Për dy ditë, në samitin për paqe në Ukrainë, të mbajtur më 15-16 qershor në Zvicër, zyrtarë të lartë të më shumë se 90 shteteve, janë fokusuar në konfliktin më shkatërrues në Evropë, pas Luftës së Dytë Botërore.
Pas shpërndarjes së delegacioneve, pjesëmarrësit e kanë duartrokitur nisjen e procesit, me shpresën për mbajtjen e një samiti të dytë në të ardhmen e afërt.
Mirëpo, fakti që Moska nuk është ftuar, dhe ajo vetë e ka konsideruar ngjarjen si humbje kohe, ka rritur dyshimet nëse do të ketë ndonjë proces tjetër të paqes në të ardhmen.
Ndonëse në komunikatën përfundimtare të samitit nuk është përmendur Rusia, në të është thënë se “arritja e paqes kërkon përfshirjen e të gjitha palëve në dialog”.
“Ky ka qenë samit inaugural me qëllim të çuarjes përpara të procesit të paqes, bazuar në Kartën e Kombeve të Bashkuara dhe në respektim të ligjit ndërkombëtar”, ka thënë analisti ukrainas, Volodymyr Fesenko, drejtor i Qendrës për kërkime politike, Penta.
“Çfarë ndodh tash? Një mundësi që është diskutuar në margjina të samitit është që të mbahet një konferencë për paqe”.
“Shumë pjesëmarrës në samitin për paqe e kanë përmendur që në të ardhmen duhet të mbahet edhe një tjetër samit me pjesëmarrje të Rusisë dhe Ukrainës”, ka thënë Fesenko.
“Mirëpo, pa parakushte apo ultimatume”.
Duke folur para gazetarëve, pas takimit të parë më 15 qershor, presidenti ukrainas, Volodymyr Zelensky ka thënë se “Rusia nuk është këtu, sepse nëse Rusia do të ishte e interesuar në paqe, nuk do të kishte luftë”.
Në një ngjarje speciale në Moskë, në prag të nisjes së samitit në Zvicër, presidenti rus, Vladimir Putin, e ka prezantuar atë që e ka cilësuar si plan të paqes për Ukrainën.
Ai ka thënë që nëse Kievi tërheq të gjitha forcat prej rajoneve ukrainase që Rusia pretendon se i kontrollon, përfshirë territorin që kontrollohet tani prej forcave ukrainase, dhe heq dorë prej ambicieve për t’iu bashkuar NATO-s, Moska do të urdhëronte menjëherë një armëpushim dhe do të ishte e gatshme të niste negociatat.
Ai ka thënë se marrëveshja për paqe do të duhej të bazohej në njohjen ndërkombëtare të rajoneve ukrainase, të Donjeckut, Luhanskut, Hersonit, Zaporizhjas dhe Krimesë, si rajone të Rusisë, si dhe do të duhej të hiqeshin të gjitha sanksionet që i janë vënë Moskës.
Zëdhënësi i Kremlinit, Dmitry Peskov, u ka thënë gazetarëve më 16 qershor se Kremlini e konsideron Zelenskyn si lider jolegjitim dhe nuk do të zhvillojë bisedime me të.
Deklarata e Putinit është dënuar menjëherë nga Ukraina, dhe shumë pjesëmarrës në samitin e Zvicrës e kanë parë si “ultimatum”, me qëllim të dobësimit të këtij organizimi global.
“Është e qartë që ai nuk i sheh këto propozime si nisje e negociatave që do të mund të çonin në paqe”, ka thënë analisti politik rus, Ivan Preobrazhensky.
“Putin është duke kërkuar që t’i jepet diçka që nuk po mund ta marrë me forcë”, ka thënë ai.
Sipas Preobrazhenskyt, deklarata e Putinit tregon për parakushtet.
“Nuk ka pasur propozime për t’u negociuar. Kanë qenë parakushte, një ultimatum. Një proces i vërtetë duhet të nisë pa parakushte”.
Gazetari i mediumit Deutsche Welle, Konstantin Eggert, i ka thënë Shërbimit rus të Radios Evropa e Lirë se, “është e qartë që Putini nuk dëshiron paqe dhe beson se mund të vazhdojë të luftojë për kohë të gjatë”.
Interesat e Kinës
Kina, aleatja më e ngushtë gjeopolitike e Rusisë, nuk ka marrë pjesë në samitin në Zvicër dhe ka propozuar – bashkë me Brazilin – të organizojnë vetë një proces të paqes, duke inkuadruar Rusinë dhe Ukrainën.
Në deklaratat e tij, Pekini ka theksuar që marrëveshja për paqe duhet të jetë e bazuar në respektim të “sovranitetin kombëtar”, por duke mos u deklaruar për integritetin territorial të Ukrainës.
Sipas analistit politik rus, Aleksandr Morozov, “suksesi” i samitit në Zvicër, është se ka krijuar një lloj “dinamike” që Pekini do ta ketë parasysh, nëse do të angazhohet si ndërmjetësues.
“Lufta është tani në agjendën e shumë shteteve”, ka thënë ai, duke shtuar se nuk mund të injorohet deklarata e samitit që mbështet integritetin territorial të Ukrainës.
Preobrazhensky e ka përmendur ndikimin e Pekinit te Moska, mirëpo ka shprehur dyshime nëse Kina do të shtyjë Rusinë që të rishikojë strategjinë e saj për Ukrainën.
Sipas tij, interesat e Pekinit mund të mos jenë drejt gjetjes së një zgjidhjeje paqësore në Ukrainë.
“Pekini nuk është i interesuar në dhënien fund të agresionit”, ka thënë ai.
“Kina ka interesa tjera. Ajo dëshiron që të ruhet status quo-ja. Rusia nuk duhet ta humbasë krejtësisht luftën, mirëpo edhe nuk ka nevojë – sipas perspektivës së Kinës – as që ta fitojë atë”.
Karta saudite
Në rrugë drejt Zvicrës, Zelensky e ka bërë një ndalesë të papritur në Arabinë Saudite, ku ka tentuar t’i bindë sauditët për të marrë pjesë në samit.
Kievi besohet se e sheh Arabinë Sauditë si nikoqire potenciale të një konference në të ardhmen, me pjesëmarrje të Kinës dhe Rusisë.
Përgjatë samitit të 15 qershorit, ministri i Jashtëm saudit, Faisal bin Farhan al-Saud, ka shprehur bindjen që samiti “do të na krijojë rrugën politike drejt dhënies fund të konfliktit. Mirëpo rruga drejt paqes do të kërkojë disa kompromise të vështira”.
“Çdo proces kredibil do të kërkojë pjesëmarrjen e Rusisë”, ka thënë ai.
Analisti Fesenko ka thënë se samiti i Zvicrës krijon bazën për diskutime të mëtejmë në çështjet ku “marrëveshja është e mundshme”, sikurse lirimi i të burgosurve, apo kthimi i fëmijëve ukrainas që janë dërguar ilegalisht në Rusi.
“Mirëpo janë disa aspekte ku nuk mund të ketë kompromis, përfshirë statusin e rajoneve të pushtuara”, ka thënë ai.
Fesenko beson se mund të ketë “vazhdimësi saudite në samitin global”, duke përmendur disa raportime në media që kanë përmendur se Bashkimi Evropian mbështet një iniciativë të tillë.
Në anën tjetër, procesi që ka nisur Zvicra mund të vazhdojë në nivel më të ulët, me takime informale, përfshirë përfaqësuesit e vendeve pjesëmarrëse në samit, përfshirë aty edhe Ukrainën dhe Rusinë.
“Ato nuk do të jenë bisedime për paqe”, ka thënë ai, “por tentime për t’u pajtuar në formatin e bisedimeve të ardhshme për paqe, dhe agjendën e atyre bisedimeve”./REL