Emisioni “Në Shënjestër” në News24 ka sjellë detaje të reja dhe dëshmi nga ajo që është cilësuar si “lufta e trageteve” në qytetin e Sarandës.
Një tragjedi e pabesueshme ka ndodhur në qytetin bregdetar vitin e kaluar, ku një përpjekje për shpërthim në një traget ka çuar në humbjen e jetëve dhe ka zbuluar një rivalitet të ashpër mes ish-partnerëve të biznesit në industrinë detare.
Pjesë nga dokumentari:
Nëse ai shpërthim eksplozivi atë mbrëmje në det do të konsumohej i plotë, në një skenar të denjë vetëm për Netflix, e vërteta është se sot nuk do të flisnim thjesht për dështimin e një plani ogurzi, me personazh qëndror një zhytës të pafat, por për një tragjedi të përmasave të tilla në jetë njerëzore, të padëgjuar më parë. Kjo në fakt që do t’ju tregojmë më poshtë është vetë historia e një lufte të gjatë dhe gati mizore, në dukje të heshtur, të një qyteti bregdetar vetëm 265 km larg Tiranës. Atij të Sarandës, ku tashmë në sipërfaqen ujore që lag këtë qytet, ka një luftë të shpallur, e cila njihet edhe si ‘beteja e trageteve’.
Një histori e pabesueshme, prishjesh të pazareve, intrigash, dhune dhe kërcënimesh, deri edhe sabotime, që një mbrëmje qershori të 2024 kulmuan me një shpërthim të fuqishëm në det. Një shpërthim që në pamje të parë ngjante të ishte një incident fatkeq, një zhytje e shkuar jo në mënyrën e duhur, por që në fakt nuk ishte aspak kështu. Pasi zbulimi i plotë i rrethanave të këtij incidenti të shkuar keq në det, me humbjen fatale të jetës së një zhytësi, në pamje të parë i shfaqur si i tillë, në të vërtetë do të zbulonte një skenar ogurzi. Atë, të hedhjes në erë për shkak të konkurencës, me anë të shpërthimit me lëndë eksplozive, të një trageti. Një mëri e vjetër, midis ish-ortakësh, që pas prishjes së marrëdhënieve të tyre në biznesin e trageteve, ishin kthyer në armiq të njëri-tjetrit. Aq sa të mendonin edhe më të pamendueshmen, të dëmtonin me anë të shpërthimit me tritol tragetet e shoqi-shoqit.
Ashtu siç në të vërtetë ndodhi mbrëmjen e 24 Qershorit 2024, ku një palombar i ngarkuar me lëndë eksplozive, u nis drejt njërit prej këtyre trageteve, por që për fatin e tij edhe të keq, nuk mundi ta çojë dot deri në fund këtë operacion. Duke e paguar me jetë këtë mision gati mizor. Kjo, pasi një mesazh mirëseardhje i mbërritur në momentin jo të duhur në aparatin celular me të cilin ai kishte lidhur minën e telekomanduar, ndërsa ai po notonte drejt objektivit të tij, bëri që lënda eksplozive të shpërthente para se pakoja me minën e telekomanduar të vendosej në njërin prej trageteve të linjës Sarandë-Korfuz.
‘Lufta e Trageteve’
Por kush ishin këta ortakë që fillimisht u kthyen në ish-ortakë dhe më pas në rivalët më të egër në biznesin e trageteve në Sarandë? Që tanimë nuk po kursenin as metodat më asgjësuese për të mbajtur fort dhe me çdo kusht pushtetin e tyre të lundrimit në hapësirën ujore të portit të Sarandës. Një marrëdhënie e cila pasi u thye, i la vend urrejtjes, dhe një armiqësie që një ditë kulmoi deri në këtë konkurrencë të egër. Kush ishte sabotatori i kamufluar si zhytës, që atë natë humbi jetën rrugës për në tragetin në pronësi të vëllezërve Qirjako?
Pse këta të fundit akuzojnë ish-ortakun e tyre grek Petro Papikinos si porositësin e vendosjes së tritolit në një nga anijet e tyre që atë natë ishte ankoruar në një nga kalatat e Portit të Sarandës? Cila është lidhja e Petro Papikinos me Erdion Muhon, një nga personat e ndaluar lidhur mbi këtë ngjarje të rëndë? Dhe bashkëpunimi i këtij të fundit me atentatorin e maskuar si zhytës. Plan që nëse do të përfundonte me sukses, me siguri pse jo mund të kishte shkaktuar një tragjedi të vërtetë në det, në jetë njerëzore.
Por fillimisht le të ndalemi çfarë ndodhi në det të hapur, atë orë të vonë të datës 24 Qershor, jo shumë larg njërës prej kalatave të Portit të Sarandës? Çfarë ishte ai shpërthim që tronditi qetësinë e qytetit, flakët e të cilit u panë edhe nga dritaret e pallateve përballë portit? Kush ishte ky zhytës, i cili i kishte marrë përsipër të kryente hedhjen në erë të njërit prej trageteve që operonin në linjën Sarandë-Korfuz?
Dhe cila ishte lidhja e tij me një nga pronarët e trageteve që kryenin këtë linjë. Konkurencë që në fakt kishte sjellë edhe më herët kaq shumë përplasje në këtë biznes midis operatorëve. Sipas dinamikës së ndërtuar nga grupi hetues, gjithçka duket se nis me prishjen e një ortakërie midis një biznesmeni shqiptar dhe grek. Në këtë rast familjes Qirjako në një anë dhe Petro Papikinos në krahun tjetër. Të cilët së bashku për shumë vite kishin pasur në zotërim një kompani detare të quajtur ‘Finikas ShPK’. Kompani që vazhdon të operojë edhe sot në linjën Sarandë-Korfuz. Por që me prishjen e ortakërisë midis tyre, gjatë vitit 2019, biznesmenët shqiptarë të kësaj kompanie pretendojnë se këtu nisi edhe sulmi fizik i palës greke mbi ta. Sulm që sipas tyre kulmoi me atentatin e dështuar me eksploziv ndaj njërës prej anijeve të tyre, të quajtur ‘Kristi’. Andrea Qirjako, i cili thotë për emisionin ‘Në Shënjestër’, se ai edhe vëllezërit e tij, kishin 30 vite që administronin kompaninë ‘Finikas shpk’, që kryen linjën detare Sarandë-Korfuz.
Licencat për lundrim detar të cilat ata i marrin nga Ministria Shqiptare e Transporteve dhe ajo e Transporteve në Greqi. Por edhe pse ndarja u duk miqësore, pas 11 vitesh të gjata bashkëpunimi, në fakt nuk rezultoi kështu. Pasi sipas Andrea Qirjakos, Petro Papikinos, nisi agresionin ndaj trageteve në pronësi të familjes së tij. “Me Petro Papikinosin, kemi pasur një marrëdhënie pune, dikur prej 10 vitesh. Të dyja kompanitë shkonin shumë mirë me njëra-tjetrën, deri në momentin që në mes u fut gruaja e tij. Dhe kështu filluan konfliktet me njëri-tjetrin derisa sa u ndamë,” tha Andrea Qirjako.
Por ndërsa thotë se gjithsecili duket se shkoi në punë të tij, në fakt biznesmeni Qirjako lë të kuptohet se ajo që pasoi nuk të linte shijen e një ndarje miqësore. Pasi menjëherë sapo ai shkëputi marrëdhënien me ortakun e tij grek, ndaj biznesit të tij të lundrimit tashmë filloi një sulm deri edhe piroman. Por edhe fizik ndaj personit të tij. Ku ai akuzon si orkestrues të të gjithë kësaj dhune ndaj tij dhe bizneseve në administrim, ish-ortakun grek Petro Papikinos si edhe bashkëortakun shqiptar të tij, Erdion Muho. Ky i fundit, i cili është edhe një nga personat e ndaluar dhe në gjykim mbi ngjarjen e ndodhur më 24 Qershor 2024, në portin e Sarandës.
Ku drejtësia e akuzon atë si orkestruesin e skenarit për vendosjen e eksplozivit në njërin prej trageteve në pronësi të biznesmenëve Qirjako. “Që në atë periudhë kompania greke, filloi me rënien e saj, kurse ne u ngritëm dhe filluam të bëjmë tragete të rinj. Ajo që ndodhi pastaj ishte që ndodhi dhe shpërthimi i asaj nate. Si vëllazëri, ne po punonim dhe po përmirësoheshim, kurse ata kaluan në sulm, sidomos Petro Papikinos, i cili lëshoi dhe një kallëp të padijshëm si Erdion Muhon, i cili ka qenë pronar dhe ortak i tij më herët. Kjo e fundit i dha urdhërin për të vepruar.
Pasi njihej me pozitat e veta dhe kishte pasur njohuri për të gjithë dinamikën dhe natyrën e punës tonë.” Sipas tij, duket se atë natë ndodhi një shpërthim fatkeq që ngjau dhe ashtu siç e përmenda më sipër, jo për të arritur ndonjë objektiv të caktuar, por që ishte thjesht një incident fatkeq. Pas dy javësh hetime intensive dhe pas analizimit të skenës së ngjarjes nga policia e shtetit, rezultoi se ky incident nuk kishte ndodhur rastësisht dhe se faji i plotë ra mbi personin e ndaluar.
‘Ngjarja e 24 Qershorit’ Dëshmitarët e parë që panë zjarret e shpërthimit, kishin njoftuar menjëherë policinë. Pasi flakët e mëdha, të krijuara nga shpërthimi, i thithnin të gjithë ata të pranishëm atë mbrëmje. Dëshmitarë e para, ishin edhe pronarët e trageteve që kur ishin duke pritur për të nisur linjën e tyre Sarandë-Korfuz. Por që pas ngjarjes e përshkruan atë si një incident, një shpërthim të jashtëzakonshëm, ku rreth 1.5 ton eksploziv, u vendosën në tragetin që për fatin e tij, arriti ta ndalte këtë skenar tragjik. “Kjo ngjarje është një skandal që dëmton jo vetëm ata që operojnë në atë linjë, por në tërësi edhe ekonominë e Sarandës dhe besimin e turistëve. Sepse ky ishte një incident që ndodhi në fakt, dhe ka sjellë përplasje dhe dhunë të pashembullt,” tha Andrea Qirjako, i cili thotë se ngjarjet e tilla kanë bërë që ata të ndjejnë frikë në çdo udhëtim të tyre të ardhshëm.
Pas këtij incidenti, ka pasur ndalime të ndryshme, ku personat e dyshuar kanë përfunduar në pranga, të cilët po akuzohen për veprime të tilla. Por cila është lidhja e tyre me çështjen, do të tregohet nga hetimet në vijim. Ndërsa gjatë kësaj kohe, ka një angazhim të lartë për të zbardhur gjithçka rreth kësaj ngjarjeje të rëndë, me fokusimin në personat që sipas hetimeve të fundit, rezultojnë të kenë një lidhje të drejtpërdrejtë me ngjarjen.
Gjatë hetimeve u zbulua se midis Petro Papikinos dhe Erdion Muho, kishte një marrëveshje të qartë për eliminimin fizik të pronarëve të trageteve në linjën Sarandë-Korfuz. Ndërkohë që, pas ngjarjeve të ndodhura dhe sipas informacioneve të marra, rezultoi se ky person i ndaluar, Erdion Muho, ishte një nga të rinjtë që gjithashtu kishte mbërritur në Sarandë për të punuar dhe sipas dëshmive, gjithashtu ishte vendosur të kishte bashkëpunim të ngushtë me ish-ortakun e tij grek, Petro Papikinos.
Por sipas hetimeve, dyshimet mbi lidhjet e tyre si dhe planifikimin e skenarëve për të dëmtuar tragetet e familjes Qirjako rezultuan të ishin të mirëmenduar, madje dhe mjaft të planifikuar nga ana e tyre. “Rreth 1.5 tonë lëndë eksplozive u vendosën nën bord të tragetit, por fatmirësisht për ne, ai traget arriti ta ndalonte përpara se të ndodhte shpërthimi i plotë,” tha Andrea Qirjako, i cili përveç dëshmisë së tij mbi ngjarjen, po kërkon gjithashtu dhe ndihmën e autoriteteve që të zbardhen këto ngjarje.
“Dua t’i bëj thirrje çdo personi që ka informacion mbi këto ngjarje të flasë, pasi ky është një incident që ndodhi dhe shpresoj të tregohet se sa shumë dëmtohen njerëzit e thjeshtë, pasi kur ka të tillë që merren me këtë punë, duhet të ndalohet menjëherë dhe duhet bërë një punë e madhe për të zbardhur këto ngjarje,” përfundoi ai. Ngjarja e ndodhur në 24 Qershor të vitit të kaluar ka lënë pas një këmbanë alarmi për të gjithë ata që operojnë në këtë sektor dhe që fatkeqësisht ndodhen në mes të një lufte për pushtet, por që tashmë nuk përballen dot vetëm me rivalitetin e zakonshëm të biznesit, por përballen me pasojat e dhunshme të ngjarjeve të tilla.
Kjo është historia e një tragjedie, që duket se në Sarandë, tragetet tashmë janë kthyer në viktima të këtij skenari të rëndë, ku çfarë do të ndodhë në të ardhmen, varet nga drejtësia dhe përgjegjësia e atyre që abuzojnë me jetët e njerëzve dhe sigurinë e një qyteti të tërë.
Para se të kalojmë te ngjarjet e asaj nate, pavarësisht disa tentativave në dukje të dështuara, ish-ortakët mesa duket nuk kishin ndërmend të tërhiqeshin nga skenari i tyre për të shkatërruar biznesin e lundrimit të vëllezërve Qirjako. Dhe këtë mund ta bënin vetëm me anë të demonstrimit të një akti force që do t’i trembte ata. Ose të paktën kështu kishin menduar ndërsa kishin thurur planin për hedhjen në erë të një prej trageteve të kompanisë ‘Finikas’ shpk, plan që kishin menduar ta vinin në funksion mbrëmjen e datës 24 Qershor 2024 dhe ku ai që do të thirrej në shërbim në këtë rast do të ishte një tjetër biznesmen, Armandi Nelaj, i njohur në qytetin e Sarandës për fushën e ndërtimit. Emri i tij ishte lakuar edhe më herët në një aferë tjetër që lidhej me tjetërsimin e një lulishte në afërsi të aksit Turizëm-Kanali i Çukës, për të cilën kishte qenë në gjykim nga drejtësia, por gjykimi u pushua për shkak të vdekjes.
“Atë mbrëmje kam qenë në Portin e Sarandës, po shikonim ndeshjen Spanjë-Shqipëri. Duke mbaruar pjesa e parë, dëgjoj një shpërthim të fortë te porti dhe pasi dola nga lokali për të parë se çfarë kishte ndodhur, shikoj dy të huaj që kërkonin ndihmë. Unë kam qenë i pari që kam shkuar bashkë me një polic që u afruam të shikonim kush ishte, por nuk dallohej mirë pasi personi kishte një goditje të fortë në fytyrë…” tha Andrea Qirjako.
Por për t’u kthyer te mbrëmja e 24 Qershorit, cilat ishin gjetjet e grupit hetues dhe si shkuan ata deri te identifikimi i trupit të zhytësit, që fillimisht u dyshua se kishte humbur jetën si pasojë e shpërthimit të një bombole oksigjeni që mendohej se mbarte me vete. Kush ishin personat e fundit që folën me të pak çaste para se ai të plagosej rëndë dhe më pas të humbte jetën rrugës për në Spitalin e Sarandës? Dhe si arriti një ditë më pas vëllai i tij të identifikonte nëpërmjet fotove, trupin që ndodhej tashmë në morgun e spitalit?
Sipas dëshmive të mbledhura nga grupi hetues, të parët që ofruan një skicë më të qartë të asaj se çfarë kishte ndodhur atë mbrëmje në det, ishin dy turistë të huaj, të cilët po atë ditë kishin mbërritur me varkën e tyre në Sarandë. Duke shëtitur në qytet, ata kishin vendosur të vazhdonin udhëtimin me varkën personale. Rreth orëve të vona të natës, ata kishin parë me dylbi një zhytës, i cili po i vinte rrotull një varke, duke tërhequr pas vetes dy çanta të zeza.
“Unë dhe miku im Frederiku kemi një varkë personale. Më 24 Qershor 2024, rreth orës 13.00 ne kemi ardhur nga Ksamili dhe jemi ankoruar te zyra e emigracionit në Portin e Sarandës. Gjatë mbrëmjes ne kemi parë me dylbi, një person, i cili ishte duke veshur kostumin e tij të zhytjes dhe më pas u fut në det. Ky person kishte një maskë në fytyrë dhe po i vinte rrotull varkës. Duke qenë se ai po tërhiqte dy çanta të zeza, ne menduam se ai kishte nevojë për ndihmë dhe iu afruam. Por sapo u afruam ai na tha se çdo gjë ishte në rregull dhe ne u larguam,” tha Nicholas John.
Duket se fati në këtë rast ka qenë edhe me dy shtetasit e huaj, të cilët, po të kishin qëndruar edhe pak pranë varkës me zhytësin, mund të ishin kthyer edhe vetë viktima të një tragjedie në det. Kjo, pasi vetëm pak minuta pas largimit, ata dëgjuan një shpërthim të fuqishëm, që erdhi pikërisht nga vendi ku disa minuta më parë ata ishin ofruar për ndihmë. Kështu, të frikësuar, ata u kthyen për të parë se çfarë kishte ndodhur dhe gjetën varkën e shkatërruar plotësisht, së bashku me trupin e pavetëdijshëm të zhytësit, i cili kishte pësuar dëmtime të rënda.
“Vetëm pak minuta pasi ishim larguar, ne dëgjuam pas shpinës tonë një shpërthim të fortë. Menjëherë u kthyem për të parë se çfarë kishte ndodhur dhe në këtë moment konstatuam disa sende që po pluskonin në ujë. Ajo që pamë ishte një pamje jo e këndshme. Personi me rrobat e zhytësit kishte marrë dëmtime të rënda në kokë dhe në sup. Menjëherë ne e tërhoqëm në varkën tonë dhe e dërguam në port, ku aty në ndihmë na erdhën fillimisht punonjësit e portit,” tha Nicholas John.
Të pyetur se cila ishte gjendja emocionale e personit me të cilin fillimisht kishin komunikuar në det dhe nëse vunë re ndonjë detaj specifik në sjelljen e tij, dy turistët e huaj thanë se ai nuk kishte shprehur dëshirë për të komunikuar gjatë me ta. Madje sipas tyre ai u ishte përgjigjur me maskë nëpër gojë. Ndërkohë, lidhur mbi çantat që ai mbante me vete, ata i përshkruan si cilindrike dhe të lidhura me njëra-tjetrën.
Dhe ndërsa dy miqtë nuk mundën të shikonin shtëllungat e tymit të shpërthimit që lanë pas, duket se ky gjëmim u ndje edhe në pallatet pranë portit. Një ndër ata që pa flakët ishte edhe kapiteni i një anijeje.
“Më datë 24 Qershor 2024, rreth orës 23.25, unë isha duke parë ndeshjen në banesën time, e cila ndodhet përballë portit të qytetit, në një pallat, në katin e tretë, me pamje nga deti. Gjatë kësaj kohe unë kam dëgjuar një shpërthim shumë të fortë. Menjëherë kam dalë në ballkon dhe kam parë një gomone, që po shkonte drejt një flake të vogël në det. Ngjyra e flakës ishte e verdhë, në të kuqërremtë. Më pas kjo gomone u kthye dhe afrua tek Komisariati i Kufirit. Duke qenë se unë jam kapiteni i njërës prej anijeve të linjës Sarandë-Korfuz, zbrita menjëherë pasi mendova se mos kishte ndodhur ndonjë gjë tek anija. Kur zbrita, vendi ishte plot me punonjës policie,” tha Feliks Rusto. / Emisioni “Në Shënjestër”