Duket se dakordësia mes PD-së dhe PS-së për kodin e ri zgjedhor, ku u caktua se 1/3 e listës së kandidatëve për deputetë do të jetë e mbyllur duke bërë praktikisht kështu se pjesën më të madhe të deputetëve do e zgjedhin kryetarët, ka sjellë përçarje mes demokratëve.
Gjatë diskutimit në Komisionin e Ligjeve, deputeti Dashnor Sula tha se do të votojë kundër, teksa sipas tij, kjo reformë zgjedhore do të sjellë që 102 deputetët s’do kenë mundësinë që të votohen nga qytetarët.
Sula e cilësoi këtë draft, si dita e dytë e zezë pas asaj të prillit 2008 kur u votua për ndryshimet ligjore të kodit zgjedhor. Sula tha se do votojë kundër dhe të paktën nuk do të mbahet mend si lëpirës, teksa shprehu mbështetje vetëm për votën e emigrantëve.
Dash Sula: Kjo do mbahet mend si dita e dytë e zezë pas prillit 2008, ku shumica e kolegëve vajtën e votuan me kokën në thes dhe e panë se ca u ndodhi në zgjedhjet e vitit 2009 që u fshinë nga listat. Ajo që thoni ju larg asaj times, ishalla po shpëtoj unë, do ju djegë, por do ju djegë kur të shkojë lista në 12 të natës nga Damian Gjiknuri në KQZ. Për çfarë jemi në këtu deputetë, një të nënës dhe të babës, fisit tonë, apo jemi deputetë që përfaqësojmë qytetarët. Pse ia hiqni mundësinë që të votojnë për çdo deputet. PS nëse ka merakun e jakës t’i zgjedhë ministra e zv.ministra. Qytetarët kanë mundësi të zgjedhin deputetin e tyre dhe ju ja hiqni, i thoni do i zgjedhim ne. Vazhdoni në marrinë tuaj se s’do ketë mundësinë që të votohen 102 deputetë. Pse keni frikë nga vota e qytetarëve. Në momentin q ë kryetari i partisë ka zgjedhur që 14 figura në qarkun e Elbasanit, pse ia hiqni mundësinë, që më i bukuri të ketë mundësinë të hyjë deputet, ndërkohë unë i shëmtuari që marr më shumë vota mos ta kem mundësinë të futem deputet. Kjo është tallja me qytetarët shqiptarë. Ky vend po ngelet peng i politikës së vjetër, që unë e refuzoj dhe e përbuz dhe deri ditën që do jem këtu do mbajt qëndrimet e mia dhe se kam fare merak do jep deputet apo jo. Ashtu sikundër kam votuar kundër në 2008 do të votoj kundër edhe tani. Nuk e kam merak fare nëse do të jem ose jo në 2025 deputet, por të paktën nuk do të mbahem mend si lëpirës.
Më pas foli edhe kreu i grupit parlamentar të PD, Gazment Bardhi, i cili tha se nëse palët do arrijnë të realizojnë votën e diasporës do jetë një arritje.
Ndërkohë, sa u takon kritikave për 1/3 e listës së mbyllur, Bardhi tha se deputetët që janë zgjedhur në zgjedhjet e 2021 janë produkt i listave të mbyllura dhe me ironi tha se bie “teoria e lëpirjes” te kryetari.
Gazment Bardhi: Unë mendoj që diskutimi në këtë fazë të punës duhet ta bëjmë me qetësi pa populizma dhe me këmbë në tokë, e gjithë retorika e kolegëve bie, se të gjithë këtu jemi produkt listash, produkt listash të mbyllura, kështu që bie ajo teoria që ky i lëpihet këtij apo atij, do ishte shumë mirë të bënim një diskutim më të gjatë, por fakti është që ashtu siç është kodi zgjedhor sot, listat janë të mbyllura, sipas dispozitave që ka ngel në këmbë. Në zgjedhjet e kaluara, vetëm 3 deputetë e thyen herësin, me këto ndryshime, qartësisht do hyjnë 10 fish më shumë deputetë me lista të hapura. Unë mendoj që edhe zgjidhjet ekstreme, ky është një test, fazë bast i atyre që kanë propozuar këtë sistemin, por qartësisht është progres në raport me sistemin që kishim. Për mua më shumë rëndësi nuk ka kjo historia e sistemit zgjedhor, për mua është arritje shumë e madhe që të bëjmë efektive votën nga jashtë. Kjo është një arritje nëse do miratohet.