Nga Bujar Leskaj
Sipas të dhënave të INSTAT nga Censi i viti 2023, popullsia në Shqipëri është 2.4 milionë banorë. Duke patur parasysh që Censi i vitit 2011 rregjistroi një popullsi prej 2.8 milionë banorë, sipas INSTAT, i bie që të jenë larguar nga vendi në 12 vitet e fundit vetëm 430 mijë banorë, duke qenë se diferenca vjetore mes lindjeve dhe vdekjeve natyrore ka qenë tek ne rreth 2000-2500 vetë.
Sipas të dhënave nga EUROSTAT, Diaspora e Re shqiptare në vendet e Bashkimit Evropian numëron 1.68 milionë vetë dhe nga Shqipëria janë larguar në 12 vitet e fundit mbi 900 mijë banorë, vetëm në vendet e Bashkimit Europian, pa përfshirë këtu ata që janë larguar në Britaninë e Madhe, Kanada, Autrali, SHBA etj, për të cilët nuk ka një llogaritje zyrtare.
Ky përbën një përgënjeshtrim shumë serioz të EUROSTAT, ndaj shifrare të ofruara nga INSTAT për Censin 2023, pas 8 muajve vonesë. Numri real i popullsisë ka qenë një çështje shumë e diskutuar, si pasojë e largimeve të shumta nga Shqipëria në 12 vitet e fundit.
INSTAT ka shkelur Kodin e Statistikave të Bashkimit Evropian
Këmbëngulja e INSTAT se rezultatet e Censit 2023 nuk mund të shpallen përpara qershorit 2024 është krejt e pabazuar dhe e pakuptimtë. Ajo përbën një kambanë të fortë alarmi mbi besueshmërinë e shifrave që ky institucion do të na japë ne fund te ketij muaji.
Pagojësia e INSTAT për të dhënë shkaqet e vonesës dëshmon praninë e presioneve të forta politike dhe porosinë-urdhër që institucioni ka marrë nga sekti Rama dhe vetë “Lideri Global”, që për tetë muaj të mbyllë gojën dhe të mos vërtetojë, përmes Censit 2023, braktisjen masive të vendit!
Është ky urdhër që e ka detyruar këtë institucion të pavarur kombëtar, të shkelë Kodin e Statistikave të Bashkimit Evropian, i quajtur Kodi i Praktikës së Statistikave Evropiane (https://ec.europa.eu/eurostat/web/quality/european-quality-standards/european-statistics-code-of-practice ), i cili flet për parimin themelor të “neutralitetit”, pavarësise në procesin e prodhimit të statistikave evropiane, pa asnjë presion politik apo nga grupe të tjera të interesuara.
Kodi i Praktikës së Statistikave Evropiane sanksionon qartë se institucioni që prodhon statistika kombëtare nuk lejohet të kërkojë ose të pranojë udhëzime nga qeveria, autoritetet e tjera shtetërore, partitë politike ose grupet e tjera të interesit. Aq më tepër, kur këto “udhëzime” janë presione të forta politike e madje urdhëra.
INSTAT ka vonuar të vërtetën e hidhur të braktisje masive të Shqipërisë nga qytetarët e saj, pasi qeverisë së sektit Rama nuk i intereson të dijë sa kemi ngelur. Dhe tani, INSTAT del me manipulimin e rezultatit. Sa turp për këtë institucion!
Pse kjo vonesë absurde prej tetë muajsh?
Këtë veprim e përforcon dhe më tepër fakti që, edhe kur u zhvillua Censusi në tetor 2023, pasi u shty dy herë, rezultatet INSTAT i nxjerr rreth 8 muaj më vonë, me një arsyetim totalisht të pabesueshëm: “Të dhënat duhen të jenë të sakta”(?!).
Po pse, nuk i paska patur të sakta Kosova rezultatet e Censit të saj, të zhvilluar nga data 4 prill 2024 deri në datën 24 maj 2024? Më datë 27 maj Kosova ka dhënë popullsinë e saj rezidente si numër, ndërsa më 12 korrik 2024 do të publikojë të dhënat më të detajuara paraprake (afërsisht për 7 javë).
Nuk i paska patur të sakta Mali i Zi rezultatet e Censit të tij, që e zhvilloi nga data 3 deri në datën 30 Dhjetor 2023 dhe i publikoi rezultatet paraprake më 25 janar 2024, pra në më pak se një muaj?
Apo Serbia, që e zhvilloi Censin nga data 1 deri më datën 31 tetor 2022 dhe i publikoi të gjitha rezultatet për 7 javë, më datë 21 dhjetor 2022?
Është shumë e rëndësishme të theksoj se Censi i fundit në Shqipëri u mbajt në tetor 2011. Ai u zhvillua pa praninë e teknologjisë digjitale dhe megjithatë, të dhënat paraprake të tij u shpallën zyrtarisht në dhjetor 2011. Pra, vetëm tre muaj edhe pse ishte tërësisht jo digjital, INSTAT-it të asaj kohe iu deshën vetëm tre muaj për mbledhjen e të dhënave dhe përpunimin paraprak të tyre.
Sot INSTAT jep një shifër totalisht të pabesueshme, nisur nga të dhënat indirekte, të publikuara nga EUROSTAT. Jep një shifër të manipuluar, edhe pse e di se mbi këtë shifër do të realizohet çdo politikë ekonomike dhe sociale për dhjetëvjeçarin e ardhshëm.
Shpopullimi masiv i Shqipërisë tashmë është i dokumentuar në databazën e të dhënave të vendeve ku kanë emigruar, i çertifikuar nga EUROSTAT dhe INSTAT-it nuk i ngelet veçse të turpërohet për këtë që ka bërë.
Pse INSTAT humbi besimin dhe emrin e tij të mirë?
Më duhet të pohoj me keqardhje se INSTAT humbi besimin dhe emrin e tij të mirë në publik dhe mes të gjithë veprimtarëve shoqërorë dhe ekonomikë, duke mos publikuar në kohë të dhënat kryesore të numërimit të popullsisë, Censit 2023, si dhe duke manipuluar sot treguesin kryesor te Censit, numrin e popullsise rezidente sot ne Shqiperi.
Këto rezultate janë shumë të rëndësishme për të gjithë veprimtarët shoqërorë dhe ekonomikë të vendit, për institucionet publike, për vendim-marrësit publike ne nivel qendror dhe vendor, për opozitën, shoqërinë civile, mediat dhe opinionin publik.
Rezultatet influencojnë direkt politikat e asistencës sociale, të nxitjes së punësimit, të përcaktimit të minimumit jetik zyrtar, të vendim-marrjes së sipërmarrjeve publike sh.a. dhe sipërmarrjeve private, etj..
Përmes këtyre rezultateve, mund të gjykojmë, për shembull, përse administrata vendore vijon të fryhet dhe zgjerohet, në një kohë kur që nga viti 2011, koha e Censit të fundit, popullsia e vendit, nga 2.8 milionë banorë është ulur ndjeshëm.
Të dhënat reale mbi numrin e popullsisë në qarqe të ndryshme, sidomos ato në zona të largëta të vendit, ku popullsia është përgjysmuar ose pakësuar edhe me një të tretat, do të ndihmonin në shtimin e kujdesit, fondeve dhe vëmendjes së qeverisë qendrore, ndaj rajoneve, bashkive dhe zonave ku shpërngulja e qytetareve është më e madhe.
Me vonesën 8 mujore nga nëntori 2023, deri në fund të qershorit 2024, INSTAT ka dëmtuar të gjitha këto procese jetike, për t’i siguruar vendit një vendim-marrje të orientuar nga politikat e sakta sociale dhe të zhvillimit të balancuar ekonomik.
Në shkurt 2024, në përgjigjen publike drejtuar një deputeti të opozitës, lidhur me arësyet e vonesës në publikimin e të dhënave të Censit 2023, INSTAT shpjegon se nuk ka asnjë vonesë, pasi publikimi i rezultateve të Censit 6 muaj pas përfundimit të proceseve të terrenit, mbledhjes së të dhënave dhe anketës së post-Censit, janë afatet më të afërta për publikimin e të dhënave të Censit sipas standardeve ndërkombëtare (Regulation (EC) No.763/2008 on Population and Housing Censuses.
Referimi i Direktivës së Komisionit Evropian Nr. 763/2008 mbi Censuset e Popullsisë dhe Banesave nuk është i saktë. Në fakt, për fat të keq, ai po i shërben si një gjethe fiku INSTAT!
Afatet e dhëna në Direktivë( https://eur-lex.europa.eu/legal-content/EN/TXT/PDF/?uri=CELEX:32008R0763) janë në funksion të drejtpërdrejtë të madhësisë së një Shteti Anëtar të BE-së, të vështirësive të terrenit ku mblidhen të dhënat, etj.
Referencat e kohëzgjatjes së Censit për një vend me karakteristikat e Shqipërisë, nëse do të ishte Shtet Anëtar i BE-së, do të ishin për dy deri në maksimumi tre muaj, për publikimin e të dhënave kryesore, pas përfundimit të numërimit në terren!
Shndërrimi i INSTAT në një institucion të pagojë, marionetë e sektit Rama
Teknologjia me programe kompjuterike të specializuara, e përdorur në Censin e fundit, i lejonte INSTAT të përpunonte në një kohë shumë më të shkurtër informacionin e marrë dhe të publikonte të dhënat kryesore shumë më shpejt, brënda një ose dy muajve, pra në dhjetor 2023 ose janar 2024, ndërsa për të dhënat e plota, mund të pritej edhe tre muaj, deri në shkurt 2024.
Lind pyetja, pse në Shqipërinë e epokës së internetit, ku të 7,500 intervistuesit e INSTAT u pajisën që të gjithë me tabletat elektronike për të rregjistruar dhe administruar në kohë reale informacionin e mbledhur tërësisht në mënyrë digjitale, rezultatet u shpallën në fund te qershorit 2024?
Pse e paskemi kaq të vështirë të numërojmë shqiptarët e mbetur në vend, në një kohë kur Censi i fundit në Kinë, me popullsi 1,4 miliardë banorë, filloi në nëntor 2020 dhe, edhe pse, në kulmin e pandemisë nga Covid 19, te dhenat kryesore i shpalli pak muaj më vonë, në maj 2021? Pse ne duhet të presim tetë muaj, nentor 2023-qershor 2024? Sa është popullsia jonë, mbi 1.4 miliardë banorë?!
Vonesa krejtësisht e pajustifikuar në shpalljen e rezultateve paraprake të Censit 2023 në Shqipëri, kur përpara 12 vitesh, qeveria e drejtuar nga Prof. Dr. Sali Berisha këto rezultate i shpalli brenda 3 muajsh, hedh dyshime të forta mbi shifrat që INSTAT na dha sot.
INSTAT, me vonesën e shkaktuar, është degraduar dhe deformuar. Është kthyer në një institucion të pagojë, institucion-marionetë i sektit Rama, i paaftë të ruajë integritetin dhe profesionalizmin, duke humbur emrin e tij të mirë, të fituar në dekada kontribute.