Kur presidenti francez, Emmanuel Macron, shokoi Francën muajin e kaluar me shpalljen e zgjedhjeve të parakohshme, ai po “luante bast” me të ardhmen e Europës, sikur se edhe me vendin e tij. Megjithëse shumëçka varet prej raundit të dytë të zgjedhjeve të së dielës, tashmë është e qartë se roli i Macronit si timonier i integrimit europian do të zbehet ndjeshëm, vlerëson agjencia e lajmeve, Reuters, në prag të balotazhit të fundjavës. Dy skenarët më të mundshëm – një qeveri e udhëhequr nga Tubimi Kombëtar (RN) i së djathtës ekstreme të Marine Le Penit ose një parlament pa shumicë – do të përbënin sfida të pashembullta për Bashkimin Europian.
Droja e madhe për spektrin politik tradicional të BE-së është fitorja e madhe eventuale e RN-së, duke e detyruar Macronin “të bashkëjetojë” me një qeveri armiqësore ndaj vizionit të tij për sovranitetin europian. Madje edhe me një legjislaturë pa shumicë fare, duke rezultuar me një koalicion zori ose me parti që bashkëpunojnë vetëm në raste të caktuara, Macronit do t’i pamundësohej krijimi i një qeverie të mishëruar me politikat e tij.