12 javë kampionati ka zgjatur aventura e Bledi Shkëmbit në stolin e Tiranës. Rezultatet negative të një skuadre me shumë emër dhe pritshmëri, por që u rindërtua “themelesh” gjatë verës, me merkaton që zëvendësoi thuajse totalisht grupin ekzistues, i cili mbylli sezonin e kaluar, ua kanë sosur durimin drejtuesve të klubit të futbollit më të titulluar në Shqipëri.
Disfata e fundit ndaj Egnatias e ka “derdhur kupën”, aq sa sot trajnerit korçar i është komunikuar shkarkimi. Tashmë pritet të shihet se si do të procedohet me zëvendësuesin e tij, i cili, kushdo qoftë, do të provojë një “karrige elektrike”, sepse e tillë duhet parë pankina e Tiranës, në situatën aktuale.
Bardheblutë, në 12 javë kampionati kanë grumbulluar vetëm 11 pikë, pra thuajse një pikë për ndeshje, çka iu kushton atyre vendin e shtatë në renditjen aktuale. Pra, shumë pak në raport me kërkesat dhe pritshmëritë, që janë trofetë për një skuadër të tillë.
13 gola të shënuar dhe 16 të pësuar janë “njolla” më e madhe e kësaj Tirane, e cila duhet të shohë përpara, me një trajner të ri. Sfida e radhës për skuadrën kryeqytetase në kampionat do të jetë në shtëpi, ndaj Bylisit debutues. Aty pritet kthesa, por edhe debutimi i pasuesit të Shkëmbit, i cili mbetet enigmë për momentin.
Kujtojmë se Tirana, pa stadiumin e vet, “Selman Stermasi”, në kushte optimale, po endet si “çifuti në shkretëtirë” për t’i luajtur ndeshjet si pritëse. Së fundi e kemi parë të luajë në Vlorë dhe Lushnjë, ndërkohë që incidentet që ndodhën ndaj Vllaznisë, hedhja e mjeteve piroteknike e shpërthyese në këmbët e futbollistëve kuqeblu, bënë që tifozët e Tiranës të dënohen për gjithë sezonin.
Pra, bardhebluve iu duhet të bëjnë deri në fund pa të ashtuquajturin “lojtari i 12-të”, nëse Apeli pranë FSHF-së nuk e ndryshon vendimin e deritanishëm të Disiplinës.