Sipas ONM, vendimi i shumicës së Komisonit që konfirmoi në detyrë gjyqtaren e Vlorës, Mirela Mishgjoni tregon për keqintepretim të provave dhe arsyetim të pamjaftueshëm. ONM u kërkon Komisionerëve Publikë të ushtrojnë ankim në Kolegj, me argumentin se gjetjet e evidentuara do të çonin në një konkluzion të ndryshëm.
Operacioni Ndërkombëtar i Monitorimit, ONM i përcolli të hënën më 1 korrik institucionit të Komisionerëve Publikë, rekomandim lidhur me vendimarrjen e Komisionit të Pavarur të Kualifikimit, KPK për gjyqtaren e Vlorës, Mirela Mishgjoni, e cila u konfirmua me shumicë votash më 5 prill.
Mirela Mishgjoni ka punuar si gjyqtare në vitet 1995-2002, kur ajo u shkarkua në detyra dhe punoi si avokate deri në 2009-ën, vit kur u rikthye në detyrë pasi fitoi gjyqësisht. Prej 2009-ës ajo punon si gjyqtare në Gjykatën e Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Vlorë.
Gjatë seancës dëgjimore më 3 prill, Komisioni konstatoi se nga analiza financiare paraprake kishin rezultuar pamundësi në vlera të mëdha të familjes së Mishgjonit për mbulimin e shpenzimeve, investimeve dhe krijimin e pasurive para detyrës, për shkak të mosnjohjes së të ardhurave të bashkëshortit shitja e pjesës takuese në një fabrikë vaji në Vlorë në vitin 1997, shitja e një restoranti në Itali në 2004-ën, si dhe nga puna si shef kuzhine, pasi nuk ishin paguar në kohë detyrimet tatimore – gjetje për të cilat subjekti pretendoi se kishte provuar të kundërtën e barrës së provës.
Shumica e trupës së KPK, e përbërë nga relatorja Alma Faskaj dhe anëtarja Pamela Qirko vlerësoi se të gjitha rrethanat, në mënyrë thelbësore lidhen me të ardhurat e bashkëshortit të subjektit në Itali dhe shitjen e aktiivtetit të tij vitin 2004. Duke u bazuar në parimin e proporcionalitetit, shumica vlerësoi se, në mungesë të ndonjë të dhëne që të bën të dyshosh se subjekti me deklarimin e të ardhurave të tilla ka synuar të mashtrojë organet e vetingut, pasuria e deklaruar ka si burim të ardhurat e bashkëshortit, të krijuara kohë më parë se ata të fillonin bashkëjetesën ligjore.
“Këto të ardhura rezultojnë nga burime të ligjshme, të dokumentuara me akte juridike dhe transaksione bankare, ku i vetmi element që nuk përmbush kushtet e nenit D, pika 3, është pagesa e tatimeve gjatë procesit të rivlerësimit. […]Kjo mangësi, duke qenë se është e vetmja e konstatuar lidhur me kriterin e vlerësimit të pasurisë për subjektin e rivlerësimit dhe, e vendosur në kontekstin e mësipërm, nuk vlerësohet se mund të prodhojë në mënyrë proporcionale vendosjen e masës së shkarkimit nga detyra”, konkludon shumica.
Kryesuesja Xhensila Pine në pakicë, vlerëson se të ardhurat e deklaruara nga aktiviteti bashkëshortit, janë jo vetëm të paprovuara se janë përfituar lidhur me kohën e shumën, por edhe të panënshtruara pagimit të detyrimeve tatimore. “[…]Ndaj këto të ardhura nuk duhen konsideruar si të ardhura që plotësojnë standardin kushtetues e ligjor të të ardhurës së ligjshme për efekt të këtij procesi”, arsyeton Pine dhe çmon se Mishgjoni nuk arrin nivel të besueshëm në kriterin e pasurisë.
Pine evidenton edhe blerjen e disa pasurive të paluajtshme në kushtet e konfliktit të interesit, pasi subjkti ka gjykuar çështje me palë shitësit të pasurive dhe duke mos referuar në kërkesën e dorëheqjes drejtuar kryetarit të gjykatës rrethanat e plota lidhur me marrëdhënien me karakter pasuror mes shitësve të pasurive dhe bashkëshortit të saj. Kërkesat për dorëheqje nuk janë pranuar nga kryetari.
Shumica ka çmuar se nuk ka pasur konflikt interesi duke arsyetuar se mosdeklarimi i shkakut të dorëheqjes nuk përbën fshehje, pasi fakti nuk përbën një nga shkaqet për dorëheqje. Dy anëtaret në shumicë kanë konsideruar dhe fajtin se vendimmarrja është shumë kohë më pas lidhjes së kontratës së shitjes.
ONM shpreh bindjen se një vlerësim i duhur i provave të paraqitura në këtë rast, së bashku me zbatimin e saktë të kuadrit ligjor përkatës, do të krijonte bazën që Kolegji i Posaçëm i Apelimit, të ndryshojë vendimarrjen e KPK.
ONM sjell në vëmendje se subjekti ka ushtruar funksionin e gjyqtares për periudhën 1995-2002 dhe u kërkon Komisionerëve të paraqesin për shqyrtim në Kolegj çështjen, duke e fokusuar në gjetjet e kriterit të pasurisë.
Sipas ONM, subjekti nuk ka arritur të kundërshtojë gjetjet e KPK, por megjithatë shumica e ka konfirmuar në detyrë. Kjo vendimarrje sipas vëzhguesve ndërkombëtarë, tregon për keqinterpretim të provave të disponuara dhe arsyetim të pamjaftueshëm.
Vëzhguesit ndërkombëtarë vlerësojnë sse në analizën financiare nuk duhet të merren parasysh të ardhurat e bashkëshortit nga shitja e kompanisë në Itali, si dhe as të ardhurat punësimi tij atje.
Lidhur me blerjen e disa ngastrave tokë, nga ka rezultuar se subjekti ka gjykuar dy çështje të shitësve, ONM vëren se vlera e këtyre pasurive ka qenë 6.3 milionë lekë, ndërkohë që Mishgjoni dhe bashkëshorti i saj i kanë blerë për 1 milion lekë. Po ashtu, konstaton se Komisioni nuk ka kryer hetimet e nevojshme.
Po ashtu, evdientohet se nuk janë verifikuar burimet e blejes së një apartamenti në vitin 2020 në Tiranë për shumën 161 mijë euro; si dhe se KPK nuk mori masa për të hetuar veprimtarinë e një organizate jo fitimprurëse, ku bashkëshorti subjektit rezulton të jetë një prej themeluesve.
Sipas ONM, gjetjet do të çonin në një konkluzion të ndryshëm nga ai i arritur prej KPK dhe u kërkon Komisionerëve Publikë që të ushtrojnë ankim në Kolegj.