Tërmeti i 2019-ës ndryshoi përgjithmonë jetën e fshatarëve shqiptarë, duke i larguar ata nga shtëpitë dhe tokat e tyre bujqësore—burimi i vetëm i të ardhurave. Rindërtimi i qeverisë, i fokusuar te pallatet e reja, i la shumë prej tyre me infrastrukturë të papërfunduar dhe ndarje nga jetesa rurale, duke sjellë sfida ekonomike dhe sociale të reja për komunitetet e prekura.
Tërmeti i vitit 2019 në Shqipëri u bë pasojë e ndryshimeve të mëdha në jetën e shumë banorëve të zonave rurale. Goditja e tërmetit shkaktoi dëme të mëdha materiale, por ndryshoi edhe mënyrën e jetës së fshatarëve, të cilët siguronin jetesën e tyre nga të ardhurat që siguronin në tokat e tyre bujqësore, me planin e rindërtimit nga qeveria, një pjesë e banorëve u detyruan të braktisnin të vetmin burim jetese, për tu strehuar në pallata apo shtëpi private.
Këtë dukuri e tregon më së miri zonja Lule, e cila rrëfen për vështirësitë që tani i duhet të përballet pasi është larguar nga shtëpia e saj private për tu spostuar në një apartament të përfituar nga programi i rindërtimit.
“Unë i kam tokat në fshat, rreth 20 minuta larg dhe më duhet gjithmonë një person që të më dërgoj të më marrë, në këmbë nuk bëhet gjithë ajo rrugë, por nuk mundem perimet dhe frutat që kam mbjellë duan personin aty.” shprehet ajo.
Banorja 67 vjeçare tregon se nuk ka pasur mundësi për arsimimin dhe gjithë jetës së saj i është dedikuar bujqësisë, ku dhe tregon sëbashku me bashkëshortin e saj nëpërmjet bujqëisë kanë arritur të siguronin dhe të ardhurat e tyre. Por ata u detyruan të spostohen në një apartament duke braktisur shtëpine e tyre dhe tokat bujqësore me një sipërfaqje prej 3 dynym.
“Unë vetë jam 67 dhe burrin e kam 71, nuk kemi fuqi të shkojmë dhe të vijmë disa herë në ditë, përpos ndonjë paraje që siguroja pasi ikja i shisja dhe 1 herë, 2 herë në javë, kaloja dhe kohën me to,” rrëfen zonja Lule.
Gjithashtu ajo tregon dhe për mungesën e infrastrukturës në apartamentin e ri, ku sipas Lules një pjesë e paisjeve i kanë gjetur të papërfunduara dhe ju është dashur vetë të investojnë, ndërsa tani kanë dhe probleme me ujin, i cili është me orar të reduktuar, dhe gjatë ditës shpeshherë nuk ka.
“Na kanë futur në apartament pa u rregulluar mirë, disa gjëra i kemi shtuar nga lekët tona. Ujin e kemi me orar, zakonisht rreth paradites nga ora 10-11 kemi ujë dhe në atë kohë më duhet të kryej çdo punë, si dhe të mbush disa bidona uji rezervë për ti pasur gjatë ditës. Shpeshherë kemi dhe konflikte me fqinjët, pasi ata që kanë përfituar shtëpitë private, iu duhet të ujisin dhe lulishten apo perimet e tyre, duke bërë që ne në pallate të mos kemi ujë. Siç e shikon po mbajmë depozita jashtë për tu furnizuar me ujë, në verë situata është dhe më keq,” mbyll rrëfimin ajo.
Nga kërkesat për informacion drejtuar Bashkive të ndryshme në zonën e Voprës, Fushë-Krujës dhe Laçit, rezulton se në zonën e Bashkisë Vorë u ndërtuan 619 banesa private dhe 404 apartamente, ndërsa 101 aparatamente në fshatin Marikaj. Ndërsa në Bashkinë Fushë-Krujë u ndërtuan 217 banesa, nga të cilat 95 aparatamente dhe 124 banesa private. Kjo vlen dhe për fshatin e Bubqit, ku u ndërtuan 235 banesa individuale dhe 45 apartamente.
Në kuadër të projektit të rindërtimit post tërmet, qeveria ndërmorri një fushatë të gjerë për ngritjen e banesave të reja në zona të ndryshme të Shqipërisë veriore, duke filluar nga Tirana, e deri në Kurbin. Në planin e rindërtimit nga qeveria, për zonën e Vorës dhe të Fushë Krujës, dy ishin kompanitë që fituan tenderin në ndërtimin e pallatave apo shtëpive të reja. Në zonën e Bashkisë së Vorës, kompania Salillari Sh.P.K. fitoi tenderin në vlerën e gjashtëqind e nëntë milionë lekë pa TVSH. Ndërsa në zonën e Fushë Krujës, kompania “ERSI/M” sh.p.k., u tenderua nga qeveria shqiptare në vlerën prej shtatëqind e pesëdhjetë e tre milionë lekë pa TVSH.
Rindërtimi filloi në kohë, dhe shumica e ndërtimeve janë thuajse të përfunduar, pa çka pa shumë element bazë si ndriçimi, ashënsorë, dyer të përbashkëta apo rrugë lidhëse, ende të papërfunduara. Mirëpo situata që shihet më problematike është ndërtimi i I banesave nëpër qendrat e qyteteve, si një mënyrë “kursimi” për qeverinë ndaj ndërtimit të shtëpive individuale aty ku ishin dëmtuar, duke bërë kështu që qytetarët të largohen nga shtëpitë e tyre private dhe tokat bujqësore ku dhe siguronin jetesën e tyre, për shkak të distancës apo dhe mungesës së mundësive, apo transportit për ti mbajtur sërish këto toka bujqësore active. Për disa nga fshatarët kjo është bërë mjaft shqetësuese.
Fatmira Karaj, banore në zonën e Bubqit, është një prej përfitueseve të shtëpive të rindërtuara të programit të rindërtimit, të cilës iu desh të barktiste shtëpinë e saj private bashkë me tokat bujqësore ku ajo siguronte të ardhurat për tu zhvendosur në pallatet e reja të termetit.
Ajo shprehet se gjithe jeten e saj që në vajzëri e ka kaluar duke u kujdesur për buqësinë, dhe tokat që ajo kishte rreth banesës së saj private, ajo mbante pulari, kishte toka të mbjellura me pordhime bujqësore si dhe një kopësht me perime dhe pemëtore të shumëllojshme.
Të ardhurat ajo shpesh i siguronte nga shitjet e këtyre prodhimeve por një pjesë e kishte dhe për përdorim vetjak. Pas shembjes së shtëpisë private ajo u detyrua që pularinë që kishte ta braktiste, kjo për shkak se ato kerkojnë përkujdesje disa here në ditë, ndërsa sot ajo mban vetëm disa nga pemiret në oborr të cilat janë dhe më së shumti rezistuese.
Asaj i duhet te shkojë 2-3 herë në javë per tu kujdesur për pemtoren e saj, dhe për këtë i duhet dhe një mjet transporti për të shkuar në ish banesën e saj. Kërkesa e saj ishte ndërtimi apo rinovimi i shtëpisë po në atë zone, në mënyrë që ajo të mos humbiste prodhimet bujqësore, por kërkesa e saj ran ë vesh të shurdhët. Zhvendosja në apartament për të është si një izolim nga bota ku kishte ndërtuar jetën e saj, shprehet ajo.
Përpos këtij problemi, ndonëse nga qeveria pallatet apo banesat e reja u inaguruan dhe u bënë gati për banorët, situata nuk duket kështu, ende mungon infrastruktura, ashtu si në rastin e zonës së Bubqit, të cilët po përballen me mungesa e ujit, apo dhe qendrat ende të pandërtuara dhe të papërdorura nga banorët.
Ajo që shihet është dhe cilësia e dobët e ndërtimit, dhe ajo vihet re dhe në qendrën e Vorës nga ku janë ndërtuar pallatet e reja dhe tashmë disa prej banorëve janë strehuar, ende pa u përfunduar, si dhe zona përreth shihet e braktisur dhe e mbushur me mbeturina.
Në zonën e Vorës përfituan 404 individë shtëpi apo apartament të reja, ndërsa në zonën e Fushë-Krujës përfituan 128 banorë.
Njëri prej tyre është edhe xhumali, 67 vjeç, i cili jetonte i vetëm në shtëpinë e tij, ku kishte dhe një oborr me një sipërfaqe prej 300m2, të cilën e kishte të mbjellë me perime dhe fruta të ndryshme, çfarë I siguronte dhe disa pará për të plotësuar nevojat e tij.
Ai i dëshpëruar na tregon se përveç gjendjes emocionale nga kujtimet e në atë shtëpi tashmë dhe gjendja e tij ekonomike është vështirësuar.
“Çfarë të ju them unë, ajo ishtë shtëpia e prindërve të mi, aty rrita dhe fëmijët që tani i kam jashtë, normal nuk kanë ku të rrijnë në këtë apartament. Unë nuk kam më fuqi të iki deri në shtëpinë time të vjetër për tu kujdesur për tokat, tani shtëpia ime është pothuajse 7 km larg, ndonjëherë iki me autobus ose gjej ndonje person që ka rrugën andej, por përsëri është e lodhshme,” rrëfehet ai.
Në zonën e Fushë-Krujës, një tjetër problem është fakti që program i rindërtimit nuk ka ende përfunduar plotësisht, gjë për të cilën ankohen dhe banorët e rinj të komplekseve.
“Kur kemi hyrë në apartamentin e dhënë nga shteti, kushtet ishin skandaloze, është dashur që shumë prej riparimeve ti bëjmë vetë dhe ti shtojmë me lekët tona, ballkoni i hyrjes më lartë na pikon gjithë kohës në ambjentin tone,” tregon Fatmiri.
Çifti Fatmir dhe Vera, të cilit prej më shumë se 20 vitesh jetonin në Amerikë dhe vendosën që periudhën e pensionit ta kalonin në vendin e atyre, duket se kjo periudhë po i vështirëson akoma dhe më shumë jetën, fillimisht përpos faktit që atyre iu desh të braktisnin shtëpinë dhe tokat e tyre bujqësore, ku siguronin perimet apo zarzavate të tyre, të cilët shpesh herë dhe i shisnin pranë tregut ushqimorë, ata gjithashtu po përballen dhe me kushtet e papërshtatshme në apartamentet e reja.
“Ne dalim gjithmonë, pothuajse çdo ditë duke pastruar pjesën e përbashkët që kemi me të tjerët, pasi është ambjenti jonë dhe duhet ta mbajmë pastër, por ja shikoni si bëhet, askush nuk kontribuon,” thotë Vera.
Edhe në qytetin e Vorës, situata është pothuajse e njëjtë, edhe pse vetë kryeminstri Edi Rama inaguroj ndërtimin e apartamenteve të reja më 4 Maj të vitit 2024, përfituesit janë ende pa shtëpitë e tyre.
Këtë e tregojnë më së miri dy vëllezërit, Sulejman dhe Muharrem Kasa, të cilët janë ende pa një njoftim se kur do ti marrin hyrjet e tyre në pallatet e ndërtuara.
Përveç kësaj ata udhëtojnë cdo ditë rreth 9 km për nga banesa dhe tokat e tyre, në fshatin Prezë, e cila tashmë e shkatërruar për në qendren e Vorës, aty ku ju është caktuar dhe banesa e re.
“Zgjohem dhe nis të dal në 6 të mëngjesit, shikoj për ndonjë makinë të çastit apo dhe në këmbë për të shkuar deri tek autobusi dhe më pas arrij në Vorë ku dhe po pres të marrë shtëpinë e re. Iki në Tiranë shes perimet dhe më pas kthehem, kthimin e kam më të vështire pasi nuk ka më transport, shpesh here e kam bërë dhe në këmbë dhe tani nuk e di si do ja bëj, tokën atje dhe shtëpinë këtu,” tregon Suljemani.
E gjithë kjo rutinë për Suljemanin dhe Muharremin tani iu është komplikuar dhe më shumë, pasi me hyrjen e re në apartamente do u duhet të braktisin prodhimet e tyre bujqësore nga ku siguronin dhe ato pak të ardhura.
Rindërtimi post-tërmet, megjithë qëllimet e tij, ka izoluar fshatarët nga jeta e tyre tradicionale dhe të ardhurat bujqësore. Pamundësia për të mirëmbajtur tokat dhe problemet infrastrukturore kanë përkeqësuar kushtet e tyre. Ndërsa pallatet dhe shtëpitë e reja ofrojnë strehë, zgjidhja e plotë e nevojave të banorëve mbetet një sfidë që kërkon vëmendje të menjëhershme.
/ Bleona Zela / ACQJ – Qëndra për Gazetari Cilësore