Është zbardhur deklarat e plotë e ish-ministrit të Shëndetësisë, Ilir Beqaj gjatë seancës në Gjykatën e Posaçme, ku ai kishte kërkuar përjashtimin e gjyqtares Flojera Davidhi nga gjyqi paraprak për dosjen e aferës së koncesionit të sterilizimit, kërkesë e cila u rrëzua nga gjykata.
Gjatë fjalës së tij, Ilir Beqaj ka sulmuar gjyqtaren Flojera Davidhi, teksa e ka konsideruar gjithë procesin gjyqësor të sterilizimit si politik dhe akuzën ndaj tij një farsë të sajuar. Sipas tij, drejtësisë i duhen jo vetëm gjyqtarë të pakorruptuar, por sipas tij, edhe të aftë.
Ndryshe nga të pandehurit e tjerë, Beqaj nuk ka pranuar të bëjë kërkesë për gjykim të shkurtuar, duke vazhduar me gjykim të zakonshëm duke pretenduar se gjatë procesit do ta rrëzoje akuzat që iu shtuan nga gjyqtarja Flojera Davidhi për veprën penale vjedhje duke shpërdoruar detyrën në kuadër të grupit të strukturuar kriminal.
Ndërkohë, Ilir Beqaj ka deklaruar më tej se edhe sikur ta dënojnë me burgim të përjetshëm apo edhe me vdekje, sërish sipas tij, Gjykata nuk do të arrijë ta njollosë dhe ta kriminalizojë Partinë Socialiste, Edi Ramën dhe mandatin e parë qeverisës së tij.
Nuk dihet nëse kjo deklaratë e Beqajt tregojnë se “rilindasit” e korruptuar pranojnë burgun dhe liderin se “shesin”, apo ishte një lloj servilizimi dhe mesazhi ndaj ish-shefit dhe mikut të tij, Edi Rama.
Deklarata e plotë e Ilir Beqajt
“Ju e shkatërruat procesin, hetimet dhe akuzën në mënyrë të pa rekuperueshme dhe përmes heshtjes suaj të paligjshme, na keni vendosur në pamundësi mbrojtjeje efektive për fakte qe nuk janë në akuzë dhe qe ju nuk i shpjegoni se ku i keni parë dhe me çfarë provash i mbështesni si fakte.
I gjithë ky proces penal siç e kam deklaruar në këtë sallë në mënyrë të përsëritur ka nisur si proces politik, ka vijuar si hetim politik dhe edhe ju e nderuar gjyqtare me vendimin e datës 23 dhjetor 2024 vendosët një gur të rëndësishëm në themelet e politizimit të kësaj çështje penale. Meqënëse unë Ilir Beqaj nuk mund të dilja i pa akuzar në këtë çështje penale dhe me qenë se ju e konstatuat se as shkelja e barazisë ne tender, as shpërdorimi i detyrës dhe as korrupsioni pasiv nuk qëndronin, shpiket akuzen e vjedhjes dhe të grupit të strukturuar kriminal. Të siguroj se unë do t’i çmontoj dhe këto dy akuza. Por dua të deklaroj se edhe ju jeni bërë pjesë e inkuizicionit ndaj meje.
Së dyti të siguroj, se edhe sikur me vdekje apo me burgim të perjetshem të me akuzosh apo te dënosh nuk do mund të zhbësh, kontributin tim 33 vjeçar ne jetën publike të vendit dhe as te njollosësh as emrin tim dhe as mbiemrin e familjes sime. Por edhe nuk do te mund të njollosesh dhe as të kriminalizosh as qeverinë e parë të Edi Ramës dhe as Partine Socialiste.
Pas 5 vjetësh hetime rezulton se, gjykata ka pranuar se objekti i kontratës ishte një nevoje publike e shendetësise shqiptare. Prokuroria e Posaçme nuk gjeti elemente të veprës penale të shkeljes së barazisë në tender. Prokuroria e Posaçme nuk gjeti elemente të veprës penale të korrupsionit pasiv, as të funksionareve te larte, as te funksionareve publike.
Vendimi juaj nuk ishte i papritur për mua edhe pse shume mund te jenë çuditur. Ishte në vazhdën e çudirave që patën edhe 2 vendimet e gjyqtarit të hetimeve paraprake, në vendimet e Qershorit dhe të Tetorit 2023. Fakti se prokurorët deklaruan se nuk kanë gjetur vepër penale të shkeljes së barazisë në tender dhe fakti se edhe ju zonja gjyqtare e pranuat këtë deklarim të tyre konfirmojnë pavërtetësinë e pohimeve të vendimit në fjale të gjyqtarit Bani.
Deklaroj që ka vendosur të mos i marrë në konsideratë me vetëdije se nuk e çoj nëpërmend se nuk i di, sepse nëse do provonim që nuk i dinë këto gjëra gjyqtarët e Gjykatës së Posaçme, ky do të ishte dështimi më i madh i reformës në drejtësi. Vërtete na duhen gjyqtarë të pakorruptuar dhe të pakorruptueshëm, por më së pari na duhen gjyqtarë të aftë.
Çfare vlere ka të jesh i pakorruptuar kur gjithsesi gjyqtari ndikohet nga presioni publik, mediatik, politik?! Dhe çfarë vlere ka kur gjyqtari nuk ndikohet nga askush, por i mungon aftësia apo dëshira për të kuptuar dhe pranuar të vërtetën dhe ligjin? Ju zonja gjyqtarë, me vendimin tuaj vendosët t’u bashkoheni deputetëve Albana Vokshi dhe Petrit Vasili. Pas vitesh e vitesh, që fjalet “hajdut” dhe “vjedhje” janë përdorur rëndom nga politika për sulme të ndërsjellta, mesa duket edhe ju vendosët t’i provoni duke u bere pjese e debatit politik.
U provua se gjatë hetimeve, organi i akuzës nuk ka bërë asnjë përpjekje, për të gjetur prova që janë në favorin tim, edhe pse këtë e kërkon neni 8/a, pika 2 i K. Pr. Penale. Flitet disa here ne dosjen hetimore për numrin e ndërhyrjeve kirurgjikale ne vitin 2013. Studimi i fizibilitetit përmend se janë rreth 50,000 ndërhyrje kirurgjikale. Ndërsa, sipas organit te akuzës janë 63,000. Ne 5 vite organi i akuzës nuk mori mundimin te hetoje vete se sa ka qene realisht ky numër. Nuk ia kërkoi vete asnjëherë zyrtarisht Ministrisë së Shëndetësisë, edhe pse ne dosjen hetimore janë përgjigjet zyrtare te QSUT-se dhe te Spitalit Universitar te Traumës. Organi i akuzës nuk ka lënë cep ne internet pa rremuar per prova kunder meje. Lidhur me numrin e ndërhyrjeve kirurgjikale ne vitin 2013 nuk mori mundimin as te lexoje ne internet raportet vjetor të QSUT, apo faqe zyrtare në web te INSTAT. Po ta kishte bërë, do të kishte zbuluar që numri 63,000 është i pasaktë. Shifrat e përcjella nga drejtuesit e spitaleve, me firmë dhe me vule, janë ndjeshëm të ndryshme nga ato që ka marrë në konsideratë organi i akuzës, kur ka llogaritur totalin 63,000 të ndërhyrjeve kirurgjikale në vitin 2013.
As ju nuk kërkuat që organi i akuzës të provojë vërtetësinë e shifrës 63,000. Mbrojtja ime e ka marrë një përgjigje zyrtare nga Ministria e Shëndetësisë. Numri është ndjeshëm i ndryshëm nga 63,000. Dokumentin e përgjigjes do ta bëjmë publik ne gjykimin e themelit. Aty para publikut do te tregojmë se sa te paplota dhe qëllimkëqija kanë qënë hetimet e organit të akuzës. Do te tregojmë se sa i paplote ka qene gjykimi ne këtë seance paraprake. Aty do te tregojmë se sa i anshëm ka qene kreu i SPAK, Dumani, me udhëzimin specifik qe u ka dhene prokuroreve te ceshtjes per kete qellim ne prill apo maj 2023. Do të provojmë se sa qellimkeq ndaj personit tim ka qene edhe vendimi i gjyqtarit Bani i 23 qershor 2023. Do te provojmë se sa inekzistent është Artur Metani, kreu i ILD-se, siç edhe do t’i tregojmë publikisht diplomateve të huaj, për të vërtetën e koncesionit të shërbimeve të integruara të menaxhimit të instrumentarit kirurgjikal në spitalet publike të Shqipërisë.
Ndërkohe ftuat Prokurorinë të bëjë dhe hetime qe duket se janë absurde. Se pari, në vendimin e ndërmjetem (nr 4), as nuk e cituat fare nenin përkatës 332/ç te Kodit te Procedurës Penale, që ju jep te drejtën te urdhëroni plotësimin e hetimeve paraprake. Se dyti, me 23 Dhjetor 2024, ju kërkuat qe brenda 2 muajsh, dmth deri ne 23 Shkurt 2025, prokuroret te hetojnë per shpërdorim detyre, punonjëit e Ministrisë së Financave dhe Gazmend Vehbi. Por dihet botërisht qe pas 12 Janar 2025, vepra penale e shpërdorimit të detyrës për këta persona është parashkruar.
Kërkuat hetime shtesë për 4 anëtarë të KPP-së për “shpërdorim detyre”. Vepra penale që mund të bëjnë anëtarët e KPP-së është shkelja e barazisë në tender. Organi i akuzës deklaroi se nuk ka shkelje barazie në tender në këtë çështje penale. Ju e pranuat këtë gjë. Atëherë, pse bëni kërkesa absurde. Ndërsa lidhur me kërkesën për te hetuar Artur Lama dhe Alfred Çareri, ju treguat se vendimi juaj është marrë nën presionin e politikes, dhe se ju dashur, pa dashur jeni bërë një vegël e mekanizmit te inkuizicionit ndaj Ilir Beqajt.” – ka deklaruar Ilir Beqaj.
Dosja “Sterilizimi” kalon për gjykim
Gjyqtarja e Gjykatës së Posaçme, Flojera Davidhi ka vendosur ditën e sotme të kalojë për gjykim dosjen e aferës së koncesionit të sterilizimit.
Të pandehur janë marrë ish-ministri i Shëndetësisë, Ilir Beqaj, ish-zëvendësministri Klodian Rjepaj dhe biznesmeni Ilir Rrapaj, të cilët akuzohen për veprën penale vjedhje duke shpërdoruar detyrën në kuadër të grupit të strukturuar kriminal.
Kjo akuzë iu caktua të pandehurve nga gjyqtarja Davidhi, teksa është një akuzë më e rëndë nga ajo që kishte ngritur SPAK në përfundim të hetimeve paraprake dhe dërgimit të dosjes për gjykim.
SPAK e akuzonte Beqajn vetëm për veprën penale “shpërdorim detyre”, ndërsa Rjepajt dhe Rrapajt dosja kishte akuzën e “mashtrimit me pasoja të rënda në bashkëpunim”. Gjyqtarja Flojera Davidhi do të vendosë dhe nëse do e dërgojë dosjen për gjykim ose jo.
Ilir Beqaj do të vazhdojë gjykimin me procedurë të zakonshme, pasi pretendon se gjatë procesit do ta rrëzoje këtë akuzë të ngritur nga Gjykata e Posaçme.
Ndërkohë, dy të pandehurit e tjerë, ish-zëvendësministri Klodian Rjepaj dhe biznesmeni Ilir Rrapa kanë kërkuar që të gjykohen me gjykim të shkurtuar, kërkesë e cila është pranuar nga gjykata.
Hetimet gati 3-vjeçare të kryera nga SPAK kanë zbuluar shkelje të ligjit në procedurat e dhënies së njërit prej koncesioneve më të kushtueshme të sektorit të shëndetësisë, me qëllimin e vetëm të shpalljes fitues të kompanisë së Ilir Rrapajt dhe shtetasit Italian, Umbro Staccini. Referuar hetimeve, vlera e koncesionit që llogaritet rreth 100 milionë euro, është fryrë fiktivisht dhe dhjetëra milionë euro. Para që deri më tani, prokuroria nuk e ka zbuluar se në xhepat e kujt kanë shkuar.
Në lidhje me këtë dosje, SPAK lëshoi urdhër-arreste vetëm Klodjan Rrjepajn dhe Ilir Rrapajn në Gushtin e vitit të kaluar, por Ilir Beqaj u arrestua më vonë. Ai u vu në pranga në fillim të muajit korrik në lidhje me abuzimin me fondet e Bashkimit Europian gjatë kohës që ish-ministri drejtonte Agjencinë Shtetërore të Programimit Strategjik dhe Koordinimit të Ndihmës (SASPAC).
Beqaj dyshohet se përmes njerëzve të besuar ka ndërtuar një skemë për të përfituar shuma të mëdha parash duke lëshuar fatura fiktive për shërbime të pakryera, të lëshuara nga biznese të ndryshme në Tiranë.
Gjithashtu, ai akuzohet edhe për fshehje pasurie, pasi dyshohet se është pronari “faktik” i restorantit “Gzona” tek Kalaja e Tiranës, si dhe i një automjeti që e ka në emër të bashkëpunëtorit të tij, po ashtu në burg, Ermal Kurtulaj.