Gjykata dhe Prokuroria e Tiranës këtë të mërkurë kanë bërë me dije se kanë konfiskuar pasuritë e Emiljano Burbës dhe familjarëve të tij, pasi dyshohet se e kanë burimin nga veprimtari të jashtëligjshme,
Bëhet fjalë për 2 godina resorte, me vlerë të paktën 3 mln euro, të dyja në zonën e Vergos dhe Delvinës, në qarkun e Vlorës, për të cilat ai ishte shprehur se i kishte bërë me punën si murator dhe kamionist në vendin fqinj. Më 23 Shkurt 2023 Prokuroria kishte njoftuar sekuestron e dy pasurive.
Burba ishte shpallur në kërkim nga Interpol Roma, i dënuar me formë të prerë nga Gjykata e Apelit të Torinos për trafik droge. Ai u arrestua për qëllime ekstradimi më 21 prill 2014, teksa u ndërmor edhe hetimi pasuror nga Prokuroria e Tiranës. Më pas Budra u dënua me 21 vite burg në Itali për trafik droge, nga Gjykata e Torinos.
“Ky shtetas në bashkëpunim me persona të tjerë, më datë 03.12.2003 në Romë, ka transportuar dhe mbajtur me qëllim tregtimi, një sasi prej disa kilogramësh heroine, e cila sigurohej nga Shqipëria dhe transportohej në Itali”, thuhet në njoftimin zyrtar.
Më tej sqarohet se pasuritë që Burba zotëronte ‘nuk justifikohen nga pikëpamja ekonomike dhe dyshohet se rrjedhin nga veprimtaria kriminale’. Gjithashtu nuk figuron të ketë qenë i regjistruar në ndonjë Zyrë Rajonale Punësimi në Itali, edhe pse deklaroi se punonte si kamionist apo murator dhe niveli i lartë i jetesës nuk justifikohet nga pikëpamja ekonomike, nga ai apo pjesëtarët e familjes.
“Pasuritë dyshohet se janë krijuar me të ardhura nga aktiviteti i paligjshëm i tregtimit të lëndëve narkotike gjatë periudhës 2003-2006, pasi rezulton se e ka kryer këtë aktivitet në mënyrë të përsëritur gjatë këtyre viteve. Prokuroria provoi se pasuritë që ky shtetas zotëron, nuk justifikohen nga pikëpamja ekonomike dhe dyshohet se rrjedhin nga veprimtaria kriminale. Shtetasi E.B., nuk figuron të ketë qenë i regjistruar në ndonjë Zyrë Rajonale Punësimi në Itali, edhe pse deklaroi se punonte si kamionist apo murator dhe niveli i lartë i jetesës nuk justifikohet nga pikëpamja ekonomike, nga ai apo pjesëtarët e familjes”, bën me dije Prokuroria.
Prokuroria fillimisht kaloi në sekuestro preventive pasuritë, dy godinat resort me vlerë 3 mln euro dhe tani ato janë konfiskuar përfundimisht si më poshtë.
-Pasuria e ndodhur në qarkun Vlorë, njësia Delvinë, adresa Vanë, ndërtim pa leje aplikuar për legalizim
-Pasuria e ndodhur në qarkun Vlorë, njësia Vergo adresa Vane, ndërtim pa leje, aplikuar për legalizim
Kush është Emiljano Burba?
Emiljano Burba është një emër që njihet dhe në botën e krimit shqiptar. 54-vjeçari njihet si mik i Aldo Bares, kreut të bandës së Lushnjes.
Ai është arrestuar më 22 prill të vitit 2014 nga autoritetet shqiptare me qëllim ekstradimin e tij në Itali. Pas një procesi gjyqësor atje në lidhje me trafikun e drogës, Burba u dënua me 21 vite burg.