Nga Erisa Kryeziu dhe Esmeralda Keta
Kur nisën punë në fasoneri* 15 vite më parë, gratë që punojnë në Kamëz dhe Bathore nuk e kishin menduar se edhe në dekadën e dytë të profesionit do të përballeshin me kushte të vështira pune. Ndërsa përvoja dhe aftësitë e tyre janë rritur, kushtet janë përkeqësuar dhe paga vazhdon të jetë minimale.
“Sot, jemi më keq se kur nisëm punë për herë të parë”, – tha një punëtore e fabrikës “Remal”.
Në këto ambiente, gratë punojnë orë të gjata dhe marrin paga minimale, ndërsa prodhojnë këpucë për markat luksoze.
“Na shfrytëzojnë deri në palcë”, – tha një punëtore që ka parë të njëjtën situatë në shumë fasoneri, ku mungojnë sindikatat dhe kontrolli institucional.
Me rreth 75 mijë të punësuar, sektori fason konsiderohet një ndër sektorët prioritarë të ekonomisë shqiptare, por punëtorët ankohen për kushte të rënda pune dhe trajtim jodinjitoz.
“Është një sektor që operon me normë fitimi shumë të ulët dhe ka sjellë shfrytëzimin e punëtorëve në mënyrë masive”,- deklaroi Suzana Lulaj, sekretare e Përgjithshme e Federatës së Sindikatave të Tekstilit, Konfeksioneve dhe Shërbimeve Artizanale të Shqipërisë, gjatë prezantimit të Ligjit gjerman për kontrollin e detyrueshëm në zinxhirët e prodhimit.
“Mungon kontrata kolektive sektoriale, sistemi i pagave vazhdon të dominohet nga paga me normë. Kur normat rriten artificialisht dhe punëtorët tanë nuk arrijnë të marrin dhe as pagën minimale”,-renditi ajo disa nga shqetësimet e këtij sektori, ndërsa pranoi se sindikata ishte e dobët dhe e pafuqishme për tu shtrirë te këto ndërmarrje.
Për shumicën e punonjësve të sektorit fason, marrëveshja “Clean Clothes” e nënshkruar nga disa kompani, që supozohet të sigurojë paga dinjitoze dhe kushte më të mira pune, është vetëm në letër.
Mirela Arqimandriti, Drejtoreshë Ekzekutive e Qendrës Aleanca Gjinore për Zhvillim (GADC), e cila prej shumë vitesh punon për monitorimin, ngritjen e kapaciteteve dhe mbështetjen e grave që punojnë në sektorin e tekstileve e këpucëve, vë në dukje se “mekanizmat efektivë për raportimin e shkeljeve apo problematikave në vendin e punës pothuajse mungojnë në këtë sektor,” duke e bërë zgjidhjen e tyre tepër të vështirë.
“Edhe në rastet kur këto mekanizma ekzistojnë, ato janë kryesisht formale, të kufizuara në dokumente dhe të realizuara vetëm në kuadër të marrëveshjeve që lidhen midis prodhuesit shqiptar dhe kompanisë porositëse si detyrime ndërkombëtare por nuk janë funksionale në realitet,” tha Arqimandriti për Citizens.al.
Citizens.al publikoi një pyetësor duke marrë dëshmitë e 81 grave që punojnë në fasoneri. Të dhënat tregojnë se punëtoret ankohen për paga të ulëta dhe mungesë të kushteve bazë, përfshirë mungesën e ventilimit, lejeve, orëve shtesë të paguara dhe pushimeve zyrtare.
Sektori fason mbahet në këmbë nga gratë, të cilat përbëjnë rreth 87% të të punësuarve. Ato përgjithësisht janë pa arsimim dhe pa ndonjë kualifikim të veçantë.
I favorizuar nga kostot e ulëta të krahut të punës, sektori fason nisi të lulëzojë në Shqipëri 32 vite më parë. Fillimisht me ndërmarrje të vogla që merrnin përsipër vetëm një proces, pas viteve 2000 Shqipëria u pa si “parajsë” nga kompanitë e huaja për shkak të mungesës së kontrollit dhe sindikatave të dobëta.
Një studim i Qendrës “Aleanca Gjinore për Zhvillim“ gjeti se vetëm një përqindje e vogël e të gjithë punëtorëve të fasonerive janë pjesë e sindikatave, ndërsa konstatoi se “ka raste ku sindikatat janë krijuar nga menaxhmentet e fabrikës për të shënuar kutinë për klientët e tyre ndërkombëtarë”.
“Liria e organizimit është një nga të drejtat më të vështira për të treguar që po dhunohet. Nga puna jonë në sa e sa raste punëtorët mundohen të organizohen në sindikatat e tyre, dhe e kanë jashtëzakonisht të vështirë për tu regjistruar në mënyrë formale pasi nuk ju njihet kjo e drejtë”,- tha Artemisa Ljarja nga “Clean Clothes”.
Kushtet e vështira dhe mungesa e kontratave
“Gjatë verës është shumë vapë, ndërsa gjatë dimrit shumë ftohtë”,- i tha Citizens.al një punëtore e fasonerisë në Lushnjë. Ajo dhe shumë të tjera tregojnë për mungesën e ajrimit dhe për ngushtësinë e hapësirave të punës.
Në kompaninë “Prodyn”, që prodhon për marka si “Prada” dhe “Clark”, një punonjëse tha se ka vite që punon pa kontratë pune, ndërsa pagesa është minimale.
“Pagën bazë e arrijmë vetëm nëse punojmë edhe të shtunave”- tha ajo, “plus që edhe po punove të shtunave i bie që do të shkojë brutoja në total mbi 500”.
Një tjetër dëshmon se në këto ndërmarrje, kontratat shpesh nuk u jepen punonjësve për të lexuar, por u kërkohet të firmosin në fletë të bardha.
Në ambientet e punës, punëtoret përballen edhe me presion të madh psikologjik. Një punëtore në fasonerinë “Albashoes”, që prodhon për firma si “Armani” dhe “Versace”, përmendi frikën e vazhdueshme të humbjes së punës dhe trajtimin me dhunë psikologjike: “Nëse nuk të pëlqen, ja ku e ke derën”, -këto fjalë dëgjohen shpesh në fasoneri.
Gratë ankohen se në ambiente të tilla ato nuk kanë kontroll mbi kohën e pushimit e as të përdorin tualetin. “Tani i kanë ndaluar të gjitha gratë të shkojnë në tualet para orës 10:30,”- tha një punëtore. Përveç lodhjes fizike, ato shprehin se dhuna psikologjike dhe trajtimi jo dinjitoz janë probleme të përditshme.
Problemet me kushtet e punës pranohen edhe nga Ingrit Sokoli, përfaqësuese e sindikatës për fasoneritë pranë TRIKOT në Shkodër.
“Punonjësit e sektorit fason në Shqipëri përballen me një sërë problematikash, të cilat lidhen kryesisht me kushte të papërshtatshme pune, pagë të ulët dhe mungesë mbrojtje ligjore”,- tha ajo për Citizes.al. .
Ajo shtoi më tej se shpesh pagat në sektorin fason janë shumë të ulëta krahasuar me standardet ndërkombëtare dhe me kostot e jetesës në Shqipëri.
“Paga minimale është shpesh e pamjaftueshme për të mbuluar nevojat bazike”, -tha ajo, ndërsa shtoi se shumë punonjës punojnë me orë të gjata pa iu paguar orët shtesë.
“Kjo mund të çojë në lodhje të madhe dhe një cilësi të ulët jete”, – komenton Sokoli.
Sipas saj punonjësit në sektorin fason shpesh ndihen të ngujuar në pozita të ulëta dhe pa mundësi për avancim profesional, pasi shumë punëdhënës nuk investojnë në trajnime apo zhvillim të aftësive të punonjësve.
Edhe Mirela Arqimandriti nga GADC, thotë se në sektorin e fasonerisë, të drejtat e punonjësve shpeshherë nuk respektohen.
“Shumë punonjës punojnë me kontrata individuale, të cilat nuk i shohin, përveçse në ditën që i firmosin, çka i bën më të cenueshëm ndaj shkeljeve të mundshme. Edhe pagesat shpesh janë në nivele minimale dhe nuk reflektojnë kostot e jetesës, duke vështirësuar jetesën me dinjitet për punonjëset dhe familjet e tyre”, – thotë Arqimandriti.
Sipas saj gjendja nuk është aspak e mirë as sa i përket shëndetit dhe sigurisë: “kushtet e sigurisë janë shpeshherë minimale, dhe ndodh që punonjësit të punojnë në ambiente të papërshtatshme për shëndetin e tyre, duke rrezikuar dëmtimet apo sëmundjet e lidhura me punën, për te cilat nuk flitet fare”.
Edhe për praninë e mjekut, që është detyrim ligjor, Arqimandriti thotë se ai rezulton vetëm në letra për të dalë mirë përpara Inspektoratit të Punës, por nuk ushtron veprimtari kontrolli mjekësor.
Roli i Inspektoratit të Punës dhe institucionet e tjera
Gratë tregojnë se nuk gjejnë mbështetje nga Inspektorati i Punës, institucioni që teorikisht duhet të mbrojë të drejtat e tyre.
“Kur bëhen ankesa në Inspektorat, ata e marrin vesh përpara,” – tha një nga punëtoret, duke shtuar se shpesh Inspektorati bashkëpunon me drejtuesit për të fshehur shkeljet.
“Një ditë një përgjegjëse i ka gjuajtur një punëtoreje. Kam marrë në telefon Inspektoratin dhe e kam raportuar me emër me mbiemër”,- tregon një prej punëtoreve.
“Kur erdhi Inspektorati, i thanë jo ajo është me raport lindjeje, ndërkohë që ne ishim aty e dinim që ajo ishte në punë. E fshehën atë”,- përfundon ajo.
Punëtoret pranojnë se Inspektorati shpesh “i mbyll çështjet tek zyrat e shefes”, pa i adresuar realisht problemet.
Edvin Prençe, kryetar i shoqatës “Pro-Export Albania”, tha se kushtet e punës janë përmirësuar krahasuar me të kaluarën, por theksoi se sektori fason në Shqipëri po përjeton një krizë. Sipas tij, rritja e kostove dhe zhvlerësimi i euros kanë bërë që numri i punonjësve të fasonerive të bjerë.
“Në dhjetor të vitit 2023, sektori fason kishte 75,000 të punësuar, por tani ky numër është reduktuar me rreth 7-8 mijë punonjës. Kjo ka ardhur për shkak të rritjes së kostove, humbjes së konkurrueshmërisë , ndërsa kursi i këmbimit të euros i ka nxjerrë jashtë tregut, jashtë konkurrueshmërisë bizneset shqiptare”, -tha ai.
Ai shtoi se fasoneritë që punojnë për kompani të huaja duhet të plotësojnë kërkesa të larta për certifikim, të cilat monitorohen nga bizneset e huaja dhe jo nga autoritetet shqiptare.
Ingrit Sokoli thotë se “shpesh ndodh që këto kompani (kompanitë e huaja) të imponojnë kushte të caktuara në lidhje me cilësinë e produktit dhe procesin e prodhimit”.
“Megjithatë, ndarja mes kushteve të punës që janë të garantuara nga kontratat me këto marka dhe kushtet reale të punës në fabrikat fason mund të jetë shumë e paqartë dhe shpesh nuk përputhen plotësisht me standardet që mund të presësh nga këto kompani”, – pranon Sokoli.
Pavarësisht krizës dhe Pandemisë Covid-19, të dhënat e Institutit të Statistikave tregojnë se ky sektor ka njohur rritje. Në fund të vitit 2023 në vendin tonë ishin të regjistruara 1,015 ndërmarrje aktive që merreshin me prodhimin e këpucëve dhe veshjeve, nga 780 të tilla që ishin në vitin 2019. Megjithatë, ky numër mbetet ende larg shifrës prej 2,921 kompanish që operonin në vitin 2010, duke reflektuar një tkurrje të ndjeshme të sektorit gjatë dekadës së fundit.
Krahas sfidave, ky sektor ka shënuar përmirësime në eksport. Sipas të dhënave të INSTAT, eksportet e tekstileve dhe këpucëve arritën vlerën e 135 miliardë lekëve në vitin 2023, një rritje e konsiderueshme krahasuar me 102 miliardë lekë të regjistruara gjatë vitit të pandemisë, 2020.
Por duket se vitit 2024 nuk ka qenë i mbarë për sektorin fason. Të dhënat e INSTAT tregojnë se për periudhën janar-shtator 2024 eksportet e mallrave arritën vlerën 286 mld lekë, duke u ulur me -14,2 %, krahasuar me një vit më parë. Sektori fason ndikoi në këtë ulje me -5,1 pikë përqindje.
Uljen më të madhe ky sektor e shënoi përgjatë muajit shtator 2024, me 5.5 % më pak eksporte.
Sektori, i cili punëson kryesisht gra me arsim fillor dhe pa kualifikime specifike, në fillimet e tij ishte i mbizotëruar nga puna në të zezë dhe sistemi i pagesave me normë. Megjithëse sot është formalizuar, shumica dërrmuese e punonjësve vazhdojnë të marrin vetëm pagën minimale, duke reflektuar sfida të vazhdueshme në drejtim të përmirësimit të kushteve të punës dhe të ardhurave.
Sektori aktualisht prodhon produkte për marka të njohura, duke rritur ambiciet e prodhuesve dhe zgjeruar gamën e prodhimeve. Aktualisht disa kompani të sektorit fason operojnë me cikle të plota për përgatitjen e një produkti me porosi nga brande të njohura e tregje të huaja.
Gjithsesi, është e domosdoshme që të vendosen dhe të zbatohen rregulla më të forta, të cilat jo vetëm respektojnë, por edhe zbatojnë në mënyrë kuptimplotë konventat ndërkombëtare që Shqipëria ka nënshkruar, përfshirë ato të Organizatës Ndërkombëtare të Punës (ILO). Ekspertët e lidhin sfidat e tanishme me boshllëqet ligjore dhe zbatimin e dobët të standardeve mbi kushtet e punës.
“Ligjet ekzistojnë, por shpesh zbatimi i tyre është i dobët. Mangësitë lidhen me mungesën e inspektimeve të rregullta dhe efikase, dhe shpesh shkeljet nuk ndëshkohen mjaftueshëm për të inkurajuar përmirësime”, -thotë Arqimandriti.
“Shfrytëzimi nga kompanitë ndërkombëtare dhe mungesa e standardeve sektoriale: Sfida për punonjësit shqiptarë”
Një pjesë e kompanive të huaja përfitojnë jo vetëm nga krahu i lirë i punës por edhe nga mungesa e transparencës dhe informaliteti në Shqipëri. Në një intervistë për Citizens.al, Artemisa Ljarja, nga “Clean Clothes Campaign” në Gjermani, tha se kompani të tilla shmangin përballien me standardet ndërkombëtare duke përdorur furnitorë të shumtë, kjo e bën të pamundur identifikimin e zinxhirit të plotë të furnizimit.
Për punëtoret e fasonerisë, marrëveshjet ndërkombëtare, si “Akordi i Bangladeshit” ** për të siguruar shëndetin dhe sigurinë në punë, shpesh nuk ndikojnë në përditshmërinë e tyre. Një punëtore në fasonerinë “Prodyn” tha se prej shumë kohësh ka punuar në këtë kompani pa kontratë, dhe vetëm një herë i është dhënë për të lexuar një kontratë tremujore. “Pas asaj kontrate nuk kemi parë më asgjë të shkruar,”- tha ajo.
Në zinxhirin e furnizimit të sektorit fason, ekziston një nivel i lartë pasigurie dhe paqartësie, që krijon vështirësi për të siguruar kushte të qëndrueshme dhe të parashikueshme për të gjithë palët e përfshira. Kjo pasiguri shpesh rezulton nga mungesa e transparencës, praktikat e errëta të kontraktimit dhe shmangia e nënshkrimit të marrëveshjeve formale nga furnitorët, të cilët tentojnë të minimizojnë rreziqet dhe ndëshkimet për shkeljen e kushteve të kontratave.
Kjo ka një ndikim të drejtpërdrejtë në cilësinë dhe besueshmërinë e furnizimeve, duke krijuar një mjedis të paqëndrueshëm për të gjitha palët e përfshira dhe duke penguar zhvillimin e një partneriteti të qëndrueshëm dhe afatgjatë mes markave dhe furnitorëve.
Mungesa e transparencës në zinxhirin e furnizimit, sipas ekspertëve, është një veprim i qëllimshëm, pasi furnitorët shpesh shmangin nënshkrimin e kontratave me markat e njohura për të evituar penalitetet e rënda.
“Nga studimi që kemi bërë edhe në vende të tjera, sidomos edhe në vende të BE-së me furnitorë të drejtpërdrejtë, nuk preferojnë vetë furnitorët të kenë kontrata sepse në momentin që ata nuk janë të aftë të përmbushin kontratën kanë penalitete të jashtëzakonshme nga brandet”, – thotë Artemisa Ljarja për Citizens.al.
Sipas saj kontratat e kompanive të mëdha përmbajnë disa standarde që janë shtesë për kompanitë në Shqipëri.
“Janë 8 konventat kryesore të ILO-s që kanë të bëjnë me punësimin e fëmijëve, nuk duhet të shkelet e drejta për tu organizuar; pagesa duhet të jetë pagesë e denjë. Puna e detyruar është element tjetër dhe mënyra se si ILO e përcakton punën e detyruar është shumë interesante sepse vlen edhe për punën në Shqipëri. Pra supozohet që ti duhet të marrësh pagën minimale maksimumi 48 orë pune në javë. Ndërkohë që ne kemi marrë vesh nga disa punëtorë që meqënëse ka pak punëtorë tani në Shqipëri, çfarë bëjnë, kanë rritur normën dhe i detyrojnë, lidhin normën me pagën minimale. Pra paga minimale nuk është e lidhur me 40 orëshin. Dhe kjo quhet punë e detyruar sipas Konventës së ILO-s”,- shpjegon Ljarja.
Pavarësisht se në Shqipëri prodhohen produkte për disa marka të njohura ndërkombëtare, është e vështirë të arrihet transparenca e plotë në zinxhirin e furnizimit. Kjo ndodh sepse jo të gjitha kompanitë shqiptare janë furnitore të drejtpërdrejta, ndërkohë që shumica operojnë përmes ndërmjetësve, kryesisht nga Italia. Kjo strukturë e ndërmjetësuar e bën të vështirë ndjekjen dhe identifikimin e saktë të burimeve të prodhimit dhe ndikon në mungesën e transparencës në proceset furnizuese.
“Prodhimi për marka të njohura ndërkombëtare, pa identifikimin e emrave të tyre ose të zinxhirit prodhues, e bën të vështirë monitorimin e fabrikave për të siguruar respektimin e të drejtave të punonjësve. Kjo mungesë transparence u jep mundësinë kompanive të shmangin përgjegjësinë për kushtet e punës dhe pagesat e ulëta,” – thotë Mirela Arqimadriti.
Edvin Prençe shtoi se shoqata e tij ka propozuar krijimin e një kontrate kolektive sektoriale që do të ndihmojë në sigurimin e të drejtave për punonjësit dhe për bizneset, duke specifikuar pagesat dhe të drejtat për çdo proces pune.
“Kjo do të ndihmonte në rritjen e transparencës dhe në përmirësimin e kushteve të punës,”- tha ai.
Ndërsa kriza në sektor vazhdon, të dhënat e INSTAT tregojnë se në fund të vitit 2023 ishin aktive 1,015 ndërmarrje fasoneri në Shqipëri, duke përfaqësuar një rritje krahasuar me vitin 2019. Prençe theksoi se sektori ka ende shumë sfida, përfshirë koston e lartë të prodhimit dhe humbjen e konkurrencës në tregjet ndërkombëtare.
Në Europë gratë përfaqësojnë 70% të forcës së punës në sektorin e tekstileve, në vitin 2022. Një studim i Qendrës Aleanca gjinore për Zhvillim ka gjetur se edhe në Shqipëri ky sektor dominohet nga gratë, që përbëjnë 87 % të të punësuarve.
“Shumica dërrmuese e këtyre grave kanë arsim fillor ose të mesëm dhe zakonisht paguhen me pagën minimale”, – citon studimi.
Ekspertët që merren me studimin e këtij sektori thonë se ndonëse dominojnë këtë sektor, shpesh gratë marrin paga më të ulëta sesa burrat për pozicione të ngjashme.
“Burrat janë më të pranishëm, në pozicione drejtuese, duke pasqyruar kështu një ndarje gjinore të theksuar në hierarkinë e kompanive,” shprehet Mirela Arqimandriti. Sipas saj, presioni psikologjik për të kapur normat e larta ditore është një tjetër faktor që ndikon kryesisht tek gratë, të cilat përballen me pritshmëri të larta për produktivitetin ditor.
Nën sloganin “Prodhuar në Shqipëri, veshur në tërë Evropën” shoqata Proeksport Albania që është përfaqësuesi zyrtar i industrisë së veshjeve dhe këpucëve në Shqipëri, thotë se kjo industri përfshin 700 fabrika aktive dhe “35 % e ofrojnë markën e tyre të veshjeve”.
Pavarësisht se liria e anëtarësimit dhe e negociatave për kontratat kolektive mbrohen si e drejtë kushtetuese në Shqipëri, vetëm një përqindje e vogël e të gjithë punëtorëve të veshjeve janë në fakt të sindikalizuar.
Sindikatat e dobëta, kanë bërë që punëtorët ti shohin me dyshim këto përfaqësime.
Sipas Mirela Arqimadritit, shumica e punonjësve nuk kanë informacion të mjaftueshëm për mbrojtjen që mund të ofrojnë sindikatat, sidomos në fabrikat e mëdha të prodhimit.
“Edhe aty ku ka një lloj njohjeje, ekziston një hezitim për t’u anëtarësuar për shkak të frikës nga presioni apo përjashtimi”, – shpjegon ajo. .
Situatën e pranon edhe Ingrit Sokoli, përfaqësuese e sindikatës për fasoneritë pranë TRIKOT në Shkodër.
“Punonjësit kanë frikë të flasin hapur për problemet e tyre, pasi mund të etiketohen si “problem” ose “të padëshiruar” nga punëdhënësit dhe kolegët, veçanërisht në një mjedis ku konkurrenca për vende pune është e ashpër, – tha ajo.
Sfidat e përditshme të punëtoreve të fasonerisë
Punëtoret e fasonerive janë një grup grash energjike që mbajnë në këmbë ekonominë e familjeve të tyre. Shumë prej tyre janë krenare për punën që bëjnë, edhe pse kushtet janë të vështira.
“Këpucët që ne prodhojmë shiten për qindra e mijëra euro, por ne mezi mbajmë familjet tona me pagat që marrim,” -tha një nga gratë që punon në fabrikën “Remal”.
Ato përballen me dhunë psikologjike dhe një ritëm pune të lartë, që shpesh kërkon kryerjen e disa proceseve të ndryshme.
Një punëtore kujton vizitën e një drejtuesi italian, i cili vuri re se disa punëtore bënin nga dy ose tri procese dhe kërkoi që punonjëset të shtoheshin.
“Ai i kërkoi llogari përgjegjëses se pse punonjëset ishin të mbingarkuara. Shtuan punonjëse sa kohë ai ishte aty, por sapo u largua, i hoqën,”- tregoi ajo.
Një tjetër punonjëse kujtoi një rast të fundit kur e pushuan nga puna për një gabim të vogël gjatë një procesi, duke treguar pasigurinë dhe presionin e përditshëm që ndjejnë.
Disa nga këto gra kanë protestuar disa herë, dhe falë tyre kanë arritur disa fitore të vogla, si marrja pushim e disa ditëve të caktuara festive.
Një punëtore e “Albashoes”, që prodhon për firma si “Armani” dhe “Gucci”, përmendin presionin e vazhdueshëm që ndjejnë.
“Na bëjnë presion çdo ditë dhe është shumë e vështirë për të kërkuar të drejtat tona,”- tha ajo. “Na thonë se mund të na përzënë në çdo moment dhe kjo na e bën punën edhe më të vështirë.”
Inspektorati i Punës ka konstatuar shkelje në shumë fasoneri, përfshirë informalitetin dhe pagesën e papaguar të orëve shtesë. Nga viti 2020 e deri në qershor të këtij viti, Inspektorati ka kryer 6,414 inspektime dhe ka zbuluar 252 punonjës nën moshën 18 vjeç, ndërkohë që 48% e shkeljeve lidhen me mungesën e respektimit të kontratave dhe pagesën e orëve shtesë.
Sipas Ljarjes, standardet ndërkombëtare të ILO-s, të cilat garantojnë të drejtat e punës, nuk zbatohen gjithmonë siç duhet në Shqipëri. “Nuk ka transparencë për furnizuesit dhe mungojnë kontratat e drejtpërdrejta,” – tha ajo. Ajo vuri në dukje sfidat e shumta me të cilat përballet sektori fason dhe theksoi rëndësinë që kompanitë shqiptare të zhvillojnë marrëdhënie më të qëndrueshme dhe të përmirësojnë kushtet për punëtorët e tyre.
Nga ana tjetër, Prençe bëri thirrje për një ndryshim të qasjes brenda sektorit dhe propozoi krijimin e një “shkolle ekselence” që do të mundësonte certifikimin e lëndëve të para dhe ofrimin e trajnimeve për rritjen e konkurrueshmërisë së sektorit. “Për të qenë konkurrues, duhet të kemi punonjës të mirëtrajnuar dhe kompani që inspirojnë besim,” – theksoi ai.
Sipas Prençes, për të kapërcyer krizën që ka prekur këtë sektor, është e nevojshme një ndryshim rrënjësor i filozofisë së punës. “Nëse deri dje kemi shitur vetëm krahun e punës, sot duhet të synojmë të jemi ‘Made in Albania’ me produkte autentike dhe prototipe. Duhet të bëhemi prodhues të të gjitha fazave të punës – nga blerja e lëndës së parë, deri te produkti final, që mund të jetë një brand apo një dyqan. Vetëm kështu mund të krijojmë vlerë të shtuar, të sigurojmë mbijetesën e sektorit, të bëjmë investime, të rrisim pagat dhe të tërheqim brezin e ri për t’u angazhuar në këtë industri,” – përfundoi ai.
Në përfundim, sektori fason në Shqipëri përballet me një sërë sfidash që ndikojnë si tek punonjësit, ashtu edhe tek konkurrueshmëria e kompanive. Gratë, të cilat përbëjnë shumicën e fuqisë punëtore, vazhdojnë të punojnë në kushte të vështira, me paga minimale dhe mungesë mbrojtjeje ligjore. Ndërkohë që formalizimi i sektorit ka sjellë disa përmirësime, mbeten ende shumë probleme që kërkojnë zgjidhje konkrete. Për të siguruar një zhvillim të qëndrueshëm, është thelbësore që qeveria, bizneset dhe organizatat ndërkombëtare të bashkëpunojnë për përmirësimin e kushteve të punës dhe forcimin e mekanizmave mbrojtës, duke e kthyer këtë sektor në një shtyllë të fuqishme të ekonomisë shqiptare./ Citizens.al