Gjykata e Posaçme ka firmosur një tjetër urdhër kontrolli ndaj kryebashkiakut të Tiranës, Erion Veliaj.
Me kërkesë të prokurorëve Altin Dumani e Ols Dado, Gjykata ka lejuar kontrollin e një apartamenti pranë qendrës “Harabel” në zonën e ish-Bllokut, ambient që dyshohet se përdorej nga familjarët e kryebashkiakut.
Siç raportojnë mediat, apartamenti 11/4 në ‘Sky Tower’ është kontrolluar në kuadër të një hetimi që ka si objekt korrupsionin, pastrimin e parave dhe fshehjen e pasurisë. Hetuesit kanë sekuestruar dhjetëra dokumente, të cilat janë vlerësuar me rëndësi për zbardhjen e çështjes.
Agjentët e BKH-së kanë kryer kontrollin me qëllim administrimin dhe sekuestrimin e provave që kanë lidhje me veprën penale duke përfshirë prova dokumentare dhe elektronike, pajisje elektronike, celularë, lap top apo kompjuter personal.
Kryebashkiaku i Tiranës, Erion Veliaj, është paraqitur në ambientet e SPAK disa herë ku është marrë në pyetje për disa vepra penale. Mëngjesin e 6 dhjetorit me urdhër të Gjykatës së Posaçme kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar, oficerët e policisë gjyqësore ushtruan kontrolle në zyrat e kompanisë së bashkëshortes së kryebashkiakut të Tiranës Erion Veliaj, ndërsa më parë i kishin sekuestruar dhe telefonin celular.
Kontrolle u ushtruan dhe në banesën e vëllait të Veliajt. Vetë Prokuroria e Posaçme nuk dha detaje, por u mjaftua të shpjegojë se ka kryer disa “veprime hetimore në kuadër të një procedimi penal”.
Ndaj kryebashkiakut Erion Veliajt ka nisur një hetim pasuror, ndërsa po shihet dhe roli i tij në rastin e inceneratorit të Tiranës si dhe në çështjen e kompanisë “5D”, që zotërohej nga ish-drejtorë të Bashkisë.