Në emisionin “Të Paekspozuarit” kanë qenë të ftuar disa nga kryetarët e partive të reja, ku ndër të tjera ata janë pyetur edhe për qëndrimin që kanë ndaj SPAK dhe drejtësisë së re.
Pano Soko tha se i kanë dhënë besim SPAK, duke depozituar edhe padi, por u shfaq kritik për faktin se Prokuroria e Posaçme nuk u ka shkuar deri në fund aferave të mëdha, siç është rasti i inceneratorëve.
Agron Shehaj tha se ka një pritshmëri të madhe te SPAK, sikur ky institucion do të zgjidhë gjithë problemet e Shqipërisë, por kjo është detyrë e politikës. Ai deklaroi se SPAK ka disa arritje, por duhet të kalojë vijën e kuqe që është pushteti.
Ndërsa Arlind Qori deklaroi se puna e SPAK është e pakryer, por tha se vendi mund të ndryshojë vetëm kur njerëzit të bashkohen dhe të ushtrojnë trsyni ndaj institucioneve dhe qeverisë.
Analisti Andi Bushati tha se këto qëndrime janë “dëshpërimisht” të ngjashme, ndërsa ai e konsideron SPAK një institucion të kapur dhe në shërbim të regjimit të Edi Ramës.
Pano Soko: Ne përpiqemi të jemi realistë. Ne kemi qenë ata që i kemi dhënë besim SPAK-ut. Kemi ndërmarrë akte, sepse kemi dashur të besojmë se një drejtësi e re mundëson garë të barabartë. Ka një ide që thonë se SPAK po ndërhyn në zgjedhje duke sakatuar partitë e mëdha dhe duke na lehtësuar punën partive të reja. Në fakt, besoj se SPAK duke mos bërë punën e vet ka ndërhyrë në zgjedhje. Janë zgjedhjet e treta që unë marrë pjesë dhe në dy palë zgjedhjet jemi përballur me disa njerëz, që sot na del se paskan patur para, që ia kanë vjedhur xhepave të qytetarëve. Kjo është një garë e pabarabartë e cila është mundësuar nga drejtësia që nuk ndërhynte. Nga SPAK do të doja që të ndërhynte për të vendosur drejtësia në një garë të barabartë. Nuk mund të rrijë përballë një njeriu që ka vjedhur miliarda euro. Nëse SPAK dhe drejtësia ma lënë përballë atë, në atë moment janë duke ndërhyrë në zgjedhje. Këto që po ndodhin është korrektim i asaj që ka ndodhur dje.
Nuk po bëhet ajo që do duhet të ishte bërë. Përshembull unë nuk mua t’ja fal që SPAK nuk arrin të shkojë dot deri në fund te asnjë dosje e rëndësishme që ka hapur. Nuk shkon deri në fund, shkon deri në njëfarë niveli. Inceneratorët, sterilizimi, lidhja e krimit me politikën, kemi parë aktorët e krimit, por nuk na dalin këta të politikës. Nuk i sheh SPAK këta? Edhe dosjet e fundit, që u bënë publike, Elbasani, aty përmendeshin aktorë politikë që çuditërisht nuk i gjeje te dosja e SPAK. Pra, patjetër mbështetje por jo naivitet dhe mbështetje pa kushte. Asnjë nuk e ble këtë, që një grup kriminal që e pranon vetë se ka punuar për të bërë vota për Partinë Socialiste, papritur ky person i kontaktit, nuk gjendet në asnjë vend. SPAK vërtet nuk e sheh këtë? Apo nuk e lënë ta shohë? Ky është objeksioni më i madh që kam për punën e SPAK. Sterilizimi, është sot një kontratë në fuqi për shkak të një VKM, me të njëjtin standard që po gjykohet Sali Berisha, të gjykohet edhe rasti i sterilizimit. Ka qenë ai vendim që i ka hapur derën kontratë koncesionare.
Agron Shehaj: Ka një pritshmëri të madhe te SPAK. Duhet të kuptojmë nga vijmë. Ishim një Republikë ku gjyqësori ishte jo ekzistent sepse gjyqësori ishte totalisht i korruptuar dhe sistemi check and balance i disa pushteteve, që garanton që një demokraci të konsolidohet, nuk funksionon. Lindi nevoja për një reformë në drejtësi. Ne tani presim që SPAK, me të drëjtë, të japë zgjidhje për të gjithë problemet e Shqipërisë. Është e pamohueshme, nuk themi dot që SPAK nuk ka bërë asgjë. Pjesërisht kanë vepruar, por është e vërtetë se duket sikur ka një vijë të kuqe, përtej të cilës duket sikur SPAK nuk kalon dot. Deri më sot ka treguar se nuk ka kaluar dot. Vija e kuqe është tek pushteti, Rama, Veliaj, Taulant Balla, etj, përveç atyre që u prishën me pushtetin. Nuk mendoj se jemi këtu për të dhënë mend mbi SPAK. Edhe sikur SPAK të jetë perfekt, çfarë ka bërë Edi Rama, ka zëvendësuar një deputet me një tjetër. E forta, edhe i dyti që është zëvendësuar, del i korruptuar. Rama e zëvendëson prapë dhe fiton zgjedhjet, sepse ka paratë, pushtetin, mediat, ka gjithçka. Është përfekt SPAK-u? Aty brenda ka shumë prokurorë. Nuk është i gjithi i kulluar. Por, problemet e Shqipërisë nuk i zgjidh SPAK, Shqipëria ka probleme politike. Kjo është detyra jonë.
Arlind Qori: Puna e SPAK dhe e institucioneve të drejtësisë, është një punë e pakryer, një punë e lënë në mes, e pakryer. Asnjë nuk mund të pretendojë se është kryer, korrupsioni dhe krimi i organizuar është vendosur me shpatullë për muri dhe shpëtuam. Nëse puna e SPAK do të kryhet ndonjëherë, këtë gjë nuk mund ta thotë askush. Çdo të thotë një institucion i pavarur në kushtet e Shqipërisë? Në letër do të thotë një institucion që nuk varet nga askush përveç ligjit. Kjo është ideali, por ideali nuk funksionon. Që të kemi pavarësi në Shqipëri, duhet të kemi një ndërvarësi të shëndetshme, duhet të kemi forca që tërheqin institucionet nga kahe të ndryshme dhe krijojnë, ekuilibrin që do ti mundësonin institucionet të bënte punën e vetë. Cilat janë faktorët e brendshëm dhe të jashtëm që kanë ndikim me SPAK? Institucionet perëndimore, SHBA ka ndikim mbi SPAK-un. Kjo nuk ka diskutim. Edhe qeveria ka ndikim mbi SPAK. Kam përshtypjen që edhe Sali Berishën e ka nxjerrë nga burgu Edi Rama, pra aq ndikim mbi SPAK-un ka, sa ta nxjerrë si gogol në fushën e betejës, për t’ju thënë socialistëve ia gogoli. Qeveria ka ndikim mbi institucionet. Por na mungon një komponent i tretë, populli, që shpresojmë ta kemi në të ardhmen. Një shoqëri aktive që kërkon që këtu të vendoset drejtësi, lëvizje masive shoqërore anti-korrupsion, që përbëjnë pikën e tretë që do të ekuilibronte. Nuk mund ta heqim popullin nga ekuacioni. Versioni që ato do të funksionojnë vetë si institucione, nuk do të ndodhë.
Kemi për detyrë që të nxisim shoqërinë që të kërkojë llogari dhe të ushtrojë trysni pozitive ndaj institucioneve, që askush të mos jetë i amnistuar. Po nuk e bëri shoqëria, nuk e bën dot askush.
Andi Bushati: Nuk e prisja, por më duken dëshpërimisht afër. Nga mënyra se si dëgjova tre artikulimet, të duket sikur ne kemi një qeverisje të korruptuar, që duhet ndërruar, institucione jo perfekte, që kanë nevojë për rrotacion. Po ta dëgjosh debatin dhe të dëgjosh opozitat në Francë dhe Gjermani, debati është njësoj. Mendoj totalisht ndryshe, mendoj se debati kryesor i shoqërisë shqiptare, por edhe çdo force të re që mund të lindë, nuk janë diferencat në programe, problemi është që ne jemi përballë një realiteti ku demokracia është vrarë, ka marrë fund. Nuk ka këtu alternativa, programe, ndeshje ideshë. Jemi si në një stadium, ku duket qesharake të diskutosh do e fus ekipin me 4-3-3 apo me 3-5-2, ndërkohë spektatorët gjuajnë me gurë dhe shalojnë kundërshtarin. Ne duhet të heqim këto gurët dhe pastaj të flasim për taktika në zgjdhje. Këtë shqetësim që demokracia ka vdekur dhe po jetojmë në regjim autoritarist, në regjim të njëshit, nuk e pashë, pastaj nga kjo rrjedh dhe debati për SPAK-un. Edhe SPAK e shohim si institucion, që po vepron në një sistem difektoz demokratik. Jo mor jo, është njësoj si prokuroria e Aranit Çelës në sistemin e kaluar, është një vegël e Ramës për të rritur pushtetin. Përveç patronazhitëve, njerëz me lidhje me të majtën e dikurshme, përveç atyre nuk besoj se ka njeri që mund të besojë te një parti opozitare që nuk i thotë këtë të vërtetë, që po ju gënjejnë me SPAK, që po jetoni në një sistem difektoz demokratik. Në fakt duhet thënë jetojmë në diktaturë. Kur pranojmë këtë, sjellja politike është totalisht e ndryshme nga sjellja e një force në regjim edhe të shtrembëruar demokratik. Nga tre artikulimet që pashë, kemi një sjellje sikur jetojmë në një demokraci që me zgjedhje mund të përmirësohet.