Me sa duket loja e maces me miun mes Ramës dhe Erdogan, për ndëshkimin e kundërshtarëve fetarë të presidentit Turk, vazhdon. Kjo arrihet të kuptohet nga një njoftim i mediave zyrtare të Ankarasë, për një bisedë telefonike të zhvilluar të enjten mes dy liderëve.
“Udhëheqësi turk iu referua përpjekjeve zhgënjyese të Organizatës Terroriste Fetulla (FETO) për të fituar një terren në Shqipëri, duke shprehur besimin se vendi ballkanik do të vazhdojë të punojë drejt eliminimit të strukturës së grupit në sektorët e tij arsimor, shëndetësor dhe fetar”, thuhej në lajmin e televizionit TRT.
Ndërsa Anadolu Agency i referohej angazhimit të dy liderëve për të luftuar terrorrizmin. Titulli për luftë kundër terorizmiit zuri vend edhe në kopjimin ‘Copy Paste” që shumë media shqiptare i bënë këtij lajmi, ndonëse vendet perendimore rrefuzojnë ta konsiderojnë si të tillë vllazërinë gyleniste.
Ndonëse Drejtoria e Komunikimeve të Türkiyes në lajmin që dha foli edhe për bashkëpunim në fushat e mbrojtjes dhe atë të politikave globale duket se thelbi i bisedës, është përqëndruar tek premtimi i pambajtur plotësisht nga pala shqiptare për të çrrënjosur gylenistët.
Gjatë vizitës të tij të fundit në Tiranë, raisi turk, në janar 2022, bëri paralajmërimin e ashpër në një fjalim para deputetëve shqiptarë.
“Ndërsa ka kaq shumë çështje mes nesh për të biseduar, diskutuar dhe ndërmarrë hapa drejt së ardhmes së bashku, neve na vjen keq që humbim kohë me një çështje të këtillë. Shpresojmë që në takimin tonë të radhës këtë çështje ta largojmë nga agjenda jonë”, kërcënoi presidenti turk.
Ky apel në formë shantazhi gjeti pasqyrim në faqet e para të gazetave si “Hurriyet” apo “Haberturk”, të cilat u mbushën me thirrjet e forta të Erdogan, gati në formë ultimative ndaj qeverisë shqiptare, se ai pret që në vizitën e tij të ardhshme “të ketë marrë fund problemi i gylenistëve”, të këtyre “terroristëve që i kanë duart me gjak”.
Herë pas here, qeveria e Ramës ka hedhur ndonjë hap në këtë drejtim. Kështu përpara se kryeministri të vizitonte Ankaranë në shtator 2022, ai ndryshoi ministren e arsimit Besa Shahini dhe vuri Evis Kushin, një nga hapat e para të së cilës ishte mbyllja e kolegjit të vajzave të lëvizjes guleniste për disa alibi teknike, heqja e liçencës së shkollës së mesme Mehmet Akif, po ashtu edhe vënia e drynit për kopshtin Turgut Ozal.
Të njëjtat skena u riprodhuan edhe në shtator 2020 kur qeveria vendosi mbylljen e veprimtarisë së medresesë “Hafiz Abdullah Zëmblaku” në Korçë, medresesë “Ali Korça” në Kavajë dhe të “Memorial International School of Tirana (MIST)”, “të lidhura me strukturat e organizatës terroriste FETO në Shqipëri”, siç joftonte në atë kohë agjensia turke e lajmeve Anadolu Agency (AA).
Kulmi i përdhunimit të shtetit ligjor në Shqipëri arriti në janar 2020 kur shteti shqiptar i rrefuzoi kërkesën për azil politik gylenistit, Harun Çelik, madje mediat turke njoftuan plot triumf në vendin e tyre se ai ishte rëmbyer në Tiranë nga shërbimi sekret turk, MIT.
Por, pavarësisht nga këto hapa, Erdogani duket se është i pakënaqur nga shërbimet e Ramës për ta mbyllur njëherë e mirë kapitullin e Gylenistëve në Shqipëri. Kjo përfiltet të jetë edhe arsyeja që ai nuk vjen të inagurojë xhaminë e madhe të Tiranës, për sa kohë në krye të komunitetit mysliman shqiptar janë përfaqësuesit e asaj që ai e etiketon si FETO.
Kërkesa për ememinimin e saj ka qenë konstatnte që pas grushtit të supoziar të shtetit në Turqi, në korrik 2016. Por rezistenca e palës shqiptare ka ardhur duke u ulur.
Në tetor të 2018, ministri i jashtëm Mevlud Çavushoglu, i kërkoi në Tiranë homologut të tij shqiptar Ditmir Bushati ekstradimin e gylenistëve, por qëndrimi i qeverisë shqiptare ishte i prerë. Ai i tha sy më sy përballë gazetarëve shefit të diplomacisë turke se shteti shqiptar është laik dhe do qe absurde që ai të të përfshihej në çështje fetare. “Aq më pak në to mund të përfshihet një vend i huaj” këmbënguli ai (shiko videon këtu).
Nuk kaluan as dy muaj dhe Rama e largoi Bushatin nga detyra. Që atëhere askush nuk ka guxuar më ti përgjigjet publikisht kërkesave gjithnjë e më të forta të Ankarasë që nënpërkëmbin sovranitetin dhe laicitetin e vendit tonë.
Edhe ministri i jashtëm turk edhe homologu i tij i brendëshëm kanë kërkuar me insistim dorëzimin e atyre që bota perendimore nuk i njeh si terroristë, nuk pranon tia dorëzojë Turqisë, madje i jep edhe strehim politik. Në shkurt të 2020, gjatë një vizite në Tiranë, shefi i diplomacisë Mevlut Cavusoglu, deklaroi në një konferencë të përbashkët për shtyp me ministrin në detyrë Gent Cakaj, se qeveria shqiptare “ka ndërmarrë disa hapa”. Duke folur në përgjithësi për atë që qeveria e presidentit Erdogan i referohet si një organizatë terroriste, Cavusoglu tha: “Ka ende shumë anëtarë të FETO në Shqipëri. Ne nuk duam që Shqipëria të jetë parajsë për FETO-t. Shqipëria ka ndërmarrë disa hapa, por më shumë hapa duhet të ndërmerren,” deklaroi ai krahas Gent Cakajt.
Në fakt, me të vërtetë, ndryshe nga shume vende demokratike Shqipëria i ka marrë disa hapa për dorëzimin e gylenistëve dhe bizneseve të tyre. Policia dhe prokuroria kanë ushtruar presion maksimal mbi kolegjet turke për të realizuar shitjen e tyre. Disa herë nxënësit e këtyre shkollave janë befasuar brutalisht nga hyrja arrogante e forcave policore në mjediset mësimore.
Një raport i zyrës së Komisionerit të Lartë për të Drejtat e Njeriut në OKB, në Maj 2020, e fshikullonte edhe Shqipërinë për atë që mund të cilësohet një praktikë e vazhdueshme e ekstradimeve apo dëbimeve të detyrueshme të shtetasve turq nga vende të ndryshme, drejt Turqisë.
Por, pas një dekade vllazërie, pas shpalljes si aleat strategjik, votimit “antiamerikan” për mosnjohjen e Jeruzalemit si kryeqytet i Izraelit, refuzimit për të votuar në Këshillin e Evropës kundër persekutimit të filantropit Osman Kavalla nga regjimi turk, pas ngritjes në Tiranë një memorial për viktimat e grushtit të shtetit, autokrati turk nuk është ende i kënaqur me sivëllain e vet më të vogël.
Ai kërkon provën fiunale dhe spastrimin e fundit: zhduken nga skena biznesmenëve të mëdhenj të lidhur me rrjetin Gylen, shkarkimin e kreut të Komunitetit Musliman shqiptar dhe mbyllje përfundimtare të shkollave. Ndoshta në këtë drejtim ka qenë edhe biseda e fundit telefonike. Erdogan nuk kishte dhënë më kot ultimatum në 2022-shin./ Lapsi.al