Banorët e Bashkisë Lezhë, kanë paralajmëruar se më 12 tetor do të mbajnë një protestë kundër ndotjes nga fabrikat.
Sipas një letre publike, qytetarët shkruajnë se do të protestojnë sërish kundër ndotjes nga fabrika e përpunimit të mbetjeve me origjinë shtazore.
Ata kërkojnë zhvendosjen e fabrikës nga zona e banuar, pasi sipas tyre ndotja dhe aromë e rëndë e krijuar po ju rrezikon shëndetin. Sipas banorëve situata është bërë e padurueshme në vitin 2019, që kur kompania ka vendosur impiantin e përpunimit të mbetjeve shtazore.
Letra e Plotë:
Të nderuara institucione që keni përgjegjësi ligjore për mjedisin,
E nderuar Ministre e Mjedisit, Mirela Kumbaro Furxhi,
I nderuar zv. Ministër i Mjedisit, Sofjan Jaupaj,
E nderuar Drejtoreshë e Agjensisë Kombëtare të Mjedisit, Arta Dollani
E nderuar Drejtoreshë e Drejtorisë së Lejeve Mjedisore dhe VNM, Marjeta Përlala,
I nderuar Drejtor i Drejtorisë së Inspektim Kontrollit, Dritan Seferaj,
E nderuar Kryeinspektore e Inspektoriatit Kombëtar të Mbrojtjes së Territorit, Dallëndyshe Bici,
I nderuar Drejtor i Drejtorisë së Inspektimit dhe Planifikimit të Territorit, Ervin Llubani,
I nderuar Drejtor i Drejtorisë së Mjedisit dhe Ujrave, Enrik Banushi,
Jemi një grup qytetarësh të Bashkisë Lezhë që po ju drejtohemi për një shqetësim të
madh që kemi.
Në qytetin e Lezhës operon kompania I.N.C.A, me NIPT K77620501D, me zotërues të shoqërisë Alban Zusin dhe administrator Enio Zusin, që merret me përpunimin e peshkut dhe mbetjeve shtazore (shiko më shumë: https://opencorporates.al/sq/nipt/k77620501d). Sipas Vlerësimit të Ndikimit në Mjedis, kompania ka disa linja prodhimi: përpunimin e zorrëve, riciklimin e mbetjeve shtazore dhe prodhimin e ushqimit për kafshë. Përpunimi i këtyre mbetjeve lëshon shkarkime të lëngshme dhe atmosferike me erë të rëndë, që ndotin ambjentin dhe
jua përkeqësojnë cilësinë e jetës të gjithë banorëve të qytetit Lezhë e në veçanti banorëve të zonës ku është vendosur fabrika. Përmes erërave të forta dhe kanalit (ku kompania shkarkon mbetjet e lëngshme) që lidhet me lumin Drin, era shpërndahet në të gjithë qytetin. Pamjet filmike të këtyre shkarkimeve i gjeni në linkun e dosjes në Google Drive në fund të këtij emaili.
Banorët e kanë kundërshtuar vendosjen e këtij impianti që në momentin e parë, në vitin 2019. Kompania ka patur edhe më herët në zonë një impiant për përpunimin e zorrëve, të cilin banorët e kanë toleruar. Situata është bërë e padurueshme në vitin 2019, kur kompania ka vendosur impiantin e përpunimit të mbetjeve shtazore. Banorët i kanë ndjekur të gjitha rrugët e mundshme, nga informalet te zyrtaret.
Fillimisht kanë folur me pronarin e kompanisë, i cili ju ka premtuar se do ta limitojë ndotjen, por ka vazhduar aktivitetin si zakonisht. Më pas janë ankuar te Agjensia Rajonale e Mjedisit Lezhë. E kanë takuar drejtorin e Agjensisë, z. Bardhok Frroku, i cili pas vizitës në rrethinat afër fabrikës, ju ka premtuar se do bëjë diçka, por pastaj nuk ka komunikuar më me ta. Këto takime kanë qenë informale dhe nuk ka procesverbale, por këto pretendime mund ta konfirmohen nga një grup banorësh që ka qenë prezent.
Përmes kërkesës për informacion, unë i kam kërkuar AKM-së të më informojë në lidhje me ankesat që ka marrë për këtë subjekt. Rezulton se AKM ka regjistruar 9 ankesa zyrtare për kompaninë I.N.C.A. Ankesat i janë deleguar Agjensisë Rajonale Lezhë e cila ka bërë analizat përkatëse dhe nuk ka gjetur ndonjë shkelje, kjo sepse
në shumicën e rasteve fabrika nuk ka qenë duke bërë shkarkimet në ato momente. Në një rast i është kërkuar që ta bëjë procesin nën vëzhgim, por është e paqartë cilin proces ka kryer fabrika. Sipas ligjit ‘Për Mbrojtjen e Mjedisit’, kompania bën vetëmonitorim dhe ato analiza gjithmonë dalin brenda normave të lejuara. E kështu
fabrika ja ka hedhur gjithmonë. Ankesat dhe raportet e vetëmonitorimit i gjeni në dosjen në Google Drive. Banorët gjithashtu kanë protestuar disa herë para fabrikës. Në linqet në fund të emailit, mund të dëgjoni shqetësimin e banorëve.
Banorët kanë nisur gjithashtu një proces gjyqësor kundër fabrikës. Gjatë këtij procesi, IKMT ka lëshuar një urdhër sekuestroje dhe gjobë për këtë kompani, por kjo është anulluar më pas. Këto dokumente i keni në dosje. Gjyqi është pushuar pasi banorët nuk kanë arritur të mbledhin shumën e nevojshme për të kryer analizat.
Që nga shtatori, një grup më i madh qytetarësh kanë nisur një përpjekje të re. Kemi nisur një peticion që deri tani numëron 1,473 firma fizike dhe 201 firma online (peticioni i skanuar në dosje dhe linku i peticionit online në fund të emailit). Jo të gjitha firmat janë të verifikuara me ID. Me 28 shtator organizuam një bashkëbisedim
me qytetarët, të cilin e kemi regjistruar dhe shtuar në dosje. Ky është një tjetë material ku shprehet shqetësimi i banorëve.
Që në fillim, jemi përpjekur t’i bëjmë analizat vetë. Duke qenë se shkarkimet ndodhin në momente të caktuara të ditës dhe duke parë se si në të gjitha rastet analizat e Agjensisë Rajonale e nxjerrin subjektin konform ligjit, ne vendosëm t’i bënim analizat vetë në momentin e shkarkimeve. Kemi arritur të marrim një provëz të shkarkimit në kanal dhe e kemi analizuar në laboratorin Tenuis Laboratories. Matjet konfirmojnë se shkarkimet e kompanisë janë mbi normat e lejuara ligjore. Analizat janë në dosje. E kemi patur të vështirë të bëjmë analizat e ajrit për shkak se nuk i kishim aparaturat në dispozicionin tonë. Për këtë na duhet ndihma juaj. Ne dyshojmë se, përveç se tejkalon normat, fabrika bën edhe djegie, duke shkelur kështu lejen mjedisore të tipit A, me numër 3091/ që është dhënë për ‘asgjesim dhe riciklim të karkasave të kafshëve ose mbetjeve të kafshëve, me mënyra të tjera përveç shndërrimit ose incinerimit’.
Ajo që na bën të dyshojmë është tymi i bardhë në gri me erë të fortë që shpërndahet në një rreze të gjërë. E kishim të vështirë ta vërtetonim këtë nga jashtë. Një mënyrë që kishim ishte përmes një kamere termike që mat temperaturën. Matje tona tregojnë një temperaturë prej 174 gradë celsius në pikën më të afërt, por temperatura e vërtetë duhet të jetë më e lartë. Pengesa e parë e matjes korrekte të temperaturës është largësia. Fotot e marra nga afër tregojnë një temperaturë më të lartë (10 gradë celsius) se fotot e marra nga larg. Mirëpo ne nuk kemi mundur t’i afrohemi plotësisht objektit. Sa më afër burimit të jemi, aq më e saktë do jetë temperatura. Së dyti, matja është bërë nga jashtë në diell, gjë që sërish ndikon në matjen e temperaturës. Banorët thonë (kjo mbetet gjë e dëgjuar dhe duhet provuar) se inxhinieri që e ka montuar impiantin ka thënë se ky lloj impianti duhet të ketë një distancë prej disa kilometrash nga zonat e banuara.
Fabrika është e vendosur në njësinë strukturore LE-UB-080 që është zonë urbane (screenshots në dosje). Kategoritë e lejuara në këtë zonë janë ndërtesat për banim, arsim, shëndetësi, shërbime, por jo industri. Në Vlerësimin për Ndikimin në Mjedis, inxhinieri që e ka firmosur dokumentin dhe kompania kanë gënjyer se fabrika është e vendosur në zonë industriale dhe se nuk ka banesa afër (faqe 73 e VNM; VNM në dosje). Pamjet satelitore konfirmojnë se fabrika është e rrethuar me shtëpi. Shtëpitë kanë qenë aty para fabrikës. Për më tepër, Bashkia Lezhë ka vendosur në qytet, në rrugën që të çon për te fabrika, tabela ku shkruhet Zonë Industriale (foto në dosje). Lezha nuk ka zonë industriale dhe vendi ku është vendosur fabrika nuk është zonë
industriale.
Si qytetarë, jemi të limituar në ekspertizën tonë mjedisore dhe ligjore, por duke qenë se tek institucionet lokale nuk kemi gjetur zgjidhje, barra e provës ka rënë mbi ne. Këto janë provat që kemi arritur të mbledhim. Në emër të mbi 1,600 nënshkruesve, i kërkojmë Agjensisë Kombëtare të Mjedisit dhe Ministrisë së Mjedisit që të nisin një hetim institucional mbi këtë çeshtje në koordinim të plotë edhe me një përfaqësi të banorëve. Ne kërkojmë që:
Kompanisë I.N.C.A t’i bëhen analizat e shkarkimeve atmosferike dhe të lëngshme, kur ajo punon në normalitet, jo kur ajo vepron nën frikën e monitorimit, Të hetohet nëse kompania bën djegie të mbetjeve shtazore dhe nëse jo djegie, të përcaktohet çfarë procesi i lëshon gazrat me erë të fortë,
Të qartësohet nëse impianti që kompania I.N.C.A përdor ka specifikime për largësinë nga qendrat e banuara, Të na tregojë çfarë ndodh me lejen mjedisore të subjektit në rastet kur vërtetohet se VNM-ja ka të pavërteta,
Të hetohet grupi përgjegjës i Agjensisë Rajonale të Mjedisit Lezhë me në krye drejtuesin e institucionit, z. Bardhok Frroku, për punën e tyre në lidhje me fabrikën. Për më tepër, i kërkojmë Inspektoriarit Kombëtar të Mbrojtjes së Territorit: Të na qartësojë cilat janë përcaktimet ligjore për raste të tilla, kur fabrika me impakt
të lartë në mjedis, vendosen ngjitur me ndërtesa banimi, Të marrë masa në lidhje me tabelat e rreme ‘Zonë Industriale’ që janë vendosur nëpër qytet.
Me 12 Tetor, në orën 16:00, qytetarët e Lezhës do protestojnë para fabrikës. Banorët kanë një përfaqësi që është e gatshme në çdo moment të takohet me ju dhe t’ju asistojë në këtë hetim. Kërkojmë ndërhyrjen tuaj të menjëhershme që ta zgjidhin njëherë e mirë këtë problem të madh me të cilin përballemi prej 5 vitesh.