Automjeti luksoz tip “Mercedez G Class” që shihni në foton e mëposhtme i përket 28-vjeçarit Klaudio Prendi, i cili u ekzekutua me armë zjarri pak pas mesnatës, rreth orës 00:30 të 19 nëntorit në zonën e “Xhamllikut” në kryeqytet.
Siç shihet, shenjat e plumbave janë në xhamin e shoferit, si dhe disa në pjesë të tjerë. Dyshohet se autorët kanë qëlluar 5 herë drejt automjetit të Klaudio Prendit me një armë zjarri me silenciator.
Kujtojmë se Klaudio Prendi, apo siç njihej ndryshe me emrin Klajdi, ishte në një lokal në rrugën “Xhanfize Keko”, pranë kryqëzimit të “Oxhakut” në shoqërinë e disa miqëve të tij.
Makinën e tij ai e kishte parkuar para lokalit, aty ku ndodhet stacioni i urbanit të Porcelanit. Pasi është ndarë nga miqtë, ka dalë i vetëm nga lokali dhe është drejtuar për të hipur në makinë. Pikërisht në këtë moment ai është qëlluar 5 herë me një armë me silenciator. Atentatorët kanë qëlluar nga një automjet “Audi A4”, me targa greke të mbivendosura që vinte nga “Fresku” në drejtim të kryqëzimit ku ndodhi ngjarja.
I plagosur rëndë, me një plumb në kokë dhe një në gjoks, 28-vjeçari me origjinë nga Puka, u dërgua me urgjencë drejt spitalit të Traumës, por nuk arriti dot t’u mbijetonte plagëve të marra.
Zemra e tij pushoi së rrahuri, në kohën që makina e atentatorëve po shkrumbohej nga flakët pranë liqenit të Farkës. Aty ku ata shkuan të pa shqetësuar dhe zhdukën çdo provë, bashkë me gjurmët e tyre.
Klaudio Prendi është djali i ish-gjyqtarit Fran Prendi, teksa dyshohet se ai është ekzekutuar për shkak të një borxhi të pashlyer.