Pasi Kreshnik Farruku, i njohur si kreu i klanit “Farruku’ u arrestua mbrëmjen e 11 janarit 2025 me urdhër të SPAK, Prokuroria e Posaçme ka dhënë detaje mbi këtë operacion.
Për riarrestimin e Farrkut në Manzë ku qëndronte arrest shtëpie ndërhyri reparti special RENEA. Ai do të qëndrojë i izoluar në ambientet e Policisë së Tiranës, për të dalë të hënën para Gjykatës së Posaçme. Ai është arrestuar në Manzë të Durrësit me kërkesë të SPAK në bashkëpunim me prokurorinë e Firenzes me qëllime ekstradimi drejt Italisë.
Sipas SPAK, Kreshnik Farruku rezulton të jetë anëtari i një grupi të strukturuar kriminal që kishte arritur të trafikonte kokainë në vlerën 5 mln euro brenda 6 muajve. Gjithashtu SPAK ka identifikuar dhe anëtarët e tjerë të kësaj organizate kriminale.
Në një njoftim të shpërndarë sot për median, SPAK informon se nga hetimet e kryera vetë kishte arritur të identifikonte Kreshnik Farrukun, (Kreshnik Budlla) si anëtar të këtij grupi kriminal. Sipas SPAK ai ishte organizatori i pritjes dhe magazinimin e drogës në Itali dhe më pas shpërndarjen në tregun italian
“Nga veprimtaria hetimore e kryer në Shqipëri, është bërë identifikimi i shtetasit, Kreshnik Budlla anëtar i grupit të strtruktuar kriminal, i paidentifikuar nga autoritetet italiane, i cili merrej me organizimin e pritjes, magazinimin e drogës në Itali dhe më pas shpërndarjen në tregun italian.
Konkretisht, ai është organizatori i furnizimit të lëndës narkotike, e sekuestruar më 27 janar 2021 në Autostradën Guardamiglio (LO), Itali, ku janë arrestuar shtetasit shqiptare;E.K. dhe M.K., të cilëve iu gjet një sasi e lëndës narkotike të llojit kokainë, me një peshë totale bruto prej 10.522 kg, e paketuar në 9 pako plastmasi të fshehura në një hapësirë të një mjeti, Ford Fiesta. Përveç këtij sekuestrimi, ekzistojnë elementë të shumtë të komunikimeve të të arrestuarit K.B, me pjesëtarët e grupit të strukturuar kriminal, (tashmë të arrestuar në Itali), duke provuar rolin e tij brenda grupit të strukturuar kriminal ”, thuhet në njoftim.
Po ashtu është ekzekutuar masa e arrestit për Juljan Kollçaku dhe Maksim Ndoci, të cilët janë arrestuar më parë nga autoritetet italiane.
“Gjithashtu, në datë 12.01.2024, është ekzekutuar dhe vendimi për caktimin e masës së sigurimit të dhënë nga Gjykata e Posaçme e Shkallës së Parë për shtetasit; Juljan Kollçaku dhe Maksim Ndoci, të arrestuar më parë, pas urdhrit të kërkimit i nxjerrë nga autoritetet gjyqësore italiane, por për të po kryheshin hetime nga Prokuroria e Posaçme në kuadër të procedimit penal nr.296 të vitit 2021.
Procedimi penal është ende në fazën e hetimeve paraprake dhe për shkak të parimit të pafajësisë, përgjegjësia e personave nën hetim do të konstatohet përfundimisht vetëm në rast të një dënimi të formës së prerë”, njofton SPAK.
Lexo edhe:
RENEA arreston Kreshnik Farrukun (Budllën) për llogari të SPAK-ut