“Është një goditje e mirëfilltë politike”. Kështu e ka konsideruar kreu i PD-së Sali Berisha dhunimin e avokatit të tij, Sokol Mëngjesi, mëngjesin e kësaj të mërkure në zonln e ish-Bllokut në Tiranë.
Gjatë fjlaës së mbajtur në tubimin e përnatshëm, Berisha u shpreh se nëse Sokol Mëngjesi, nëse do të ishte avokat i Edi Ramës apo Belinda Ballukut nuk do e kishte prekur njeri me dorë. Sipas tij, avokati u godit me inkurajimin madhor të Edi Ramës, Taulant Ballës dhe mbështetësve kryesorë të krimit në Shqipëri.
Berisha deklaroi se sulmi me objekte të hekurta, i organizuar nga një bandë me mbështetje, nuk kishte qëllim tjetër veçse eliminimin e tij fizikisht., Sipas liderit demokrat, avokati Sokol Mëngjesi është një luftëtar i të vërtetës dhe ai pagoi sot betejën e tij për të vërtetën, për ligjin, për të drejtën.
Berisha ka komentuar dhe deklaratën e ministrit të Brendshëm, Taulant Balla lidhur me këtë ngjarja, ku sipas tij, faktoi se ai bashkë me kryeministrin Edi Rama qëndrojnë mbrapa kësaj ngjarje si mbështetje. Lideri demokrat deklaroi se nuk mund të besohen hetimet e Taulant Ballës, por sipas tij, vetëm po shpalosin skenarin e përgatitur.
Berisha deklaroi se ky është një sulm direkt kundër opozitës dhe paralajmëroi se Edi Rama dhe Taulant Balla do mbajnë çdo përgjegjësi për këtë akt kriminal të shëmtuar.
Sali Berisha: Sot krimi i mbështetur, i mbrojtur, i fuqizuar nga qeveria e krimit, goditi një prind tek dërgonte fëmijën në kopsht. Goditi një akademik, profesor. Goditi një qytetar me integritet. Një njeri të virtytshëm, një shërbëtor të shkëlqyer të qytetarëve të vendit. Goditi profesor Sokol Mëngjesin. Të dashur miq, Sokol Mëngjesi është nga ata intelektualë që studioi jashtë, por u kthye t’i shërbejë vendit të vet dhe qytetarëve të tij. T’u shërbejë atyre me dinjitet. Ai është një personalitet në botën akademike shqiptare. Një specialist i shquar në fushën e tij. Por ai është një luftëtar i të vërtetës dhe ai pagoi sot betejën e tij për të vërtetën, për ligjin, për të drejtën.
Sokol Mëngjesin, një grup i strukturuar kriminal e sulmoi për ta eliminuar fizikisht. Në fakt ai është në gjendje serioze sonte. Dhe ai sulm me objekte të hekurta, i organizuar nga një bandë me mbështetje, nuk kishte qëllim tjetër veçse eliminimin e tij. Menjëherë pas atentatit ndaj tij në mediat e qeverisë u përhapën lajmet, mashtrimet më të mëdha. Fillimisht se ishte një zënkë e çastit, më pas se ishte çështje prone dhe së fundmi një çështje gjyqi. Unë u them ju një gjë, që është një goditje e mirëfillte politike. Sepse Sokol Mëngjesi po të kishte qenë avokat i Edi Ramës apo Belinda Ballukut, nuk do e kishte prekur njeri me dorë. Por Sokol Mëngjesi, pavarësisht nga preteksti, u godit me inkurajimin madhor të Edi Ramës, Taulant Ballës, mbështetësve kryesorë të krimit në Shqipëri.
Dalja e Taulant Ballës faktoi katërcipërisht se ai me Edi Ramën qëndrojnë mbrapa si mbështetje, në mos edhe më shumë, e këtij krimi të shëmtuar. A mund të besohet Taulant Balla, që pasi i ndjeri Ravik Gurra gjeti në dosje se Taulant Balla kishte porositur vrasje, u ekzekutua nga një dorë mafioze në mënyrë që avokati Gurra të mos hapte proces gjyqësor ndaj Taulant Ballës. Për ata të cilët mund të tregojnë skepticizëm, u them a nuk u zhdukën me vendim gjykatësi dhe prokurori regjistrimet që faktonin se Taulant Balla kishte porositur vrasje? Atëherë çfarë njoftoi Taulanti sot? Bëri betimin që ka bërë për Ravik Gurrën. A ishte dorëjashtë në vrasjen e Ravik Gurrës, Taulanti? Jo, ishte porositës sipas të gjitha rrethanave të asaj vrasje. Po këtu çfarë deshi? Pse i dogji akuza që unë i bëra Edi Ramës? Pse Edi Rama nuk gjeti dëshmitar tjetër përveç të akuzuarit për vrasjen e Ravik Gurrës?
Miqtë e mi, këta janë paraardhës të xhelatëve. Këta nuk e kanë bërë gjë përdorimin e metodave të vjetra. Ata që kanë jetuar në diktaturë e dinë se si një qytetar i ndershëm, që nuk pajtohej me regjimin, arrestohej me akuzën e hajdutit, pa vjedhur kurrë në jetën e tij. Arrestohej me akuzën e zënkave, të provokuara të gjitha. Çfarë do të thotë kjo? Sokol Mëngjesin donin ta vriste. Kush? Personi që kishte fituar gjyqin në të gjitha shkallët me avokat Sokol Mëngjesin. Pra, ky monstër donte të eliminonte njeriun që e mbrojti në përputhje me ligjin. Të gjitha mund të ndodhin, por këto janë ndodhi që ndodhin vetëm me mbështetje dhe vetëm me mbështetje kryesore politike. A mund të besohet se po heton Taulant Balla? Përkundrazi. Nuk po bëjnë gjë tjetër veçse po shpalosin skenarin e përgatitur. E stisur për një çështje. Çdo avokat ka çështje. Janë njerëzit e çështjeve. Por të eliminosh një avokat në mes të qytetit të Tiranës se gjoja nuk donte t’i paguante detyrimin, kjo tejkalon çdo gjë, përveç mendjen e Edi Ramës, mendjen e Taulant Ballës dhe shërbëtorëve të tyre.
Duke i uruar shërim të plotë profesorit të nderuar, Sokol Mëngjesi, i deklaroj Edi Ramës dhe Taulant Ballës se ky është një sulm direkt kundër opozitës. Se do mbajnë çdo përgjegjësi për këtë akt kriminal të shëmtuar. Për këtë skenar të stisur! Se sot ke goditur një avokat të të vërtetës që të demaskoi ty para shqiptarëve dhe botës me farsën e dosjes tënde ndaj kundërshtarit politik, Sali Berisha. Që të hoqi çdo maskë para shqiptarëve dhe botës të një kryeministri bandit që nuk ke ligj, Kushtetutë dhe moral, por që je një kriminel në krye të protektoratit të krimit në Shqipëri. Miqtë e mi, sot ishte ditë e vështirë sepse një intelektual i shquar u godit në mes të Tiranës. Ftoj intelektualët të bashkohen me ne në protestë sepse secili prej tyre nesër mund të pësojë fate të ngjashme. A nuk ishte Edi Rama mbrapa Emiljano Shullazit, që kërcënoi kandidatin për rektor me rrëmbim të djalit? Sepse donte t’i jepte tenderin e kampusit të universitetit, Emiljanës së Edi Ramës. Po pse të mos themi ne se është Edi Rama mbrapa grupit të strukturuar kriminal që goditi sot për t’i marrë jetën avokatit Sokol Mëngjesi, si hakmarrje e verbër, primitive ndaj përmbysjes së plotë të dosjes Dumani-Kraja-Melonai, këtyre mercenarëve të shpifur të drejtësisë shqiptare.
Ngjarja:
Policia e Tiranës ka zbardhur dhunimin e avokatit Sokol Mëngjesi, i cili u dhunua në mënyrë barbare mëngjesin e kësaj të mërkure në zonën e ish-Bllokut në Tiranë.
Në një deklaratë për mediat, kreu i Policisë së Tiranës, Tonin Vocaj, bëri me dije se tre autorët janë shtetasit Dorian Alia, 32 vjeç; Drivald Alia, 21 vjeç dhe Elton Kasaj, 33 vjeç të tre banues në Tiranë, të cilët e kanë dhunuar autorit me sende të forta, ndërsa janë larguar nga vendi i ngjarjes nga shtetasi Romario Tabaku, 26 vjeç me automjetin tip “Audi” me targa “AB696JT”.
Sipas hetimeve të autoriteteve policore, avokati Sokol Mëngjesi është goditur për shkak të detyrës, teksa si organizator i dhunimit të tij dyshohet se është shtetasi Dritan Nano 58 vjeç, i cili është ndaluar nga Policia.
Burime për mediat bëjnë me dije se avokati Mëngjesi përfaqësonte në një proces gjyqësor 8 trashëgimtarë të një prone, proces gjyqësor i cili është fituar prej tyre në të dy shkallët e gjyqësorit.
Paraprakisht, të 8 trashëgimtarët kishin firmosur një kontratë për pagesat që do i jepnin avokatit Sokol Mëngjesi në rast se gjyqi do të fitohej. Pas gjyqi është fituar, 7 prej palëve i kanë dhënë paratë Mëngjesit dhe studios së tij ligjore “ALTERUM SHPK” sipas kontratës së firmosur, përveç Dritan Nanos.
Për këtë avokati ka hapur gjyq ndaj Dritan Nanos, proces që e ka fituar dhe përmbarimi ka bllokuar pronën, duke mos e lejuar që të vijoj shitja.
I gjendur në këtë situatë, dyshohet se Dritan Nano ka angazhuar lidhjet e tij shoqërore duke kërcënuar avokatin që të tërhiqet nga përqindja që duhet të merrte.
Fillimisht raportohet se kanë pasur një takim rreth një muaj më parë, por nuk kanë rënë dakord pasi Sokol Mëngjesi ka pretenduar se ka një kontratë që duhet ta zbatojë studio ligjore.
Burime për mediat bëjnë me dije se bëhet fjalë për një pronë tek Diga e Liqenit Artificial në Tiranë, ku janë ndërtuar kulla.
Momentalisht është vetëdorëzuar vetëm Dorian Alia, teksa tre tautorët e tjerë vijojnë ende të jenë në kërkim, teksa është ndaluar dhe organizatori Dritan Nano.
Avokati u dhunua për shkak të detyrës/ Ndalohet organizatori, në kërkim 3 autorë
DETAJET/ Dritan Nano fitoi gjyqin e pronës për kulla dhe nuk i dha lekët avokatit