Komisioni konstatoi pamundësi në vlera të mëdha të prokurores së Elbasanit, Rajmonda Berisha për krijimin e pasurive, si dhe veprime të dyshuara fiktive që u cilësuan në cënim të besimit të publikut tek drejtësia – barra prove të cilat subjekti i kundërshtoi dhe kërkoi riçeljen e hetimit për profesionalizmin dhe figurën.
Prokurorja e Elbasanit, Rajmonda Berisha u përball të hënën më 1 korrik me Komisionin e Pavarur të Kualifikimit, KPK, kur gjatë seancës dëgjimore dha shpjegime për barrat e provës për pasurinë, kriterin e vetëm për të cilin ishte përmbyllur hetimi administrativ paraprak. Ajo kundërshtoi bilancet negative në vlera të mëdha dhe konstatimet për veprrime fiktive, duke kërkuar riçeljen e hetimit për profesionalizmin dhe pasurinë.
Procesi i rivlerësimit kalimtar për prokuroren Berisha po kryhet nga trupa e KPK e kryesuar nga Xhensila Pine, me relatore Alma Faskajn dhe anëtare Pamela Qirkon. Në cilësinë e vëzhguesit ndërkombëtar ishte i pranishëm Theo Jacobs.
Rajmonda Berisha ka filluar detyrën e prokurores në vitin 1987 në Prokurorinë e Elbasanit ku dhe vijon ta ushtrojë këtë funksion.
Berisha u paraqit në seancë se bashku me avokatin Fatmir Lushi, i cili parashtroi kundërshtimet në kriterin e pasurisë.
Inspektorati i Lartë i Deklarimit dhe Kontrollit të Pasurive dhe Konfliktit të Interesit, ILDKPKI, ka depozituar në Komision raport pozitiv për prokuroren Berisha, por ky rezultat është përmbysur nga hetimi administrativ.
Për një apartmament me sipërfaqe 81 m2 të blerë në Elbasan në vitin 1996 për çmimin 1.8 milion lekë, subjekti ka deklaruar si burim krijimi të ardhurat nga shitja e një banese të mëparshme në shumën 800 mijë lekë dhe një kredi 500 mijë lekë. Nga hetimi nuk janë gjetur probleme për këto të ardhura që janë konsideruar të ligjshme. Kjo pasuri është pasqyruar në deklarimet periodike të viteve 2003-2006, së bashku me shlyerjen e detyrimeve të kredisë të marrë për blerjen e saj.
Berisha nuk ka shënuar në deklaratën “veting” burimin për pjesën e mbetur të çmimit në masën 500 mijë lekë, ndërkohë që në pyetësorin standard ka shpjeguar se kjo shumë është shlyer me kursimet nga pagat. Nga analiza financiare ka rezultuar balancë negative 155 mijë lekë, për të kursyer shumën 500 mijë lekë. KPK i ka kaluar subjektit barrën e provës për këto gjetje.
Avokati Lushi solli në vëmendje të Komisionit se në kohën kur është blerë ky apartament, në Shqipëri nuk kishte ende ligj për deklarimin e pasurive. Ai theksoi se në vitin 2003, subjekti ka deklaruar si burime të ardhurat nga shitja e apartamentit, kredinë, si dhe të kursimet e të ardhurat nga pagat. Sipas tij, mospasqyrimi kësaj të dhëne në deklaratën “veting”, nuk mund ta ngarkojë subjektin me përgjegjësi.
Në vijim, ai konstatoi se KPK e ka kryer analizën financiare për vitet 1995 dhe 1996, ndërkohë që subjekti ka filluar punë që prej vitit 1987. Sipas tij, nëse do konsideroheshin të gjitha të ardhurat e subjektit dhe bashkëshortit të saj, atëherë ata rezultojnë me bilanc pozitiv dhe për pagesën e shumës 500 mijë lekë.
Berisha u pyet dhe dha shpjegime më së shumti për një apartamrnt në Vlorë, të porositur në vitin 2007. Subjekti ka deklaruar se e ka blerë këtë apartament për çmimin 48 mijë euro, që e ka shlyer me anë të një kredie po në të njëjtën vlerë. Por, sipas një kontrate kapari të vitit 2007, shoqërisë ndërtuese i është shlyer shuma 16 mijë euro, ndërkohë që çmimi apartamentit është përcaktuar në vlerën 64 mijë euro.
Faskaj evidentoi se, referuar kontratës së kaparit, duket sikur subjekti e ka paguar vlerën 16 mijë euro dhe se ka mospërputhje të vlerës së apartamentit në shumën 48 mijë euro të shënuar në deklaratën “Veting” dhe në ILDKPKI, me vlerën 64 mijë euro të përcaktuar në kontratën e kaparit.
Sipas Faskajt, subjekti ka shpjeguar se pavarësisht parashikimeve në kontratën e kaparit, kanë pasur marrëveshje me palën shitëse, se i gjithë çmimi apartamentit është paguar në një moment të vetëm pasi është lëvruar kredia në vlerën 48 mijë euro.
Nisur nga fakti se nuk është realizuar ende kontrata e shitblerjes së kësaj pasurie, Komisioni konstaton se e vetmja provë për blerjen e apartamentit në vlerën 48 mijë euro është deklarimi i subjektit në ILDKPKI
Edhe nga një deklaratë noteriale e vitit 2021 e palës shitëse, është konstatuar se ky i fundit është shprehur se e ka nënshkruar kontratën e kaparit në mirëbesim dhe se shumën 16 mijë euro do t’ia likujdonin më vonë.
Sipas Faskajt, duket se deklarata noteriale e shitësit provon se shuma prej 16 mijë euro e cituar në kontratën e kaparit e lidhur me mirëbesim, do të likujdohej më pas. Për rrjedhojë, konstatohet se berisha ka bërë deklarim të rremë të çmimit të apartamentit.
Nga analiza financiare paraprake ka rezultuar se nuk është provuar burimi i ligjshëm i shumës 16 mijë euro, të paguar si kapar në dhjetor të 2007-ës.
KPK ka analizuar dhe burimin e dy depozitave dhe kursimeve cash të deklaruara nga subjekti se kanë shërbyer për shlyerjen e parakohshme të kredisë në vitin 2011, prej nga ka rezultuar sërish pamundësi.
Avokati Lushi shpjgoi se ende nuk ka një kontratë shitje. Ai theksoi se shuma 16 mijë euro nuk është paguar ndonjëherë dhe as nuk do të shlyhet. Sipas avokatit, kontrata e kaparit nuk mund të sjellë pasoja, por është kontrata finale e shitjes e cila do të përcaktojë çmimin real të kësaj pasurie, që është dakordësuar mes palëve në shumën 48 mijë euro.
Lushi argumentoi se kontrata e kaparit është tip, sipas formatit të noterit që e ka hartuar. Ai vërejti se hetimi ka provuar se prokuorja Berisha nuk ka pasur ndonjë interes të ndërtuesi. “Nuk është barrë prove që të paguajë për diçka që se ka paguar kurrë”, tha ai ndër të tjera dhe shtoi se deklaratat periodike e bëjnë të besueshëm deklarimin e subjektit për këtë pasuri.
Lidhur me bilancet negative, Lushi tha se ato rrjedhin si paosjë e moskonsiderimit të të ardhurave të bashkëshortit të subjektit nga puna si shofer për rreth katër dekada. Ai shpjegoi se bashkëshorti Berishës ka punuar si shofer për transportin ndërkombëtar të udhëtarëve dhe është paguar me dietë 2 mijë lekë për person. Sipas tij, pagesat kanë qenë të larta për shkak të vështirësisë dhe udhëtimeve ndërkombëtare të gjata, që e mbanin larg familjes.
Avokati Lushi tha se subjekti nuk mund të provojë më shumë se nëpërmjet deklaratave të punëdhënësve të bashkëshortit. Po ashtu, ai theksoi se çdo vit janë deklaruar të ardhurat reale të bashkëshortit. Sipas avokatit Lushi, nëse konsiderohen të ardhurat e bashkëshortit të subjektit, atëherë jo vetëm analiza e apartamentit në Vlorë, por e gjithë analiza financiare del pozitive. “Nuk kemi dhurime, kemi të ardhura nga puna”, deklaroi dhe i cilësoi të mjaftueshme për shlyerjen e kredisë, si dhe kërkoi që të konsiderohen në analizën financiare.
Subjekti u pyet nga Komisioni dhe vëzhguesi ndërkombëtar lidhur me çmimin real të apartamentit dhe shumën 16 mijë euro të paguar sipas kontratës së kaparit. Ajo këmbënguli se nuk e kishte paguar ansjëherë shumën 16 mijë euro dhe as do e paguante, pasi apartamentin e kishte blerë për 48 mijë euro dhe jo sa shënohej në kontratën e kaparit.
Berisha ka deklaruar gjendje cash në shumën 1.3 milionë lekë me burim të ardhurat nga pagat, kursimet dhe përfitimet puna e bashkëshortit në formën e dietave dhe bakshisheve, por Komisioni vlerëson se subjekti rezulton me bilanc negativ rreth 15 milionë lekë për periudhën 2005-2016, kur janë deklaruar kursime.
Subjektit ju gjetën probleme dhe për disa automjete. Për një autoveturë të llojit “Mercedes Benz” të blerë për çmimin 1 milion e 450 mijë lekë, janë deklaruar si burim të ardhurat nga shitja e një Benz-i tjetër në shumën 900 mijë lekë, si dhe kursimet epagat e përbashkëta familjare. Por, KPK konstaton se Berisha ka kryer deklarim të rremë në lidhje me përdorimin e të ardhurave nga shitja e makinës së mëparshme për blerjen e makinës së re në prill të 2009-ës, pasi shitja është kryer rreth tetë muaj më vonë.
Po ashtu, është konstatuar se duket se subjekti ka kryer deklarim fiktiv të çmimit të blerjes së makinës që ka shitur në 2009-ën. Nga hetimi ka rezultuar se çmimi i automjetit të blerë në 2002-in është shënuar 250 mijë lekë, ndërkohë që çmimi real ka qenë 430 mijë lekë. Po ashtu, u konstatua se duket se Berisha ka kryer deklarim fiktiv dhe për shitjen e kësaj makine 7 vjet më vonë për çmimin 900 mijë lekë.
Për rrjedhojë, nga analiza financiare ka rezultuar bilanc negativ për blerjen e makinës në vitin 2009. Situatë e ngjashme u konstatua dhe për blerjen e një makine tjetër të llojit Citroen C3 të blerë në vitin 2012 për shumën 13 mijë e 500 euro, me burim të deklaruar të ardhurat nga shitja e një automjeti tjetër për 6000 euro dhe kredi Leasing 8181 euro. Nga hetimi ka rezultuar se makina që është shitur në vitin 202 për 6000 euro, është blerë në 2008-ën për cmimin 250 mijë lekë. Komisioni konstaton se subjekti nuk ka provuar përmirësimet e kryera në këtë makinë dhe për rrjedhojë janë ngritur dyshime për veprime fiktive.
Si pasojë e moskonsiderimit në analizën financiare të shumës 6000 mijë euro, ka rezultuar pamundësi për blerjen e makinës në vitin 2012.
Pamundësi është konstatuar dhe për blerjen e një automjeti në vitin 2014 për shumën 100 mijë lekë.
Faskaj tha se dukej se kishte tendencë të përsëritur të subjektit dhe bashkëshortit të saj për të deklaruar çmime fiktive në transaksionet e automjeteve, me qëllim për të justifikuar burimet. Sipas relatores, duket se me këto veprime prokurorja Berisha ka cënuar besimin e publikut tek sistemi drejtësisë.
Avokati Lushi dhe prokurorja Berisha petenduan në seancë se bashkëshorti i saj duke qenë me profesion shofer, ishte i apasionuar pas automjeteve. Sipas subjektit, ai blinte automjete me defekte të fogla që i rregullonte dhe i përmirësonte duke u rritur vlerën.
“Vetë Komisioni në një rast ka provuar se vlera e shitjes së mjetit nga ana e blerësit, kishte qenë më e lartë nga sa ia kishte shitur bashkëshorti i subjektit”, solli në vëmendje avokati Lushi. “Kontratat kanë fuqinë e ligjit dhe nuk ka pasur konflikt interesi”, theksoi ai.
KPK konstatoi pamundësi të Berishës dhe për çeljen e dy depozitave në emër të vajzës në vitin 2003.
Sipas Komisionit, në analizën financiare janë evidentuar probleme lidhur me ligjshmërinë e të ardhurae të deklaruara nga puna e bahskëshortit të subjektit, si shofer në transportin ndërkombëtar të mallrave apo të udhëtarëve të përfituara në formën e dietave. Faskaj vërejti se këto të arhdura nuk janë dokumentuar dhe nuk janë konsideruar në analizën financiare.
Për rrjedhojë, ka rezultuar bilanc negativ në vlerën rreth 16 milionë lekë për periudhën 2003-2016 dhe rreth 1.5 milion lekë për vitet 1992-2002.
Avokati Lushi deklaroi se kishin sqaruar se mund të kishte pasur paqartësi në deklarimin e pasurive e të burimeve, por kurrsesi mosdeklarim të të ardhurave. Ai theksoi se bilanci negativ është konstatuar vetëm për arsye se nuk janë konsideruar të ardhurat e bashkëshortit të subjektit nga puna e tij si shofer, si dhe për shkak se nuk janë përfshirë në analizë vlerat reale të shitjeve të automjeteve. Po ashtu, Lushi pretendoi se analiza e Komisionit është e fragmentuar. Avokati kërkoi që të përfshihen në analizë të ardhurat e deklaruara nga subjekti në vite, prej nga do të rezultonte me bilanc pozitiv.
Prokurorja Berisha tha se bashkëshorti ka qenë i përkushtuar në punën e tij dhe se mjafton që të lexohen email-et që i kanë dërguar punëdhënësit, që e quajnë si “hero” për punën që bënte. Ajo kërkoi përfshirjen e të ardhurave të tij në analizën financiare duke këmbëngulur se kishin pasur burime për mbulimin e shpenzimeve dhe krimin e pasurive.
Ajo deklaroi se kishte qenë gjithmonë e përkushtuar në punën e saj dhe se nuk kishin përfituar asnjëherë diçka në mënyr ëtë paligjshme. “Isha 32 vjeçe dhe e vetme dhe pa mbështetje, kur kërkoja dënimin me vdekje për Mandelën”, deklaroi prokurorja Rajmonda Berisha duke ju referuar kërkesës së saj për dënimin e Eduart Peqinit në vitin 1998, i njohur atëherë si “Mandela”, si drejtues i një grupi që u akuzua për krime të rënda gjatë trazirave të vitit 1997.
“Mos është tendencioze për të më goditur pse jam e tillë. Unë e kam mbështetur këtë proces”, tha ndër të tjera prokurorja Berisha. Lidhuyr me këtë pretendim, komisionerja Pamela Qirko deklaroi se nuk ka pasur asnjë tendencë ndaj asnjë prej subjekteve të rivlerësimit kalimtar.
Në përfundim, prokurorja Rajmonda berisha kërkoi riçeljen e hetimit për profesionalizmin dhe figurën. KPK njoftoi se seanca e radhës do të zhvillohet më 3 korrik, në orën 09:45.