Forcat RENEA i zbarkuan në banesën e tij në orët e para të mëngjesit të 18 Shkurtit, por ai nuk u gjend aty. Bëhet fjalë për Safet Bajrin, një prej krerëve të bandës së “Bajrave” në Dobraç të Shkodrës.
Burime bëjnë me dije se veç kontrollit të banesës, me urdhër të GJKKO-së ai do të shoqërohej edhe në Polici, ku do t’i merrej ADN-ja, pasi autoritetet kërkojnë që ta krahasojnë me një profil ADN-je që është zbuluar në një nga ngjarjet e rënda në Shkodër.
Por, teksa RENEA e kërkonte në Dobraç, Safet Bajri është shfaqur papritur mbrëmjen e djeshme në një lidhje “live” në emisionin “Top Story”, ku pas krahëve të tij kishte portretin e presidentit Recep Tayyip Erdoğan dhe flamurin turk. Ai deklaroi se vendosi të ndërhynte në emision, pasi pretendonte se gazetarët po hidhnin “baltë” ndaj tij, pa të drejtë.
Rrëfimin e tij, Safet Bajri e nisi me ngjarjen e regjistruar më 23 gusht të vitit 2024 në fshatin Rranxë të Vaut të Dejës, ku dyshohet se ka pasur shkëmbim zjarri mes Izmir Sakicës, Samuel Troshanit, Franko Lekajt dhe personave të tjerë të paidentifikuar dhe dy vëllezërve Andrea dhe Aleksandër Prendi.
Për ngjarjen në fjalë, GJKKO me urdhër të SPAK firmosi 4 masa sigurie “arrest në burg” përIzmir Sakicën, Samuel Troshanin, Franko Leka dhe Aleksandër Prendin. Masat u janë komunikuar vetëm Izmir Sakicës dhe Samuel Troshanit, të cilët ndodhen në burgun e Reçit, ndërsa Franko Leka dhe Aleksandër Prendi janë shpallur në kërkim.
Sipas SPAK, Sakica, Troshani, Leka dhe persona të tjerë të pa identifikuar ishin nisur drejt fshatit Rranxë të njësisë administrative Bushat në Vaun e Dejës me automjete të blinduara për të vrarë Aleksandër Prendin dhe familjarët e tij, por janë hasur në pritë nga ky i fundit dhe ka patur përplasje me armë zjarri.
Safet Bajri gjatë fjalës së tij në “Top Story” ka pranuar publikisht se automjetet e blinduara tip “Audi A8” dhe “Mercedes Benz”, të cilat u gjetën të braktisura dhe me të cilat udhëtonin Troshani, Sakica, Leka dhe të tjerët janë të tijat.
Por, Bajri e mohoi që ai të kishte qenë prezent në atë ngjarje, por shtoi se do donte shumë që të ishte, pasi sipas tij, nëse do të ishte ai aty nuk do të kishte ikur askush, por do të njoftonte Policinë.
Ai deklaroi se logjikisht nuk mund të mendosh se të akuzuarit e SPAK ishin nisur për të vrarë Aleksandër Prendin dhe familjarët e tij, duke qenë se ishin me 3 automjete të blinduara, që sipas tij, i njeh e gjithë Shkodra se kush i ka. Bajri dha edhe versionin e tij se pse mund të ketë ndodhur ngjarja.
Ndërkohë, Bajri konfirmoi edhe deklaratën e SPAK, se “Audi A8” i blinduar kishte targa të huaja, të cilat nuk i përkonin po të njëjtit mjet. Ai tha se doganën ia kishte paguar mjetit në fjalë, por ende nuk ia kishte bërë letrat për shkak të procedurave ligjore për mjetet e blinduara.
“Për ngjarjen e Bushatit, ata persona as nuk i njeh kërkush, as nuk i njoh unë, as nuk i njohin çunat. Nuk kanë patur problem kurrë me ata çuna. Janë tre makina, kanë shkuar në një zonë, ku është hapur zjarr. Si munden me shku tre makina, të cilat janë të njohura se të kujt janë, “Benzi” dhe “Audi” me targa franceze janë makinat e mia, se i kam përdorur unë për çdo ditë. Si mundet, me shku tre makina të blinduara, me përgatit kushte për një vrasje, kur janë tre makina që i njef e gjithë Shkodra se kush i ka.
Personat në fjalë, me të cilët nuk ka pas askush komunikim me ta, as pas ngjarjes, do të kenë problemet e veta. Makinat janë me xhama të zinj. “Audi” është me doganë të preme, pavarësisht se nuk ka qenë e mundur hala me ia ba letrat sepse ka disa procedura ligjore për një makinë të blinduar dhe ka pas një palë targa të mbivendosura që as nuk janë të vjedhura, janë targa të një makine tjetër që nuk e di se çfarë.
Pse kanë qëlluar ata, unë mendoj se ata e dinë arsyen, 100%, nga problemet e tyre personale. Makina “Audi” është prishur, kanë qenë t’u prit karrotrecin dhe karrotreci është shoqëruar në Polici. E kanë qëlluar makinën se ose kanë dyshuar se makina me xhama të zinj, me të panjohur dikush ka shkuar për ta. Diçka që më mire seç e dinë ata, nuk e di njeri. Unë jam i sigurt 1000% se ata persona nuk kanë patur asnjë gjë në drejtim as të atyre çunave dhe as në drejtim temin apo në drejtim të makinave, veç se kanë dyshuar për gjërat e veta se çfarë janë këto makina që kanë ndalur këtu.
Pra ju po e konfirmoni prezencën tuaj në Bushat? Jo jo nuk po e konfirmoj prezencën time. Por po ta them këtu live do të doja shumë të isha. Sepse, të isha unë aty, asnjë makinë nuk do e kisha lejuar të lëvizte prej vendit të ngjarjes. Do kisha thirr Policinë dhe do i kisha thënë hajdeni këtu. Makinat janë blinduara, pse duhet të lëvizësh t’i prej vendit të ngjarjes, kur kalon një motor edhe të qëllon dhe ai motori iku. Thirr Policinë, komisariati i Bushatit është afër dhe të vjen në sekondë. Sepse t’i kur je viktimë dhe lëviz nga vendi i ngjarjes nga frika, le hije dyshimi.” – -deklaroi Safet Bajri.

Safet Bajri deklaroi se nga personat që po udhëtonin me mjetet e blinduara, njeh vetëm Samuel Troshanin dhe Izmir Sakicën dhe se nuk ka dijeni për personat e tjerë, të paidentifikuar nga drejtësia.
“Nga ata që kanë qenë aty vetëm dy prej tyre njoh unë, Sakica dhe Troshani, sepse Samuel Troshani është rritur në lagjen time dhe kemi një marrëdhënie të shkëlqyer familjare, kurse Izmir Sakica është shok klase me Samuel Troshanin dhe ngaqë janë shokë klase, bashkë kanë ardhur shpesh herë dhe e njoh shumë mirë.” – tha ai.
Të dhëna policore tregojnë se “Audi A8” i blinduar është përdorur për një kohë edhe nga Eljo Hato, i shpallur në kërkim nga SPAK dhe një nga njerëzit më të afërt të Ervis Martinajt. Safet Bajri mohoi shoqërinë me Eljo Haton, teksa deklaroi se të vërtetën për të e di vetëm SPAK-u.
“Eljo Hatën nuk e njoh dhe nuk kam komunikim me të. Mund ta kem njohur vite më parë, mund të ketë 10-15 vite. Dhe na ka ndarë jeta, nuk kemi pasur shoqëri. E vetmja gjë që kam negociuar për dorëzimin e Izmir Sakiçës dhe Samuel Troshanit ka qenë mos t’ju shkojë dita si Eljo Hato. Eljo Haton herë e bëjnë të vdekur, herë të gjallë, herë thojnë vrau, herë vdiq, herë kështu, herë ashtu. Të vërtetën më mirë se e di SPAK, nuk e di askush”, ka thënë Bajri
Në lidhje me masakrën e Dobraçit, ku u ekzektuan Hamza Licin dhe Arlind Bushati, teksa humbën jetën dhe viktimat e pagajshme, çifti Flutura dhe Bashkim Basha, Safet Bajri ka mohuar konfliktet me fisin Lici. Ai deklaroi se Policia i ka shkuar për kontroll, ku i ka dorëzuar edhe USB-në me pamjet filmike se ku ndodhej në ato momente.
Ndërkohë, Safet Bajri e pranoi shoqërinë me Asmer Bilalin, por deklaroi se nuk i ndërhyn në problemet e tij.
“Kur vjen policia, i jap USB e kamerave, nuk kam lidhje me asgjë, dhe sulmohet Safeti. Për çfarë? Ka ardh RENEA te banesa ime… në lidhje me masakrën e Dobraçit unë ua kam dhënë kamerat. Unë me atë familje nuk kam pasur kurrë asnjë problem. Asnjëherë në jetë nuk kemi pasur probleme me familjen Lici. Njerëzit kanë shoqëri të ndryshme, kur ta votojë parlamenti dhe të më caktojnë mua se kë të kem shok atëherë unë nuk rri se po shkel ligjin. Konflikti me familjen Lici nuk ekziston, njerëzit mund të kenë inat pse unë kam shok x apo y… Unë Asmer Bilalin e kam shok dhe nuk e mohoj. Kurrë në jetë nuk i kam ndërhyrë në probleme dhe as nuk e lejoj të më ndërhyjë në problemet e mia.
E dyta, për Masakrën e Dobraçit, më vjen shumë keq, ajo gruaja që ka vdek është motra e një shoku që jemi rrit me ta. Më vjen keq edhe për Bushatin, e kam pasur mik para se të hyja në burg. Sinqerisht më vjen edhe për djalin e famijen Lici. Por djemtë e viktimave janë rritur, por Barjat nuk kanë lidhje me to. Uroj që të arrstohet dikush për maskarën e Dobroaçit.
Më është bërë 3 herë kontroll nga policia e shtetit. Herën e fundit më janë sekuestuar nja 17 mijë euro, u kanë bërë edhe fotot për procedurë. Por çdo gjë ka qenë korrekte.
Por duhet të shikohen gjërat drejtë. Më keni futur në panik të gjithë famijen. Media nuk po e respekton punën e famijes. Çfarë po bëni, SPAK-u nuk fal, lëreni të bëjnë punën. Media duhet të lërë policinë që të bëjë punën e vet, kështu nuk e respekton. As OFL as kurrkush, unë kam bërë 13 vite burg, kam bërë 4 vite kam dalë i pafajshëm, kam bërë dhe 2 vite dhe prapë pastaj ma pushuan çështjen, 6 vite tërë jetën.” – deklaroi Safet Bajri.
Safet Bajri u ankua edhe se persona të tjerë po vendosin gjoba në emër të tij, ku deklaroi: “E kam bërë kallëzimin, se njerëzit vënë gjoba në emrin tim. Njerëzit i bëjnë me qëllim, por nuk jam unë, prandaj u kam kërkuar tu drejtohen organeve ligjzbatuese.”
Përplasja në Rranxë/ SPAK: Sakica, Troshani e Leka me “Audi” të blinduar do të vrisnin Prendin