Kreu i PD-së, Sali Berisha, sërish në fjalimin e mbajtur në tubimin e sotëm, fokusin e ka vendosur tek burgosja e deputetit, Ervin Salianji për shkak se i prishi imazhin Qeverisë duke denoncuar Geron Xhafajn, vëllain trafikant droge të ish-ministrit Fatmir Xhafaj.
Berisha deklaroi se Ervin Salianji tregoi me prova se si vëllazëria Xhafaj ishte vëllazëria më e rrezikshme mafioze në Vlorë në atë kohë. Lideri demokrat shtoi më tej se vëllazëria Xhafa, me njërin vëlla ministër dhe tjetrin drejtues të trafiqeve në portin e Vlorës, zotërues të lojërave të fatit, siç thuhet edhe me Olsi Ramën, prisnin dhjetëra e qindra milionë para droge dhe krimi, që sot derdhen në kullat e Tiranës.
Gjithashtu, Berisha hodhi akuza edhe ndaj kryeministrit Edi Rama për trafikun e drogës të vëllezërve Xhafaj, duke e konsideruar si aksioner teksa sipas tij, kryeministri e ka të qartë se edhe Olsi Rama do të ketë të njëjtin fat si Geron Xhafaj, vëllai i Fatmir Xhafajt.
Berisha ka hedhur akuza edhe ndaj George dhe Alex Soros, duke i konsideruar si armik të egër të shqiptarëve, si mbrojtës të vjedhjeve, krimit dhe drogës në Shqipëri, dhe si padrino të Edi Ramës dhe Erion Veliajt. Lideri demokrat bëri thirrje që George dhe Alex Soros të shpallen non grata në Shqipëri.
Po ashtu, Berisha iu bëri thirrje për pjesëmarrje në protestën e 6 Tetorit, në betejën pa kthim siç e konsideroi ai.
Sali Berisha: Mbrëmë një deputet i ri, guximtar, Ervin Salianji me urgjencë pa pritur rekurs dhe asnjë gjë, u burgos, u ndry në qelitë e Fierit me urdhrin hakmarrës, të verbër të Edi Ramës. Edi Rama jo vetëm dha urdhër, por pas këtij akti kriminal politik, ai i doli zot me një urrejtje klasore, me urrejtjen e kriminelit mafioz, aktit të tij, burgosjes së Ervin Salianjit, për guximin që tregoi për provat që publikoi, të cilat tregonin se vëllazëria Xhafa, ishte vëllazëria mafioze më e rrezikshme në atë kohë dhe se vëllazëria Xhafa, me njërin vëlla ministër dhe tjetrin drejtues të trafiqeve në portin e Vlorës, zotërues të lojërave të fatit, siç thuhet edhe me Olsi Ramën, prisnin dhjetëra e qindra milionë para droge dhe krimi, që sot derdhen në kullat e Tiranës.
Në gusht të vitit 2016 media më e afërt me Edi Ramën, media e Bolinos botonte dosjen e plotë të Geront Xhafës në Itali dhe Venezuelë. Sali Berisha denoncoi vëllazërinë Xhafa, si njëra nga vëllazëritë më të rrezikshme të drogës dhe mafias në Shqipëri dhe Ballkan. Nga vëllazëria Xhafa nuk do të reagonte asnjë njeri ndaj këtij denoncimi të plotë dhe të gjerë. Vëllazëria Xhafa zbatoi omertan, kodin e heshtjes. Por ai që reagoi me furinë dhe egërsinë më të madhe ishte vëllazëria Rama, ishte Edi Rama, për të faktuar se ata ishin një me vëllazërinë Xhafa. Cilido që dëshiron mund të lexojë se me çfarë fjalori u vërsul kundër meje, por kur thoni. Në ora 1 të natës, Edi Rama në mbrojtje të zjarrtë të Geron Xhafës, të njeriut të ndershëm, të trafikantit të ndyrë, kriminel, i cili trafikonte dhe akaparuar lojërat e fatit me Olsin, siç thonë. Edi Rama në 1 të natës e detyruan të vërsulet me tërbim, me një fjalor halabaku kundër Sali Berishës.
Gazetari trim, Jetmir Olldashi të cilit shoqëria i detyrohet shumë, mori përsipër të ju faktojë shqiptarëve se ai, njeriu i ndershëm që rriste dy fëmijë, i Edi Ramës, ai ishte një kriminel i damkosur, ai ishte një trafikant i rrezikshëm që mbrohej nga vëllai i tij, faqezi Xhafaj, ministër i Brendshëm të cilit ju vetëvra shoferi, për herë të parë në historinë e vetëvrasjeve me 13 plumba në kokë. E kuptoni vetë çfarë vetëvrasje, e kuptoni vetë. Pra në ora 1 të natës, derdh breshëri sharjesh ndaj meje, se po sulmoja njeriun e ndershëm, ndërkohë Olldashi e faktoi se ai ishte i aftë, jo vetëm të fshihej, jo vetëm nuk shkonte në Itali për dënimin, por ai vazhdonte, udhëhiqte trafiqet nga Vlora dhe ishte i aftë të siguronte tonelata drogë, bashkëpunëtorëve të tij të vjetër.
Ervin Salianji me guxim publikoi regjistrimin. I çorri maskën vëllazërisë së krimit, vëllazërisë Xhafa. I çorri maskën vëllazërisë së krimit, vëllazërisë Rama. Tregoi se, vëllazëria Rama dhe vëllazëria Xhafa, janë vëllazëritë e krimit, janë vëllazëritë e drogës në Shqipëri. Ky ishte akti i Ervin Salianjit, ky ishte akti guximtar. Ervin Salianji nuk e mbajti në sirtar, regjistrimin e gazetarit guximtar, por e ndau me ne, e ndau me çdo shqiptar. U tha qytetarëve se unë përfaqësuesi juaj, do të bëj detyrën. Se unë përfaqësuesi juaj, nuk trembem, nuk tutem para asgjëje, as para vëllazërive mafioze të pushtetit Xhafa-Rama, Rama- Xhafa. Fill mbrapa ish-hetuesi xhelatë e policisë sekrete hoxhiste Fatzi Xhafaj, me kriminelin Ardi Veliu, me prokurorë, me drejtorë etj., ndërmorrën kurthin, përgatitën dëshmitarin e rremë, e paguan për të dëshmuar se ai zë, ishte i imi dhe jo i Agron Xhafës. Ndërkohë që regjistrimet treguan se Alizoti u pagua për dëshminë që do të bënte, se Alizoti paguhej për vitet e burgut që do të bënte dhe se laboratori britanik nxori se mes zërit të Alizotit dhe zërit që kishin bërë gjithçka ta shuanin, të Agron Xhafës nuk kishte asnjë ngjashmëri.
Pra gjithçka u provua, u faktua se vëllazëria Xhafa, vëllazëria krimit, vazhdonte trafiqet. Për llogari të Olsit dhe të Edi Ramës, ç’është ky tërbim, ç’është kjo shfryrje nga salla e OKB-së, kjo urrejtje ndaj Ervin Salianjit. Edi Rama është aksioner në vëllazërinë Xhafaj. Jo vetëm kaq, por Edi Rama është vëllazëri, është bosi i Edi Ramës i faktuar me dokumente si eksponent kryesor i klanit të Xibrakës. Edi Rama e ka të qartë se Geronin e tij, apo kriminelin Olsi e pret fati i njëjtë me Agronin e Fatmirit. Prandaj vrapon si skizoid, si njeri që nuk nder as moral, që shfryn duf dhe urrejtje ndaj një të riu të pafajshëm, ndaj një të riu guximtar që bëri detyrën para qytetarëve të vet, bëri detyrën para vendit te vet, para komunitetit ndërkombëtar. Edi Rama festoi mbrëmë, vëllazëria Rama, vëllazëria Xhafaj, këta kriminelë ishin në ekstazë, por të zotohemi ne, të zotohemi ne, të ua shndërrojmë ekstazën në zi kriminelëve. Tu japim përgjigjen që meriton, ndaj dhe të ngrihemi; o sot, o kurrë, në këtë betejë kundër vëllazërive të krimit Rama-Xhafa, kundër vëllazërive të drogës, Rama-Xhafa, drejtësisë së tyre, kundër kryepadrinos, armikut të egër të shqiptarëve, Aleksis Soros, Xhoroxh Soros.
Të shpallim Sorosin, non grata, non grata, non grata. Sot Erion Veliaj, autori i vjedhjes së inceneratorit të Tiranës, për të cilin taksapaguesit kanë paguar 130 mln euro të vjedhura nga Rama dhe Veliaj, boton foton në Nju Jork me vëllaun e tij Aleksis. Ky është një poshtërim për çdo shqiptar të vërtetë. Aleksis Soros mbron këtu krimet, mbron drogën, mbron vjedhjen e shqiptarëve.
Ky është një akt poshtërues për çdo shqiptar, ky akt që dëshmon edhe njëherë; të marrim fatin tonë, në duart tona. Të ngrihemi në betejë pa kthim. 6 tetori po vjen. 6 tetori është dita e vegjëlisë kundër tiranisë. Është dita e qytetarëve kundër hajdutëve. Është dita e demokratëve kundër geronëve. Është dita në të cilën ne, nisim betejën pa kthim për qeveri teknike, zgjedhje të lira. Është dita që nisim marshin drejt fitores. Është dita që ecim drejt shpresës, të ardhmes dhe historisë.