Iniciativa për bojkotin e marketeve, e cila ka nisur fillimisht në Kroaci me të vazhduar edhe në Malin e Zi, Maqedoninë e Veriut, Bosnjë e Hercegovine dhe Serbi paralajmërohet se do të ndodhë edhe në Kosovë. Ajo ndërlidhet me rritjen e çmimeve të produkteve esenciale.
Është paralajmëruar edhe në Kosovë bashkëngjitja në fushatën që filloi në Kroaci për t’i bojkotuar marketet që abuzojnë me çmimet.
Drejtuesi i Shoqatës “Konsumatori”, Selatin Kaçaniku, ka thënë se veprimet do të ndërmerren menjëherë pas zgjedhjeve nacionale, nëse deri atëherë nuk reflektojnë bizneset.
“Deri me datën 9, odat ekonomike, bizneset qofshin ato prodhuese, shërbyese ose tregtare, shoqatat e në veçanti shoqata e shitje me shumicë dhe pakicë, të gjitha të reflektojnë deri me datën 10 shkurt dhe e kanë afatin që të prononcohen, që të deklarohen ose të paktën të ofrohen për bisedë. Nëse nuk do të ketë lëvizje deri me 10 shkurt, atëherë pas 10 shkurtit shihemi tek sheshi “Nëna Terezë”, te sheshi “Ibrahim Rugova” dhe te sheshi “Zahir Pajaziti”.
Kaçaniku deklaroi se nuk ka asnjë prononcim nga Qeveria, MINT-i apo partitë politike për çmimet, duke shtuar se po sillem sikur jetojmë në një tjetër planet.
“Kosova ka buxhet konsumues, dëshmohet se qytetari si taksapagues është gjenerues kryesor i buxhetit të shtetit. Qeveria varet nga çmimet. Ne nuk kemi asnjë prononcim nga Qeveria as nga MINT, as nga një parti politike për çmimet. Këta po sillën sikur me jetu në hënë”.
Po ashtu edhe “ #Bojkoto marketet” është nisma që është marrë nga një grup anonim për qëllim mobilizimin e komsumatorëve për bojkotimin e marketeve në Kosovë si përgjigje ndaj çmimeve të pajustifikueshme.
Në këtë grup që është zhvilluar në rrjetin Facebook tregohet se bojkotimi do të bëhet me datën 10 shkurt.
“Do të BOJKOTOJMË të gjitha supermarketet në Kosovë më 10 SHKURT, për 24 orë, për të protestuar kundër çmimeve të larta. Ne jemi qytetarë apolitik të brengosur për rritjen e çmimeve, dhe kërkojmë çmime të arsyeshme. Nëse keni nevojë për blerje të produkteve bazike, rekomnadojmë të blini në tregje të gjelbra, prej fermerëve lokal. Më 10 shkurt, nuk do të bëjmë asnjë blerje në supermarketet, dhe nëse nuk dëgjohet zëri ynë, do të vazhdojmë me aktivitete të tjera. Shpërndaje dhe fto të tjerët për bojkot!”.
Ekonomisti Arton Muhaxheri ka kritikuar mungesën e mekanizmave efikas për mbrojtjen e konsumatorëve në Kosovë, duke e quajtur abuzimin me çmimet rezultat të pasivitetit të qeverisë.
Muhaxheri thotë se pushteti i ka lënë qytetarët në mëshirë të tregut.
“Abuzimi me çmimet në Kosovë është rezultat i drejtpërdrejtë i mungesës së mekanizmave efikase të kontrollit dhe mbrojtjes së konsumatorit. Në vend që të ketë politika të qarta për të siguruar konkurrencë të drejtë dhe çmime të përballueshme, Qeveria po qëndron pasive, duke i lënë qytetarët në mëshirë të tregut”.
Ai tha se qytetarët po detyrohen të ndërmarrin hapa ekstreme, si bojkotimi i marketeve, për të ushtruar presion mbi bizneset që po abuzojnë me çmimet.
“Paralajmërimi për bojkotin e marketeve të mëdha edhe në Kosovë është një sinjal i qartë i pakënaqësisë dhe dëshmon se qytetarët janë të detyruar të ndërmarrin iniciativa të tilla për të ushtruar presion mbi bizneset”.
Kurse, aktivisti i shoqërisë civile, Bekim Krasniqi, mendon se në Kosovë ka mungesë të aktivizmit qytetar.
“Nëse bisedon individualisht me qytetarë ata shprehin pakënaqësi ndaj çdo ngritje, për shembull çmimeve e sidomos që vitin e kaluar ka pasur ngritje të çmimeve enorme, pastaj kemi ngritjen e energjisë elektrike, qytetari i shpreh këto pakënaqësi po në mënyrë individuale”.
Periudha e inflacionit dyshifror nga viti 2020 deri më 2023 tani është e kaluar, por konsumatorët vazhdimisht janë ankuar për çmimet e larta e pagat e pamjaftueshme.
Gjatë ditës së djeshme Agjencia e Statistikave të Kosovës ka treguar se çmimi i qumështit, vezëve dhe mjaltës ka shënuar ngritje për 5 për qind në tremujorin e katërt të vitit 2024 krahasuar me periudhën e njëjtë të vitit të kaluar.
Sipas ASK indeksi i përgjithshëm i prodhimeve bujqësore ka rritje për 2,7 për qind krahasuar me periudhën e njëjtë të vitit 2023.
“Në TM4 2024, indeksi i çmimeve të prodhimeve bimore ka rritje për 1,5 për qind krahasuar me periudhën e njëjtë të vitit 2023. Indeksi i çmimeve të prodhimeve blegtorale ka rritje për 5 për qind dhe Indeksi i përgjithshëm i prodhimeve bujqësore ka rritje për 2,7 për qind krahasuar me periudhën e njëjtë të vitit 2023”.
Protesta kundër rritjes së çmimeve fillimisht nisi në Kroaci, ku qytetarët vendosën të bojkotojnë supermarketet. Lëvizja “Përshëndetje Inspektor” organizoi një bojkot njëjavor, që uli shitjet me 50% dhe detyroi rrjetin më të madh të marketeve, Konzum, të ulte çmimet e 250 produkteve. Gjithashtu, qeveria kroate caktoi ulje për 70 produkte të tjera.
Shembulli kroat u ndoq edhe nga qytetarët e Serbisë, Maqedonisë së Veriut, Malit të Zi, Bosnje e Hercegovinës dhe Sllovenisë. Ata po i bëjnë thirrje konsumatorëve të mos blejnë produkte specifike dhe, në raste të caktuara, të mos blejnë fare për një ditë të tërë.
Edhe në Kosovë, çmimet janë rritur ndjeshëm, sidomos për produktet bazë si buka, drithërat, kafja dhe pemët. Indeksi i çmimeve të konsumit ishte 1.6% më i lartë në vitin 2024 krahasuar me 2023-in./MONITOR