Nga Boldnews.al
Prej disa javësh, Akademia e Futbollit të Elbasanit zotërohet në shumicë nga kompania private “Blaed Trade”. Kompania e pajisjeve elektrike dhe hidraulike, me seli në Lezhë, fitoi ankandin e zhvilluar nga Bashkia e Elbasanit në Maj të vitit 2024 për blerjen e 70 përqind të aksioneve të organizatës sportive.
Procesi i ankandit është shoqëruar me dyshime për fiktivitet, pasi vlera e kuotave të nxjerra në shitje është disa herë më e ulët se sa investimi që ka kryer Bashkia e drejtuar nga Gledjan Llatjas ka kryer mbi Akademinë e Futbollit.
Por, vlera financiare e ankandit është njëra anë e procedurës së dyshimtë. Ajo që rëndon më shumë në këtë proces është fakti se cili është pronari real i 70 përqind të aksioneve.
“Boldnews.al” mëson se, disa ditë më parë, si pronar i ri i Akademisë së Futbollit të Elbasanit është prezantuar K.LL, një biznesmen që nuk ka asnjë lidhje të dukshme me kompaninë fituese të ankandit. Ky personazh më herët ka pasur në pronësi një prej kompanive kryesore të basteve që kanë operuar në Shqipëri, para ndalimit të tyre me ligj.
Të paktën dy burime nga stafi i Akademisë së Futbollit kanë konfirmuar për redaksinë se K.LL. ka marrë frenat e shoqërisë sportive.
Ankandi me vlerë minimale
“Boldnews.al” ka raportuar më herët se procedura e ankandit për shitjen e 70 përqind të aksioneve të “Akademia e Futbollit e Elbasanit” mbarte dyshimin për një procedurë fiktive.
Shoqëria është krijuar në Korrik të vitit 2021, në pronësi 100 përqind të Bashkisë së Elbasanit.
Në 11 Mars të këtij viti, Bashkia e Elbasanit shpalli në Buletinin e Agjencisë së Prokurimeve Publike procedurën për “Shitja në ankand e 70 % të aksioneve të Shoqërisë Tregtare Sportive “Akademia e Futbollit Elbasan” Sh.A”.
Vlera fillestare e ankandit ishte 13.838.650 lekë të reja. Shifra është të paktën tre herë më e ulët se sa ajo që ka investuar Bashkia e Elbasanit për ngritjen dhe funksionimin e Akademisë së Futbollit.
Referuar të dhënave të portalit informativ “spending.data”, rezulton se, duke nisur nga shtatori 2021, Bashkia e Elbasanit ka paguar plot 37.100.000 lekë të reja.
Pas shpalljes së ankandit për shitjen e 70 përqind të aksioneve, Bashkia e Elbasanit caktoi një kohë minimale për paraqitjen e ofertave, vetëm tre javë. Ankandi u vendos të zhvillohej në 3 Prill 2024. Koha e lënë në dispozicion të kompanive ofertuese ngriti dyshimet e para se ankandi mund të ishte një procedurë e paracaktuar.
Sipas dokumentave zyrtare, në ankand kanë paraqitur ofertat e tyre dy operatorë ekonomikë. Shoqëria “Blaed Trade” ka paraqitur ofertën në vlerë 13.850.000 lekë të reja. Ofertuesi i dytë ishte “Alcomm Solution”, e cila paraqiti vlerën për blerjen e aksioneve në shumën 13.838.650 lekë të reja.
Shoqëria fituese “Blead Trade” rezulton që ka blerë 70 përqind të aksioneve të “Akademia e Futbollit Elbasan” për një vlerë prej vetëm 11.350 lekë të reja më shumë se sa vlera fillestare.
Kush është fituesi i ankandit
Shoqëria “Blaed Trade” është krijuar në vitin 2009, me seli në qytetin e Lezhës.
Prej gati 15 vitesh, shoqëria “Blaed Trade”, në aktivitetin e saj tregtar, nuk ka pasur asnjë lidhje me futbollin apo me aspekte të tjera sportive.
Objekti i kompanisë gjatë thuajse gjithë ekzistencës së saj ka qenë “Tregti me shumicë e pakicë të mallrave industrial, ushqimore, pajisje elektrike dhe elektroshtepiake, hidraulike, ndërtimore, tregtim të makinerive e pajisjeve dhe pjesëve të këmbimit për pajisje dhe makineri të lëndës së parë për gomisterinë…”.
Por, vetëm në Janar 2024, vetëm dy muaj para se Bashkia e Elbasanit të shpallte ankandin për shitjen e aksioneve të “Akademisë së Futbollit”, shoqëria “Blaed Trade” vendos të modifikojë objektin e veprimtarisë së saj, duke përfshirë edhe angazhimin në evente sportive.
Në 16 janar të këtij viti, ortakja e vetme e shoqërisë vendos të shtojë objektin e aktivitetit të shoqërisë, me “Organizimi i eventeve sportive dhe komercializimi (marketingu materialeve, pajisjeve sportive). Menaxhimin e të drejtave të imazhit të shoqërive sportive. Kujdestarinë (ruajtjen) shitblerjen, të drejtën për të marrë hua (huazim) dhe në përgjithësi negociimin e të drejtave sportive, federative e publicitare të sportistëve. Përfundimi i kontratave për transferimin e lojtarëve si dhe shfrytëzimin e imazhit të lojtarëve. Shitblerjen e pasurive të lidhura me aktivitetin e karakterit sportiv të shoqërisë…”.
Tre muaj pas këtij ndryshimi në objektin e veprimtarisë, shoqëria “Blead Trade” fiton ankandin për blerjen e Akademisë së Futbollit të Elbasanit.