Një “çerdhe” prostitucioni është goditur nga Policia e Vlorës, në një ambient të marrë me qira. Si rezultat janë shpallur në kërkim dy shtetase të huaja, të cilat dyshohet se kanë qenë në rolin e tutoreve.
Më konkretisht në kërkim janë shpallur shtetaset: Y. M., 35 vjeçe, banuese në Ukrainë dhe K. A., 31 vjeçe, banuese në Rusi.
“Këto shtetase dyshohen se përdornin një apartament në lagjen “24 Maji”, Vlorë, ku shfrytëzonin për prostitucion dy shtetase të tjera të huaja, ukrainase, të cilat, në vijim të veprimeve, u proceduan penalisht në gjendje të lirë për ushtrim prostitucioni. Vijon puna për lokalizimin dhe kapjen e dy shtetaseve të shpallura në kërkim dhe dokumentimin e plotë të këtij rasti.” – thuhet në njoftimin e Policisë.
Materialet procedurale janë referuar në Prokurorinë e Vlorës për veprime të mëtejshme.