Nga BoldNews.al
Ndërsa krijimi i një portali informativ për të denigruar kolegët mund të ngrejë pikëpyetje për çështje etike, arrestimi i një gazetari, një punonjëse të Agjencisë së Mbikqyrjes Policore (AMP) dhe shpalljen në kërkim të një kolegu të saj duket si një masë tejet abuzive prej strukturave ligjzbatuese.
Hetimet me iniciativë të Policisë së Tiranës zbuluan se një shef Sektori në AMP, Kushtrim Selimi, nëpërmjet koleges së tij, Regina Omeri, ka pajtuar gazetarin Ervis Hasanaga, për të publikuar në portalin “shqipnews.info” materiale kundër drejtuesve të rëndësishëm të Policisë së Shtetit.
Sipas policisë së kryeqytetit, materialet kishin informacione të rreme dhe, për këtë arsye, tre personat duhet të përgjigjen penalisht për veprën penale të “falsifikimit kompjuterik”.
Rasti, për aq sa është bërë publik, ngre dyshime të forta për abuzim me forcën e uniformës nga ana e Policisë së Shtetit.
Ngjarja shkurtimisht
Portali informativ “weblajm.com” ka publikuar të gjithë dosjen e deritanishme në ngarkim të Selimit, Omerit dhe Hasanagës.
Në vija të përgjithshme, rezulton se shefi i sektorit në AMP, Kushtrim Selimi, nëpërmjet Regina Omerit, furnizonte gazetarin Ervis Hasanaga me informacione nga brenda radhëve të Policisë së Shtetit.
Për Policinë e Tiranës, të dhënat janë të rreme dhe për këtë arsye tre personat duhen mbajtur në qeli.
“Boldnews.al” kreu një verifikim mbi materialet e publikuar në “shqipneës.info”. U konstatuan një seri shkrimesh që lidhen me drejtues të rëndësishëm të Policisë së Shtetit.
Në ato artikuj ngriheshin dyshime dhe pikëpyetje mbi integritetin e Drejtorit të Përgjithshëm të Policisë së Shtetit, Muhamet Rrumbullaku dhe zyrtarë të tjerë të rëndësishëm policorë.
Në portal gjenden shkrime për thirrjen e mundshme të drejtuesve policorë pranë Strukturës së Posaçme Anti-Korrupsion (SPAK) për afera të dyshuara korruptive ose bashkëpunim me grupet kriminale.
Shkrimet, në përgjithësi, karakterizohen nga mungesa e elementëve të rëndësishëm gazetareskë, si burime të identifikuara apo dokumentave provues, të cilat mund të vlerësohen në këndvështrimin e etikës profesionale. Megjithatë, portali, në artikujt e tij, iu referohet “burimeve të besueshme” ose “burime pranë Policisë së Shtetit”.
Me aq sa konstatohet, portali ka bërë asgjë më shumë a më pak se sa shumë “analistë”, të cilët mbushin hapësirën e emisioneve të mbrëmjeve në televizionet kryesore dhe shpërndajnë informacione të pakonfirmuara, por të mbështetura në frazën e përgjithshme “sipas burimeve të mia”.
Shumica e këtyre rasteve nuk janë verifikuar, por asnjëherë Policia e Shtetit nuk ka trajtuar penalisht panelistët që shpërndajnë informacione “me burime”.
Pikëpyetjet mbi arrestimin
Ka një seri pikëpyetjesh që mund të ngrihen mbi veprimet e policisë në këtë rast, si në aspektin ligjor e procedurial, ashtu edhe në atë professional.
Baza ligjore
Për arrestin e gazetarit dhe zyrtares së AMP është përdur neni 186/a i Kodit Penal, i cili thotë:
“Futja, ndryshimi, fshirja apo heqja e të dhënave kompjuterike, pa të drejtë, për krijimin e të dhënave të rreme,me qëllim paraqitjen dhe përdorimin e tyre si autentike, pavarësisht nëse të dhënat e krijuara janë drejtpërdrejt të lexueshme apo të kuptueshme, dënohen me burgim nga gjashtë muaj deri në gjashtë vjet.
Kur kjo vepër kryhet nga personi, që ka për detyrë ruajtjen dhe administrimin e të dhënave kompjuterike, nëbashkëpunim, më shumë se një herë ose ka sjellë pasoja të rënda për interesin publik, dënohet me burgim tre derinë dhjetë vjet”.
Policia i referohet fakti se të dhënat e publikuara, për të cilat pretendon se janë të rreme, janë “falsifikim kompjuterik”, nëpërmjet shkrimeve në internet.
Parë në një këndvështrim të ftohtë, shkelja, nëse mund të konsiderohet e tillë, mund të kategorizohet si “shpifje” ose “fyerje” nga ana e personave të prekur.
Në Kodin Penal, këto dy vepra konsiderohen “kundërvajtje” dhe dënohen me gjobë. Çdo person që e konsideron veten viktimë apo të dëmtuar nga “shpifja” apo “fyerja” mund t’i drejtohet gjykatës, ku të kërkojnë vënien në vend të nderit. Në asnjë rast, për këto vepra nuk konsiderohet arresti.
Për më tepër, nëse tre personat dyshohen se kanë kryer veprën penale të “falsifikimit kompjuterik”, ata janë thuajse në të njëjtat kushte me drejtues të lartë të Policisë në raste të ndryshme, për të cilët uniformat blu nuk kanë bërë asnjë reagim.
Ish-Drejtori i Përgjithshëm i Policisë, Ardi Veliu, deklaroi në një konferencë mediatike nga Elbasani në vitin 2021 se në makinën e disa militantëve të Partisë Socialiste nuk kishte mjete votimi. E deklaroi publikisht dhe kjo shprehje e tij u përhap gjerësisht në median tradicionale dhe elektronike. Hetimi zbuloi se deklaratat e Ardi Veliut ishin të rreme, por ai nuk u mor në përgjegjësi penale.
Në Dhjetor të vitit 2020, efektivë të “Shqiponjave” vrarë 25-vjeçarin Klodian Rasha. Menjëherë pas ngjarjeve, “burime policore” shpërndanë në media se ishte gjetur një pistoletë në një pellg me ujë, që dyshohej se ishte e viktimës. Ky informacion rezultoi tërësisht i sajuar, i rremë dhe keqdashës. Por, asnjëherë, Policia nuk hetoi për “burimin” e këtij informacioni të rremë që iu shpërnda medias me shpejtësi rrufe.
Duket qartë se standardet që ndjekin uniformat blu janë tërësisht të kundërta nga rasti në rast.
Edhe viktimë, edhe arrestues
Policia njoftoi se kreu arrestimin në flagrancë të gazetarit Hasanaga dhe zyrtares së AMP-së, Omeri. Arsyeja-kanë falsifikuar të dhëna ndaj drejtuesit të Policisë dhe shefave të tjerë të uniformave blu.
“Boldnews.al” komunikoi me Prokurorinë e Tiranës, e cila mohoi që të kishte qenë pjesë e këtij hetimi. Kjo do të thotë se Policia, në këtë rast është edhe e dëmtuar, edhe struktura që arreston dëmtuesin.
Më së paku, veprimet policore janë në shkelje të hapur të “konfliktit të interesit”. Në çdo rast, Policia, edhe për hir të etikës e për të shmangur çdo dyshim mbi veprimet e saj, do të duhej të komunikonte me Prokurorinë dhe të merrte viston prej saj për ndjekjen e rastit.
Fakti që Policia e Tiranës ka shmangur kontrollin e Prokurorisë, ngre dyshime se qëllimi i operacionit policor nuk ka qenë goditja e asaj që e konsideron si “paligjshmëri”, por një lloj hakmarrjeje ndaj individëve që kanë opinion ose komentojnë me nota kritike ndaj drejtuesit të Policisë, Rrumbullaku dhe personave të tjerë në radhët e uniformave blu.
Si u vlerësua “falsifikimi kompjuterik”
Policia e Tiranës lëshoi urdhër-arresti për tre personat, në dyshimet për “falsifikim kompjuterik”. Bazuar në atë që është publikuar deri më tani, Policia pretendon se artikujt e publikuar në portal janë me të dhëna të rreme.
Artikujt, siç u citua më lart, kritikojnë kreun e Policisë për “shpërndarje gradash dhe emërime në mënyrë të paligjshme”, për “thirrje zyrtarësh policorë në SPAK” apo edhe “dyshime për bashkëpunim të shefave të policisë me grupe kriminale”.
Për të gjitha këto, Policia e Tiranës ka arritur në konkluzionin se janë të dhëna të rreme, pa sqaruas askund se si është e vërteta.
Zhvillimet brenda radhëve të Policisë nga njëra anë dhe e vërteta nga ana tjetër, jo gjithnjë kanë shkuar në të njëjtin drejtim.
Disa muaj më parë, Policia e Shtetit mohoi me forcë raportimet se Drejtori i Teknologjisë së Informacionit (IT), Ervin Muça, ishte përfshirë në skandalin e ndërhyrjes së paligjshme në sistemin TIM.
Por, pak javë më parë, Prokuroria e Tiranës urdhëroi arrestimin e Muçës, pikërisht për ndërhyrje të paligjshme në sistemet kompjuterike.
Pra, para se Policia e Tiranës të arrestonte gazetarin dhe zyrtaren e AMP-së, në radhë të parë duhet të jepte detaje se përse informacionet e publikuara në portalin “shqipneës.info” janë të rreme.
“Fati” i të arrestuarve
Pas arrestimit, tashmë rasti i kalon Prokurorisë së Tiranës. Deri në momentin e publikimit të këtij shkrimi, nga ana e Prokurorisë ende nuk është mbajtur një qëndri publik ose procedurial.
Referuar pikëpyetjeve të mësipërme, prokuroria, si rregull, duhet të shpallë arrestimin e paligjshëm dhe, nëse vlerëson, të ndjekë rastin në gjendje të lirë.
Por, nuk do të jetë aspak çudi që Prokuroria, në “respekt” të raporteve me Policinë e Shtetit, të mos i nxjerrë bllof veprimet e uniformave blu dhe të gjej një rrugë të mesme që, edhe të mos e mërzisë më shumë Rrumbullakun, por edhe të mos cënojë ca liri dhe të drejta kushtetuese, siç është ajo e shprehej së komenteve dhe opinioneve.