Ekonomia e romancës dixhitale është një koncept gjithnjë e më i rëndësishëm në botën moderne, duke përfshirë hapësirat online dhe aplikacionet për takime. Kjo ekonomi e re ka evoluuar me shpejtësi, duke u shndërruar në një industri me miliarda dollarë që prek shumë aspekte të jetës sociale dhe ekonomike të individëve. Si po funksionon në Shqipëri mblesëria e kohëve moderne? Vetëm në Tinder, përdoruesit shqiptarë numërohen në rreth 97 mijë…
Nëse mendoni se njohjet e reja bëhen ende nga mblesëritë e fisit apo nga gratë që mblidhen për kafe në shtëpitë e njëra-tjetrës, jeni totalisht jashtë mode! Sot, të rinjtë shqiptarë po i marrin gjërat vetë në dorë, duke bërë “mblesëri moderne” në Tinder dhe rrjete sociale.
Por, kjo formë mblesërie kushton!
Teknologjia ka ndryshuar rrënjësisht mënyrën se si njerëzit lidhen me njëri-tjetrin dhe ky ndikim është më i dukshëm te njerëzit që takohen për qëllime romantike. Para ardhjes së internetit dhe aplikacioneve të takimeve, njerëzit përballeshin me mundësi të kufizuara për t’u takuar.
Mjediset sociale tradicionale si puna, shkolla, miqtë e përbashkët, apo edhe ambientet publike si kafenetë dhe baret, ishin mënyrat kryesore për të krijuar marrëdhënie të reja.
Me zhvillimin e platformave online, si aplikacionet dhe faqet e takimeve (p.sh. Tinder, Bumble, OkCupid, etj.), individët kanë tashmë qasje në një bazë më të gjerë dhe më të diversifikuar të mundësive.
Ky fenomen ka zgjeruar ndjeshëm rrethin e njohjeve dhe ka transformuar mënyrën se si njerëzit shfaqin interes romantik. Aplikacionet e takimeve kanë bërë të mundur që individët të lidhen përtej kufijve gjeografikë, kulturorë dhe socialë, duke ofruar një liri të re në mënyrën e krijimit të marrëdhënieve.
Modeli i biznesit në ekonominë e romancës dixhitale është një ndërthurje midis përdorimit të të dhënave, teknologjisë së përparuar dhe strategjive të marketingut të synuar. Këto platforma kanë krijuar një ekosistem të gjerë që gjeneron të ardhura nga abonimet premium, reklamimi, përdorimi i të dhënave apo shërbime shtesë.
Ndërsa teknologjia vazhdon të përparojë, pritet që ky model të evoluojë më tej, duke krijuar edhe më shumë mundësi për rritje financiare dhe inovacion në botën e marrëdhënieve romantike dixhitale.
Bazuar në tendencat globale dhe përdorimin e teknologjisë në Shqipëri, disa nga aplikacionet më të njohura që shqiptarët përdorin për njohje dhe takime janë:
- Tinder – Më i popullarizuari globalisht dhe mjaft i përdorur edhe në Shqipëri. Është i preferuar për format e tij të thjeshta dhe përqindjen e lartë të të rinjve që e përdorin.
- Badoo – Shumë i njohur në rajon, veçanërisht për përdoruesit që kërkojnë opsione më sociale dhe më pak të fokusuara te takimet romantike.
- Facebook Dating – Një opsion që është bërë i disponueshëm në vitet e fundit. Përdoruesit në Shqipëri e shfrytëzojnë këtë për shkak të integrimit të tij të lehtë me Facebook-un, i cili është shumë i popullarizuar në vend.
- Dua.com – Një platformë shqiptare që po fiton popullaritet. E krijuar posaçërisht për të lidhur shqiptarët në mbarë botën, duke u fokusuar te lidhjet serioze dhe njohjet mes bashkatdhetarëve.
- Happn – Një aplikacion që thekson takimet me njerëzit që ke hasur gjatë përditshmërisë. Është më i përdorur në qytete të mëdha si Tirana.
- OkCupid – Përdoret kryesisht nga ata që preferojnë një qasje më të thelluar, duke marrë parasysh interesa dhe karakteristika personale për njohjet e reja.
Modeli i Biznesit
Ekonomia e romancës dixhitale është ndërtuar rreth një modeli biznesi që përfiton nga nevoja bazë e njerëzve për të krijuar lidhje të reja dhe për të gjetur partnerë romantikë.
Këto platforma zakonisht përdorin një model biznesi “freemium”, ku bazat e aplikacionit janë falas për përdorim, por përdoruesit mund të zgjedhin të paguajnë për funksione shtesë si më shumë pamje të profileve, mundësia për të biseduar me më shumë njerëz, ose shërbime për t’i bërë profilet e tyre më të dukshme.
Platforma të tilla si Tinder dhe Bumble kanë përmirësuar përvojën e përdoruesve duke ofruar shërbime premium që ndihmojnë përdoruesit të dallohen nga të tjerët, si mundësia për t’u kthyer pas në një profil që mund të jetë lënë pa vëmendje apo për të parë kush ka treguar interes për ta.
Ky model ka rezultuar i suksesshëm financiarisht, duke krijuar një industri që arrin miliarda dollarë në të ardhura çdo vit.
Sipas të dhënave të hulumtuara, ka disa forma shërbimesh Premium me pagesë, edhe për përdoruesit shqiptarë dhe këto janë: Tinder Plus, i cili kushton 24.99 dollarë për një muaj ose 16.66 dollarë në muaj për një abonim gjashtëmujor.
Tinder Gold kushton 39.99 dollarë për një muaj, ose 23.33 dollarë në muaj për një abonim gjashtëmujor.
Së fundmi, Tinder Platinum kushton 49.99 dollarë për një muaj ose 29.99 dollarë në muaj për një abonim gjashtëmujor. Gjithashtu, ekziston një nivel premium, Tinder Select, që kushton 499 dollarë në muaj dhe është i disponueshëm vetëm me ftesë.
Ndërsa çmimet Premium të aplikacionit shqiptar Dua.com fillojnë nga 19 dollarë për paketën njëmujore, por ndryshojnë në varësi të kohëzgjatjes së paketës dhe moshës së përdoruesit.
Aplikacionet e takimeve mbështeten gjithashtu në algoritme që ndihmojnë përdoruesit të gjejnë përputhjet e mundshme, duke analizuar të dhëna të tilla si preferencat, vendndodhjen dhe sjelljet online.
Përdoruesit
Të dhënat e fundit të Start.io tregojnë një profil të qartë të përdoruesve të Tinder në Shqipëri, ku specifikohet se numri total i tyre ka arritur 96 739.
Aplikacioni mbetet kryesisht një platformë për të rinjtë dhe dominohet nga përdorues meshkuj. Pjesa më e madhe e përdoruesve të Tinder i përkasin grupmoshës 25-34 vjeç, duke përbërë 43.4% të totalit. Pas tyre vijnë të rinjtë nga 18-24 vjeç, që zënë 35.3%.
Grupmoshat më të mëdha janë më pak aktive: 35-44 vjeç përfaqësojnë vetëm 12.6%, ndërsa ata mbi 45 vjeç dhe më shumë kanë një përqindje minimale (5.2% për 45-54 vjeç dhe 3.5% për ata mbi 55 vjeç).
Përdoruesit meshkuj dominojnë platformën, duke përbërë 84.1% të përdoruesve totalë, ndërsa femrat përfaqësojnë vetëm 15.9%. Kjo ndarje e theksuar gjinore tregon një pabarazi të madhe në interesin ose përfshirjen e femrave në aplikacionet e takimeve online.
Për operatorët dhe zhvilluesit e aplikacioneve, këto statistika ngrenë pyetje për mënyrën se si mund të balancohet përdorimi i platformës mes gjinive dhe si të tërhiqen grupmosha më të mëdha.
Sipas të dhënave të ofruara nga drejtuesit e aplikacionit shqiptar dua.com, përdoruesit shqiptarë të territorit të Shqipërisë kanë arritur 252,909 profile, të cilat janë aktive.
Aspekti ekonomik i përdorimit
Të dhënat mbi përdorimin e aplikacioneve të takimeve, si ndarja sipas moshës dhe gjinisë, japin disa sinjale të rëndësishme si në aspektin ekonomik, ashtu edhe në atë shoqëror. Të dhënat tregojnë se po krijohet një treg i ri dhe në rritje për teknologjinë.
Popullariteti i aplikacioneve të takimeve tregon rritjen e interesit të shqiptarëve për shërbime dixhitale dhe abonime online, duke krijuar një treg të ri për zhvilluesit e aplikacioneve dhe platformat dixhitale.
Nga ana tjetër, shihet më tej, mundësia për bizneset lokale. Platforma si Tinder ose Dua.com krijojnë mundësi për zhvillimin e shërbimeve mbështetëse, si agjenci marketingu, këshillim marrëdhëniesh, apo shërbime premium të lokalizuara.
Përdorimi i abonimeve premium nga ana tjetër, tregon gatishmërinë e shqiptarëve për të shpenzuar për shërbime që përmirësojnë përvojat personale. Ky është një tregues i fuqizimit të ekonomisë dixhitale në vend dhe mund të ketë pasoja si: rritja e të ardhurave nga abonimet dixhitale, duke i bërë aplikacionet më të qëndrueshme financiarisht; gjithashtu ka ndikim në zakonet e shpenzimeve: përdoruesit do të mësohen të paguajnë për shërbime dhe përvoja dixhitale, duke zgjeruar ekonominë e konsumit online.
Rritja e njohjeve online dhe takimeve dixhitale mund të sjellë ndikim ekonomik edhe jashtë aplikacioneve. Për shembull, industritë e turizmit dhe mikpritjes do të përfitojnë nga takimet që shpesh ndodhin në kafene, restorante apo vende turistike. Kjo mund të nxisë më tej konsumin në këta sektorë.
Nga ana tjetër, do të nxitet edhe sektori i shitjeve me pakicë. Çiftet e reja që krijohen nga njohjet dixhitale mund të nxisin blerjet e dhuratave, shërbime për festa apo udhëtime romantike. Ekspertë të ndryshëm botërore sugjerojnë se, ekonomia e romancës dixhitale mund të krijojë mundësi për këshilltarë dhe mentorë në marrëdhënie, duke krijuar profesione të reja.
Ndikimi social
Ndikimi i këtyre aplikacioneve të takimeve shkon përtej thjesht mundësimit të njohjeve të reja; ato kanë ndryshuar mënyrën se si njerëzit i përjetojnë marrëdhëniet dhe dashurinë në përgjithësi.
Në disa raste, këto platforma kanë ndihmuar në thyerjen e barrierave sociale dhe kulturore, duke i lejuar njerëzit të lidhin marrëdhënie me individë që mund të mos i kishin takuar në rrethana tradicionale.
Nga ana tjetër, ekzistojnë edhe shqetësime mbi mënyrën se si aplikacionet e takimeve ndikojnë në marrëdhëniet njerëzore. Kritikat e shumta argumentojnë se shumë prej këtyre platformave promovojnë një qasje sipërfaqësore ndaj marrëdhënieve, duke theksuar vlerësimet fizike dhe pamjen e jashtme mbi cilësitë e brendshme të individëve.
Kultura e “swipe” (rrëshqitjes për të kaluar te personi tjetër) shpesh perceptohet si një mënyrë për të zvogëluar marrëdhëniet në një lloj shpejtësie, duke e larguar fokusin nga ndërtimi i lidhjeve të thella dhe afatgjata.
“Ndërsa aplikacionet e takimeve kanë mundësuar njohje dhe lidhje më të shpejta, ato gjithashtu krijojnë mundësi për gjëra sipërfaqësore dhe nxisin ndjenja të pavlera për lidhjet e vërteta. Kultura e ‘swipe’, që bazohet në një vendim të shpejtë përmes vlerësimit të pamjes fizike, shpesh pengon njohjen e thellë të individëve dhe krijimin e marrëdhënieve të qëndrueshme.
Nga pikëpamja psikologjike, kjo mund të krijojë një ndjenjë pasigurie dhe të rrisë pritshmëritë e pasakta për marrëdhëniet, duke i bërë individët të ndihen të pasigurt për identitetin e tyre dhe vlerën që kanë përtej dukjes fizike.
Për më tepër, kjo lloj shpejtësie dhe shtypje mund të kontribuojë në ndjesi të ndarjes apo izolimit, duke e bërë më të vështirë zhvillimin e lidhjeve autentike që mbështeten te besimi dhe komunikimi i thellë”, – thotë psikologe Valentina Telhaj.
Sfidat
Pavarësisht lehtësive që ofrojnë aplikacionet dhe platformat online për takime, ekzistojnë edhe sfida dhe rreziqe të konsiderueshme. Siguria dhe privatësia janë dy nga shqetësimet kryesore për përdoruesit e këtyre platformave.
Shpeshherë, individët mund të ekspozohen ndaj mashtrimeve, abuzimit, ose madje rreziqeve fizike nëse nuk janë të kujdesshëm në ndërveprimet e tyre online. Për shembull, mashtrimet online (catfishing) ku dikush shtiret si dikush tjetër janë një problem i zakonshëm në këto platforma.
“Një nga rreziqet kryesore që lidhen me aplikacionet e takimeve është menaxhimi i të dhënave personale dhe mbrojtja e privatësisë. Ndërsa këto platforma ofrojnë mundësi për lidhje të shpejta dhe efikase, ato shpesh nuk mund të sigurojnë nivelet e kërkuara të sigurisë për të mbrojtur përdoruesit nga sulme kibernetike, vjedhje identiteti dhe mashtrime.
Një tjetër shqetësim është që shumë aplikacione nuk përdorin mekanizma të mjaftueshëm për verifikimin e përdoruesve, çka mund të lejojë individë të keqinterpretuar ose të manipuluar që krijojnë profile të rreme.
Për të adresuar këto rreziqe, është e rëndësishme që platformat të investojnë më shumë në algoritme të avancuara për mbrojtjen e të dhënave, si dhe të ofrojnë mundësi për verifikimin e përdoruesve në mënyrë që të minimizohen rastet e mashtrimeve dhe të rritet siguria online”, – thotë Said Duleviç, ekspert IT.
Gjithashtu, aplikacionet e takimeve kanë ndikuar në shfaqjen e disa fenomeneve të reja psikologjike, siç është “overload-i i zgjedhjeve”, ku individët ndihen të mbingarkuar nga numri i madh i mundësive që ofrojnë këto platforma, duke bërë që shumë njerëz të kenë vështirësi për të bërë zgjedhje të qëndrueshme në marrëdhënie.
Fenomeni shpesh çon në një qasje më të përkohshme dhe të pavendosur ndaj marrëdhënieve, duke penguar formimin e lidhjeve të forta dhe të qëndrueshme.
E ardhmja e romancës dixhitale
Me teknologjinë që vazhdon të përparojë, ekonomia e romancës dixhitale pritet të rritet dhe të diversifikohet edhe më tej. Teknologjitë e reja si Inteligjenca Artificiale dhe Realiteti i Shtuar (AR) kanë potencial për të ndryshuar mënyrën se si njerëzit lidhen dhe përjetojnë marrëdhëniet.
Për shembull, Realiteti i Shtuar mund të krijojë mundësi për takime virtuale më të gjalla dhe më të thella, duke bërë të mundur që njerëzit të krijojnë lidhje të reja nëpërmjet avatarëve ose mjediseve virtuale.
Evolucioni i mëtejshëm i algoritmeve të takimeve mund të përmirësojë përputhshmërinë midis individëve, duke bërë që aplikacionet të bëhen më të sakta në ndihmën që ofrojnë për gjetjen e partnerëve të përshtatshëm.
Kjo mund të zvogëlojë disa nga sfidat aktuale që lidhen me mbingarkimin e zgjedhjeve dhe mungesën e vendimeve të qëndrueshme në marrëdhënie.
Ndërsa teknologjia evoluon, po ashtu do të zhvillohet edhe ekonomia e aplikacioneve të takimeve. Ne mund të presim mblesëri më të sofistikuar të AI, integrim me platforma të tjera të mediave sociale dhe madje edhe data të realitetit virtual.
“Pyetja mbetet: a do të na ndihmojnë vërtet këto përparime të gjejmë dashurinë, apo thjesht të krijojmë një terren lojërash më fitimprurëse për algoritmet dhe investitorët? Dashuria mund të jetë një mister, por ekonomia e aplikacioneve të takimeve është jashtëzakonisht komplekse.
Ndërsa lundrojmë në këtë peizazh dixhital, është e rëndësishme të jemi të vetëdijshëm për algoritmet dhe stimujt në lojë dhe të kujtojmë se lidhja e vërtetë shpesh shkon përtej kufijve të një ekrani të rrëshqitshëm”- thotë z. Duleviç.
Tendenca
“Në epokën e romancës dixhitale, aplikacionet e takimeve janë bërë mblesëri për miliona njerëz. Tregu global i aplikacioneve për takime në internet arriti në 4.94 miliardë dollarë në vitin 2023 dhe pritet vetëm të rritet.”
Reklamimi i Drejtuar
Një burim tjetër i rëndësishëm të ardhurash për këto platforma është reklamimi i drejtuar. Me miliarda përdorues aktivë në mbarë botën, aplikacionet e takimeve kanë një bazë të gjerë dhe të vlefshme përdoruesish për reklamuesit.
Platforma si Tinder dhe Bumble përdorin të dhënat e përdoruesve për të ofruar reklama të personalizuara, të cilat lidhen me interesat dhe sjelljet e përdoruesve.
Reklamat në këto platforma janë shpesh në formën e kartelave të sponsorizuara që shfaqen mes profileve të përdoruesve ose mesazhe të sponsorizuara që shfaqen në kutitë e bisedave.
Për shkak se këto aplikacione mbledhin të dhëna të detajuara mbi sjelljen, vendndodhjen, moshën dhe preferencat e përdoruesve, ato janë jashtëzakonisht tërheqëse për reklamuesit që kërkojnë të synojnë një grup të caktuar demografik. Reklamimi i drejtuar në këto platforma mund të përfshijë gjithçka, nga produktet dhe shërbimet që lidhen me stilin e jetesës, deri te përvojat apo eventet që synojnë audiencën e këtyre aplikacioneve.
Shërbime Shtesë
Disa platforma të takimeve kanë zgjeruar shërbimet e tyre, duke organizuar evente fizike ose evente virtuale për përdoruesit e tyre.
Për shembull, Bumble dhe platforma të tjera kanë filluar të organizojnë ngjarje ku përdoruesit mund të takohen personalisht, duke ofruar një mundësi për të kaluar nga lidhjet virtuale në ato reale.
Këto evente janë shpesh me pagesë ose sponsorizohen nga kompani të ndryshme, duke shtuar një tjetër burim të ardhurash për platformën.
Po ashtu, disa aplikacione kanë filluar të ofrojnë shërbime konsulence për marrëdhëniet, ku përdoruesit mund të paguajnë për këshilla nga ekspertë të marrëdhënieve ose psikologë. Këto shërbime të personalizuara synojnë të përforcojnë besimin e përdoruesve në gjetjen e partnerit të duhur dhe në ndërtimin e marrëdhënieve të shëndetshme.
Labirinti i modelit të fitimit të parave:
Shumica e aplikacioneve të takimeve përdorin një model freemium, duke ofruar veçori bazë si krijimi i profilit dhe shikimi i profileve që përputhen.
Leverdia qëndron në abonimet premium. Match Group, pronar i Tinder dhe Hinge, pa 3.1 miliardë dollarë të ardhura në vitin 2023, me abonimet që përbënin 62%. Tinder mund të jetë mbreti në fuqi i të ardhurave, por Badoo merr kurorën për shkarkime, me mbi 400 milionë përdorues të regjistruar në mbarë botën.
Algoritmi i tërheqjes
Aplikacionet e takimeve përdorin algoritme të fuqishme që kurojnë matching tuaja të mundshme, shpesh duke përdorur faktorë si demografia, interesat dhe – po, e keni marrë me mend – tërheqjen.
Kjo mblesëri e drejtuar nga të dhënat, ndonëse e përshtatshme, ngre shqetësime për vazhdimësinë e paragjykimeve dhe krijimin e dhomave të jehonës të profileve të ngjashme.
Loja e pabarazisë:
Ekonomia e aplikacioneve për takime mund të jetë një thikë me dy tehe. Ndërsa veçoritë premium ofrojnë avantazhe, ato gjithashtu mund të përkeqësojnë pabarazitë ekzistuese.
Meshkujt, mesatarisht, priren të paguajnë më shumë për abonimet premium dhe disa studime sugjerojnë se algoritmet favorizojnë përdoruesit tërheqës, të rinj, që mund të “dëmtojnë” të tjerët.
Një studim nga Qendra Kërkimore Pew zbuloi se 72% e miqve në internet ndiejnë presion për të përmirësuar në veçoritë premium, duke ngritur shqetësime për aksesin e pabarabartë dhe presionin financiar.
Në Shqipëri ka 343 mijë beqarë nga mosha 25-59 vjeç
Tranzicioni demografik dhe ndryshimi i stilit të jetesës e ka transformuar familjen shqiptare si në strukturë, edhe në model jete.
Gjithnjë e më shumë njerëz në moshë produktive 25-59 vjeç janë me status beqar, por më së shumti dominojnë meshkujt, sipas të dhënave nga Cens 2023.
Nga grupmosha 25-59 vjeç, në të gjithë vendin numërohen 213,232 meshkuj beqarë.
Ata përbëjnë 40% të meshkujve në këtë grupmoshë.
Numri i femrave beqare në grupmoshën në shqyrtim është më i ulët, në mbi 129 mijë. Femrat beqare zënë 23% të grupmoshës 25-59 të popullsisë së gjinisë femërore.
Siç tregon grafiku i mëposhtëm, numri më i madh i meshkujve beqarë është në grupmoshën 25-29 vjeç, me rreth 67 mijë të tillë, që përbëjnë 31% të beqarëve gjithsej.
Në grupmoshën 30-34 vjeç ka mbi 59 mijë meshkuj beqarë ose 27% e totalit të beqarëve meshkuj.
Në grupmoshën 35-39 vjeç ka 41 mijë meshkuj beqarë dhe në grupmoshën 40-44 vjeç ka 22,6 mijë beqarë. Numri i beqarëve vjen e ulet me moshën. Në grupin 50-54 vjeç ka mbi 6800 meshkuj beqarë.
Në popullatën femra ka më pak beqare se sa meshkuj. Numri më i madh i femrave beqare është në grupmoshën 25-29 vjeç, ku numërohen rreth 59 mijë femra të pamartuara. Në grupin 30-34 vjeç në të gjithë vendin janë 26,6 mijë femra beqare dhe gjithashtu rreth 26 mijë të tilla janë nga mosha 35-39 vjeç. Në moshën 50-54 vjeç janë 1166 femra beqare.
Siç shihet nga të dhënat ka diferenca të mëdha në numër ndërmjet femrave dhe meshkujve në të njëjtën grupmoshë.
Për shembull nga mosha 30-34 vjeç ka 45% meshkuj beqarë më shumë se femra beqare. Nga mosha 35-39 vjeç ka 62% meshkuj beqarë më shumë se femra me këtë status.
Në grupmoshën 40-44 vjeç ka 61% më shumë meshkuj beqarë se femra.
Tranzicioni demografik që ka vijuar në tre dekadat e fundit, ka krijuar emigracion të lartë të lëvizjeve të brendshme dhe rënie të lindjeve. Kjo ka bërë që të ketë zhvendosje të vendbanimeve dhe qasje të ndryshme për jetën midis femrave dhe meshkujve.
Gjithnjë e më shumë meshkujt i drejtohen emigracionit dhe nuk zgjedhin arsimin dhe zanatet, ndërkohë femrat preferojnë të shkollohen.
Rritja e disbalancave në arsim i pengon shumë meshkuj të gjejnë partneren e jetës dhe kjo vjen edhe për femrat beqare të cilat synojnë gjithnjë e më shumë të rriten në karrierë, duke vënë mos vënë në plan të parë krijimin e familjes./MONITOR