Figura kyçe nga institucione dhe organizata kombëtare e ndërkombëtare diskutuan sot mbi kërcënimin që paditë e ashtuquajtur SLAPP ndaj zërave publikë paraqesin për lirinë e medias dhe demokracinë në Shqipëri.
Në një tryezë të rrumbullakët të organizuar në Tiranë nga Qendra për Shkencë dhe Inovacion për Zhvillim (SCiDEV) u vu theksi te hapat që duhen ndërmarrë nga Shqipëri për të siguruar që gazetarët, apo dhe aktivistët të jenë më të mbrojtur në punën e tyre.
Paditë ndaj zërave publikë të ashtuquajtur SLAPP (Strategic Lawsuits Against Public Participation), përdoren kryesisht për të heshtur zërat kritikë dhe për të intimiduar gazetarët, duke krijuar një presion të madh mbi lirinë e shprehjes.
Bashkimi Evropian dhe Këshilli i Evropës kanë ndërmarrë hapa për të forcuar mbrojtjen ligjore kundër SLAPP-ve, ndërkohë që Shqipëria ende përballet me boshllëqe të mëdha ligjore që kërkojnë reforma.
Drejtuesja e SCiDEV, Blerjana Bino, pasi prezantoi një vlerësim të përgjithshëm mbi nevojën për harmonizim të kuadrit ligjor shqiptar me direktivat Anti-SLAPP të BE-së, i përshkroi paditë SLAPP si një “shuplakë ndaj demokracisë dhe lirisë së medias”.
“Vetëm në 2023 kemi pasur 73 padi kundër gazetarëve, të cilat nuk synojnë të mbrojnë demokracinë, por të intimidojnë gazetarët,” – u shpreh Bino, e cila përmendi gjithashtu përdorimin e gjuhës anti-media nga liderët politikë në Shqipëri si një problem që po ndikon seriozisht në gjendjen e medias së lirë.
Në këtë linjë, Aulona Hasbiu, konsulente e Këshillit të Evropës, theksoi nevojën për ndryshime ligjore që të adresojnë vonesat gjyqësore për gazetarët.
“Ka nevojë për ndërhyrje ligjore në kodin procedural, që gjykimi të bëhet brenda afateve dhe të mos ketë procese tepër të gjata për gazetarët që përballen me këto padi. Gjithashtu, duhet të bëhet një ligj i posaçëm për këto raste,” – tha Hasbiu, duke theksuar se zgjatja e proceseve gjyqësore është një nga metodat që përdoren për të penguar gazetarinë investigative.
Kristina Voko, Drejtuese Ekzekutive e BIRN Albania, u kërkoi ligjvënësve të pranishëm që në të gjitha diskutimet që parashikohet të bëhen për të adresuar problematikën e SLAPP-eve të përfshijnë me patjetër organizatat dhe përfaqësuesit e mediave.
“Vetërregullimi nuk mund t’i kërkohet vetëm medias, por dhe institucioneve dhe partive, për frymën që japin në shpërndarjen e kasetave të gatshme,” – kujtoi ajo me një qasje kritike ndaj politikës.
Voko tregoi se BIRN Albania përballet me dy raste SLAPP-i, një nga ish-gjyqtari Gjin Gjoni lidhur me prapavijën e tij në detyrë dhe një tjetër nga Mirel Mërtiri për inceneratorët. Ngjashëm me padi SLAPP-i tregoi se po përballej edhe gazetari Artan Rama, i cili theksoi se në këto raste për një vendim të zbardhur pritet gjatë edhe në rastet kur paditësit nuk paraqiten në seanca apo në fund tërhiqen.
Teksa u ndal te procesi vetërregullues, i cili aktualisht ka nisur ndër mediat kryesore në Shqipëri, Dorian Matlija, Drejtues Ekzekutiv i Res Publica, propozoi që në kuadër të nismës anti-SLAPP të futej si mundësi që përpara kalimit në një proces gjyqësor “rregullimi [i publikimit] të vendosej si hap i domosdoshëm”.
Në këtë drejtim, dekriminalizimi i shpifjes ishte një nga pikat që u diskutua si lehtësim, ku ndër të pranishmit, Ministri i Drejtësisë, Ulsi Manja, tregoi se qeveria ka parashikuar rishikimin e Kodit Penal dhe ky aspekt është menduar të përfshihet në këtë nismë, pavarësisht se ende nuk ka një draft të hedhur për diskutim publik.
Për Manjën mbajtja e një diskutimi të hapur për çështjen e SLAPP-eve është pozitiv dhe konform direktivave të BE-së. Ai theksoi se 73 paditë e përmendura nga Znj. Bino “janë tashmë në vëmendjen e qeverisë”.
“Masat përmirësuese do të fillojnë në 2025, dhe ne kemi nevojë për ndërhyrje në legjislacionin tonë të brendshëm. Këtë direktivë duam ta bëjmë pjesë të legjislacionit tonë deri në qershor të 2027,” – u shpreh Ministri Manja.
Jorida Tabaku, Kryetare e Këshillit Kombëtar për Integrimin Evropian dhe e Komisionit Parlamentar për Çështjet Evropiane, replikoi ndaj Ministrit Manja teksa tha se ishte hera e parë që dëgjonte për një angazhim të tillë, pasi më parë qe parashikuar për vitin 2025.
Tabaku e konsideroi “fatkeqësi” faktin që projektligji për ndryshimin e Kodit Penal nuk është ende publik dhe i aksesueshëm. Në këtë pikë ajo ishte e mendimit që edhe faza e konsultimeve publike ka nevojë të reformohet.
Kryetarja e Komisionit parlamentar të Edukimit dhe Medias, Ina Zhupa, tregoi me shqetësim se dy nisma të opozitës për mbrojtjen e gazetarëve ishin penguar nga shumica socialiste. Zhupa kujtoi në këtë pjesë propozimin për një projektligj që mbronte gazetarët nga sulmet intimiduese duke i trajtuar ata me status të njëjtë si mjekët dhe policët, dhe një rezolutë për gratë gazetare.
Flutura Kusari, përfaqësuese e European Center for Press and Media Freedom (ECPMF), nënvizoi gjatë takimit se ka pasur përmirësime në luftën kundër këtyre padive, veçanërisht falë Direktivës së BE-së, por që sidoqoftë Shqipëria duhet të bëjë të tjera hapa.
“Krahasuar me një vit më parë, jemi në një situatë më të mirë në luftën kundër padive SLAPP. Direktiva e BE-së kundër padive SLAPP ka luajtur një rol të rëndësishëm,” – theksoi Kusari, duke sjellë në vëmendje progresin në nivel evropian që mund të shërbejë si model për vendet e tjera, përfshirë Shqipërinë.
Përfaqësuesi i Këshillit të Evropës, Olsi Dekovi, theksoi se organizata e tij është e përfshirë në mbrojtjen e gazetarëve dhe po zhvillon plane konkrete për të adresuar këto çështje.
“Ne kemi një plan në Këshillin e Evropës për adresimin e këtyre problemeve. Pak ditë më parë zhvilluam një takim të rëndësishëm ku ishte i ftuar dhe Julian Assange, i cili ngriti një diskutim të thellë mbi lirinë e gazetarëve. Ne tashmë kemi disa mjete që i përdorim për të mbrojtur gazetarët dhe do t’i ftoja ata t’i përdorin ato,” – tha Dekovi, duke theksuar nevojën për një diskutim të strukturuar ndërmjet të gjithë aktorëve, përfshirë qeverinë, opozitën dhe shoqërinë civile.
Kryetarja e Komisionit parlamentar për Çështjet Ligjore, Administratën Publike dhe të Drejtat e Njeriut, Klotilda Bushka, u shpreh e hapur për nevojën për përmirësime, por theksoi se në këtë drejtim “platforma e Këshillit të Evropës nuk e nxjerr Shqipërinë aq keq sa vendet e tjera”.
Përfundimi i diskutimeve solli në vëmendje se SLAPP-et nuk janë thjesht çështje e gazetarisë, por një kërcënim serioz për shoqërinë, sistemin demokratik dhe lirinë e shprehjes. Këto padi duhet pranuar se nuk kanë për qëllim drejtësinë, por intimidimin dhe heshtjen e kritikëve, duke i lënë gazetarët të pambrojtur përballë ndikimit nga fuqia politike dhe ekonomike.
Aktiviteti i sotëm i hap rrugë punës së ligjvënësve, organizatave të mediave dhe shoqërisë civile në Shqipëri për të adresuar sfidat kryesore dhe mundësitë për përmirësimin e legjislacionit në kuadër të procesit të anëtarësimit në BE dhe hapjes së negociatave për grup kapitullin e parë – Parimet Themelore.
Në Kapitullin e Parë liria e shprehjes, siguria e gazetarëve dhe liria e medias zë një vend të rëndësishëm dhe të lidhur ngushtë më shtetin e së drejtës dhe funksionimin e institucioneve demokratike.
/ Erblin Vukaj / Citizens