Prokuroria e Posaçme ka qenë në qendër të retorikës politike në mesin e muajit shkurt. Që prej arrestimit të kryetarit të Bashkisë së Tiranës, Erion Veliaj, debatet publike kanë pasur si kryefjalë SPAK-un.
E teksa diskutohej për drejtësi apo padrejtësi nga ana e Strukturës së Posaçme, që për 5 vite u duk se ishte fytyra më e pastër e drejtësisë së re, erdhën edhe deklarata zyrtare nga të dy krahët.
Më 18 shkurt, kryeministri Edi Rama pohoi publikisht se Amerika ka tërhequr mbështetjen për reformën në drejtësi dhe për SPAK. Rama pranoi se ka disa gjëra që nuk shkojnë edhe me Prokurorinë e Posaçme, pasi është ende një institucion i ri me shumë probleme. Sipas tij ka krijuar vetëbesimin e pavarësisë. Por, Rama thonë se nuk mundet që në emër të pavarësisë, të intimidohen njerëz që merren në pyetje. Apo edhe që paraburgimi të kthehet në një normë për të kapur e futur brenda pa gjyq këdo.
Nga ana tjetër, një ditë para tij, lideri i Partisë Demokratike, Sali Berisha deklaroi se kur të vijë në pushtet do ta shkrijë SPAK-un. Edhe pse pas arrestimit të Veliajt, ai “amnistoi” të gjithë prokurorët e SPAK, përveç Altin Dumanit. Por deklarata e Berishës erdhi në ditën që po dilte nga dyert e Prokurorisë së Posaçme, në zbatim të masës “detyrim paraqitje”. Aty nuk i kurseu sërish sulmet ndaj Altin Dumanit, teksa deklaroi se nëse fiton në 11 maj Prokuroria e Posaçme do shkrihet, ndërsa prokurorët e lidhur me bandat do futen në burg.
E në një kohë që fati i Prokurorisë së Posaçme, sipas kësaj retorike, do të përcaktohet pas zgjedhjeve të 11 majit, pa mbështetjen e Amerikës, me “premtimin” e Berishës për shkrirje dhe deklaratën e Ramës për mbështetjen e drejtësisë së reformuar, duket se SPAK-un tashmë e pret edhe një sfide tjetër.
Sfida me veten. Me prokurorët dhe gjyqtarët e drejtësisë së re.
Altin Dumani: Të gjithë janë të barabartë përpara ligjit dhe askush nuk mund të jetë i privilegjuar prej tij!
Në 5 vjet SPAK e ka demonstruar këtë më shumë se çdo institucion tjetër drejtësie ndonjëherë më parë. Dhjetorin e vitit 2024, ky u arsyetua si një mesazh për politikën. Por para ligjit duhet të jenë të bartë edhe vetë ata që japin drejtësi. Pra, vetë prokurorët dhe gjyqtarët e drejtësisë së re. Dhe dëshmia më e fortë për këtë do të jetë dosja që SPAK e ka në dorë që prej korrikut të vitit 2024 dhe që më 20 shkurt 2025 kaloi për gjykim në Gjykatën e Posaçme. Dosje, që me një vendim të gjyqtarit Erion Bani për mospublikim të saj deri në përfundim të hetimeve, asnjë pjesë e saj nuk doli në media. Ndoshta jo pa qëllim, pasi në fashikujt e saj flitej për afera korrupsioni e ushtrim ndikimi të paligjshëm tek gjyqtarë e prokurorë të drejtësisë së vjetër dhe asaj të re.
Po flasim për dosjen hetimore në ngarkim të ish-kryeprokurorit të Vlorës Aurel Zarka, i arrestuar që prej korrikut të vitit 2024. Pjesë e saj janë edhe një ish-oficere e Policisë Gjyqësore e SPAK, një avokat dhe një biznesmen. Të tre këta janë në kërkim, pasi nuk është arritur arrestimi i tyre. Por çfarë e bën më të rëndësishme këtë dosje, janë komunikimet që 4 personazhet e saj, bëjnë të shpenguar në platformën Sky, duke përmendur aferat me gjyqtarë, prokurorë e punonjës gjykatash.
Teksa prej 5 vitesh dosjet e shumta të Prokurorisë së Posaçme kishin tronditur botën e krimit por jo vetëm, në vitin 2024 një dosje e njohur për publikun si “Dosja Zarka”, duket se tronditi edhe vetë drejtësinë e re.
Deri në atë moment pazaret e krimit më drejtësinë ishin cekur në 2-3 dosje, por skema dhe rrjeti i zbuluar nga komunikimet në Sky mes vetë njerëzve të drejtësisë, treguan se ashtu si krimi i organizuar edhe mes drejtësisë kishte organizim për të dhënë padrejtësi.
Magjistratja Eriona Daupaj, një ish-oficere e Policisë Gjyqësore në SPAK është në qendrën e këtyre komunikimeve bashke me avokatin Radovan Çela dhe me ish-kryeprokurorin e Vlorës, Aurel Zarka, ky i fundit i arrestuar. Mënyra se si ajo shprehet në komunikimet që “Gjërat Tona” ka lexuar, tregon se mes njerëzve të drejtësisë ka grupime që punojnë së bashku si një rrjet që kryejnë ato që ata konsiderojnë “punë”, për të lehtësuar pozitat e njërit të hetuar apo tjetrit.
Këto linja të zbardhura nga “Dosja Zarka” tregojnë se si kjo “punë” për të prishur një hetim niste që në fazat e para të marrjes në dorë të një referimi derisa kjo dosje shkonte në duart e Gjykatës.
“Toyota” me 3.4 milionë euro
Një nga çështjet më të famshme ku këta njerëz të drejtësisë së re dhe të vjetër kanë vepruar për të dhënë padrejtësi, është dosja e njohur gjerësisht për publikun si “Toyota Auris”, ku u hetua futja në mënyrë të paligjshme e 3.4 milionë eurove përmes Portit të Durrësit. Çështja u hetua fillimisht te Krimet e Rënda, pastaj u shpall moskompetencë dhe u dërgua në Gjykatën e Tiranës.
Historia e kësaj dosje nis më 24 qershor 2018, kur në Portin e Durrësit u sekuestruar rreth 3.4 milionë euro. Në deklaratën zyrtare lidhur me sasinë rekord të eurove që u sekuestruan Policia e Shtetit deklaronte në atë kohë se ishte vënë në dijeni nga burimet vendase, një ditë para se të bëhej një deklaratë në Kuvendin e Shqipërisë. Policia e Shtetit deklaronte se ishte vënë në dijeni më datë 20 qershor 2018 për një karroatrec me targa AA 120 SP, që pritej të transportonte disa autovetura, e mes tyre një mjet me sasi eurosh të padeklaruara, pa specifikuar tipin e automjeteve dhe as origjinën e vendit. Me marrjen e këtij informacioni, Policia shprehej se u ishte dhënë porosi gjithë strukturave të Pikat e Kalimit Kufitar për konstatimin dhe kontrollin e kësaj ngarkese.
Policia e Shtetit
Ditën e enjte, më 21 qershor 2018, në mesditë, gjatë punimeve të Parlamentit në sallën e Kuvendit, është bërë publik fakti lidhur me një automjet tip ‘Toyota Auris’ me 1.5 milion euro, të zbuluar në Gjermani. Po atë ditë, të enjten e kaluar, datë 21 qershor, një agjenci ligjzbatuese shqiptare, në orën 17:00, ka njoftuar Policinë e Shtetit lidhur me një informacion për një ngarkesë me trajler që do të sillte disa mjete tip ‘Toyota’, e cila pritej të vinte nga Gjermania, e mes tyre një mjet me sasi eurosh të padeklaruara. Më 24 qershor, në Portin e Durrësit, në orën 07:30, mbërriti nga Belgjika një trajler tip “Bizark” me 9 automjete, përmes Portit të Barit, Itali. Policia Kufitare, mbi bazën e porosisë së marrë më datë 20 qershor, ka bërë identifikimin dhe ndalimin e mjetit. Policia ka njoftuar Prokurorinë e Durrësit, e cila po drejton hetimet. Më tej, specialistët për Hetimin e Krimeve në Drejtorinë Rajonale për Kufirin dhe Migracionin Durrës në bashkëpunim me efektivët e Drejtorisë Vendore të Policisë Durrës, nën drejtimin e Prokurorisë, finalizuan operacionin dhe kryen veprimet proceduriale. Policia ka arrestuar në flagrancë shtetasit Agim Çeka, Edi Lika (Cani), Klevi Lika (Cani) dhe Alban Mollaymeri. Gjithashtu janë shpallur në kërkim dhe punohet për kapjen e shtetasve Alfred Vladi dhe Elvis Vladi. Pas sekuestrimit të parave, saktësisht 3 366 800 euro dhe 100 euro që dyshohet të jenë të falsifikuara e 80 mijë frangave zvicerane, janë ushtruar kontrolle në banesat dhe ambiente të tjera të personave të dyshuar. Gjatë operacionit janë sekuestruar si prova materiale 10 automjete, nga të cilat 7 automjete “Toyota”, një “Alfa Romeo”, një “Opel” dhe një “Bizark”.
Kushërinjtë që u shpallën në kërkim në atë kohë, Alfred dhe Elvis Vladi, sipas Policisë ishin porositës së ngarkesës me sasinë rekord të eurove. Të dy rezultonin pronarë biznesesh në Tiranë, por njëri prej tyre, Alfred Vladi, kishte në pronësi edhe dy kompani që merren me dhënien e automjeteve me qira e këmbim valutor. Të dy kompanitë e tij ishin regjistruar në vitin 2017. Fusha e veprimtarisë së shoqërisë së parë ishte: Agjenci udhëtimi, makina me qira dhe huadhënie. Veprimtari e agjentit për transfertë parash në emër dhe në llogari të një subjekti financiar jo banke. Të gjitha shërbimet e pagesave dhe te transferimit të parave në emër dhe për llogari të një subjekti financiare jo banke. Po kështu edhe shoqëria tjetër në pronësi të tij, me emrin tregtar “Tirana Rental Car”, kishte pothuajse të njëjtën fushë të ushtrimi të veprimtarisë. Ndërsa të dyja ishin me qendër në zonën e Laprakës, në Tiranë.
Çështja e 3.4 milionë eurove fillimisht u hetua nga Prokuroria e Durrësit, e cila më pas shpalli moskompetencë dhe hetimin e mori në dorë Prokuroria e Krimeve të Rënda, konkretisht prokurorët Ened Nakuçi dhe Doloreza Musabelli. Por kjo dosje nuk qëndroi shumë as këtu. Pas shkrirjes së Gjykatës së Krimeve të Rënda, kjo çështje ishte e para që i kaloi për kompetencë rretheve. Fatin e saj e mori në dorë Gjykata e Tiranës, që pas një ping pongu në institucionet e drejtësisë, në nëntor të vitit 2020 shpalli edhe vendimin. Pas më shumë se dy viteve nga sekuestrimi i 3.4 milionë eurove, dosja “Toyota Auris”, përfundoi vetëm me një të pandehur. Gjykata e Tiranës pushoi akuzat për 4 nga 6 të dyshuarit. U dërgua për gjykim vetëm Elvis Vladi, i dyshuar si personi që siguroi automjetet “Toyota” në Belgjikë, me akuzën e mosdeklarimit të të hollave në kufi. Ndërsa Agim Çeka, shoferi që solli makinat në Shqipëri, u gjykua vetëm për armëmbajtje pa leje, pasi gjatë kontrollit në shtëpi iu gjet një pistoletë. Gjykata argumentonte se provat e dorëzuara nga Prokuroria nuk provonin përfshirjen e 4 personave të tjerë të dyshuar, duke i zhveshur nga të gjitha akuzat.
Por kjo dosje tashmë është rikthyer sërish në qendër të vëmendjes, kur në vitin 2024 u arrestua ish-kryeprokurori i Vlorës Aurel Zarka.
Eriona Daupaj: Enedi ka frikë nga publiciteti. I shtynte pronat dhe s’po i qasej fare Edvini. Ka menduar mos ja ka futur. I ka marrë lekët vetë dhe i ka ndarë me Radin. Nuk ka besim as te rrobat e veta ai. Është natyre dyshuese. Edhe me Edvinin që rri gjithë ditën, ka frikë se i merr paratë. Edhe atëherë kur i thashë unë pazarin për Vladët, që më the ti 30 mijë për moskompetencë, 15 njëri, 15 tjetri, shkoi te Edvini që ta konfirmonte nëse i kisha thënë të vërtetën unë apo jo.
Radovan Çela: Ashtu si i trembur është ai. Fshije pak atë për Vladët.
Eriona Daupaj” Pse do t’ia tregosh njeriu chatin? Nuk ka qenë 15 me 15, ka qenë 30 me 30.
Radovan Çela: Po fshiji ti edhe këto.
Këto biseda provojnë faktin se avokati Radovan Çela, i cili ka mbrojtur në gjykatë kushërinjtë Alfred dhe Elvis Vladi, ka rënë dakord me oficeren e Policisë Gjyqësore të të njëjtës dosje, Eriona Daupaj, për t’u ofruar para prokurorëve të çështjes. Siç del nga bisedat bëhet fjalë për 30 mijë euro. Shumë që u është ofruar me qëllim që të vendosnin moskompetencë. Sipas SPAK kjo marrëveshje provohet plotësisht, pasi rrethanat janë shpjeguar dhe pohuar nga të dy këta persona, duke bashkëbiseduar në aplikacionin SKY, të bindur që ky komunikim ishte i fshehtë. E për rrjedhojë bisedat mes tyre kanë qenë të lirshme dhe të vullnetshme, si dhe të pa nxitura apo të ndikuara nga ndonjë arsye apo rrethanë tjetër.
Nga bisedat mes tyre rezulton se qëllimi nuk është arritur, pasi siç i shprehen njëri-tjetrit, prokurori i çështjes i ka nxjerrë jashtë loje, pasi sipas tyre kishte vendosur vetë komunikimin me palët e interesuara. Këtë person ata e përmendin me emrin “Reli”, që Prokuroria e Posaçme e ka identifikuar si prokurorin Aurel Zarka. Më pas ai ka vazhduar vetë komunikimin me prokurorin e çështje për t’i dhënë përfitime të parregullta monetare, prokurorit të çështjes, Ened Nakuçi. Shpjegimet dhe pohimet që ata i kanë dhënë në biseda njëri – tjetrit provojnë faktet dhe rrethanat që lidhen me veprimet e tyre, por sipas SPAK, deri në këtë fazë ato janë të pamjaftueshme për të krijuar dyshime rreth veprimeve të Aurel Zarkës, në raport me prokurorin e çështjes, apo edhe për dhënien e parave. SPAK argumenton se këto janë shpjegime që Daupaj dhe Çela i japin njëri-tjetrit pa qenë vetë të pranishëm në momentin kur mund të ketë ndodhur dhënia e parave ashtu siç pretendojnë ata. Pra, sipas Prokurorisë së Posaçme, nuk provohet vërtetësia e tyre.
Vendimi i datës 30 dhjetor 2019 i Prokurorisë së Posaçme, për shpallje moskompetencë dhe kalimin e dosjes në Prokurorinë e Tiranës, për procedimin në ngarkim të Alfred Vladit, i është njoftuar Gjykatës së Tiranës më 7 janar 2020. Më 9 janar të po atij viti, gjyqtari Lazër Sallaku ka vendosur të kalojë çështjen në seancë gjyqësore. Seanca është shtyrë dy herë, për shkak se prokurorja e çështjes, Ledina Rizo ka kërkuar shtyrjen për shkaqe shëndetësore. Në seancën e darës 17 janar 2020, është vendosur zëvendësimi i masave të sigurimit nga “arrest në burg” në “detyrim paraqitje”, për të gjithë të pandehurit në gjykim.
Gjatë bisedave që zhvillojnë se SKY Eriona Daupaj dhe Radovan Çela, krijohen dyshime se për të bërë zëvendësimin e masave të sigurimit janë paguar para për prokurorët dhe gjyqtarin e çështjes. Ata thonë se prokurorët janë dakord për konstatimin e shuarjes së masës. Ndërsa tregojnë se kanë folur edhe me sekretaren e gjyqtarit të çështjes, të cilit i referohen me emrin “Lazri”, duke supozuar se kjo dosje është bërë si bigo që e duan të gjithë si çështje. Në një moment avokati Radovan Çela ka biseduar edhe me Astrit Vladin, i cili i ka thënë që “Lazri” ka rënë dakord për zëvendësim mase dhe thjeshtë duhej të bëhej kërkesa nga prokurorja. Në bisedat mes tyre, Çela dhe Daupaj flasin për dy personazhe që u referohen me emrat “Ledina” dhe “Eli”.
Në një bisedë që Daupaj i tregon Çelës, duke i thënë se kishte folur me “Elin”, i tregon për pakënaqësinë që prokurorja e çështjes fillimusht ka dashur të caktojë masën “arrest në burg” për Alfred Vladin dhe Elvis Vladin, por “Eli” nuk e ka kontrolluar situatën.
Radovan Çela: Shih mos bën ankim ajo për masat se po pyeste gjyqtarin se kur do e nxirrte vendimin.
Eriona Daupaj: Për çfarë po e pyeste për të bërë ankim apo për të nxjerrë urdhër ekzekutimi?
Radovan Çela: Nuk e di.
Eriona Daupaj: E hoqa nga qarkullimi. Vetëm dje iku në seancë se ishte Erioni me masat e tërmetit. Çova porosinë tënde dhe i thashë ma hiq nga qarkullimi se nuk kam nerva të merrem. Më mjaftoi Doloreza dhe Enedi, një e tretë do ishte e tepërt. Më tha që nuk ka më punë.
Radovan Çela: Bëji gjerat më saktë tani thuaji, se e kemi marrë një karton të verdhe dhe po morëm dhe një tjetër bëhet i kuq.
Eriona Daupaj: I thashë mos më turpëro me njerëzit se ata nuk janë lojtarë Peqini, luajnë me galaktikët. Ledina në autobus, Erjoni po ashtu. Jo t’i mblidhte prokurorët e t’ju thoshte këtu jemi. Nuk ka më këtej e tutje. Të marrin të firmosin aktet dhe ta çojë Erjoni në gjyq. Nuk kam nerva i thashë të filozofoj me njeri. I mbylli Frani shtigjet e filozofisë.
Eriona Daupaj: Sa lekë mori Lazri?
Radovan Çela: S’e di, por i kanë edhe edhe një pesëshe tjetër.
Eriona Daupaj: 15 besoj në total. Bravo Lazri. E ka bërë me shifrën fillestare.
Radovan Çela: Dhe mori gjithë atë kosto.
Eriona Daupaj: Nuk e ka problem Lazri që tek pafajësia e Bashës. Janë mësuar gjyqtarët e Tiranës. Çudia më e madhe 3 ditë zgjat.
Siç rezulton nga bisedat, krijohet bindja se avokati Radovan Çela, në bashkëpunim më Astrit Vladin, i kanë ofruar 10 mijë euro Eriona Daupajt, që t’ua jepte dy prokurorëve të çështjes, me qëllim zëvendësimin e masave të sigurimit në seancën e datës 17 janar 2020. Po kështu, në biseda diskutohet se kjo shumë do të jepej nëpërmjet ish-kryeprokurores së Tiranës, Elizabeta Imeraj, që do të ndikonte te dy prokurorët e çështjes. Sipas komunikimeve të zhvilluara, në këtë ndërmjetësim është përfshirë edhe personi që ata i referohen me emrin “Kol”, i cili më tej identifikohet si Kol Hysenaj, por situata është sqaruar. Ndërsa Daupaj shpjegon, se i ka thënë Elizabeta Imerajt që të mos e përfshinte më në këtë situatë Kol Hysenajn. Sipas pohimeve që bën Daupaj, Elizabeta Imeraj dhe Aurel Zarka kanë biseduar bashkë për ndërhyrjen e tij dhe kanë rënë dakord që më tej të vazhdohej kështu, pasi sipas Daupajt, Zarka ishte shprehur se e njihte vetë të zotin e punës.
Megjithatë, edhe në këtë rast, SPAK vlerëson se shpjegimet e Radovan Çelës dhe Eriona Daupajt janë të mapjaftueshme për të krijuar dyshime për veprimet e Elizabeta Imerajt, në cilësinë e drejtueses së Prokurorisë së Tiranës, si dhe të dy prokurorëve të çështjes, por edhe të gjyqtarit Lazër Sallaku, në cilësinë e gjyqtarit të çështjes. Sipas Prokurorisë së Posaçme, nuk provohet që Çela dhe Daupaj të kenë qenë të pranishëm në momentin kur pretendohet se mund të jenë kryer bisedat apo veprimet që ata përmendin. Për këtë arsye, SPAK vlerëson se është e domosdoshme kryerja e veprimeve të tjera hetimore për të provuar vërtetësinë. Ndërsa në lidhje me kryeprokurorin e Vlorës, Aurel Zarka, krijohet dyshimi i arsyeshëm se ka bashkëpunuar për ushtrimin e ndikimit të paligjshëm.
Avokati Radovan Çela dhe magjistratja Eriona Daupaj, të nxitur nga Alfred Vladi kanë vijuar përpjekiet për të përfunduar sa më shpejt hetimet paraprake në ngarkim të tij dhe personave të tjerë, si dhe për të përfunduar procesin në Gjykatën e Tiranës brenda një kohe të shkurtër, por dhe në favor të tyre. Gjithçka është bërë përmes ushtrimit të ndikimit të paligjshëm dhe premtimit e ofrimit të përfitimeve të parregullta monetare. Qëllimi ka qenë favorizimi i të akuzuarve dhe përdorimi i vendimit gjyqësor në mënyrë që më pas të ndikohej edhe në ecurinë e procedimit pasuror që ndodhej në fazën e hetimit paraprak në Prokurorinë e Posaçme.
Gjatë bisedave që Çela dhe Daupaj kanë zhvilluar në Sky, edhe me personin me emrin “Reli” që është prokurori i Vlorës, Aurel Zarka, ky i fundit dyshohet se ka bashkëpunuar me Eriona Daupajn në ushtrimin e ndikimit të paligjshëm tek funksionarë të drejtësisë. Duke biseduar në lidhje me ecurinë e procedimit pasuror, që ishte vendosur sekuestrimi i shumave monetare, Daupaj dhe Çela, përmendin edhe një emër tjetër, “Ilirjana”.
Eriona Daupaj: Parapraku na duhet për paratë. Kishte biseduar me Ilirjanën dje.
Radovan Çela: Po ta bëjë parapraku vendimin që kalon për gjyq vetëm Visi dhe pushohet për të tjerët…
Eriona Daupaj: I kishte thënë që do bëjë parapraken, të vulosë akuzat dhe ta tërheqë pasurorin këtej.
Radovan Çela: Çfarë kishte thënë Ilirjana?
Eriona Daupaj: Po i ka thënë, do presim të marrë vendimi formë të prerë dhe të kalojë për kompetencë. Aty e kemi qarin se kjo është kot. Po xhirojmë pa top. Tani po punojmë veresie.
Radovan Çela: Marrim stresin e problemit pa asnjë vlerë.
Eriona Daupaj: Punojmë për të madhen.
Radovan Çela: I shërbejmë të madhes.
Eriona Daupaj: Po rrahim te finalja.
Radovan Çela: Të bëjmë gol te Champions Leage, jo në kampionatin shqiptar.
Eriona Daupaj: Nejse, masat ikën, ishte fitore.
Në një tjetër bisedë, Radovan Çela informon Astrit Vladin, që i tregon ato që ka mësuar nga Eriona Daupaj, duke i thënë se Elizabeta ka thirrur Erjonin dhe Erjonën dhe iu ka thënë se dosjen e donte të mbyllur për t’u dërguar në gjyq, për çështjen e mosdeklarimit në kufi dhe pushim për fshehjen e të ardhurave. Në këtë bisedë flitet edhe për një tjetër person, të cilit ata o referohen me emrin “Besa”. Ndërsa shprehen se “Erionit” do i japin një kafe, më pas edhe “Ledinës”. Më tej ata flasin edhe për shortin, për të cilin ata thonë se do flasë “Eli” për këtë çështje.
Nga ana tjetër Radovan Çela bisedon edhe me Eriona Daupajn për çështjen e shortit, ku thonë se tashmë duhet të mendojnë për “kafen” që u duhet dhënë atyre të Tiranës, pasi sipas Daupajt ata duan para që ta çojnë dosjen në gjyq. Ndërsa Çela thotë se atyre ua kanë dhënë, konkretisht “Erionit”. Ndërsa duhet diskutuar diçka edhe për “Elin”. Por siç del nga bisedat mes tyre, “Eli”, emër me të cilin ata i referohen Elizabeta Imerajt, ua ka lënë atyre në dorë për “kafen”. Madje ata flasin edhe për një shifër, që sipas tyre me gjithë shortin shkon 50 euro, shifër me të cilën i referohen vlerës 50 mijë euro. Kjo del edhe nga bisedat mes Radovan Çelës dhe Astrit Vladit, por shtohen edhe 10 të tjera, për çështjen e shortit, sepse sipas Çelës “Eli” i ka thënë se do u japin diçka edhe “Erionit” edhe “Ledinës”.
Eriona Daupaj: Mi sill me ndonjë njeri nesër. Futi në ndonjë dosje me letra punë dhe t’i çosh tek një zyrë përkthimesh te kulla përballë Parlamentit. Thuaji që kam një porosi për Elin dhe do vijë Eriona t’i marrë.
Radovan Çela: T’i çoj pastaj, apo nuk është e hapur?
Eriona Daupaj: Nuk janë aty, se edhe ti je më keq se unë, ke frikë mos të humbasin.
Radovan Çela: Po të ishin tonat hajde, por janë të botës.
Eriona Daupaj: Futi në një dosje pune, në zarfa. Maskoji mirë që të duken dokumente pune.
Radovan Çela: Po ta mbarojmë këtë një herë. Po sikur t’i jepnin këta, ç’a do bëjë gjyqtari, do i dënojë maksimumi 2 vjet.
Eriona Daupaj: Çunat janë boba. Kndravajtje mbetet, parashkruhet për 5 vjet.
Prokuroria, duke vlerësuar bisedat, në raport edhe me kronologjinë e ngjarjeve, për procedimin ndaj Alfred Vladit, ka krijuar dyshimin e arsyeshëm se Astrit Vladi dhe Radovan Çela, i kanë dhënë 50 mijë euro Eriona Daupajt, me qëllim që ajo t’ia jepte Elizabeta Imerajt, që ishte drejtuese e Prokurorisë së Tiranës. Kjo, me qëllim që të ndikohej te prokurorët e çështjes, që të përfundonin hetimit sa më shpejt dhe në favor të Alfred Vladit. Brenda kësaj shume është përfshirë edhe vlera prej 10 mijë eurosh, që Daupaj e ka kërkuar dhe e ka marrë për t’ia dhënë Elizabeta Imerajt, me qëllim që të ndikojë te punonjësit e Gjykats së Tiranës për shortin e çështjes, që t’ju caktohej 2 gjyqtarëve për të cilët kishin rënë dakord Astrit Vladi dhe Radovan Çela.
Sipas SPAK, Vladi dhe Çela i kanë dhënë Aurel Zarkës 10 mijë euro, me qëllim që këtë shumë t’ia jepjte Erjon Imerajt, në cilësinë e prokurorit të këtij procedimi penal. Gjatë bisedave të akuzuarit i pohojnë njëri-tjetrit se ishte Aurel Zarka që do të fliste me prokurorin Erjon Imeraj, me të cilin kishte rënë dakord për marrjen e parave. Po ashtu, del që Zarka ishte në dijeni të ushtrimit të ndikimit ndaj Elizabeta Imerajt, që ajo të ndikojë për shortin.
Sipas SPAK, bisedat mes personave nën hetim, për prokurorët Elizabeta Imeraj dhe Erjon Imeraj, për punonjësen e IT të Gjykatës, për gjyqtarin Artan Gjermeni, apo persona të tjerë të përmendur prej tyre, janë shpjegime që vijnë nga bashkëbiseduesit dhe nuk provohet se kanë qenë të pranishëm në momentin kur pretendohet se janë kryer veprimet që ata thonë në biseda. Prandaj është e rëndësishme që të kryhen veprime të tjera hetimore për të provuar vërtetësinë e tyre.
Në bisedat mes të akuzuarve, diskutohet edhe për kërkesat për ndihmë juridike të dërguara nga autoritetet belge të drejtësisë, në lidhje me procedimin penal ndaj Alfred Vladit. Veprimet për ekzekutimin e këtyre kërkesave juridike janë ndjekur nga të njëjtët prokurorë të ngarkuar edhe me hetimin penal. Po kështu, për ekzekutimin e veprimeve të kërkuara, ka marrë pjesë edhe Eriona Daupaj, si oficere e Policisë Gjyqësore.
Siç rezulton nga bisedat në SKY, Daupaj në vazhdimësi ka informua në mënyrë të kundraligjshme avokatin Çela për veprimet hetimore që janë kërkuar nga autoritetet belge, si përfaqësues ligjorë i kushërinjve Vladi e i Alban Mollaymerit, por duke qenë edhe vetë person për të cilin belgët kërkonin kryerje të veprimeve hetimore.
Më 8 maj të vitit 2020, datë që korrespondon me atë të dërgimit të kërkesës së SPAK në Gjykatën e Posaçme, me objekt vënien në ekzekutim të kërkesës për ndihmë juridike Daupaj dhe Çela komunikojnë në Sky.
Radovan Çela: Vetëm mos harro të takosh Elin për të dyja porositë, t’i heqim qafe.
Eriona Daupaj: Jo nuk harroj, po s’e mbylla dot sot, do ta takoj nesër, mos ki merak.
Radovan Çela: Kishte fol Sokoli me Ilirjanën, i kishte thënë ok ajo. Shyqyr që doli në fund një njeri.
Eriona Daupaj: E kam lexuar kodin me kujdes. Ministria dhe Gjykata janë garant për ligjshmërinë e veprimeve që kërkohet ekzekutimi.
Në ditët në vijim, pas një bisede që Radovan Çela kishte zhvilluar me Astrit Vladin, ai komunikon sërish me Eriona Daupajn për të njëjtën çështje.
Eriona Daupaj: T’i them Elit për Ilirjanën apo e ezaurove me Kolin?
Radovan Çela: Koli më tha ok, mendoje vetë.
Eriona Daupaj: Atëherë nuk po i them gjë farë.
Radovan Çela: Nuk e bën Ana, do i japi ok të më kontrollojnë. Ata i kanë thënë ta japë se është i rrezikshëm. Do na qepen ne.
Eriona Daupaj: Kush i ka thënë? S’është i vërtetë ky muhabet. Ata i kanë thënë do ta bllokonim ne po s’ka bazë ligjore refuzimi se nuk ka rol aktiv prokurori në ekzekutimin e letërporosisë.
Radovan Çela: Sokoli më tha. I ka thënë ajo, Doloresi.
Eriona Daupaj: Sot shkoi Enedi takoi Ilirjanën. Ajo i kishte thënë të njëjtat muhabete që i kishte thënë edhe Sokoli edhe Eli. I kishte thënë që nuk kishte shumë në dorë për të penguar ekzekutimin e letërporosisë. Maksimumi që mund të bënte ishte t’ju kërkonte belgëve provat mbi bazën e të cilave kanë regjistruar emrin tuaj si persona nën hetim. Por thjështë do ta spostonte ekzekutimin në kohë, jo se do ta pengonte.
Radovan Çela: Po t’ja kërkoje këtë, të shohim ç’a do sjellë ai…
Eriona Daupaj: Fola me anën vetë. Kërkova një mendje për të bllokuar letërporosinë. Ka më tha dhe do ta bëjmë. E kam pranuar në parim, por do t’i kërkonte belgëve provat mbi të cilat kanë regjistruar emrat tuaj. Pasi të vijnë provat do vlerësojnë nëse duhet ekzekutuar apo jo. Do ta bëj unë më tha në arsyetimin e vendimit, se e kam pranuar në tërësi por do vendos kusht që ata të sjellin provat, se vetë kontrolli për t’u ekzekutuar kërkon kushte, ndërsa tek mbrojtësi kërkon edhe më shumë garanci.
Sipas SPAK, nga këto biseda, rezulton se Eriona Daupaj, në cilësinë e oficeres së Policisë Gjyqësore është njohur për shkak të funksionit të saj me këto praktika dhe në kundërshtim me detyrën për ruajtjen e të dhënave të klasifikuara “sekret”, ka zbuluar të dhëna dhe informacione duke ia bërë të ditura Radovan Çelës, që ishte person mbi të cilin po kryheshin hetime.
Favoret për Suel Çelën
I konsideruar sot si drejtuesi i një prej organizatave kriminale në Elbasan, Suel Çelës në vitin 2020 nuk iu desh shumë që të kërkonte për hapësira në sistemin e drejtësisë që të shpëtonte pasurinë e tij.
Platforma Sky tregoi se Eriona Daupaj, i kërkonte vetë lidhjet me të, nëpërmjet avoktit Radovan Çela.
Eriona Daupaj: Kush ka miqësi me Suel Çelën?
Radovan Çela: Unë.
Eriona Daupaj: Kam OFL-në e tij.
Radovan Çela: Ç’a të duhet? I kam thënë Enedit unë për atë.
Eriona Daupaj: Enedi nuk është ndjerë.
Radovan Çela: E ka shok.
Eriona Daupaj: I ka ardhë OFL-ja e të atit. Dy makina i kemi sekuestruar. Ia kemi kthyer babin dy herë.
Radovan Çela. Dhe Enedi i shtyu.
Eriona Daupaj: E kanë sjellë përsëri për plotësim veprimesh.
Radovan Çela: Tani çfarë duhet të bëjmë që t’ia lirojmë?
Eriona Daupaj: Mua sot ma përmendi për herë të parë emrin tënd që e njeh Suelin.
Radovan Çela: Kush Enedi?
Eriona Daupaj: Po. E pyeta nëse i kishte thënë gjë njeri për Suel Çelën, që nëse nuk kemi gjë në vijë ta çojmë për sekuestro. Se Policia e ka kthyer dy herë. Më tha që i kishe thënë ti. Por me këtë avokatin, Sokol Hazizi, më tha që nuk kishte muhabet fare. I thashë të futem, nsë s’e ka futur njeri, se po i bëjmë nder kot.
Radovan Çela: Shihe mirë se e gjej unë mundësinë për gjithçka. Edhe Enedit i kam thënë bëjë dhe më thuaj.
Eriona Daupaj: Po më tha mua të futem. Janë pronat e të atij. Po ti i ke thënë vetëm për makinat. Ndoshta ai ka menduar se ke folur me mua.
Radovan Çela: Nuk e dija, pa do të thosha ty.
Eriona Daupaj: Çfarë të kesh me Enedin më thuaj mua. Se tek Edvini nuk ka shumë besim ai, ka frikë se i futet në pjesë.
Radovan Çela: Fol nëse dhe më thuaj, e bëjmë bashkë.
Eriona Daupaj: Të shoh materialin unë dhe flasim.
Radovan Çela: E zgjidhim bashkë dhe Sokoli nuk do marrë vesh gjë farë.
Eriona Daupaj: Iu kam lënë detyrë të bëjnë akt ekspertimi. Ashtu duhet, të mos dijë gjë njeri fare.
Sipas SPAK, nga bisedat e zhvilluara në Sky, duke i vlerësuar edhe në raport me aktet e procedimit pasuror ndaj Suel Çelës, krijohet dyshimi i arsyeshëm se Eriona Daupaj ka kërkuar përfitime të parregullta për të ndikuar në vendimmarrjen e prokurorit të çështjes. Nga ana tjetër, Radovan Çela ka pranuar se do të ndërmjetësojë në këtë rast në këmbim për marrjen e përfitimeve të parregullta monetare. Duke vlerësuar mënyrën e komunikimit mes tyre dhe sjelljen e tyre në raste të ngjashme, sipas SPAK flitet për 35 mijë euro, shumë kjo që është kërkuar për të ndikuar te prokurori i çështjes, për të mos vendosur masë sekuestro për pasuritë e Suel Çelës dhe familjarëve të tij. Mënyra e favorizimit do të ishte duke kthyer serish materialin në Drejtorinë e Policisë së Shtetit, me qëllim që kërkesa për sekuestrimin të nxirrej jashtë afatit të veprimit të aktit normativ.
Në bisedat që ata kanë zhvilluar me njëri-tjetrin përmendin prokurorin e çështjes Ened Nakuçi, që i referohen me emrin “Edi”, që sipas Radovan Çelës ka qenë bashkë me të në momentin që bien dakord për 35 mijë euro. Madje përmendin edhe faktin që kanë biseduar edhe me gjyqtaren e çështjes. Por sipas SPAK, këto biseda janë të përcjella në mënyrë të njëanshme dhe nuk konfirmohen me prova të tjera. Prandaj për vërtetësinë e tyre nevojiten veprime të mëtejshme hetimore.
Drejtësia e re përballë të vjetrës me të njëjtat probleme
Dosja “Zarka” mund të mos jetë më e bujshmja, por pa dyshim është ajo që sfidon integritetin e SPAK. Në komunikimet e Sky, të zbardhura në këtë dosje, indicie për shkelje të etikës më së paku dhe ligji më së shumti, rezultojnë edhe prokurorë e gjyqtarë të vetë Strukturës, por edhe të Prokurorisë dhe Gjykatës se Tiranës. Kryesisht, ata dalin në komunikimet për të sistemuar dosjen e famshme “Toyota Auris”, në formën më të butë të mundshme për të hetuarit. Përpjekjet që nisën në Prokurorinë e Posaçme, me letërporositë e autoriteteve belge dhe vijuan pas shpalljes së moskompetencës, në Prokurorinë e Tiranës.
Në këtë dosje, që lexuam, përmenden nga të pandehurit, si persona që i kanë ndihmuar dhe do t’i ndihmojnë, duke u konsideruar pjesë e grupit, disa prokurorë e gjyqtarë. Prokurori Ened Nakuçi, Doloreza Musabelliu dhe gjyqtarja e Posaçme, sot në Apel, Ilirjana Olldashi. Ata përfliten në këto komunikime nga Daupaj dhe Çela.
Në Prokurorinë dhe Gjykatë e Tiranës nga ana tjetër, Daupaj flet edhe për ata qe janë grupi i tyre, duke lënë të kuptohet që bashkëpunojnë. Elizabeta Imeraj, ish-kryeprokurorja e Tiranës, prokurori Erion Imeraj, gjyqtari që në bisedat mes tyre, të akuzuarit i referohen me emrin “Beso”, apo edhe Artan Gjermeni, përmenden gjithashtu siç i konsiderojnë ata, “pjesë e tyre”.
Nëse ata kanë shkelur ligjin apo jo, kjo i takon SPAK-ut, por fakt është që dosja e famshme “Toyota Auris”, që futi 3.4 milionë euro në Shqipëri, ka përfunduar me akuzën “mosdeklarim pasurie”.
Ndërsa refreni i vazhdueshëm në arsyetimin e SPAK, kur të akuzuarit përmendin emra gjyqtarësh e prokurorësh është: Këto biseda janë të përcjella në mënyrë të njëanshme dhe nuk konfirmohen me prova të tjera. Prandaj për vërtetësinë e tyre nevojiten veprime të mëtejshme hetimore.
Një veprim shtesë hetimor, minimalisht mund të ishte një sekuestrim telefoni, siç edhe ka ndodhur në rastet e tjera arrestimesh, qoftë në radhët e krimit të organizuar, qoftë në radhët e politikës. Ndoshta, ky veprim hetimor mund edhe të zbulonte diçka. Nuk e dimë ende nëse është bërë apo jo. Apo edhe nëse po kryhen ndërkohë hetime të mëtejshme siç pretendon SPAK. Fakt është vetëm që “Dosja Zarka”, tashmë prej datës 20 shkurt 2025 ka kaluar për gjykim. Se çfarë do të prodhojë ky proces mbetet për t’u parë. Megjithatë, e sigurt është që për të provuar pavarësinë e saj, Prokuroria e Posaçme, duhet ta kthejë hetimin edhe nga të vetët. Nga njerëzit e drejtësisë.
/Emisioni “Gjërat Tona”