe siç shpjegohet më poshtë nga të dhënat e marra gjatë intervistës publike të Minstrit Balluku, mund të mendohet se VKM Nr 757 datë 21 Dhjetor 2021, është klienteliste dhe ka patur si qëllim për të favorizuar kompaninë fituese të këtij tenderi me efekt financiar minimal rreth 65 milionë dollarë.
Në specifikimet teknike është kërkuar që Kompania ofertuese të dorëzonte dokumentacionin provues të zotërimit të Asetit Gjenerues Termik, si kusht themelor për procedurën vijuese.
Në faqen 352 të buletinin nr.8 datë 24.01.2022 të Agjencisë së Prokurimit Publik specifikohet se operatori aplikues duhet të depozitojë:
“Deklaratë dhe dokumenta nga subjekti, që disponon apo ka në përdorim një asset gjenerues termik të cilin mund tja jap në përdorim të shoqërisë KESH sh.a, nëpërmjet një kontrate qiraje”
PLUG zhvilloi një kërkim të hollësishëm për të parë nëse kompania e shpallur fituese i kishte në disponim Tigrin 1 dhe 3 kur dorëzoi oferten apo jo.
Nga raporti zyrtar i kompanisë Bangladeshase “Khulna Power Company LTD”, raporti vjetor 2018-2019 dhe raporti vjetor 2021-2022, faktohet se Aseti Gjenerues Termik Tigri 1&3, ka qënë në shitje nga viti 2018 dhe i është shitur kompanisë Excelerate Global Operations LLC në Prill të vitit 2022 për vlerën 15 milionë USD, pasi ka marrë nga autoritetet bangladeshase të drejtën për të eksportuar këtë ‘Anije Gjeneruese Termike’.
Në një artikull të publikuar në median ‘The Business Standart’ jepen të dhëna të rëndësishme për këtë investigim :
Kompania Khulna Power Compani që nga viti 1997 kishte patur në zotërim dhe përdorim këto anije prodhuese energjie për të cilat kishte një marrëveshje me qeverinë e Bangladeshit. Bazuar në këtë marrëveshje kompania Khulna Power Company LTD ka qenë e përjashtuar nga taksat lokale për këto asete dhe vetëm në rastet që ajo do të ishte në operim ose do të eksportohej përjashtimi qëndronte në fuqi. Përndryshe do të detyrohej të paguante taksat lokale që lidhen me investimin total të realizuar rreth viti 1997 në vlerën 96 milion USD.
Pra për ta bërë më të kuptueshme. Për këto dy anije në vitin 1997 firmoset marrëveshje me qeverinë në Bangladesh, vlera e investimit 96 milionë dollarë. Kompania që nga viti 1997 ka qënë e përjashtuar nga taksat e importit dhe ato lokale që kapin vlerën e dhjetra milionë dollarëve e në përfundim të kontratës kompania që të vazhdonte të përfitonte nga përjashtimi i taksave do duhet ta rieksportonte asetin.
Artikulli mban datën 24.04.2022 dhe shpjegon se kompania Khulna Poëer Compani ka dakortësuar për të shitur anijet te kompania Excelerate Global Operations LLC, për vlerën 15 milion euro.
Po në artikull apo deklaratën për mediat të kompanisë Khulna sqarohet se këto anije nuk kanë qënë në përdorim që nga viti 2018 dhe se kjo ishte oferta e parë e marrë në 4 vite.
Kjo ngre dyshime që Excelerate Global Operations LLC nuk ka qënë në posedim të asetit jo vetëm gjatë periudhës së ofertës por edhe gjatë lidhjes së kontratës me KESH në datë 04.04.2022.
Është fakt që Excelerate Energy Bangladesh LTD – Khulna Branch dhe Summit Group që ishte zotëruesi fundor i KPCL-1, operojnë nga një FSRU (LNG Termminal) në të njëjtën zonë dhe asetet gjeneruese termike me naftë të rëndë HFO, janë nxjerrë nga operimi duke u zëvendësuar nga ato me përdorim të gazit natyror.
Sipas KESH, kërkesa për këto asete të shtuara gjeneruese në sistemin Shqiptar erdhi si nevojë e shoqërisë KESH, për të përballuar (i) detyrimin për shërbim publik të vendosur nëpërmjet VKM nr. 757/2021 si dhe situatën e shkaktuar në kushtet e emergjencës në furnizimin me energji elektrike dhe tregjet ndërkombëtare të energjisë.
“Tigrat e Belës” djegin 40 milionë euro. Si KESH shpenzon paratë për 0 KvH energji të prodhuar
Deri këtu folëm për procedurën paraprake për ti hapur rrugë TEC-eve lundruse Tigri 1 dhe Tigri 3, të cilat ishin nxjerrë nga funksioni, e tashmë po rrezikonin që të ktheheshin në një kosto për kompaninë që i zotëronte. Kjo për faktin se as qeveria e Bangladeshit, nuk i kishte tiparet e qeverisë shqiptare, për të favorizuar privatin në kurriz të qytetarëve të saj. Por do t’i faturonte taksa të larta kompanisë, nëse do t’i mbante në brigjet e Bangladeshit qoftë edhe një ditë më shumë se kontrata. Në rrethana të errëta në lojë hynë qeveria shqiptare dhe lidhjet klienteliste, që jo vetëm i hap dyert dy anijeve të nxjerra jashtë pune nga Bangladeshi, por në kurriz të financave të shqiptarëve do t’i marrë me qera me kosto shumë herë nga vlera e tyre reale. E për më tepër, të panevojshme, për sa kohë në gjendjen e tyre dhe për shkak të lëndës djegëse që përdorin kostoja e energjisë së prodhuar përllogaritet në mbidyfishin e asaj që mund të prodhohet apo blihet edhe në krizën më të madhe.
Në një kohë rekord, nga nisja e procedurës, në datën 4 Prill 2022, u lidh kontrata tre palëshe midis KESH sh.a. dhe Excelerate Global Operations LLC si posedues i Gjeneruesit Termik dhe Renco S.P.A si ofruesi shërbimeve të Mirëmbajtjes dhe Operimit.
Sipas kontratës së qerasë KESH do të paguajë 63 mijë dollarë në ditë për qeranë dhe sipas kontratës së shërbimeve KESH do të paguajë 31 500 dollarë në ditë për operimin dhe mirëmbajtjen. Pra për këtë kontratë do të paguheshin 94.500 dollarë në ditë. Në këto kosto nuk përfshihen shpenzimet që do të duhej të kryeshin për të përshtatur portin për qëndrimin e anijeve, lidhjen me rrjetin e trasmetimit, sigurimin e objekteve dhe lënda djegëse që do blihej po nga KESH sh.a. Për të mundësuar ardhjen e anijeve do të duhet të kryeshin disa punime paraprake në Triportin e Vlorës. Ndërsa kriza imagjinare e shpallur nga kryeministri Edi Rama tashmë kishte kaluar, e nevoja për këto anije ishte thuajse zero, nis edhe lëvrimi i milionave të para për t’i bërë funksionale. Ndërsa për sjelljen e tyre në Shqipëri dhe kontratat u bën në kohë rekord, akomodimi i tyre dhe vënia në funksionim nuk ishte më problem e madje edhe me zvarritje.
Në shtator të vitit 2022 shpallet procedura “Ndërtimi i infrastrukturës së aksesimit dhe ankorimit për operimin e asetit gjenerues termik, në portin e peshkimit Triport-Vlorë”.
Procedurë e cila zhvillohet me vetëm 1 ofertues, SALILLARI shpk, i cili shpallet fitues me ofertën 3 milionë euro.
11 muaj më pas, në korrik të vitit 2023, KESH shpall procedurën negocim pa shpalle për “Depozitim dhe shkarkim i lëndës djegëse për TEC Lundrues Vlorë”.
Kjo kontratë i ka kushtuar xhepave të shqiptarëve 7.2 milionë euro pa tvsh për 12 muaj ose thenë më thjeshtë do paguajmë për depozitimin e naftës për Tigrin 1 dhe 3 shumën e 17.000.000 euro me TVSH në dy vite.
Por nuk mbaron me kaq, kontrata përcakton se këto dy asete do të duhet të sigurohen nga dëmtimet gjatë periudhës së operimit dhe këtë sigurim do duhet ta paguaj pala shtet.
Tenderi për sigurimin shpallet në korrik të vitit 2024 dhe fituese ishte kompania Intersig Vienna Insurance Group për vlerën 174 milionë lekë pa tvsh. Pra thënë më qartë në dy vite për sigurimin e anijeve do të paguajmë 4 milionë euro me tvsh.
Deri në këtë moment nga taksat tona janë paguar vetëm për punime dhe sigurimin e anijeve rreth 24 milion euro pa përfshirë koston e naftës dhe pa përfshirë pagesën 94.500 dollarë në ditë. Por kostot shtesë nuk përfundojnë me kaq…
Bazuar në skedën teknike rezulton se Gjeneruesit Termik, operonin në nivel tensioni 132 kV, i ndryshëm nga niveli tensionit që operon sistemi Shqiptar dhe ai Europian dhe është nevojitur një kosto shtesë për blerjen dhe vendosjen e një autotransformatori nga 132 në 220 kV me vlerë disa milion euro, i cili nuk do jetë funksional pas largimit të Gjeneruesëve Termik Tigri1 dhe Tigri 3 sipas kontratës.
Në vitin 2022 Kontrolli i Lartë i Shtetit zhvilloi një auditim performance në sektorin energjitik. Në këtë auditim është përfshirë edhe ky investim i qeverisë shqiptare, ku sipas të dhënave të ofruara nga vetë KESH, edhe nëse Tigri 1 dhe Tigri 3 do të vihen në punë, energjia e prodhuar do të jetë shumë më e shtrenjtë, nga çmimi që Shqipëria ka prodhuar apo blerë ndonjëherë energji Kostot fikse të gjenerimit për dy vjet janë 202 Euro/Mwh.
Sipas kostove direkte dhe indirekte duke përfshirë edhe akcizën, kostot rezultojnë të jenë 268.98 Euro/Mwh. Pra nëse këto anije vihen në punë sipas KESH do të prodhojnë energji me koston 268 euro për megavat orë. Sipas Raportit Vjetor të publikuar nga ERE, KESH deklaron se çmimi mesatar vjetor i blerjes së energjisë elektrike në treg të lirë për vitin 2023, është 110.52 Euro/Mëh. Ndërkohë çmimi mesatar për vitin 2024 mund të rezultojë nën 100 Euro/Mwh. Sipas bursave ndërkombëtare çmimi në “Future” për vitin 2025 rreth 95 Euro/Mwh. Kjo do të thotë që këta gjeneratorë do të prodhojnë me humbje për KESH dhe kjo do të deformojë tregun me pasoja të rënda në të ardhurat publike si dhe konsumatorin shqiptar të energjisë elektrike.
Diferenca fakton që këta Gjenerues Termik prodhojnë energjinë elektrike me çmim minimal rreth 100% – 160% më të lartë se tregu i lirë. Edhe pse tashmë nuk kishte asnjë krizë energjitike as faktike e as imagjinare, Belinda Balluku nuk tërhiqet nga kjo aferë edhe pse vetë institucionet në varësi të sajë shprehen se energjia e prodhuar nga anijet është 160% më e lartë se ajo në treg.
Referuar VKM-së 620, ndryshuar me VKM 757, nuk ekziston më situata emergjencës së furnizimit me energji elektrike dhe detyrimi Shërbimit Publik vendosur ndaj KESH ofron mundësi të sigurimit të energjisë me kushte disa herë më të leverdishme sesa prodhimi nga Gjeneruesit Termik, Tigri1 dhe Tigri3. Madje edhe Fuqia e VENDIMIT NR.584, DATË 8.10.2021, TË KËSHILLIT TË MINISTRAVE, “PËR SHPALLJEN E GJENDJES SË EMERGJENCËS NË FURNIZIMIN ME ENERGJI ELEKTRIKE”, TË NDRYSHUAR, ka përfunduar në 31 Dhjetor 2023.
Nga kjo deklaratë pranohet dhe provohet qartë se kush është autor i kësaj afere, madje duke ju shfaqur shqiptarëve si shpëtimtarja nga orët e territ, e madje në shenjë konfirmimi të garës së paracaktuar, se këto ishin dy anijet e fundit në treg. E në vend të 15 % të energjisë që duhet të prodhonin, Tigri 1 dhe Tigri 3, janë shndërruar vetëm në ngrënësit e miliona euro të takasapaguesve shqiptarë.
Orataku i fshehtë i ‘Tigrave të Belës’ dhe nafta nga kompanitë e lidhura me Gardën Revolucionare të Iranit
Pasi faktuam sesi ky është një tender i paracaktuar. Pasi faktuam se kompania Excelerate Global Operations LLC nuk i zotëronte këto asete as kur hyri në garë, as kur u shpall fitues dhe as kur firmosi kontratën me KESH sha dhe pse ishte kriteri kryesor. Pasi bëmë transparencë për një pjesë të parave të paguara për të vënë në punë dy anijet të cilat kishin që nga viti 2018 që nuk përdoreshin pasi janë teknologji e vjetër dhe me çmim 160% më të lartë se tregu për prodhimin e energjisë. Tani do bëjmë transparence për një tjetër kosto por mbi të gjitha për një tjetër super skandal brenda aferës Tigri 1 dhe Tigri 3. Ky skandal është publikuar nga “Hashtag”.
Ndërsa TEC-et lundruese ishin prej 3 vitesh në brigjet e Vlorës dhe pa asnjë ditë punë, të shëndërruara tashmë në kosto miliona euro, KESH nis edhe procedurat e radhës në lidhje më këtë projekt, ku gropa financiare sa vjen e thellohet. Në datën 07.08.2024, KESH ka bërë njoftimin publik për procedurën e blerjes së 21 000 Ton lëndë djegëse HFO, për Termocentralet Lundruese, Vlorë. Periudha e dorëzimit të ofertave ishte data 27.08.2024. Kontrata dhe lëshimi garancive do realizohej deri në datën 28.09.2014 dhe data e furnizimit do të negociohej dhe përcaktohej në kontratë jo më vonë se 28.10.2024. Sipas specifikimeve teknike të KESH, është përcaktuar që kohë zgjatja e kontratës do të jetë deri në 05.11.2024 dhe afati lëvrimit të produktit do të ishte 30 ditë nga lëshimi i LC (Letter of Credit) nga ana e KESH për pagesë. Ekzistojnë dyshimet e arsyeshme se kjo Kontratë me vlerë mbi 11 milion USD, nuk ka zbatuar kriteret dhe specifikimet sipas ligjit të Prokurimve Publike, apo afatet përkatëse të bëra publike. Anija që ka transportuar lëndën djegëse HFO, është HOPE A me flamur Maltës, e cila është ankoruar në Valletta në datën 28.10.2024 dhe ka mbërritur në Shqipëri në datë 2 Nëntor ora 23:00,
Nga deklarata doganore e datës 03.11.2024, provohet se eksportuesi është kompania EMAD Energy SA-1207 Geneva (CH). Provohet nga e njëjta deklaratë se marrësi është KESH sh.a. Provohet se vendi origjinës së produktit është Algjeria dhe vendi eksportues është Malta. Provohet nga fatura origjinale se sasia është 21412.5 Metric/Ton dhe vlera e pagesës për produktin është 515.25 USD/MT ose 11 milionë USD si vlerë totale e produktit. Provohet se kompania EMAD Energy SA është e rregjistruar në Zvicër dhe nuk është e rregjistruar në Shqipëri. Kompania EMAD Energy SA, nuk rezulton të jetë e pajisur me Licensën A sipas nenit 19 të ligjit 8450 “Për përpunimin, transportimmin, tregëtimin e naftës dhe gazit dhe nënprodukteve të tyre”.
As KESH dhe as kompania tregëtuese nuk kanë këtë licensë A për lëndën djegëse sipas nenit 10, pika III, gërma ç dhe nenit 14 për shoqëritë e tregëtimit me shumicë.
Lejimi i hyrjes së lëndës djegëse në territorin e Shqipërisë kërkon konfirmim nga Dogana dhe ISHTI dhe çdo lëndë djegëse naftë apo nënprodukt i saj që hynë në Shqipëri nga dikush pa licensë është kontrabandë.
Mostër marrja nga ISHTI referuar Urdhërit Nr.6 datë 09.01.2015 për të çertifikuar standardet teknike të produktit naftë HFO, bëhet vetëm në përputhje me ligjin 8450.
Pranimi i produktit HFO nga kompania EMAD Energy SA me procedura extraligjore, për projektin e Gjenerimit Termik, ngre dyshimet jo vetëm për qëllime korruptive, por edhe të cënimit sigurisë kombëtare dhe financimit në mënyra të tërthorta të strukturave armike të Shqipërisë. Kompania eksportuese EMAD Energy SA ka lidhje me kompaninë “ASB Group of Companies in Turkey”. Pronari i ASB Grpup është dënuar për KRIME FEDERALE në kuadër të TERRORIZMIT, kundër Shteteve të Bashkuara të Amerikës. Dhe këtu fijet korruptive duket se lidhen edhe me interesa më të errëta, atë të financimit të Gardës Revolucionare të Iranit, fakt ky i denoncuar edhe më herët.
E-mail-et e siguruara nga Iran-Leaks, sugjerojnë se në vitin 2021, administratori i kompanisë “EMAD Group SA”, komunikonte me një nga menaxherët e grupit turk ASB, për të sjellë në Shqipëri rreth 3400 ton karburant, ku çmimi përcaktohej nga “Sonatrach”, që nuk është gjë tjetër veçse kompania shtetërore e naftës në Algjeri. Por konsultimi i dokumenteve të Iranian-Leaks, i çon shumë më thellë rrënjët e grupit turk ASB në Shqipëri.
Rezulton se grupi i sanksionuar turk ASB, në vitin 2020 ka realizuar një operacion të shitjes së naftës iraniane në vlerën e 36 milionë dollarëve, duke përdorur si bazë Shqipërinë. Në Shqipëri është e regjistruar një kompani me pronarë turq e quajtur “MAC General Trading shpk”.
Nga të dhënat e Iran-Leaks rezulton se përfaqësuesi i kësaj kompanie i quajtur Murat Halli, komunikonte me e-mail me përfaqësuesin e ASB Group në Turqi të quajtur Kazim Oztaz për tregtimin nëpërmjet Shqipërisë të një sasie karburanti me vlerë 36 milionë euro.
Shtetasi Kazim Oztaz u dënua tre vite më vonë nga një gjykatë amerikane, për thyerje të embargos së naftës dhe u sanksionua.
E-mail-et e Iran Leaks kanë zbuluar se fatura tatimore e kompanisë shqiptare MAC General Trading shpk është realizuar me një filial të ASB Group, por një kontratë konfidenciale e zbuluar nga paketa e e-mail-eve sugjeron se në fakt kompania shqiptare e ka blerë naftën drejtpërdrejt në Iran në sajë të një marrëveshje direkte me kompaninë iraniane “Madolia Group”.
Tregues ky se në vitin 2020 Shqipëria ka qenë bazë e operacioneve për kontrabandimin e naftës iraniane dhe shmangies së embargos dhe sanksioneve të vendosura.
Grupi turk i sanksionuar ASB, ka pronar shtetasin Sitki Ayan. Ai është në ortakëri dhe joint-venture nëpërmjet të paktën 12 kompanive me gardën ushtarake të Iranit, e cila ka kontrollin e shitjes së naftës së këtij vendi.
Sitki Ayan nuk është thjesht një biznesmen turk që punon me iranianët, ai është një mik shtëpie i Erdoganit dhe bën pjesë në rreshtin e parë të të besuarve të tij.
Kjo nuk ka qenë praktika e parë, për blerje nafte, pasi në shkurt të vitit 2024 kanë bërë një tjetër prokurim. Fitues në këtë rast ka qene Firden Kuqi dhe fondi i përfituar është 3 milionë euro. Praktika e radhës, objekt i investigimit bëhet në muajin shtator, por këtë herë me kompani që nuk janë të licencuara për këtë shërbim. Ç’ka nënkupton se janë blerë 4 mijë ton karburant për vënien në punë të Tigri 1 dh Tigri 3, por që nuk u vunë në punë asnjëherë. E importuesit e kësaj sasie karburanti ishin në dijeni që për të kryer këto operacion ishte e domosdoshme që kompania që do të kryente importin të ishte e licencuar, por përdorën një kompani tjetër për futjen kontrandë të 21 mijë tonë naftë, e cila faktohet që ishte në lidhje me Gardën Revolucionare të Iranit.
Aksesi i kompanive të kompromentuara turke që punojnë me kompani qeveritare shqiptare si KESH apo që kanë përdorur Shqipërinë si bazë operacionale të thyerjes së sanksioneve buron nga marrëdhënia e ngushtë e Ramës me Erdoganin.
Së fundmi një ish-punonjës i Pentagonit i quajtur Michael Rubin ka pretenduar në një analizë se ish-ambasadorja amerikane Yuri Kim ka toleruar këtë marrëdhënie mes Ramës dhe Erdoganit e shtyrë nga ambicia e saj e shpallur që të bëhej ambasadore e SHBA-ve në Turqi. Dhe roli i Yuri Kim në këtë aferë miliona euro, duket se nuk ka qenë veç një dyshim i ngritur nga gazetarë dhe zyrtarë të huaj, por është konfirmuar edhe nga Belinda Balluku dhe vetë Yuri Kim, që merrte përsipër të fliste në emër të SHBA, për një operacion korruptiv ku SHBA nuk kishte asnjë rol.
Por t’i rikthehemi kostove dhe ndjekjes së parave, ku shkojnë milionat për mbajtjen e këtyre anijeve TEC. Sipas të dhënave teknike këto anije duan 25.000 ton HFO në muaj pra thënë edhe me thjeshtë ky tender i fundit i KESH për blerjen e 21.000 ton naftë në vlerën 11.000.000 euro është kostua që do vidhet nga xhepat tanë çdo muaj që të prodhojnë këto anije energji me një çmim 160% me të lartë se tregu.
Në vijim të projektit të Asetit të Gjeneruesit Termik, Vlorë, duke vlerësuar kostot fikse minimale për 1 vit, rezulton se KESH ka shpenzuar deri tani 40 milion euro, pa prodhuar asnjë megavat energji. Deri në këtë moment të investigimit jemi të qartë se kemi të bëjmë me një aferë të pastër korruptive. Plug investigoi dhe më tej për të hedhur dritë dhe mbi përfituesit. Për këtë analizuam të dhënat e kompanisë së regjistruar në shqipëri për zbatimin e kontratës së lidhur me KESH sha. Në qershor të vitit 2022 regjistrohet në QKB kompania Excelerate-Renco FPB me ortak 90% Exelerate Abania Holding shpk dhe Renco S.p.a. Në gusht të vitit 2022 Asambleja e Ortakëve vendos të rrisë kapitalin e saj bazuar në marrëveshjen e lidhur me palëve . “Ortakët vendosën të miratojnë rritjen e kapitalit në vlerën e 4.322.563 dollarë”. Në dhjetor të vitit 2022 në QKB depozitohen vendime të reja të Asamblesë së Ortakëve vendos për një tjetër rritje kapitali: “Ortakët vendosën të miratojnë rritjen e kapitalit në vlerën 23.128.455 dollarë.” Rritja është bërë duke depozituar para cash të dyja kompanitë sipas aksioneve që zotërojnë. Por Ortakët depozitojnë dhe një tjetër vendim të tetorit të vitit 2022 ku miratojnë pagesën e faturës NR.2, për shërbim inxhinerik që është lidhur me ortakun Renco spa në vlerën e 3.9 milionë dollarëve. Në mars të vitit 2023 në QKB depozitohet një tjetër vendim I JANARIT 2023 për të kryer pagesën e faturave NR.11-12 për Renco Spa në vlerën e 1.5 milionë dollarëve për shërbime inxhinierike.
Nga gushti që regjistrohet kjo kompania që administron kontratën me KESH, ka 12 fatura të lëshuara nga ortaku Renco Spa SIPAS KONTRATËS INXHINIERIKE TË PROKURIMIT DHE NDËRTIMIT.
Në mars Asamblea e Ortakeve miraton pagesën e faturave NR.25-26 në vlerën 1.5 milionë dollarë për të njëjtën kontratë me Renco Spa. Të gjitha pagesat që kalojnë nga Excelerate-Renco FPB te ortaku Renco për pjesën inxhinierike dhe ndërtimin për vënien në punë të Tigrave dhe njëkohësisht ky financim kalon dhe si rritje kapitali.
Pra deri në mars të vitit 2023 janë kryer pagesat e 26 faturave të cilat sipas përllogaritjes shkojnë në vlerën e 20 milion dollarëve, veprime këto që ngren dyshim pasi anijet as nuk janë vënë në funksion dhe as nuk janë lëvizur nga vëndi i ankorimit. Në maj të vitit 2023 kompania I drejtohet me shkresë QKB ku e njofton se ka shlyer tëresisht ritjen e kapital në vlerën 2.6 miliardë lekë ose mbi 26 milion dollar. Këto para siç e shpjeguam dhe më lartë shumica i janë paguar ortakut Renco spa.
Deri në shkurt të vitit 2025 kompania deklaron vetëm këto vendime të Asamblesë së Ortakëve duke raportuar se tashmë vlera e aksioneve i kalon 50 milionë dollarë dhe të gjitha janë injektime parash nga ortakët për të paguar ortakun Recno spa. Ndërsa kapitali rritet ndjeshëm, kjo kompani nuk deklaron asnjë bilanc. Për të patur më shumë të dhëna analizuam dhe ortakun kryesor Excelerate Albania Holding. Kjo kompani ka si ortak të vetëm kompaninë Excelerate Energy Limited Partnership, pra jo kompaninë që ka lidhur kontratën me KESH sha, Excelerate Global Operations LLC.
Ky veprim ngre jo vetëm dyshime të forta por është e kundraligjshme pasi këto kompani dhe nëse zotërohen nga i njëjti aksioner janë dy entitete të ndryshme. Sipas dokumentacionit të dorëzuar gjatë tenderit anijet i ka në zotërim Ecxelerate Global Opertations LLC, kontrata lidhet me ta e ndërkohë kompania e krijuar në Shqipëri për administrimin pikërisht të kësaj kontrate me KESH themelohet nga Ecxelerate Energy Limited Partnership.
Nga të dhënat zyrtare rezulton se Excelerate Energy Limited Partnership që ka themeluar Excelerate Albania Holding e cila ka themeluar Excelerate Renco FPB që do të përfitojë faktikisht paratë e Shqiptarëve,e pikërisht për projektin në Shqipëri ka një aksioner të cilit nuk ja deklaron emrin në vlerën 10%.
Pra e thënë më thjesht, taksapaguesit shqiptar do të paguajnë 94 500 dollarë në ditë apo 70 milionë dollarë në dy vite, dhe 10 % e kësaj shume shkojnë për një aksioner i cili rezulton i fshehtë. Nuk dihet nëse ky aksioner është një zyrtar, një shtetas shqiptar apo i huaj. Por kushdoqoftë ai, i takon SPAK që të hetojë dhe të zbulojë se kush është përfituesi fundor i miliona eurove nga taksapaguesit shqiptarë. Deri më sot dihet se ortakët kanë investuar rreth 50 milionë dollarë për një asset të blerë 15 milionë dollarë dhe paratë kanë shkuar po të ortaku Renco për instalimin e anijeve që vetëm po marrin dhjetra miliona euro para nga buxheti i shtetit dhe nuk kanë prodhuar asnjë kilovat orë energji.
Ballukut nuk i mjaftojnë 120 milionë dollarë dëm, por tenton të zhvas edhe më shumë shqiptarët me ‘Tigrat’
Ndërsa Tigri 1 dhe Tigri 3 thithin miliona euro pa prodhuar energji, dhe për më tepër janë TEC-e që nëse do të prodhonin kostoja do të ishte tepër e lartë, ministrja Belinda Balluku kalon në një tjetër nivel. Jo vetëm qera, 94 500 euro në ditë, por kërkon që këto anije t’i mbajë përgjithmon këtu, me kosto marramandëse edhe pse kontrata fillestare përcakton qera. Më poshtë do t’ju sjellim një intervistë të ministres Belinda Balluku, që bën propozimin gjenial për të investuar edhe dhjetra miliona euro të tjerë, për të mbuluar aferën e deritanishme, e me një kosto shumë herë më të lartë.
Anijet TEC nuk kanë prodhuar asnjë orë energjie, ndërkohë që djegin 94. 500 euro në ditë. Por në vend të llogaridhënies para drejtësisë për këtë aferë, ministrja Belinda Balluku, vijon me mashtrimin e qytetarëve shqiptarë, që po zhvaten nga kjo vendimarrje e saj. Duke pranuar, dështimin për prodhimin e energjisë për shkak edhe të kostos së lartë, Balluku sygjeron që këto anije nga lëndë djegëse HFO, të bëhen funksionale me gaz natyror, në mënyrë që të ulet kostoja e prodhimit. Por siç pranon dështimin e koston, Belinda Balluku konfrimon se këto anije do të qëndrojnë në Shqipëri përtej afatit që ishte parashikuar në krye të herës, kur kryeministri Rama shpalli gjendjen e emergjencës. Por pa i hyrë anës procedurale e kontraktuale të marrjes në pronësi, vlen të sillet në vëmendje, që ajo çka propozon sot Balluku u tentua që në vitin 2018 nga pronarët e parë të këtyre anijeve dhe operacioni dështoi. Për shkak se ekspertët nuk arritën kthimin e tyre me gaz, dy anijet qëndruan në konservim deri në momentin që u sollën në bregun shqiptar.
Pretendimi se KESH mund të japi me qera këto asete në vende të tjera është në kundërshtim të ligjit të energjisë dhe tejkalon përgjegjësitë e KESH dhe Ministrisë.
Marrja në pronësi që deklaron ministrja Balluku pa marrëveshje transparente dhe pa vlerësim teknik dhe finaciar, tejkalon fushën e përgjegjësisë të Ministrit të Energjisë. Por duket se siç mori autorësinë e sjelljes së dy anijeve TEC në vendin tonë, edhe në këtë rast Belinda Balluku flet me kompetencën e Këshillit të Ministrave dhe kryeministrit Edi Rama.
Nga KESH deklarohet që gjendja e këtyre anijeve në mbërritje ishte optimale, ç’ka bën të pashpjegueshme vonesën e më shumë se dy vjet për ta komisionuar këtë central prodhimi.
Ngatërrim qëllimshëm me Termocentralin e Vlorës për punë që do bëhet në TEC Vlora e cila tregon jo vetëm mungesë konkurence në gara, por kjo mund të faktojë pasjen në dijeni që vetë TEC Vlora mund të punonte me cikël të thjeshtë, me naftë, pa qënë nevoja të vinte në punë turbinën e dytë prej 37MWp që punon me avull. Kosto e vendosjes në punë e TEC VLORËS, vetëm me cikël të thjeshtë do të kostonte 10 fish më lirë se kostoja që deklaron Excelerate Energy INC në raportin e saj finaciar për Gjeneruesit Termik Tigri 1 dhe Tigri 3. Vlerësimet dhe raportet tekniko- financiare për rikuperimin e TEC VLORËS janë shumë herë më të plota dhe të detajuara sesa argumentimi jo aktual dhe i paqëndrueshëm i KESH për të instaluar Tigrin 1 dhe Tigrin 3.
Argumentimi i vendim-marrjes mbështetur në parashikimet e ministres Balluku se kosto mesatare vjetore për energjinë gjatë viti 2023 do të ishte 529 Euro/MWh rezulton 5 herë më i lartë dhe Shqipëria gjatë vitit 2023 ka rezultuar neto eksportues i energjisë elektrike. Në të njëjtën deklaratë konfirmohet që është qeveria e cila ka vendosur për të marrë Gjeneruesit Termik dhe dyshohet se vetëm formalisht ka bërë kërkesë për ofertë për këto dy anije.
Krijimi panikut nëpërmjet mashtrimit për të justifikuar një vendimmarrje të paligjshme dhe korruptive, ka vendosur sot sistemin elektro-energjitik shqiptar në deformim të plotë të tregut të energjisë elektrike, kosto tmerrësisht të larta që paguhen nga familjarët tariforë shqiptar dhe me abuzime marramendëse të fondeve publike duke cenuar infrastrukturat kritike shqiptare.
Në nenin 15 dhe 16 të kontratës së qerasë është parashikuar se anijet do të largohen pas përfundimit të kontratës dhe asetet të cilat do t’i kalojnë KESH janë ato të përherëshme, të palëvizshme, të cilat do dorëzohen në gjendjen ekzistuese të dorëzimit, teknikisht të papërdorshme. Por Belinda Balluku tashmë kalon në tjetër nivel abuzimi. Me zë e me figurë ajo thotë se do i blejmë këtë anije për prodhimin e energjisë për t’i lëshuar me qera për vënde të tjera. Qesharake kur mendon se këto anije sipas pronarit fillestar pritën me shumë se 4 vite aferën korruptive shqiptare për të lëvizur e ndërkohë as vetë Balluku si vuri kurrë në punë.
Nëse nuk ishim të qartë, apo u lodhët nga detajimi, do ua sjell në fund në mënyrë të përmbledhur dhe vetëm në shifra. Deri sot, Tigri 1 dhe Tigri 3 nuk kanë prodhuar asnjë kilovatë energji. Por për mbajtjen e dy rrangalleve në bregun e Vlorës kemi paguar 40 milionë dollarë shpenzime akomodimi, 70 milionë dollarë qera anijesh dhe 11 milionë dollarë karburant për 1 muaj, nëse do të vihet në punë. Pra në total, janë 121 milionë dollarĽ, të çuara dëm, e për më tepër 10 përqindshi i tyre ka shkuar në xhepat e një pronari që as nuk është identifikuar.