Përballja mes dy bandave dikur aleatë në trafikun e drogës, ka prodhuar disa të vrarë dhe të plagosur ndërsa duket se ende s’ka mbaruar.
Pjesë e kësaj serie përplasjesh atentatesh duket se ishte edhe masakra e mbrëmshme në Memaliaj. Shënjestër ishin dy vëllezërit Shyqo dhe Artur Kalemi, të cilit ishin ulur në tavolinën e jashtme të lokalit, ku i pari mbeti i vdekur nga breshlria e kallashnikovit, ndërsa i dyti i plagosur në gjendje të rëndë.
Atentati shënoi dhe dy viktima aksidentale, pasi plumbave të kallashnikovit nuk iu shpëtoi as kamarieri i lokalit, Gledio Muka dhe një klient i lokalit Marsel Çela, të cilët humbën jetën në vend.
Shyqo Kalemi është babai i Andrea alias Adriatik Kalemi dhe Zamir Kalemit të cilit iu kanë shpëtuar tre atentateve të mëparshme. Ndërsa Artur Kalemi është xhaxhai i tyre.
Një prej pistave ku po heton Policia është hakmarrja ndaj Andrea (Adriatik) Kalemit. Dyshohet se atentati i mbrëmshëm ka lidhje me sagën e vrasjevë të nisur që prej 11 Qershorit të vitit 2022 ku u ekzekutua Aleksandër Sadikaj në një atentat me eksploziv pranë rrethrrotullimit të TEG dhe që pasoi disa muaj më vonë, më 16 Dhjetor të po atij viti me vrasjen e Edmond Papës në zonën e Selitës në Tiranë.
Më konkretisht, mesditën e 11 qershorit të vitit 2022, ekzkekutohet me një bombë me telekomandë Aleksandër Sadikaj, i njohur ndryshe si “Sanço” i Memaliajt.
Ngjarja e rëndë ndodhi në afërsi të rrethrrotullimit të Saukut, pranë qendrës tregtare TEG. Aleksandër Sadikaj ishte nisur drejt Memaliaj kur makina “Volkswagen”, me targa AB 077 PO që drejtonte, shpërtheu në ecje. Në një zonë me shumë lëvizje siç ishte vendi ku ndodhi shpërthimi, ngjarja mund të kishte pasoja edhe më të rënda. Por fatmirësisht nuk u dëmtua askush tjetër.
Pas atentatit mafioz ndaj Aleksandër Sadikajt dyshohet se qëndronin njerëzit e Edmond Papës nga Saranda.
Motra e viktimës akuzon Ledjan Alushajn, një shok i ngushtë i Aleksandër Sadikaj, si personin që ka vendosur tritolin nën makinën e Aleksandër Sadikaj ditën e atentatit. Kjo ka ndodhur pasi Aleksandër Sadikaj, me këshillën e Edmond Papës, kishte lënë makinën e tij personale në servisin e dajës së Edmond Papës, në fshatin Kurjan në Roskovec disa ditë para atentatit.
Skenari i ndjekur nga autorët e vrasjes së Aleksandër Sadikaj ka patur si qëllim që të ndihmojë Sadikajn të lëvizte me një makinë tjetër para se të ekzekutohej. Ky veprim i mundësoi autorëve të vendosnin materien shpërthyese nën makinën e re të tij, duke e bërë më të lehtë shpërthimin dhe eleminimin e tij.
Vanesa Sadikaj, motra e Aleksandër Sadikaj: Vëllai im u vra nga shoku i tij i ngushtë Ledjan Alushaj nga Mallakastra me vendbanim në Sarandë. I cili vendosi tritol në makinën e Aleksandrit, kur vëllai ia kishte dhënë me mirëbesim me qëllim për t’i bërë disa servise tek daja i Edmond Papës. Pra Aleksandrin e vranë pas krahëve këta të dy në bashkëpunim, që ndërkohë hanin e pinin me të. Ngjarja ku Ledjoni dhe Edmondi erdhën në varrim dhe qëndruan gjithë natën duke bërë sikur qanin para varrimit e tregoi një akt hipokrizie dhe deklarate false, pasi ata ishin përfshirë në planifikimin e vrasjes së Aleksandër Sadikaj, duke lënë tritol nën makinën e tij.
Ndërkohë, nëna e 27-vjeçarit, kishte marrë rrugën dhe kishte shkuar vetë në këtë hotel për të takuar Ledjan Alushaj, mikun e djalit të saj, që mendohet se ishte kthyer në bukëshkalin e tij, duke çuar deri në fund skemën e ekzekutimit.
Ledjan Alushaj, i cili thuhet se kishte marrë pjesë edhe në varrimin e 27 vjeçarit, duke mbajtur mbi supe edhe arkivolin e tij, nuk i kishte dalë në takim nënës së Aleksandër Sadikaj. Tashmë dyshohet se Ledjan Alushaj ndodhet në Dubai.
Ndërkohë, njerëzit e afërt të Sadikajt ekzekutojnë Edmond Papën për hakmarrje, në një atentat të regjistruar më 16 Dhjetor të vitit 2022 në zonën e Selitës në Tiranë.
Rreth orës 16:20 të asaj dite, Edmond Papa, lindur në Fier dhe banues në Sarandë, ka shkuar për të pirë kafe në një lokal që ndodhet përballë banesës së vëllait të tij, Kristo Qirici. Ai është ulur i vetëm në një tavolinë në rreshtin e parë, në verandën e lokalit. Kur ai kishte porositur dhe po pinte kafe, aty është afruar një person me fytyrë të mbuluar dhe me pistoletë në dorë.
Ky person ka qëlluar disa herë në drejtim të Papës duke e plagosur rëndë. Si pasojë e të shtënave Edmond Papa ka marrë disa plagë në pjesën e sipërme të trupit. I plagosur, ai ka mundur të largohet dhe të futet në ambientet e brendshme të lokalit, derisa është rrëzuar në tokë. Ndërsa personi që e ka qëlluar me armë është larguar me vrap nga vendi i ngjarjes. Papa është dërguar me ambulancë në Spitalin e Traumës, por si pasojë e plagëve të marra ka gjetur vdekjen.
Vrasja e Edmond Papës është zbardhur nga autoritetet policore, ku aktualisht në burg ndodhet Albano Velo, i cili dyshohet se ka qenë në rolin e bashkëpunëtorit për të larguar nga vendi i krimit autorin, si dhe në rolin e vëzhguesit. Ndërkohë, në rolin e ekzekutorit dyshohet se ka qenë Andrew (Edvin) Bode, i cili është shpallur në kërkim nga autoritetet policore.
Në dosjen e Prokuroisë del dhe emrii i Andrea (Adriatik) Kalemit, por ndaj tij nuk është ngritur asnjë akuzë konkretete. Të tre emrat e mësipërm kanë qenë njerëz të afërt të Sadikajt.
Ndërkohë, më 9 Gusht të vitit 2023 iu bë atentat Andrea (Adriatik) Kalemit në ishullin Paksos të Greqisë, i cili kishte shkuar me pushime me familjen.
Autori i atentatit lëvizte me një skaf që më pas rezultoi se ishte nisur nga Italia dhe kishte mbërritur aty. Ai ka qëlluar të paktën 14 herë në drejtim të lokalit ku Kalemi ishte ulur për të darkuar bashkë me gruan e 3 fëmijët. Kalemi u qëllua me 10 plumba dhe u plagos rëndë duke u transportuar me urgjencë në spitalin e Janinës, por fatmirësisht arriti të shpëtonte.
Atentati mafioz në ishullin grek vijon të mbetet pa autor. Por nga ana tjetër, pasi u kurua nga plagën të spitalin e Janinës, Adriatik Kalemi u vu në pranga dhe u dërgua në burgun e Koridhalosë, pasi kishte një proces të hapur ndaj tij në Greqi.
Ndërkohë, më 15 Dhjetor të vitit 2023, Andrea (Adriatik) Kalemi tenton të vritet sërish brenda qelisë në Greqi, teksa ishte në pritje të lirisë.
Një i burgosur tjetër, me kombësi egjiptiane, e sulmoi atë me thikë, duke i shkaktuar plagë të rënda në kokë e në gjoks. Dyshimet se bëhet fjalë për një sherr të zakonshëm mes të dënuarve në burgun e Koridhalosë u shuan shpejt sapo u mësua identiteti i autorit. Ai rezultoi se nuk kishte asnjë njohje të mëparshme me 51-vjeçarin Kalemi, as jashtë dhe as brenda burgut. Për më tepër, ai ishte transferuar aty vetëm pak orë para ngjarjes. Sipas të gjitha të dhënave ai kishte ardhur me porosi dhe i paguar nga persona të tjerë për të vrarë Adriatik Kalemin. Me vete kishte një thikë dhe një celular, që ende nuk dihet se si dhe me ndihmën e kujt i ka futur brenda burgut.
Sapo kanë parë skenën, të burgosur të tjerë kanë goditur 28-vjeçarin egjiptian, i cili ka marrë plagë në kokë dhe trup. Atij më pas iu sekuestrua thika dhe një celular që ishte thyer.
Kalemi mori plagë në kraharor, qafë e krah dhe u transportua në spitalin e burgut ku mori ndihmën e parë dhe arriti t’i shpëtonte edhe këtij atentati.
Ndërsa më 12 Janar të vitit 2024, iu bë atentat Zamir Kalemit, vëllai i Andrea (Adriatik) Kalemit. Ai u qëllua me breshëri kallashnikovi, nga një mjet në lëvizje, por mundi të shpëtojë edhe pse u godit nga 4 plumba. Ngjarja ndodhi rreth orës 22:55, në vendin e quajtur “Nënkalimi i Selitës”.
Kalemi lëvizte me një automjet “Smart” kur u qëllua me breshëri kallashnikovi. Pas ngjarjes atentatorët kanë vijuar rrugën në drejtim të Bërzhitës, ku më pas i kanë vënë flakën makinës tip “Nissan”. Brenda mjetit të djegur u gjet edhe arma që dyshohet se është përdorur në krim. Policia tha se nga verifikimet paraprake, targat e automjetit AA 968 JD, të përdorura nga autorët, janë kallëzuar të vjedhura në Tiranë, në vitin 2018, dhe po ashtu edhe mjeti tip “Nissan”, ngjyrë gri me targë MHY 66 50, rezulton i vjedhur në Greqi më datë 13 shkurt 2023. Edhe ky atentat mbetet ende pa autor.
Duket se autorët pasi nuk ia arritën dot të ekzekutonin dy vëllezërit, Adriatik (Adnrea) Kalemi dhe Zamir Kalemi, mbrëmjen e djeshme ekzekutuan babain e tyre Shyqo Kalemi, por duke shkaktuar dhe dy viktima aksidentale.