Duket se po ndodh një “ping pong” me refugjatët që kapen në ujërat ndërkombëtare nga autoritetet italiane dhe sipas marrëveshjes Rama-Meloni duhet të strehoen në kampin e ngritur në Gjadër.
Mëngjesin e sotëm, anija “Libra” e marinës italiane solli në portin e Shëngjinit 8 refugjatë, 6 me origjinë nga Egjipti dhe 2 nga Bangladeshi, por dy prej tyre janë rikthyer sërish mbrapsht në Itali me të njëjtën anije.
Raportohet se pas verifikimeve, dy prej refugjatëve kanë rezultuar me probleme, teksa nuk dihen detajet nëse ata kanë qenë nën moshë apo kanë patur probleme shëndetësore.
Ndërkohë, 6 të tjerët janë nisur drejt kampit të Gjadërit, ku do të qëndrojnë aty në pritje të procedurave për azil, nëse ndonjë vendim gjykate nuk i rikthen sërish në Itali para kohe.
Kujtojmë se më herët, anija “Libra” solli dhe një grup prej 16 refugjatësh, por asnjëri prej tyre nuk qëndroi në Shqipëri. 4 prej tyre u rikthyen në Itali, pasi 2 prej tyre ishin nën moshë dhe dy të tjerë të sëmurë.
Ndërsa edhe për 12 të tjerët, qëndrimi në Gjadër zgjati vetëm pak ditë, pasi u rikthyen në Itali pas vendimit të seksionit të imigracionit të Gjykatës së Romës, për shkak se vendete prej nga vinin konsideroheshin si jo të sigurta nga vendet e Gjykata Europiane e të Drejtave të Njeriut.