Nga Piro Ahmetaj
Në pamundësi t’ju përgjigjem emër për emër, dëshiroj që të falënderoj publikisht dhjetëra mijëra kolegë/ushtarakë aktiv, në rezervë dhe pension (brenda dhe jashtë vendit); intelektualë dhe gazetarë të mirë-njohur, patriotë të përkushtuar, qytetarë të zakonshëm në gjithë hapësirën shqiptare, si dhe Atashetë Ushtarake të vendeve të NATO-s në Tiranë, për mesazhet inkurajuese që kam marrë mbas konfirmimit në funksionin politik: “Koordinator për Sigurinë Kombëtare dhe marrëdhëniet me NATO në PD”.
Me këtë rast, përsëris respektin për mediat në Shqipëri, Kosovë, ShBA, etj, për publikimin edhe në 4 vitet e fundit (vetëm nga kapaciteti i “Ekspertit”, pra pa asnjë funksion zyrtar apo politik), të 10-ra kontributeve, deri dhe mesazhet e fund vitit 2024 nga Washington, mbi kërcënimet kritike dhe shpresat nga Trump-2 për paqen dhe ardhmërinë Euroatlantike të 6 vendeve të Ballkanit Perëndimor, përfshi R.Sh dhe Kosovës”.
Shpresoj nuk jam i panjohur, jo vetëm për gradën madhore “gjeneral” dhe funksionet e larta që kam ushtruar, si Zëvendës Shef i Shtabit të Përgjithshëm, Këshilltar Ushtarak i President, si dhe themelues i Përfaqësisë Kombëtare në Komandën Supreme të NATO-s, por edhe për vlerësimet strategjike të prezantuara në Bruksel, Kolegjin e NATO-s, Qendrën Marshall dhe 31 vendet e Aleancës. Përtej modestisë, garantoj se sigurisht më është dhënë mundësia por asgjë nuk më është dhuruar. Përkundrazi, përfshi edhe kjo përgjegjësi politike, janë arritur me përkushtim, integritet dhe përgjegjshmëri.
Edhe gjatë 10 viteve të fundit, kam mbështetur publikisht dhe pa paragjykime politike, reformat e mbrojtjes, rritjen e buxhetit 2 %; përmirësimin e trajtimit të personelit, hapjen e bazës Ajrore të Kuçovës, ngritjen e forcës rezerviste, kontributet për/me Ukrainën, etj.
Por, kam bërë edhe oponencë të fortë (me kosto personale/familjare) për të ndalur arrogancën bollshevike; për buxhetin e mbrojtjes (nën 1 % të GDP-se deri 2017), për balancimin e pushteteve kushtetuese [rrëzimin e dy ligjeve nga Gj.K (që Presidentin e bënin lolo (siç e kanë katandisur) ndërsa Kryeministrin edhe sharlatan-Komandant edhe Komisar fuqiplotë]; kundër dhuratave si të Sultanatës për infrastukturat strategjike, si bazën detare të Sarandës dhe mijra objekteve ushtarake si dhe kundër punësimeve elektorale në strukturat e mbrojtjes Kombëtare, si p.sh të ishin ndërmarrja e bonifikimit të Korcës ..!
Thënë këto, garantoj se edhe në angazhimet politike në vijim, do të ulëras edhe më fortë për gjithë-përfshirje, konsensus të gjerë, balancim të pushteteve kushtetuese dhe kundër shpërdorimit elektoral të strukturave dhe personelit të Sigurisë Kombëtare (Rendit, Mbrojtjes, Inteligjencës, emergjencave, etj).
Po ashtu do të mbështes pa kompromis reformat; rritjen 3 % të GDP-së buxhetit të mbrojtjes deri 2030; modernizimin e kapaciteteve të sigurisë së jetës, pronës, mirëqenies së qytetarëve si dhe mbrojtes dhe zhvillimin e interesave kombëtare në rajon dhe mesdhe.
Kështu, edhe nga kjo përgjegjësi politike dhe çdo pozitë shtetërore në vijim, ri-konfirmoj zotimin tim ndaj ushtarakëve, punonjësve të Policisë, emergjencave dhe cilido të angazhuar në institucionet e sigurisë dhe mbrojtjes kombëtare, se sakrificat sublime, integriteti spikatur dhe përkushtimi shembullor do të adresohen me dinjitetin që meritojnë në “programin e PDSh 2025-2033”.
Në vijim, gjeni 3 gjetje dhe 3 mesazhe, që mbeten fokusi i përballjes politike të 11 Majit 2025:
Mesazhi nr 1: e çmoj me peshë strategjike dhe i bashkohem shqetësimit legjitim të shumicës së shqipëtarëve brenda dhe jashtë vendit: “Shqipëria 2025 është rrokullisur në krizën më të rëndë të demokracisë prej 1990, shumë më qesharake se bashkimet profesionale që ofroi Ramiz Alia në 1990, fatëkeqësisht edhe të ngashme në mos më cinike, se ajo e Rusisë-Putiniste, Kim-Jongut, etj”.
Praktikisht janë përdhosur balancat demokratike të pushteteve (Check & Balance), bashkë me këtë ka rënë Republika Parlamentare e RSh! Në 12 vjet Kuvendi (përveç borderosë për pagat e deputeteve të listave natën) ka ZERO peshë pasi asnjë resolutë, marrëveshje dhe Ligj nuk është miratuar me konsensus. Asnjë!
Ndërsa për korrupsionin e politikanëve dhe pushtetarëve të lartë, FAKTET e publikuara nga “dora vetë Tigri/Nr.2 i Organizatës Kriminale” janë uleritëse, pasi shumica e kusarëve të skalionit të I-rë (2013) ose “skuadrës së qiejve të pastër janë nën prangat e SPAK për grabitjen e 430 milion € nga djegësat, 200 Milion € nga shëndetësia falas; 400 milion € për rrugët e florinjta” si dhe për bandat që urdhërojnë Kryetarin e Madh për renditjen në listat e mavro-deputetëve, emërimin e palo-Ministre/ave dhe sekser-Drejtorët e Agjencive Shtetërore, përfshi edhe në Institicionet e Sigurisë dhe Mbrojtjes Kombëtare.
Ndërsa fuqia e të (mbi) Pushtetshmit i ka shëndërruar Institucionet dhe Administratën shtetërore, si një ushtri elektorale (200 mijë patronazhiste si dhe bonuse/sheqerka për 740 mijë pensionistë), sikur R.Sh të ishte Bukina Faso apo Mali.
Parë kështu, i bëj thirrje SPAK-ut për ta hetuar “këtë krim shtetëror me pasoja të rënda mbi pluralizmin, demokracinë, balancat e pushteteve si dhe Sigurinë Kombëtare”!
Po ashtu, j’u bëj thirrje shumë miqësore “elites me kockë në PS”, që përveçse të kujtojnë (si B.C) me nostralgji, kohën kur p.sh Nano, lobonte të forumet/Ata deri për votat e anëtarëve të kryesisë, etj, që në vënd të statuseve/fotove “kafeneve konfidenciale”, të zgjojnë vetëdijen e përgjegjmërisë kombëtare për ta ndalur këtë sekt-delekuentësh si dhe për ta ri-transformuar Partinë Socialiste, në një Institucion politik që mbart peshë kritike për demokracinë funksionale si dhe ardhmerinë Euroatlantike të RSh.
Mesazhi Nr 2: e përsëris që edhe aktorët dhe faktorët e Opozitës Zyrtare i gjej bashkëpërgjegjës jo vetëm për humbjet në 12 vjet, por edhe për demokracinë fasadë dhe shtetin e kapur nga krimi elektoral!
Tek e fundit, kërkush nuk mundet të bëjë triumfalin dhe të krenohemi për “betejat diskretituese për/me bravat, apo dalldisjen e vetëquajturit krye-Atlantikas, etj”, dhe as me këtë degradim të opozitarizmit.
Kështu për të djathtën, ulëret më fortë mesazhi Atëror i Mit’hat Bej Frashërit: “Shqiptarët do t’i fitojnë të gjitha luftrat, sapo të kenë përfunduar betejat mes vedit”!
Ndërsa për protagonistët e listave si dhe Leadership-in e PD ripërsësis edhe publikisht këshillën strategjike: “sa më parë edhe më mirë, do të duhet të dalin nga llogoret e luftës cinike për listat e mbyllura që fatëkqësisht por sigurisht do rezultojnë pa fitimtarë”.
Për me tepër, na duhet të mblidhemi dhe përulëmi fisnikërisht para misionit historik dhe përgjegjesisë kombëtare që në 11 Maj, pra mbas 100 ditëve të realizojmë rotacionin e pushtetit që meritojnë mbarë-Shqiptarët !
Mesazhi Nr.3: përsëris edhe më fortë (për këdo të gëzuar apo tē mërzitur) se nuk po angazhohem në politik të bëhen sekser, as pronar, as profet i të vërtetës shteruese se: “kush është djalli kush engjëlli”. Por ngaqë kam vite që kam vendosur për të mos heshtur, po ndaj këtë shqetësim ulëritës për pluralizmin fasadë si dhe demokracise diçitale (5D).
Po ashtu më duhet të ri-konfirmoj edhe publikisht se: “nuk jam rreshtuar në llogoren opozitare për spaleta “Gjenerali”, as për tu punësuar në krye listës”, por sepse besoj fort në projektin e të djathtës Trampiste, pra “te familja tradicionale, te Atdheut i shenjtëruar, te liria, vota, prona, tregu dhe interesat kombëtare” si dhe misioni fisnik për ta kthyer RSh në shinat e demokracisë funksionale si gjithë Europa.
Mbetem shpresëplotë se fitorja historike e Trump-2, do të inspirojë valë-atomike për ta çliruar edhe Kombin tonë nga “Deep State, demokracia burokratike dhe interesat e filantropistëve”, që kanë përdhosur aspiratat e 1990 si dhe ende mbeten kërcënim serioz për sigurinë dhe interesat Kombëtare.
Në përmbyllje, j’u bëj thirrje vëllazërore bashkë-qytetarëve (sigurisht edhe emigrantëve), që në 11 Maj 2025, është jo radha, por detyrimi dhe MISIONI i mbarë-Shqiptarëve për ta çliruar Shqipërinë e pushtuar nga korrupsioni i politikanëve; listat e mavro-deputetëve, kamikaz-ministrave, sekser-Drejtorëve të emëruar nga bandat e krimit, të gjithë në rresht si makineri elektorale në shërbim të të gjithë -pushtetshmit, në mos Sulltanit të Madhërishëm!