Për herë të tretë, deputetët e PS nuk zbatuan vendimin e Gjykatës Kushtetuese për dërgimin e mandatit të socialistes Olta Xhaçkës për verifikim. Pas një seance maratonë në Kuvend në ndryshim nga dy rastet e mëparshme, socialistët zgjodhën pas mesnatës të së enjtes, që këtë herë të abstenonin në shumicë (65 vota) dhe vetëm 9 u shprehën kundër.
Vetë deputetja Xhaçka nuk mori pjesë në votim edhe pse ishte e pranishme në sallë. Ndërkohë, 9 deputetët që votuan kundër ishin: Jurgis Çyrbja, Bledi Çuçi, Damian Gjiknuri, Anduel Tahiraj, Paulin Stërkaj, Petro Koçi, Klodiana Spahiu, Shkëlqzim Bullari dhe Bujar Çela. Në votim nuk mori pjesë as kryeministri Rama, i cili nuk ishte i pranishëm fare në sallë.
Sapo përfundoi votimi, opozita përplasi tavolinat ndërsa e cilësoi një turp vendimin e socialistëve për të mos zbatuar urdhrin e Gjykatës Kushtetuese. Kryetarja e Kuvendit, Elisa Spiropali njoftoi në përfundim të seancës se do t’i drejtohet Komisionit të Venecias për mendim.
Opozita: S’kemi gjykatë kushtetuese
Spiropali: “Kuvendi ka zbatuar gjithë procedurën parlamentare për zbatimin e vendimit të Gjykatës Kushtetuese, meqenëse ky vendim nuk miratohet, pasi nuk arriti shumicën e kërkuar, që nesër si kryetare e Kuvendit do ti drejtohem komisionit të Venecias për të marrë një mendim të specializuar mbi standardet e zbatueshme në vendimmarrjet e pushtetit legjislativ, raportin dhe konkurrueshmërinë e parimeve të parashikuara në të drejtën kushtetuese dhe për rastet e papajtueshmërisë së mandatit të deputetit”.
Opozita: T’iu vijë turp. Turp.
- Bashkëshorti i Xhaçkës, Artan Gaçi shpallet ‘investitor strategjik’
Në mars të vitit 2022, Këshilli i Ministrave shpalli një vendimin për dhënien në përdorim të një zone bregdetare në Gjilekë të Himarës për resortin “Dreamades Luxury Suites” për një periudhë 30-vjeçare. Në atë kohë, Olta Xhaçka mbante postin e ministres së Jashtme.
Sipas këtij vendimi, kompanisë ‘AGTTC Hotel Management’ i jepet leje e përdorimit të brigjeve të detit dhe të zonës përkatëse të plazhit përballë kompleksit, që po ndërtohet në fshatin Gjilekë të bashkisë Himarë.
Shpallja si investitor strategjik nga Këshilli i Ministrave i bashkëshortit të Ministres së Punëve të Jashtme, Olta Xhaçka në atë kohë, ngriti shqetësime për konflikt interesi.
Deputetë të Partisë Demokratike kërkuan në qershor të vitit 2022 heqjen e mandatit të deputetes Olta Xhaçkës për përfitime antiligjore nëpërmjet statusit të investitorit strategjik dhënë bashkëshortit të saj. Kjo kërkesë erdhi pasi mazhoranca refuzoi ngritjen e një komisioni hetimor për investimet strategjike.
Më vonë, Gjykata kushtetuese i kërkoi Kuvendit të dërgonte në këtë gjykatë për shqyrtim mandatin e Xhaçkës, por në qershor të 2023-it, anëtarët socialistë në Këshillin e Legjislacionit kërkuan që të rikthejnë në pikën zero diskutimin për këtë çështje duke propozuar rimarrjen në shqyrtim nga Këshilli i Mandateve.
Prej më shumë se një viti, kjo çështje rrinte në sirtarët e Lindita Nikolla (kryetares së Kuvendit), duke moszbatuar vendimin e Kushtetueses. Tashmë, edhe më keq, publikisht, jo vetëm Nikolla, por e gjithë mazhoranca në bllok, me urdhër të Ramës u kthyen në mburojë të mandatit të Olta Xhaçkës dhe nuk zbatojnë një vendim të Gjykatës Kushtetuese.
Xhaçka akuzohet se ka shkelur Kushtetutën, duke përfituar si deputete të mira publike, që kur bashkëshorti i saj, Artan Gaçi, fitoi të drejtën e përdorimit të bregdetit për 30 vite falë një vendimi qeverie.
Rasti është kthjellësisht i pastër dhe për precedentë të tillë Kushtetuesja i ka hequr më parë mandatin e deputetit, Ilir Beqes dhe Koço Kokëdhimës.
Për çështjen në fjalë, SPAK ka sekuestruar të gjithë sipërfaqen e tokës që i ishte falur ish-deputetit socialist Artan Gaçi, bashkëshorti i ish-ministres Olta Xhaçka, për të ndërtuar resort si investitor strategjik.
Gjithashtu, në burg për këtë çështje ndodhet dhe ish-kryebashkiaku i Himarës Jorgo Goro. Ky i fundit akuzohet se në bashkëpunim me vartës dhe zyrtarë të Kadastrës, nëpërmjet dokumenteve të falsifikuara kanë mundësuar kalimin e sipërfaqeve të konsiderueshme tokë shtet në Himarë, në favor të shoqërisë private të zotëruar nga Artan Gaçi.
Po ashtu, edhe vetë Artan Gaçi dhe bashkëshortja e tij deputete Olta Xhaçka kanë dëshmuar në SPAK në lidhje me këtë çështje që vijon të jetë në hetim.
- Të paturp/ Kushtetuesja mbron mandatin e Xhaçkës, duke bërë sikur “ankohet” për PS
Gjykata Kushtetuese jo vetëm që është shndërruar prej kohësh në një vasale “të rëndomtë” të pushtetit të Edi Ramës, por tashmë as nuk ka ngjyrë në fytyrë për ta fshehur këtë lloj varësie skandaloze institucionale.
Kryetarja e Gjykatës Kushtetuese, Holta Zaçaj, njoftoi se shumica e gjyqtarëve kishte vendosur t’ia rikthente edhe njëherë Parlamentit çështjen e ish-ministres së Jashtme, Olta Xhaçka.
Me një fjalor, që donte të tregonte se Gjykata ndihej aspak komode me faktin që shumica socialiste nuk e kishte respektuar vendimin e mëhershëm të Kushtetuese për të dërguar shqyrtimin e mandatit të Xhaçkës për shqyrtim pranë trupës gjyqësore, Zaçaj mbuloi një skandal akoma edhe më të rëndë.
Atë që, Gjykata Kushtetuese, nuk guxoi as kësaj here të shqyrtonte në themel rastin e Olta Xhaçkës.
Partia Demokratike kishte dërguar pranë kësaj gjykate një kërkesë me objekt të dyfishtë;
– E para, që Gjykata Kushtetuese të shqyrtonte konfliktin e kompetencave brenda Parlamentit dhe të detyronte Kuvendin që të pranonte iniciativat e 1/10 së deputetëve dhe të dërgonte raportin për vlerësim në Gjykatën Kushtetuese.
– E dyta, të shqyrtonte në themel rastin e mandatit të Olta Xhaçkës.
Gjykata Kushtetuese vendosi këtë të Mërkurë (10 Korrik 2024) thuajse njëlloj si edhe në një shqyrtim të mëparshëm për të njëjtën çështje, kur ktheu rastin në Parlament dhe refuzoi të vlerësonte në themel mandatin e ish-ministres së Jashtme, Xhaçka.
“Boldnews.al” e ka paralajmëruar më herët se Gjykata Kushtetuese, nën një shërbim të plotë të Edi Ramës, do të bëj gjithçka për të vonuar shqyrtimin e mandatit të Xhaçkës, derisa asaj t’i përfundojë zyrtarisht në mesin e vitit 2025.
Parashikimet e redaksisë kanë rezultuar thuajse 100 përqind të sakta dhe Olta Xhaçka do të vijojë të shijojë mandatin e plotë, megjithëse besohet se bashkëshorti i saj është shpallur investitor strategjik në shkelje të Kushtetutës dhe ligjit.
Parashikimi: Xhaçka merr frymë
Në prill të këtij viti, “Boldnews.al” analizoi një debat në distancë për mandatin e Olta Xhaçkës, mes Gazmend Bardhit e Lulzim Bashës, dy ish-bashkëpunëtorë të ngushtë politikë dhe dy përgjegjës kryesorë për zgjatjen pa fund të mandatit të ish-ministres së Jashtme.
Dikur bashkëpunëtorë të ngushtë, tashmë Lulzim Basha dhe Gazmend Bardhi kanë këndvështrim të ndryshëm për shumë gjëra. Debati më i fundit mes tyre është ai për mënyrën se si duhet të trajtohet rasti i mandatit të deputetes socialiste, Olta Xhaçka.
Rreth një vit e gjysmë më parë, Basha, Bardhi e pas tyre edhe Enkelej Alibeaj, ndoqën një rrugë të gabuar për të kërkuar shqyrtimin e mandatit të Olta Xhaçkës në Gjykatën Kushtetuese.
Ata ndoqën një strategji, e cila i dha frymëmarrje mandatit të ligjvënëses socialiste, megjithëse është e dyshuar se gjendet në kushtet e konfliktit të interesave, pasi bashkëshorti i saj u shpall investor strategjik nga qeveria e Edi Ramës.
Rreth një vit e gjysmë më parë, Basha, Bardhi e Alibeaj, si përfaqësues të 1/10 së deputetëve në Parlament, kërkuan nga Gjykata Kushtetuese që të detyronte Parlamentit të dërgonte pranë asaj gjykate kërkesën për shqyrtimin e mandatit të Xhaçkës, në përfundim të punimeve të një komisioni hetimor parlamentar të ngritur për atë çështje.
Kërkesa e këtij poli politik, u pa si një stërkëmbësh për një tjetër kërkesë, të dorëzuar nga 1/5 e deputetëve, të drejtuar nga Sali Berisha, të cilët kërkuan drejtëpërdrejtë përfundimin e mandatit të Olta Xhaçkës.
Gjykata Kushtetuese shfrytëzoi në atë kohë kërkesën e polit Basha-Bardhi-Alibeaj për ta kthyer çështjen në Parlament.
Ndërsa kërkesën e 1/5 së deputetëve, që lidhej me themelin e çështjes “Xhaçka”, Gjykata Kushtetuese e pushoi, me argumentin se “nuk ka objekt”, pasi rasti i ishte kthyer Parlamentit, sipas kërkesës së 1/10 së deputetëve.
Pasi çështja u rikthyer në Parlament, maxhoranca socialiste sërish vendosi të mos e dërgonte çështjen “Xhaçka” në Gjykatën Kushtetuese.
Bardhi u duk se reflektoi për atë gabim, megjithwse jo plotwsisht. Në emër të 1/5 së deputetëve të Parlamentit, kreu i grupit demokrat iu drejtua Gjykatës Kushtetuese për të shqyrtuar themelin e çështjes së mandatit të Xhaçkës.
Ndërsa Basha është ende larg reflektimit. Në reagim të lëvizjes së Gazmend Bardhit, Basha dha opsionin që çështja e mandatit të Xhaçkës nuk mund të shqyrtohet më në Kushtetuese, por të zgjidhet politikisht.
Ai avancoi më tej idenë e tij, duke thënë që zgjidhja e vetme është shpërndarja e Parlamentit nga Presidenti i Republikës, pasi maxhoranca në Kuvend refuzoi dërgimin e rastit Xhaçka në Gjykatën Kushtetuese, sipas një vendimi të dhënë më herët ajo gjykatë.
Me këtë opsion, Basha duket se kishte hipur në një tren fluturues. Ai nuk ka asnjë lloj fuqi parlamentare për të nxitur një zgjidhje të tillë politike dhe duket se deklarata e tij ishte thjesht një kundërvënie pa thelb ndaj vendimit të Bardhit për të ridërguar çështjen në Kushtetuese.
Lexo edhe:
Debati shterpë Basha-Bardhi/ Të dy janë fajtorë për dështimin me mandatin e Xhaçkës
Manovra/ Kushtetuesja shfrytëzoi grupin “Alibeaj” për të shpëtuar mandatin e Xhaçkës
Detajet/ A e humbi opozita e vulës lojën për shkarkimin e Olta Xhaçkës?