Më 6 nëntor 2023 u njoftua marrëveshja e bashkëpunimit mes Shqipërisë dhe Italisë për krijimin e dy qendrave për emigrantët në Shëngjin dhe Gjadër. Në Itali u diskutua shumë për këtë marrëveshje, duke hedhur dritë veçanërisht mbi kushtet e emigrantëve në këto qendra, mundësinë e shkeljes së të drejtave të njeriut dhe kostot e projektit. Në Shqipëri, ndërkohë, hapja e qendrave nuk mori aq vëmendje. Megjithëse qendrat janë hapur që në tetor 2024, ende ekzistojnë dyshime dhe aspekte të paqarta, si nga ana shqiptare ashtu edhe ajo italiane. Për t’iu përgjigjur disa prej pyetjeve, redaksia e Faktoje.al kreu një vëzhgim në qendrat e Shëngjinit dhe Gjadrit, (të cilat aktualisht nuk strehojnë asnjë emigrant), dhe vuri re staf të reduktuar krahasuar me muajt e parë dhe se, mes atyre që punojnë në qendra dhe banorëve lokalë (rreth qendrave) dominon pasiguria dhe mungesa e transparencës
Nënshkrimi i marrëveshjes
Marrëveshja u nënshkrua më 6 nëntor 2023 nga kryeministri shqiptar Edi Rama dhe kryeministrja e Italisë, Giorgia Meloni, në Pallatin Chigi, në Romë. Pas nënshkrimit, Gjykata Kushtetuese e Shqipërisë (me shumicën e 5 anëtarëve) i hapi dritën jeshile ratifikimit të marrëveshjes, ndërsa në Itali protokolli u publikua në gazetën zyrtare në fund të shkurtit 2024. Marrëveshja përmban 14 nene dhe përcakton dhënien e disa zonave të territorit shqiptar në dispozicion të Italisë për ndërtimin e qendrave, që do të strehojnë burra migrantë të moshës madhore në gjendje të mirë shëndetësore, që vijnë nga vendet që konsiderohen “të sigurta”, pra nga shtete ku, sipas Italisë, respektohen të drejtat themelore të njeriut. Marrëveshja mbetet në fuqi për pesë vjet, me të drejtë rinovimi për pesë vite të tjera dhe parashikon që Italia të mbulojë shpenzimet e strukturave si dhe, të merret me menaxhimin e tyre.
Si italianët ashtu edhe shqiptarët u njoftuan për marrëveshjen vetëm pas nënshkrimit. Lajmi u dha në një konferencë të përbashkët shtypi më 6 nëntor, kur Meloni dhe Rama shpjeguan në terma të përgjithshëm (në italisht) përmbajtjen e marrëveshjes. Konferenca e shtypit u përcoll gjithashtu nga kanali YouTube i Ramës me përkthim në shqip. Megjithatë, sipas mediave italiane, negociatat kishin nisur më herët, në gusht 2023, gjatë një vizite private të Melonit në Shqipëri. Në Itali marrëveshja u publikua online nga Ministria e Punëve të Jashtme disa ditë para konferencës së përbashkët, më 2 nëntor 2023, por shtypi nisi të flasë për të vetëm nga 6 nëntori. Ndërkohë, qeveria shqiptare e publikoi tekstin e marrëveshjes ditën pas konferencës, më 7 nëntor 2023.
Në Shqipëri mungoi transparenca nga ana e kryeministrit, i cili për të njoftuar opinionin publik shqiptar, shpërndau në mediat e tij sociale një video të Melonit pa përkthim në gjuhën shqipe. Nuk pati asnjë mesazh nga kryeministri Rama drejtuar vendit të tij, por vetëm mediave italiane.
Protestat shqiptare dhe italiane
Përmbajtja e marrëveshjes (si pasojë e informacionit të kufizuar) nuk u kuptua fillimisht nga audienca shqiptare duke sjellë jo vetëm teori konspirative dhe përhapje paniku, por edhe gjuhë raciste dhe diskriminuese ndaj emigrantëve, që do të vinin. Reagime të kësaj natyre ishin të dukshme në komunitetin lokal, por dhe nivelin parlamentar ku opozita ngriti shqetësime për kërcënime të mundshme terroriste dhe ndikimin në sigurinë e vendit, bazuar në kapacitetet që kemi për të menaxhuar emigrantët.
Disa aktivistë të zonave në Lezhë (në veriperendim të vendit) protestuan kundër ngritjes së qendrave të emigrantëve, duke shprehur shqetësim për ndikimin që mund të sillte në jetesën dhe sigurinë lokale
Një grup organizatash të shoqërisë civile dhe aktivistë të të drejtave të njeriut në Shqipëri kritikuan mungesën e diskutimit paraprak me institucionet më të larta të vendit (Presidentin dhe Kuvendin), institucionet vendore të përfshira, ashtu edhe komunitetin lokal dhe publikun e gjerë.
Një muaj pas marrëveshjes, grupimet brenda Partisë Demokratike në Shqipëri dorëzuan dy padi të ndara në Gjykatën Kushtetuese, duke pretenduar se marrëveshja shkelte Kushtetutën, Konventën Evropiane për të Drejtat e Njeriut dhe të drejtën ndërkombëtare të refugjatëve. Paralelisht me paditë, 31 organizata joqeveritare shqiptare nënshkruan një opinion miqësor (amicus curiae), drejtuar Gjykatës Kushtetuese, në lidhje me rëndësinë e transparencës dhe respektimin e të drejtave themelore të azilkërkuesve dhe refugjatëve, konform Kushtetutës dhe Konventave Ndërkombëtare. Edhe në Itali disa organizata joqeveritare (OJQ) përcollën shqetësim për mundësinë e shkeljes së të drejtave të njeriut në qendrat e ngritura në Shqipëri. Për pasojë, shumë gazeta u morën me hulumtime dhe artikuj të thelluar.
Në Shqipëri kontestimet kundër marrëveshjes fillimisht ishin të zëshme, më pas ato u panë të veçuara dhe pa qëndrim të unifikuar. Opozita e mbylli debatin pas vendimit të Kushtetueses ndërsa OJQ-të u angazhuan kryesisht në deklarata publike.
Në Shqipëri mungoi zëri i fortë publik dhe kjo për disa arsye. Pala shqiptare i ka dhënë palës italiane të drejtën për përdorimin e zonave të përcaktuara nga protokolli pa pagesë. Italia nga ana e saj do të mbulojë të gjitha kostot, nga ngritja e kampeve e deri tek mbulimi i shpenzimeve që vijnë si pasojë e zbatimit të marëveshjes. Në përfundim të afatit, pala italiane i kthen palës shqiptare zonat, pa detyrim kundërshpërblimi për përmirësimet e kryera. Strukturat menaxhohen gjithashtu nga Italia dhe çdo kontestim duhet të trajtohet po nga ky shtet. Për më tepër, qendrat për migrantët u ndërtuan në zonë të varfër, ndaj dhe banorët lokalë e kanë parë marrëveshjen si një mundësi të mirë ekonomike për punësim, me paga deri në një mijë euro në muaj. Edhe mjekët shqiptarë kanë shfaqur interes. Megjithatë, nuk ka informacione zyrtare për numrin e atyre që janë punësuar, mënyrën se si janë kontaktuar dhe rolin që ata do të kenë.
Pavarësisht se protestat janë zbehur, në Shqipëri mbeten ende dyshime mbi respektimin e të drejtave të migrantëve sipas standardeve evropiane dhe ndërkombëtare, që lidhen kryesisht me kushtet në qendrat e pritjes, garancitë e mbrojtjes ligjore, transparencën në shqyrtimin e kërkesave për azil dhe kontrollit për përdorim të ligjshëm të paraburgimit. Për më tepër, aktualisht nuk është e qartë se si do të realizohen procedurat e riatdhesimit. Qendrat janë bosh dhe asnjë migrant nuk është riatdhesuar ende.
Vonesa
Pas ratifikimit të protokollit, marrëveshja hasi vonesa në zbatimin e saj, të shkaktuara kryesisht nga arsye logjistike dhe operacionale. Pas dy afateve të premtuara nga kryeministrja Meloni, qendrat u hapën në tetor 2024 me kapacitet të kufizuar (400 persona, megjithëse nuk është e qartë nëse ky është numri real). Sipas protokollit, qendrat në funksion të plotë mund të strehojnë një maksimum prej 3 mijë migrantësh njëkohësisht.
16 emigrantët e parë mbërritën në qendrat e pritjes në mes të tetorit, pasuar nga një grup tjetër më i vogël. Informacionet mbi numrin e tyre u dhanë përmes kontakteve direkte mes gazetarëve dhe palës italiane ditën e mbërritjes së tyre.
Disa OJQ vërejtën se mbërritja e migrantëve po shkaktonte konfuzion mbi zbatimin e protokollit, si dhe shkelje të së drejtës ndërkombëtare dhe të të drejtave të njeriut. Brenda 24 orëve nga mbërritja në Shqipëri, 4 nga 16 migrantët e parë u rikthyen në Itali: dy prej tyre për shkak se ishin të mitur dhe dy të tjerë për probleme shëndetësore. Në të dy rastet, kontrollet mjekësore për emigrantët zgjatën disa orë duke vënë në pikëpyetje kapacitetet njerëzore në rast fluksi më të madh emigrator
Dyshime mbi kontratat
Ekzistojnë raportime për kompani nënkontraktuese nga Shqipëria, roli i të cilave nuk është i qartë sa kohë nuk ka përmbajtje specifike në protokoll. Ajo që dihet nga burime jozyrtare është se disa prej kompanive janë kontraktuar për mirëmbajtjen, pastrimin e qendrave dhe furnizimin me ushqim. Në Tiranë është botuar vetëm protokolli me dy anekset, por pa shtojcat me detajet specifike.
Në Itali situata është pak më e qartë, por ende mbeten disa pikëpyetje. Siç përcakton neni 5 i ligjit të ratifikimit të protokollit, në Itali projektimi dhe realizimi i punëve i është caktuar trupës ushtarake në varësi të Ministrinë e Mbrojtjes që merret me projektimin, realizimin dhe mirëmbajtjen e infrastrukturës. Ligji i ratifikimit përcakton gjithashtu se trupa ushtarake mund të nënshkruajë kontrata për kryerjen e punëve, shërbimeve ose furnizimeve. Kontrata për funksionimin dhe menaxhimin e qendrave të pritjes në Shqipëri iu dha në maj Medihospes, një kompani me seli në Romë që ofron shërbime për të moshuarit dhe personat me aftësi të kufizuara në të gjithë territorin italian, si dhe merret me akomodimin e emigrantëve. Ndër vite, Medihospes, e cila më parë quhej Senis Hospes, ka qenë në qendër të disa hetimeve gazetareske. Në vitin 2016, revista L’Espresso kishte hetuar situatën në Qendrën e Pritjes për Azilkërkuesit në Borgo Mezzanone, në provincën e Foggias, e cila administrohej nga Senis Hospes.
Vëzhgimi nga afër nxorri në pah kushtet jo njerëzore në të cilat emigrantët ishin të detyruar të jetonin, duke i kërkuar ish-ministrit të Brendshëm të asaj kohe, Angelino Alfano, që të kryente verifikime. Më pas, në vitin 2017, l’Osservatorio hartoi një dokument pas inspektimit që bëri në qendrën e Borgo Mezzanone. Qendra, (që në vitin 2017 ende administrohej nga Senis Hospes), përshkruhej nga L’Osservatorio si e mbipopulluar me kushte të këqija të infrastrukturës dhe shërbimeve.
Gjatë këtyre muajve janë ngritur gjithashtu dyshime mbi kontratën që duhej të nënshkruhej midis prefekturës së Romës dhe Medihospes. Më 20 nëntor, revista mujore e pavarur Altreconomia denoncoi për herë të parë mungesën e kontratës midis prefekturës së Romës, e cila është përgjegjëse për menaxhimin e qendrave të pritjes dhe Medihospes.
Siç edhe shpjeguan gazetarët Luca Rondi dhe konsulenti ligjor Lorenzo Figoni për Altreconomia, “sipas ligjit të Prokurimeve, është parashikuar që nga momenti i shpalljes së fituesit, autoriteti kontraktues duhet të nënshkruajë kontratën me atë që ka fituar tenderin brenda 60 ditësh: një afat që është tejkaluar në mënyrë të konsiderueshme nga dhënia e kontratës për kompaninë Medihospes më 16 prill 2024”. Kontrata nuk është publikuar ende online.
Është gjithashtu e vështirë të kuptohet se sa punonjës të Medihospes janë aktualisht të angazhuar tek qendrat. “Kur shkuam për inspektim në nëntor, kishte pak persona nga Medihospes. Eshtë normale duke pasur parasysh se qendrat ishin bosh dhe se kompania paguhet në bazë të numrit të personave që menaxhon”, shpjegoi për Pagella Politica kryetarja e partisë progresiste Volt Europa, Francesca Romana D’Antuono.
Në fund të nëntorit, D’Antuono vizitoi qendrat në Shqipëri bashkë me një delegacion të partisë: ata panë nga jashtë qendrën në Shëngjinin dhe hynë në Gjadër. Përveç Romana D’Antuono, ishin edhe katër eurodeputetë, presidenti i Volt Shqipërisë dhe dy presidentë të Volt Italisë
Më 22 nëntor, Il Manifesto raportoi se personeli i Medihospes do të kthehej i gjithi në Itali deri në fund të atij muaji, kështu që, referuar informacioneve të publikuara nga gazeta, në qendra aktualisht nuk duhet të ketë asnjë nga kompania. Pagella Politica kontaktoi Medihospes për një konfirmim, por zyra e shtypit tha se nuk mund të jepte informacion për këtë çështje, pasi nuk ishte e autorizuar nga prefektura e Romës.
Sa persona punojnë tek qendrat?
Shumë pikëpyetje mbeten mbi personelin e punësuar në qendra, si shqiptar ashtu edhe atij italian, përfshirë ata që janë punësuar përmes kontratave. Në lidhje me Shqipërinë, për momentin nuk ka informacione zyrtare se sa shqiptarë janë punësuar, sa kanë kërkuar të punësohen, cilat janë kushtet e kontratave, pagat, kohëzgjatja e punësimit dhe çfarë ndodh nëse qendrat nuk funksionojnë. Faktoje.al i dërgoi një kërkesë për informacion Ambasadës së Italisë në Tiranë, duke kërkuar numrin e personave të punësuar në qendra, si shqiptarë ashtu edhe italianë, si dhe detajet e punës që ata kryejnë konkretisht. Ambasada e Italisë në Tiranë u përgjigj se, “Ministria e Brendshme italiane, veçmas Marrëveshjes Itali-Shqipëri ka kontraktuar një shoqëri të huaj për ofrimin e një sërë shërbimesh në brendësi të qendrave si ‘pastrimi, kuzhina, asistence shëndetësore, psikologjike, ligjore etj. Është kjo shoqëri që efektivisht punëson personel italian dhe ose shqiptar. Pra, Marrëveshja Itali – Shqipëri nuk parashikon punësim të personelit nga shteti Italian apo nga shteti shqiptar”. Ambasada ka deklaruar se nuk është parashikuar punësimi i personelit nga shteti italian ose ai shqiptar.
Megjithatë, sipas neneve të ratifikimit të protokollit, janë punësuar disa persona për të punuar tek qendrat, megjithëse numri i saktë nuk është i qartë. Disa informacione mbi numrat janë të përfshira në nenin 5 (të ligjit) të ratifikimit të protokollit midis dy qeverive respektive Shqipëri-Itali. Neni përcakton punësimin e 45 funksionarëve që i përkasin Ministrisë së Brendshme, 10 për zbatimin e Protokollit nga Ministria e Drejtësisë, 18 funksionarë të tjerë dhe 30 asistentë për gjykatën e Romës dhe zyrën e Gjykatësit të Paqes në Romë, si dhe 10 magjistratë të zakonshëm gjithnjë nën Ministrinë e Drejtësisë
Këtij numri pastaj i shtohen 5 drejtues të lartë të sektorit shëndetësor, 4 funksionarë po nga ky sektor, 2 funksionarë administrativë të zgjedhur nga Ministria e Shëndetësisë, si dhe 28 persona të punësuar nga Instituti Kombëtar për Promovimin e Shëndetit të Popullsive Migrante, i cili është një organ i Shërbimit Shëndetësor Kombëtar, nën mbikëqyrjen e Ministrisë së Shëndetësisë. Githsej janë 152 persona. Ky numër konfirmohet edhe nga një dosje e Dhomës së Deputetëve për protokollin Itali-Shqipëri, ku janë përmbledhur shpenzimet që vijnë nga marrëveshja. Sipas dosjes, për 152 personat e punësuar, shpenzimi i parashikuar është 7,1 milionë euro për vitin 2024, 8,6 milionë për vitin 2025 dhe 8,8 milionë për vitin 2026. Protokolli përmend gjithashtu përgjegjësit italianë dhe zëvendësat për çdo zonë të qendrave dhe “vende shtesë të gjyqtarit për paqen”. Për detyrat në fjalë, nuk dihet numri i saktë, por protokolli thekson se nuk është parashikuar asnjë kosto shtesë për buxhetin publik. Pyetja më e madhe mbetet mbi numrin e forcave të rendit.
Në nenin 5 specifikohet vetëm se për stafin e forcave të armatosura dhe forcave të policisë, si dhe për personelin e administratës publike të dërguar në Shqipëri për zbatimin e protokollit, aplikohet një kompensim, krahas pagës, ndihmave dhe shpërblimeve të tjera të parashikuara. Burime nga Ministria e Brendshme të kontaktuara nga Pagella Politica thanë se nuk është e mundur të jepet numri i saktë i agjentëve të punësuar për arsye sigurie. “As numrat e agjentëve që punojnë në Rebibbia, në burgjet e tjera apo në zonat e sigurisë nuk janë të publikuar; nuk është çështje e transparencës së kufizuar, por ruajtjeje e agjentëve dhe e zonës”, komentuan nga ministria. “Numri i atyre që merren me sigurinë në qendra aktualisht është në kufijtë e minimumit. Por dikush duhet të jetë gjithnjë aty. Nuk mund të lihen strukturat të pa kontrolluara. Pastaj është e nevojshme të garantohen rikthimet e menjëhershme operative nëse lind nevoja”, shtuan nga Ministria e Brendshme e Italisë.
Ndërkohë, disa gazeta raportojnë disa shifra. Për shembull sipas Skytg24, në mes të nëntorit agjentët në detyrë ishin ulur në 170, nga 220 për shkak të mungesës së emigrantëve brenda qendrave. Pavarësisht, të dhënat nuk janë të konfirmuara online nga asnjë burim zyrtar i disponueshëm.
Sipas Protokollit, autoritetet kompetente të palës shqiptare sigurojnë ruajtjen e rendit dhe të sigurisë publike në perimetrin e jashtëm të zonave dhe gjatë transportit tokësor drejt dhe nga të njëjtat zona, që kryhet në territorin shqiptar. Numrat që lidhen me stafin shqiptar janë të disponueshme, ndryshe nga ato për stafin italian. Ministria e Brendshme e Shqipërisë informoi Faktoje.al se, “aktualisht janë angazhuar 117 forca të rendit shqiptar, konkretisht 80 për ruajtjen e zonës në Gjadër dhe pjesa tjetër në Shëngjin”. Sa i përket pagesave dhe kontratave, kjo është një çështje që i përket palës italiane dhe nuk ka informacione në këtë drejtim
“Numrat zyrtarë të personelit në qendra nuk dihen, ajo që dimë është se kur ne shkuam, kishte 12 njësi të policisë penitenciare dhe ishte vendosur që disa prej tyre të ktheheshin në Itali”, tha për Pagella Politica Francesca Romana D’Antuono. Kur delegacioni i Volt vizitoi qendrat në fund të nëntorit, qendrat ishin bosh. “Kam shkuar tek qendrat një herë me delegacionin e Volt dhe një herë tjetër në fillim të dhjetorit për një protestë, megjithëse në dhjetor nuk kemi hyrë, por kemi qëndruar vetëm jashtë dhe në rrugët e Tiranës. Kur unë shkova, nuk kishte asnjë njeri në qendra përveç personelit, dhe ende sot janë bosh. Kështu që, është normale që ata që punojnë aty të mos kenë asgjë për të bërë”, shtoi presidentja e Volt Europa.
Më 6 dhjetor 2024, emisioni shqiptar “Piranjat” përcolli një investigim mbi policët që punonin në qendrën e migrantëve në Shëngjin, ku gazetarët me kamera të fshehtë regjistruan disa agjentë italianë që tregonin se kishin vizituar Durrësin, Shkodrën dhe Tiranën për shkak të kohës së lirë. “Duhet të monitorojmë qendrat, por ato janë bosh”, tha një nga agjentët.
Çfarë po ndodh aktualisht tek qendrat?
Faktoje.al vizitoi zonat ku janë ngritur qendrat e emigrantëve në Shëngjin dhe Gjadër për të parë nga afër situatën. Nga kontaktet në terren (jo zyrtarisht) mësuam se në këto qendra aktualisht po punojnë katër mjekë (tre në Gjadër dhe një në Shëngjin), ndërsa në Gjadër shkonte rregullisht edhe një psikolog. Sanitarë femra, por edhe meshkuj kryenin punët e pastrimit në Gjadër. Banorët e fshatit Gjadër treguan se pesë prej tyre janë punësuar nga zona e tyre, ndërsa një tjetre i kishte përfunduar kontrata tre-mujore. Punësimi i mjekëve në anën tjetër ishte bërë përmes një zyre punësimi ngritur brenda kampit në Shëngjin, por detajet për pagesat dhe procesin mbeten të paqarta.
Gjadri mbetet një zonë e varfër, ku dikur lulëzonin një aeroport ushtarak, një kinema e vogël dhe një ndërmarrje. Sot, fshati është i karakterizuar nga ndërtesa të rrënuara dhe një shkollë me kapacitete të kufizuara klasash. Banorët jetojnë kryesisht nga ndihma e të afërmve emigrantë. Sot, ndryshe nga disa muaj më parë, ata shprehin pak interes për aktivitetet brenda kampit të emigrantëve, edhe pse një kthesë rruge i ndan ata nga perimetri kryesor i sipërfaqes së shtrirë në fushën e Zadrimës
Në Gjadër, pjesa e pasme e perimetrit të jashtëm ruhej nga një kompani private sigurie, ndërsa hyrja kryesore mbikëqyrej nga dy policë shqiptarë që punonin me turne 24-orëshe. Rreth kampit në Gjadër pamë pak makina të parkuara (10 të tilla) me targa shqiptare si dhe punime të shtrirjes së tubacioneve të ujësjellësit, për të cilat banorët nuk ishin informuar.
Në Shëngjin, qendra e pritjes së emigrantëve “zhytet” në hapësirën e brendshme të Portit të Shëngjinit e cila është e rrethuar nga objekte të tjera të rrëmujshme duke e bërë të vështirë dallimin e saj nga jashtë Portit. Qendra dallonte vetëm nga flamujt italianë dhe kubatura ndryshe e ndërtimit. E gjithë sipërfaqja humbte në infrastrukturën kaotike të Portit i cili rrethohej në njërën anë nga varka dhe motorskafe, ndërsa në anën tjetër edhe nga dy anije të shkatërruara dhe dy makina të djegura.
Nga hyrja kryesore e portit vërejtëm tre makina me targa italiane, si dhe një autobus bosh (që përdorej për emigrantët). Pamjet jashtë kampit ishin të kufizuara për shkak të rregullave të rrepta të sigurisë. Fotografimi i qendrave si brenda ashtu edhe jashtë saj ishte rreptësisht i ndaluar pa lejen e autoriteteve. Jo vetëm i tyre, por edhe i makinave të policisë italiane të parkuara në pjesën e pasme të një hoteli në Shëngjin (ku qëndrojnë italianët) edhe pse Faktoje.al arriti t’i fotografojë.
Numri i automjeteve të parkuara ishte i vogël; dy fugonë policie dhe tre të tilla karabiniere që do të thotë se numri i forcave italiane është reduktuar. Hoteli tjetër i ngjashëm (më larg Portit) në hyrje të Shëngjinit ku edhe aty mikëpriten forcat italiane nuk kishte asnjë makinë. E vetmja gjurmë ishte flamuri Italian krahas katër të tjerëve. Pak njerëz që drekonin kishte edhe restoranti me pseudonimin “Meloni” përballë Portit të Shëngjinit që i ndante vetëm një rrugë e ngushtë.
Në të dyja qendrat, aktivitetet aktualisht janë në fazë pezull, por punimet në Gjadër dhe informacionet nga terreni tregojnë se riaktivizimi është i pritshëm. Vëzhgimi në terren është pasqyra se mungesa e informacionit dhe atmosfera e pasigurisë ndikojnë si tek banorët ashtu edhe tek punonjësit. Frika dhe hezitimi për të folur hapur ishin të dukshme, duke krijuar një perceptim të përgjithshëm të paqartësisë, dhe mungesës së transparencës.
Mediat shqiptare dhe italiane
Media shqiptare dhe italiane e kanë trajtuar në mënyra të ndryshme çështjen e ndërtimit dhe menaxhimit të qendrave. Në Shqipëri, mbulimi mediatik ka qenë i kufizuar dhe formal, duke u përqendruar kryesisht në raportimin e protestave, pa pasur një vëzhgim të drejtpërdrejtë të asaj që po ndodh në qendrat për migrantët dhe duke u kufizuar në shumë raste vetëm në përkthimin e asaj që shkruanin mediat italiane. Debati në Shqipëri u ndez përsëri në fillim të dhjetorit, pasi disa aktivistë italianë dhe shqiptarë organizuan protesta në Shëngjin, Gjadër dhe Tiranë. Ndërsa mediat shqiptare përcollën një pasqyrim të përgjithshëm të protestave, kërkesat e plota dhe shqetësimet e ngritura morën vëmendje në Itali, duke përvijuar mbizotërimin e debatit përtej Adriatikut.
Që nga nënshkrimi i marrëveshjes mes Melonit dhe Ramës, mediat italiane janë interesuar periodikisht për qendrat për migrantët, duke realizuar investigime gazetareske dhe duke u fokusuar shpesh në mundësinë e shkeljes së të drejtave të njeriut të emigrantëve. Pavarësisht se mbulimi mediatik italian ka qenë më i plotë, mbeten ende pikëpyetje për t’u zgjidhur. Nga kontratat tek numri i personave që punojnë në qendra, pa harruar faktin se aktualisht asnjë emigrant nuk është riatdhesuar në vendin e origjinës. Nëse dhe kur (kjo) të ndodhë, ka të ngjarë që të lindin pyetje të reja për të cilat do të jetë e nevojshme të gjendet një përgjigje./Faktoje.al