Gjykata e Posaçme kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar ka shtyrën për ditën e nesërme seancën për dhënien e masave të sigurisë për ish-ministrin e Shëndetësisë, Ilir Beqaj dhe bashkëpunëtorët e tij.
Ata u arrestuan ditën e djeshme për korrupsion dhe fshehje pasuri në lidhje me abuzimet me fondet e Agjencisë Shtetërore të Programin Strategjik dhe Koordinimit të Ndihmës (SASPAC) që monitoron milionat e ndihmës nga Bashkimi Evropian.
Seanca është shtyrë me kërkesë të avokatëve mbrojtës të cilët kërkuan më shumë kohë që të njihen me aktet hetimorem, teksa seanca është planifikuar të mbahet ditën e nesërme në orën 12:30.
Veç Ilir Beqajt, GJKKO ka firmosur masën e sigurisë dhe për shtetasit Ermal Kurtulaj dhe Alfred Nikolla. Ndërsa, masë e sigurisë “arrest shtëpie” është caktuar për biznesmenin Gazmend Haxhia dhe menaxherin e futbollistëve Elton Marini, ndërsa “detyrim paraqitje” për shtetasit Bledar Leka dhe Bjona Ziaj. Deri më tani janë ekzekutuar vetëm 6 masa sigurie.
Ata akuzohen për kryerjen e veprave penale “Korrupsioni pasiv i funksionarëve të lartë shtetërore”, kryer në bashkëpunim, “Korrupsioni aktiv i funksionarëve të lartë publikë”,, “Refuzimi për deklarimin, mosdeklarimi, fshehja ose deklarimi i rremë i pasurive, interesave privatë të personave të zgjedhur dhe nëpunësve publikë ose i çdo personi tjetër që ka detyrimin ligjor për deklarim”, , “Mashtrimi” kryer në bashkëpunim, me pasoja të rënda, si dhe “Shkelja e barazisë së pjesëmarrësve në tendera apo ankande publike”, kryer në bashkëpunim.
Ermal Kurtulaj ka qenë koordinatori i projektit EUSAIR, projekt i rëndësishëm i mbështetur nga fondet e Bashkimit Evropian dhe që menaxhohej nga Agjencia Shtetërore të Programimit Strategjik dhe Koordinimit të Ndihmës (SASPAC).
Ai ka njohje të hershme me Ilir Beqajn që datojnë në kohën kur ish-ministri ka qenë ortak i shoqërisë Intech+, duke vazhduar më pas në vitin 2015 në FSDKSH, ku drejtues i Këshillit Mbikeqyrës ka qenë vetë shtetasi Ilir Beqaj dhe më pas me krijimin e agjencisë SASPAC, si i punësuar në projektin Eusair Facility Point.
Sipas SPAK, Ilir Beqaj në bashkëpunim me vartësin e tij, Ermal Kurtulaj dyshohet se kanë kryer procedura prokurimi fiktive, në të paktën 8 tendera nga SASPAC. Gjitashtu sipas Prokurorisë së Posaçme, Ilir Beqaj ka kryer deklarim të rremë pasurie në vitin 2020, ku nuk ka deklaruar interesat tek restoranti “G’zona” tek Kalaja e Tiranës, si dhe automjetin që e kishte në emër të Ermal Kurtulajt.
Hetimi i SPAK:
Në analizë të provave të grumbulluara deri në këtë fazë të hetimit ka rezultuar se:
1. Personi nën hetim Ilir Beqaj në cilësinë e Drejtorit të Përgjithshëm të SASPAC-ut duke vepruar si urdhërues në bashkëpunim me personin nën hetim Ermal Kurtulaj, i emëruar nga vetë personi nën hetim Ilir Beqaj në datën 26.05.2022 si koordinator i zyrës “Facility Point” për projektin EUSAIR, në SASPAC, përgjatë viteve 2022-2023 dyshohet se kanë kryer procedura prokurimi fiktive në kundërshtim me rregullat “PRAG” të përcaktuara në “Rregullat e Zbatimit të Rregullores Financiare”, të aplikueshme për të gjitha kontratat e ndihmës së jashtme të BE-së të financuara nga Buxheti i Përgjithshëm i BE-së dhe Fondi i 10-të Evropian i Zhvillimit (EDF) dhe të detyrueshme për t’u zbatuar sipas nenit 5 gërma “c” të ligjit nr. 37/2015 “Për Ratifikimin e Marrëveshjes Kuadër Ndërmjet Republikës së Shqipërisë, Përfaqësuar nga Këshilli i Ministrave i Republikës së Shqipërisë dhe Komisioni Evropian për Rregullat e Zbatimit të Mbështetjes Financiare Të BE-së për Shqipërinë, në kuadër të Instrumentit për Asistencën e Paraanëtarësimit (IPA II)”.
Të paktën tetë shërbimet e prokuruara në kuadër të eventeve: “Mbi organizimin e Konferencës FESTA (E Ardhmja e Turizmit të Qëndrueshëm Mjedisor në Shqipëri”, si dhe “Konferenca e Energjitikës”, organizuar në vitin 2023 nuk i janë nënshtruar një procedure prokurimi të rregullt, por fituesi është dakordësuar dhe përcaktuar shumë më para se të realizohet procedura e prokurimit, e cila është kryer në mënyrë fiktive më pas, për efekt dokumentacioni dhe pagese.
Këto tendera janë zhvilluar me procedurë negocimi konkuruese apo prokurim të thjeshtë, të cilat janë urdhëruar për t’u kryer nga personi nën hetim Ilir Beqaj në cilësinë e Drejtorit të Përgjithshëm, i cili ka nënshkruar që nga rënia dakord për të kryer shërbimin e caktuar, tek ftesat që i’u janë dërguar subjekteve për të paraqitur oferta sipas llojit të prokurimit, tek urdhri për ngritjen e komisionit për të kryer vlerësimin e ofertave, tek shkresa që i është dërguar fituesit pas vlerësimit deri tek lidhja e kontratës, dokumenta këto të hartuara, plotësuara dhe nënshkruara kohë më pas, nga lidhja dhe zbatimi i kontratës.
Në lidhje me këto kontrata shërbimi është konstatuar:
Së pari: Shërbimi i prokuruar “Për Organizmin e Konferencës 03-05 Prill 2023 “E Ardhmja e Turizmit të Qëndrueshëm Mjedisor në Shqipëri FESTA Asistenca Teknike IPA CBC, Projekti Adrion”) me vlerë 125.000,00 Euro, është i njëjtë me atë të prokuruar nga Ministria e Turizmit dhe Mjedisit (në vlerën sipas çmimit të kontratës 38.509.550 lekë) për të njëjtin event atë të quajtur “Festa”, duke u kontraktuar në të dyja rastet e njëjta shoqëri tregtare e quajtur “Landways International” sh.p.k me Ortak e Administrator personi nën hetim Gazmend Haxhia dhe Drejtor Ekzekutiv personin nën hetim Alfred Nikolla.
I vetmi shërbimi i ofruar në kuadër të këtij eventi nga kjo shoqëri tregtare është organizimi i darkës, e cila është organizuar nga shoqëria tregtare “A….. F….. and H….. Lab” sh.p.k, njohur si restorant “G’zona”. në një vlerë prej 4.189.000 lekë.
Së dyti: Personat nën hetim i kanë kryer vetë shërbimet (me shpenzime shumë herë më të ulta) duke i prokuruar më pas tek persona të tjerë juridikë “N. S. Int” sh.p.k me Ortak e Administrator personin nën hetim Elton Marini dhe personin nën hetim Bjona Ziaj për qëllime të përfitimit material;
Së treti: Shoqëritë tregtare të kontraktuara për organizim të eventeve kanë dhënë përfitim të parregullt në formën e blerjeve të shërbimeve tek restoranti “G’zona”, apo të kryera në formën e pagesave nëpërmjet personave fizik të tjerë, me qëllim përvetësimin fundor nga personat nën hetim Ilir Beqaj dhe Ermal Kurtulaj.
Së katërti: Në rastet kur projektet e monituara nga SASPAC-u kanë prokuruar shërbime nën vlerën 2.500 euro, ku sipas rregullave “PRAG” realizohen vetëm me pranim fature, duke rezultuar vetë, si blerës direkt të shërbimeve me objekt shërbim kateringu ata kanë kryer veprime për fshehjen e përfituesit direkt. Ata e kanë faturuar këtë shërbim tek persona fizik të tjerë me të njëjtin objekt veprimtarie, në një kohë që shërbimi është ofruar nga restorant “G’zona”. Këto veprime janë kryer me qëllim fshehjen e lidhjes së personave nën hetim Ilir Beqaj e Ermal Kurtulaj me restorantin “G’zona”.
2. Personi nën hetim Ilir Beqaj dyshohet se ka kryer deklarim të rremë mbi pasurinë e tij nga viti 2020 e në vazhdim, pasi ka fshehur interesat pasurore të tij mbi restorantin “G’zona” me adresë pranë Kalasë Tiranë, që nga krijimi e deri në vazhdim. Pavarësisht se bashkëshortja e tij ka figuruar de jure ortake në masës 15% në këtë shoqëri deri në vitin 2020 duke i dhuruar më pas kuotat e saj ortakut tjetër, ortak ka qenë në fakt vetë personi nën hetim Ilir Beqaj, i cili ka vijuar si i tillë edhe përgjatë kohës që drejtonte SASPAC-un.
Personi nën hetim I.B. dyshohet të ketë investuar në vitin 2019 në shoqëri të paktën shumën prej 21.411 euro dhe 4.666.110 lekë, në formën e blerjeve të pajisjeve (aseteve) dhe në shumën 34.783 Euro në formën e shpenzimeve si qira e të tjera, duke mos i deklaruar ato si hua ndaj shoqërisë. Interesat pasurore të tij mbi këtë restorant i ka ushtruar nëpërmjet personit nën hetim Ermal Kurtulaj, i cili ka administruar ato, duke qenë i punësuar në këtë restorant që nga krijimi i tij, por pa qenë i deklaruar si i punësuar pranë organeve tatimore.
Personi nën hetim Ilir Beqaj ka fshehur edhe pasurinë e luajtshme automjet “Audi A8” me targë AB ….. DE blerë në vitin 06.09.2019, në emër të personit nën hetim Ermal Kurtulaj.
SPAK bën me dije se jatë hetimeve janë ushtruar kontrolle në disa banesa dhe në njërën nga zyrat e shoqërisë tregtare ku janë sekuestruar dokumente dhe blloqe me shënime, shuma parash prej afro 47. 000 euro dhe 700.000 lekë, aparate telefoni me interes për hetimin etj.
Hetimet vazhdojnë në lidhje me grumbullimin dhe sigurimin e provave për persona të tjerë të përfshirë në këto veprime, si dhe për fakte të tjera penale të lidhura me kontrollet e ushtruara në datën 28 dhjetor të vitit 2023.
Beqaj ka qenë deputet i Partisë Socialiste për disa legjislatura dhe ishte ministër i Shëndetësisë nga viti 2013 deri në vitin 2017. Në vitin 2021, ai u emërua në krye të SASPAC nga kryeministri Edi Rama, edhe pse ndaj tij po zhvilloheshin hetime për kontratat koncesionare në shëndetësi. Pas vendimit të Gjykatës së Posaçme për t’i caktuar atij masën e sigurimit “detyrim paraqitje” në lidhje me akuzat mbi aferën e sterilizimit, Beqaj dha dorëheqjen nga SASPAC dhe pozicioni i tij si negociator mes Shqipërisë dhe Bashkimit Europian.